Pak fjalë për figurën e Azem Hajdarit dhe kohën e tij – nga Indrit Vokshi

Gazeta

Azem Hajdari (1963-1998)
Azem Hajdari (1963-1998)
Pak fjalë për figurën e Azem Hajdarit dhe kohën e tij
nga Indrit Vokshi

Kur me 12 shtator 1998, u vra Azem Hajdari, pati rënë në shpi tonë si tip zie, heshtje! A thua se e kishim diçka!
Atë vit, baba im ishte hequr nga puna në Drejtorinë Qëndrore të SHIK-ut, te Shkolla e Bashkuar, natyrshëm si njeri i Berishës e Gazidedes. Ndoshta natyrshëm pavetëdijshëm, në subkoshiencë, kjo përfytyrohej si vazhdim i një revanshi e hakmarrjeje, pa ditur ta përkufizonim aq filozofikisht se çfarë ishte. Fatos Nano u bë njeriu më i urryer. Edhe fëmijët 6 apo 8 vjeç rrinin te shkallët e pallatit dhe thonin: “Fatos Nano: kriminel”.
Politika për 5 vjet rresht u ngrit mbi kufomën e Azemit. Ai trup i vdekur u bë gjeneratori i fuqishëm që i jepte energji urrejtjes. Deri në ditën kur Fatos Nano shkoi në festën e themelimit të PD-së, diku kah dhjetori 2003. Aty toku gotat me Sali Berishën dhe u duk sikur “bajraktari” e “fali gjakun e Azemit”. Ose thënë ndryshe e shiti gjakun me lek, sepse me pakt iu dha prokurori, presidenti, kreu i KLSH etj.
Azemi nuk ishte ndonjë njeri me intelekt të spikatur dhe i aftë për të organizuar politikë. Ishte më shumë i vrullshëm. Mbante me vete gangsterët e viteve ‘90, më shumë tip kaubojsi, nën kultin e të fortit; edhe bustin në qytetin Studenti ia kanë bërë me muskuj. Tip Mic Sokoli, të cilit i duhej një Ymer Prizren për ta udhëzuar e për t’ia orientuar energjinë. Shkoi u bë edhe mason me imagjinatën se përmes asaj lozhe do të arrinte shumë e do të ishte i mbrojtur. Edhe lapidarin aty krah Toptanit deri vonë e ka pasur me kompas masonik!! Mirëpo Berisha nuk i dha asnjëherë asnjë post ministri, ia mohoi pushtetin real ekzekutiv. Madje e shpalli “spiun të Sigurimit të Shtetit”; zyrtarisht në gazetën RD.
Ditën kur u vra Azemi u bë i vlefshëm e i domosdoshëm, sepse trupi i tij i vdekur vlente më shumë se sa i gjallë. Vrasja duhej të ishte patjetër politike sepse si vrasje jo politike nuk vlente. Vetë në tavolina ata e thonin se u vra për trafik armësh, ose ngatërresa në gjakmarrjet e Tropojës, vetë të njejtët persona publikisht deklaronin se ai u vra qëllimisht për të frikësuar Sali Berishën në misionin e tij për votën e lirë. Pra, edhe vrasja duhej të vendosej në shërbim të misionit të këtij njeriu për demokraci. Një përdorim i sofistikuar dhe i pacipë.
Sot mbahet kulti i Azemit. Përdoret e shtrydhet deri në pikën e fundit. Siç e shoh unë, Azemi ishte një djalë nga familje hallaxhie si shumica e shqiptarëve, familje e pagëzuar në komuniste për të pasur ndonjë mundësi më shumë në jetë, si psh për të sjellë djalin në shkollë në Tiranë. Instikt mbijetese e shpëtimi.
Kishte atë vrullin micsokols të tropojanit, vrull e temperament të cili i duhet gjetur çelësi për ta administruar nga një mjeshtër më i madh, se përndryshe shkon dëm. Me shkujdesje të papërgjegjshme ndaj jetës, tipike për tipat karakterialë e sanguinë të cilët kanë një virtyt burri, por e kanë të pagdhendur e të palatuar e që shpesh i merr në qafë; sepse mikrobota rapsodike e Krasniqës është e papërgatitur, e pakolauduar dhe mbytet shpejt në botën e intrigës së kryeqytetit i cili kishte një shekull duke vrarë e dorëzuar për t’u vrarë politikanë. Ishte flijimi i takimit të mikribotës rapsodike me qytetin. Edhe bajraktari i fisit të tij, Binak Alia kur u thirr në Prizren, ku ishte çerdhja e agallarëve dhe bejlerëve të stazhonuar me intrigë dhe ia patën nxjerrë kafen me helm. E pat shpëtuar intriganti Sulejman Vokshi, i cili iu prishi mbledhjen duke thënë: “T’hekim dor’ prej derës së Ali Osmanit” dhe e morën e çuan tek prifti i Zymit, i cili ishte edhe mjek.
Azemin nuk pati kush ta shpëtojë. Bajraktari i vet i cili supozohej ta bënte, kishte kryer shkollën e jetës duke ndejtur me Hysni Kapon, me fëmijët e Enverit, kishte mësuar se partia s’ka nevojë për probleme të brendëshme. Nuk pati nevojë as ta vriste, as ta shtynte për t’u vrarë, asgjë të tillë! Ai dinte se algoritmi i kohës këta tipa i seleksionon vetë, mjafton të mos i mbrosh dhe t’i lësh në rrjedhën e tyre natyrore.
Sot Azemi prej varrit vazhdon i shërben tregimit se shpia politike e bajraktarit, ka derdhur gjak për demokraci. Sepse as e pyet kush, as i merr leje kush. S’ka vend për ndjenjë tjetër, veçse të të vijë gjynah për tragjedinë për së gjalli të një brezi, i cili u dogj duke u mahnitur prej zjarrit sepse për 5 dekada nuk kishte parë zjarr me sy.

