
Dashuria nuk matet me kufijtë, por me hapësirat…
Anila Toto mbi poezinë “Desha të hyj në zemrën tënde…” të Ndoc Gjetjes
Desha të hyj në zemrën tënde
U kërrusa, u kërrusa
U bëra lëmsh sa një top
por prapë e dashur
Zemra jote nuk më nxuri dot.
Ndoshta dhe mund të hyja,
Por të them të vërtetën
I kërrusur s’mund të rrija
brenda teje gjithë jetën.
Zgjeroje zemrën ti!
Më tepër, më tepër
Dhe në qoftë se më nxë
do të hyj patjetër.
Klubi i Letrave “Ndoc Gjetja” Lezhë

Poezia e dashurisë vjen me ide të bukur, metaforike, të ndjerë dhe filozofike. Ajo ka një gjuhë të thjeshtë sikur një bisedë e çiltër njerëzore, por nën këtë thjeshtësi fsheh një konflikt të rëndë midis dashurisë dhe kontrasteve njerëzore, shpirtërore dhe jetike.
Nuk ka gjë më të dhimbshme sesa të krijosh poezi për ata njerëz që, në një mënyrë apo në një tjetër, kanë humbur distancat apo lidhjet me shpirtin tënd në fazën më të çiltër njerëzore.
Me një gjuhë të thjeshtë, pothuajse bisedë, poeti ndërton një situatë metaforike të fuqishme për dashurinë, dinjitetin dhe pamundësinë për të jetuar brenda dikujt që nuk ka hapësirë të mjaftueshme për ty: “u kërrusa, u kërrusa/ u bëra lëmsh sa një top”. Është kjo një nga ato metafora që të bëjnë të buzëqeshësh në fillim, por pas buzëqeshjes fshihet një dhimbje e madhe që të trondit, jo thjesht nga humbja apo pamundësia, por nga sakrifica e njeriut për të dhënë dashuri aty ku nuk ka pa limte.
Zemra nuk është më organi fizik i njeriut, ajo shndërrohet në një hapësirë simbolike, në një shtëpi të shpirtit, në vendin ku duhet të ketë dashuri, mirëkuptim dhe strehë.
Sa bukur e nënkupton poeti, se të hysh në një zemër “të vogël” do të thotë të zvogëlosh e të zvogëlosh veten, pa komplekse, vetëm për të gjetur diçka të bukur tek I përballti.
Natyrisht, për t’iu përshtatur asaj hapësire, mund të të duhet të heqësh diçka nga vetja, nga ajo që je. Por pikërisht këtu qëndron drama, sepse do të përshtatesh me hapësirën që dikush, qoftë edhe dashuria të ofron mund të kthehet në një mënyrë për të pranuar më pak nga sa meriton, vetëm që të mos mbetesh jashtë.
Dhe kështu, metafora e “zemrës së vogël” nuk flet vetëm për mungesën e hapësirës në dashuri, ajo flet edhe për rrezikun e zvogëlimit të njeriut për hir të një marrëdhënieje dashurie njerëzore. Sepse natyrisht, ti mund të përkulesh për të hyrë në zemrën e dikujt, por nuk mund të jetosh gjithë jetën i kërrusur.
“U kërrusa, u kërrusa…” Përsëritja e foljes e bën aktin e përkuljes më të vështirë, më të thellë dhe më domethënës.
Nuk kemi të bëjmë me një përkulje të vetme, por me një proces të vazhdueshëm, ku njeriu përpiqet herë pas here të bëhet më i vogël, më i përshtatshëm, më pak kërkues.
Ai vetësakrifikohet për dashurinë, derisa arrin në pikën e fundit të durimit, “U bëra lëmsh sa një top.” Këtu njeriu, me gjithë madhështinë e shpirtit të tij, përfytyrohet si një top i vogël që përpiqet të futet në një hapësirë të pamjaftueshme.
Autori nuk kursehet aspak në metafora të njëpasnjëshme, të cilat i ndërton edhe të thjeshta e të natyrshme, edhe me mjeshtërinë e një poeti të madh, dhe që e bëjnë këtë akt të duket edhe më tragjik. Epiteti “e dashur” e zbut dhimbjen.
Poeti nuk akuzon, nuk bërtet, nuk mallkon. Ai i drejtohet tjetrit me butësi. Kjo e bën poezinë edhe më njerëzore. Refuzimi nuk shndërrohet në urrejtje. Kemi një lloj personifikimi simbolik pasi zemra duket sikur ka përmasë, mure, hapësirë dhe mundësi për të strehuar dikë.
Këtu qëndron edhe paradoksi i madh i poezisë, se dashuria, në vend që ta çlirojë njeriun, ta zmadhojë, ta bëjë të lumtur dhe ta lejojë të shpërthejë në ndjenja pa komplekse e pa kufij, e detyron atë të zvogëlohet vazhdimisht, vetëm e vetëm që të mund të ekzistojë brenda saj.
