
Përpara se ta etiketojmë negativisht, le të njohim se çfarë alternative qeverisëse ofron AfD-ja!
nga Klodi Stralla
Dje, në zgjedhjet parlamentare në landin e Saksoni – Anhalt, partia “Alternativa për Gjermaninë” (AfD) u rendit e para me rreth 44% të votave, por pa mundur e vetme të krijojë qeverinë. Është një sinjal paralajmërues, jo vetëm për Gjermaninë, por edhe për BE-në dhe politikat e saj, që parapëlqen ta etiketojë atë si parti e “ekstremit të djathtë”, si rishfaqje e nazizmit (Hitlerit) të paraluftës. Por para se ta etiketojmë negativisht, deri duke bërë thirrje për ta ndaluar me ligj, mirë është të njohim programin e saj, atë që ajo oferton. Alternativa për Gjermaninë (AfD) është një parti politike, programi politik i së cilës bazohet kryesisht në nacionalizëm, anti-emigracion, euroskepticizëm dhe konservatorizëm të skajshëm social. Programi dhe manifestet e tyre manifestohen në këto pika kyçe:
1.Emigracioni dhe Azili
-Dëbimi në masë (Rimigracioni): – Kjo është shtylla kryesore e programit të tyre. AfD kërkon mbylljen e kufijve për emigrantët, ndalimin e azilit për kategori të caktuara dhe dëbimin e menjëhershëm të personave pa leje qëndrimi ose që kanë kryer vepra penale.
-Kundërshtimi i Islamit: – Partia pretendon se Islami nuk është pjesë e kulturës gjermane dhe kërkon ndalimin e simboleve fetare publike, si minaretë apo shamitë në institucione.
2.Politika e Jashtme dhe Bashkimi Evropian (Euroskepticizmi)
-Largimi nga BE (Dexit): – AfD propozon që Gjermania të largohet nga Bashkimi Evropian ose që BE-ja të shpërbëhet për t’u kthyer në një konfederatë të thjeshtë ekonomike kombesh.
-Kthimi te Marka Gjermane: – Ata kundërshtojnë monedhën Euro dhe kërkojnë rikthimin e valutës kombëtare gjermane.
-Riorientimi Gjeopolitik: – Kanë mbajtur shpesh qëndrime pro-ruse, duke kërkuar heqjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe ndalimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën.
3.Shoqëria, Familja dhe Arsimi
Familja Tradicionale: – AfD promovon modelin e familjes tradicionale (burrë, grua, fëmijë) dhe kundërshton abortin, martesat e të njëjtit seks dhe politikat gjinore (gender mainstreaming).
-Politikat në Arsim:
-Programi i tyre i brendshëm përfshin masa radikale, siç janë idetë për ndarjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara në klasa të veçanta dhe ndryshimin e mënyrës se si mësohet historia e Luftës së Dytë Botërore në shkolla (duke u fokusuar më shumë te krenaria kombëtare).
4. Siguria dhe Rendi Publik
-Rritja e Kompetencave të Policisë: Kërkojnë më shumë buxhet për policinë dhe ashpërsim masiv të dënimeve penale.
-Patrullat Vullnetare: Mbështesin idenë e krijimit të patrullave qytetare vullnetare për të ruajtur rendin nëpër lagje.
5.Ekonomia dhe Energjia
-Kundërshtimi i Agjendës së Gjelbër: – AfD e cilëson tranzicionin ekologjik dhe politikat për ndryshimet klimatike si të dëmshme për industrinë gjermane. Ata kërkojnë rikthimin te energjia bërthamore dhe përdorimi i qymyrit.
-Ulja e Taksave: – Propozojnë një sistem të thjeshtuar taksash dhe heqjen e taksës mbi trashëgiminë.
PS. Landi i Saksoni-Anhalt ka nje sipërfaqe prej 20.454 km2 dhe një popullsi rreth 2.5 milion banorë (afërsisht sa Shqipëria), me qytet kryesor Magdenburgun. Para 1990 ishte pjesë e RDGJ (ish Gjermanise lindore). Kulturalisht është qendra e dikurshme e Protestantizmit, ku më 1517, Martin Luteri ngjiti 95 tezat e tij Reformatore në derën e kishës në Vitenberg.