***
Hysni Ahmetaj në lidhje me shkrimin e Indrit Vokshin
Ky shkrim nuk është gjë tjetër vetem se lufte speciale (PSYOP) për t’i mbajtur plebenjtë nën kontroll. Shumë njerëz e kanë tashmë të ngulitur në vetëdije dhe e vazhdojnë për inerci pa qenë të ndërgjegjshëm këtë lloj lufte, ashtu si trend “intelektual”.
1.Teza se Azemi nuk ishte inteligjent, mbështetet në tezën partisë së punës që Azemi ishte “huligan” dhe në tezën e atyre që e quanin “tribun i vegjëlisë”. Tribuni ishte përfaqësuesi politik i plebejve në Romën e Lashtë, dhe prandaj busti është me muskuj. Se ajo është narrativa që vazhdoi nga 90-ta derisa vdiq.
Teza se nuk ishte intelektual, bazohet në prishjen e hierarkisë së nomeklaturës, hierarkisë së vlerave të feudalizmit komunist. Tribun, është sinonim i “huliganit”, në këtë kuptim, pasi ai ishte antisistemi, ai përfaqësonte antivlerat për feudalizmin komunist që tashmë ndryshoi trajtë dhe emër, ndryshoi kozmetikën… por jo simbolikën. Patricët ngelën po ata, Blloku ngeli prap qendra gravitacionale e politikës dhe ekonomisë, dhe titulli Prof. Dr. ngeli si kusht, si kriter për t’u bërë pjesë e administrimit provizor të pushtetit, derisa brezi i pasardhësve të patricëve të vërtetë të konsolidohet. Administrimi provizor ishte sigurisht pjesë e kozmetikës. Duke qenë pjellë e pjesë e patriciatit, administrimi provizor, sigurisht që ishte vazhdim i të njejtës hierarki vlerash, ku poshtërsimi i vetvetes përpara shefit ngelet virtyti më i lartë, dhe gjithë veset e tjera që duhen për t’i shërbyer sistemit vijnë natyrshëm pas kësaj.
Azemi, në këtë kuptim ishte antivlerë. Ai vinte nga një familje “hallexhie” pavarësisht se gjyshi i tij ishte veteran lufte. Hallexhi, këtu ka kuptimin nuk ishte pjesë e patriciatit. Ai vazhdoi si i tillë edhe pas trukimit të sistemit. Prandaj sulmohej, ai nuk ishte inteligjent se nuk ishte prof. dr., se nuk merrte vesh nga “politika” nuk vetëposhtërohej.
Kur ti thua se nuk ishte inteligjent dhe nuk kishte aftësi politike, me çfarë e mat? Përveç faktit që nuk ishte patric kuptohet. Cilat qëndrime të tij dëshmojnë paaftësi? Lëvizja studentore? Kërkesa para ramizit që takimi të transmetohet i plotë në tv dhe qe studentet nuk jane te nxitur nga asnjë agjenturë? Qëndrimet kundër kultit të indivitit që në ‘92? Qëndrimet kundër spastrimeve në PD në vijimësi me përjashtim të grupit të Pashkos? Qëndrimet kundër veprimtarisë së Shik-ut? Thirrjet për mbylljen e firmave piramidale që në 1995, në gazetën “Koha Jonë”? Përpjekja që t’u japë pavarësi sindikatave? Qëndrimi pro dhe futja në grevë urie me te burgosurit politikë?
Shik-u e përgjoi Azemin për shkak të qëndrimeve të tij! Pyetja shtrohet, kujt i dha të drejtë koha, Azemit për qëndrimit e tij, apo patriciatit që përdorte Shik-un për ta përndjekur Azemin?!
Dhe sa i takon aftesisë për organzim, shqiptarët e dinë mirë se ku do të ishte Azemi nëse nuk vritej!
2.Krasniqja dhe bajraktraizimi.
Këtu edhe ato që i shtron si fakte edhe ato edhe cilësimet i ke të pavërteta.
Azemi nuk kishte mbështetje personale jashtë partisë së vet as në Krasniqe, as në Tropojë. Larg prej asaj, në çdo qytet të Shqipërisë, ama bash në çdo qytet ka patur më shumë mbështjetje personale se sa në B. Curri. Përpjeka për ta paraqitur këtu si fisnor, si përfaqësues të një grupi krahinor, është e ulët nga çdo pikëpamje. Krasniqja, është nga zonat më të papërfaqësuara në pushtet që nga 45 dhe deri sot, pavarësisht se janë disproporcionalisht më të shkolluar se shumë zona të mbipërfaqësuara.