Dhe pikërisht në këtë zvogëlim të vetvetes lind dhimbja e vërtetë e poezisë, se sa shumë mund të sakrifikojë njeriu nga vetja për të zënë një vend në zemrën e dikujt tjetër?
“Ndoshta dhe mund të hyja,/ Por të them të vërtetën
I kërrusur s’mund të rrija/ brenda teje gjithë jetën.”
E kështu autori nis me një tjetër bosht filozofik të poezisë duke e zhvendosur mendimin në katër vargje, nga dëshira për të hyrë në zemrën e tjetrit, te nevoja për çlirimin e përbashkët, apo te nevoja për të gjetur hapësirat e duhura për të mbijetuar.
Por ja, e zëmë se u sakrifikua, hyri në zemrën e saj, sa mund të jetojë njeriu brenda një dashurie, duke u zvogëluar vazhdimisht?
Fjala “ndoshta” është jashtëzakonisht e rëndësishme, sepse autori do të tregojë se ai ka luftuar; nuk kemi një refuzim të menjëhershëm, por një hapësirë hipotetike, dëshirore dhe filozofike.
Folja “mund të hyja” është në mënyrën kushtore dhe krijon një realitet të mundshëm, jo të realizuar. Këtu dashuria paraqitet si një mundësi dhe, në planin psikologjik, kemi një subjekt që nuk e mohon dashurinë, por fillon të vërë në dyshim detyrimin që duhet të paguajë për të, nëse do të duhet të humbasë vetveten për të mos humbur dashurinë.
Dhe pikërisht këtu ndryshojnë përmasat logjike dhe shpirtërore të poezisë, sepse autori e pranon dashurinë, por vendos përpara saj të vërtetën, refuzon sakrificën e përjetshme dhe kërkon dinjitet e hapësira të barabarta për një bashkëjetesë të mundshme.
Kjo strofë është shumë më inteligjente, sepse autori, me një gjuhë të thjeshtë dashurie, ngre një teori të vogël mbi marrëdhënien e madhe njerëzore. Është një nga pjesët më të fuqishme filozofike dhe psikologjike të poezisë.
Në aspektin ideologjik, strofa mbron lirinë dhe dinjitetin e individit, në aspektin sociologjik, ajo kritikon marrëdhëniet ku vetëm njëri sakrifikohet.
Nga ana letrare, metafora trupore e bën abstrakten dhe psikologjiken konkrete dhe të prekshme, edhe pse mendimi filozofik mbi dashurinë dhe identitetin shprehet thjesht, butësisht dhe natyrshëm.
“Zgjeroje zemrën ti!” ka një pikëçuditëse, që vjen në formë thirrmore, dhe është një kërkesë dashurie, pothuajse një përgjërim dinjitoz, një kërkesë për më shumë humanizëm, mirëkuptim, tolerancë dhe hapësirë shpirtërore. “Zemra” është metafora e kapacitetit emocional të tjetrit, e ndoshta edhe e aftësisë për të pranuar, dashur dhe mbajtur një njeri tjetër pa ndryshuar as atë, as veten.
“Më tepër, më tepër” dhe përsëritja e drejtpërdrejtë intensifikon dëshirën, kërkesën emocionale dhe nevojën shpirtërore, por është shumë domethënëse, sepse shpreh pamjaftueshmërinë e asaj që tashmë ekziston.
“Dhe në qoftë se më nxë/ do të hyj patjetër.” Këtu fjala “patjetër” është çelësi i fundit emocional i zgjidhjes së gjendjes dhe psikologjive të ndrydhura. Ajo e mbyll poezinë me një përzierje shprese dhe vendosmërie se nuk duhet pak, por nuk duhet as shumë për t’ia dalë.
Këtu kemi edhe një antitezë të bukur, pasi në fillim është autori që zvogëlohet, ndërsa në fund duhet të zgjerohet zemra e tjetrit. Në fillim autori përkulet, ndërsa në fund kërkon hapësirë për të qëndruar i lirë në hapësirën e ndjenjës.
Por efekti grotesk bëhet edhe më i fuqishëm, sepse pas tij fshihet një e vërtetë tragjike, nëse duhet të bëhesh “lëmsh” për të hyrë në zemrën e dikujt, atëherë ndoshta çmimi i dashurisë është tepër i madh nuk ia vlen.
Autori nuk përdor një gjuhë filozofike, por fjalë të zakonshme, imazhe të thjeshta dhe një situatë gati naive për të shpjeguar ngarkesën shpirtërore, ndjenjën, problemin dhe zgjidhjen. Dhe pikërisht kjo e bën poezinë të veçantë, pas thjeshtësisë së gjuhës fshihet një mendim i thellë mbi dashurinë, lirinë, dinjitetin dhe nevojën për hapësirë brenda marrëdhënies njerëzore.
Në fund, mund të themi më plot gojën se dashuria nuk njeh limite. Ajo nuk matet me kufijtë, por me hapësirat që jemi të gatshëm t’i krijojmë tjetrit brenda saj kur zemra dashuron vërtetë.
Marrë nga Muri i FB, Anila Toto