Bajraktarizmi, nuk është antivlerë siç ka marrë konotacion prej luftës ndaj “zakoneve prapanike”. Është sistemi më i lartë i demokracisë dhe meritokracisë që ka ekzistuar. Bajraktar, është një titull që në kohë paqe gëzon respekt si shtëpi e parë, nje lloj “baroni” i fisit. Në kohë lufte është ai që e paguan me gjak atë titull. Ai që zgjidhet bajraktar në kuvend të burrave, prin në çdo luftë dhe i del për zot fisit, dhe e mban atë titull vetëm për sa kohë është në gjendje. Asnjë kompetencë tjetër nuk ka patur as në 1500, as në 1700. As mbledh taksa, as jep urdhra, as ndan gjyq, as nuk shkel ligj e zakon. Ai ishte vetëm “primus inter pares” në respekt të sakrificës së familjes. Pra, dallimi mes tij dhe politikanit shqiptar ëshë se bajraktari bën sakrificën më sublime për popullin e vet, ndërsa politikani i nomeklaturës, e vjedh, e poshtron popullin e vet, dhe i vret kundërshtarët me dorën e të tjerëve, po ashtu ju vret edhe memorien me shkrime të porositura që të mbaj gjallë atë sistem që e ushqen vetëm atë.
Binak Alia nuk ka qënë bajraktar. Ai ka qenë “plak kanuni” një pozicion që vjen 100% në bazë të meritokracisë, pasi me kanun drejtësia ka qenë në formë arbitrazhi dhe palët në mosmarrëveshje e kanë zgjedhur vet “plakun” për të ndarë gjyqin. Binak Alia është njeriu me kontributor ne kanun pas Lekës, dhe njeriu më me autoritet individual i kohës së tij në krejt Shqipërinë e veriut, për shkak të zgjuarsisë së tij. As Binak Alia as Sylejman Vokshi nuk kanë qenë asnjëherë në kuvendin e Lidhjes së Prizerenit. Kjo është jashte diskutimit. Lidhja u mori emrin e vendit ku u zhvillua më vonë, por ajo është quajtur lidhja islamike dhe kanë marrë pjesë në kuvend vetëm pashallarët e kohës dhe asnjë malësor. Ngjarjet e Gjakovës e ndajnë historinë, dhe ajo që vijon ishte ishte Lidhje shqiptare, po sipas rregullave të kanunit shqiptar, jo pashallarëve. Edhe Maxharr Pasha u vra sipas kanunit për t’i çuar mesazh Berlinit që nuk e pranojmë “pleninë”. Dhe ia prishën pleninë me pushkë në dorë. Politikanë këtu kanë qenë Ali Pashë Gucia dhe Haxhi Zeka (kontribuesi më i madh financiar). Sylejman Vokshi merr rëndësinë e vet këtu jo si politikan, por si përfaqesues i fisit të Vokshit, një nga fiset më të forta e patriotë në Kosovë në atë kohë. Bajaraktar i Krasniqes, ka qenë Man Avdia, e Mici ka qenë kushëri i parë i tij. Pra, edhe shpia e bajraktarit, edhe shpia e Binak Alisë, edhe e Sylejman Vokshit e meritojnë respektin e kontributit finsik në çdo rrethanë, dhe përdorimi pezhorativ i bajraktarizmit është antikombëtar. E kuptoj edhe sarkazëmen e shkrimit, po në çdo rast efekti është operacion psikologjik.

Romir Teta mbi shkrimin
Dy rezidentura të forta ka pat UDB-a në Shqipëri, atë të Shkodrës dhe atë të Tropojës.
Vrasja e Azemit ishte si pasojë e përplasjeve të brendshme të ish- Rezidenturës së Tropojës.
Duke qenë se paskeni lidhje dhe me SHIK-un, duhet ta dini mirë se në votimin e parë për drejtimin e grupit nismëtar të PD nuk fitoi Sali Berisha.
Kanë shkue Haklajt (Halili) me porosi të Ramiz Alisë që ka kthy votimin te shtepia Gramoz Pashkos, është anullue votimi me Meksin, ku doli barazim dhe ia lanë përkohësisht Azemit sa të përgatitej fusha për Berishën.
Sepse klani grek ishte i fortë brenda Komisionit nismëtar, por projekti ishte që grekët duhej të merrnin PS-në jo PD-në.
PD-ja do t’i dorëzohej Rezidenturës.
Azemi s’kishte hypë nojherë në varkë.
Agjent terreni ishte.
Ashtu dhe Haklajt!
Marrë nga Muri i FB, Indrit Vokshi, 13 shtator 2026

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit