
Atdheut si art, kujtesë e trashëgimi shpirtërore…
Anila Toto analizon poezinë “Epitafi” të Kudret Kokoshit
Epitafi i Kudret Kokoshit
Jetova jetën pak e vuajta shumë,
Po dhe në vuajtje prapë dashurova,
Dhe kur të bie të fle të fundit gjumë Oh!
Mos pandehni jo, se un’ pushova;
Ju mos pandehni jo, se do hesht fare,
Në varr të zi kur eshtrat të më treten
Sepse në vargun tim, shkrapëtimtare
Të rrahjes zemrës time do të mbeten!
Fuqinë ja rrëmbeva un’ stuhisë
Dhe me të mbrujta vargjet për Atdhenë,
Prej zjarrit kur u dogja të lirisë,
Dhe Vlorës i këndova Epopenë!

–Kudret Kokoshi, ishte jurist, poet, përkthyes, intelektual i formuar në Perëndim, një personalitet poliedrik që iu përkushtua gjithë jetës çështjes kombëtare dhe u përball me diktaturat më të egra të shekullit të kaluar. Jeta e tij përfaqëson fatin e një brezi intelektualësh që u përballën me persekutime të njëpasnjëshme nga regjime të ndryshme.
Përtej përndjekjeve, Kudret Kokoshi mbetet një figurë e rëndësishme e kulturës shqiptare. Ai u shqua si kritik letrar, përkthyes dhe poet.
-Në vitet ‘30 ai ishte ndër të parët që analizoi dhe vlerësoi veprën e Lasgush Poradeci, duke dëshmuar një sens të hollë kritik dhe një kuptim të thellë të letërsisë. Figura e tij mbetet sot një simbol i qëndresës intelektuale dhe morale.
-Jeta e Kudret Kokoshit është dëshmi e një përkushtimi të palëkundur ndaj atdheut, kulturës dhe lirisë, duke e vendosur atë ndër personalitetet që meritojnë një vend të veçantë në historinë shqiptare.
Idea në këto vargje epitaf është mënyra se si njeriu e mund vdekjen përmes dashurisë, fjalës, Atdheut dhe kujtesës. Këtu kemi një formulë testamenti “pak” i përket kohës, ndërsa “shumë” i përket përvojës jetësore.
Pra, poeti nuk e mat jetën me vite, por me intensitetin e asaj që ka përjetuar. “Epitafi i Kudret Kokoshit” i përket asaj ndienjë që vendoset në kufirin e dy botëve: asaj të jetës dhe asaj të vdekjes midis. Prandaj kjo poezi nuk mund të konceptohet thjesht një epitaf.
Është një kundërshtim i hapur poetik ndaj vdekjes.
Në pjesën emocionale vjen si një rrëfim i lodhjes, por jo i dorëzimit. Në pjesën biblike kujton njeriun që e sheh jetën si të shkurtër dhe të brishtë. Në Librin e Jobit, jeta njerëzore përshkruhet vazhdimisht përmes figurës së kalueshmërisë.
Në aspektin antropologjik, vuajtja është një nga përvojat themelore përmes së cilës njeriu ndërton kuptimin e ekzistencës, ndërsa në aspektin letrar paraqitet një antitezë e thjshtë, pak/shumë e përmbledh gjithë biografinë në dy fjalë. Është tepër e koncentruar në fjalë, natyrisht, por është ai epitaf që Kudret Kokoshi e ka mbi shtratin e përjetshëm.
Nuk kemi një njeri që numëron vitet e veta, por një njeri që mat jetën me peshën e asaj që ka përjetuar. Në këtë kuptim, vargu ka një jehonë të lashtë biblike. Në Psalmin 90, jeta njerëzore përshkruhet si e shkurtër dhe e brishtë.
Njeriu jeton për pak kohë, por ajo pak kohë mund të mbajë brenda saj një univers të tërë vuajtjesh, dashurish, humbjesh dhe shpresash. Kështu, “pak” është përmasë biologjike dhe “shumë” është përmasa shpirtërore.
“Po dhe në vuajtje prapë dashurova… “ E natyrisht emocionalisht kjo është një rezistencë shpirtërore se dihet se dashuria nuk është rezultat i një jete të lehtë, por zgjedhje pavarësisht dhimbjes. Ne aspektin biblik kjo afrohet me frymën se dashuria si forcë që nuk shuhet nga sprovat e jetës.
Këtu poezia bëhet filozofi e ekzistencës. Poeti nuk thotë vuajta, prandaj u bëra i ftohtë. Përkundrazi, vuajta dhe përsëri dashurova. Kjo e bën dashurinë një akt moral, pothuajse heroik në mbijetesën dhe dinjitetin njerëzor, ajo është mënyra me të cilën njeriu refuzon të lejojë që vuajtja ta shndërrojë shpirtin në mermer.
Në trajtën antropologjike, dihet se dashuria është një mekanizëm i mbijetesës së individit dhe komunitetit. Dhimbja nuk prodhon urrejtje; ajo lëmon dhe thellon, duke e mbushur dashurinë me ndjenja.
“Dhe kur të bie të fle të fundit gjumë.”
Oh! Dashuria për jetën dhe lodhja nga dhimbjet e saj vijnë nga një pasthirrme e thjeshtë! Kjo është shumë më tepër se një eufemizëm, pasi emocionalisht vdekja zbutet, por vjen jashtëzakonisht e afërt me mënyrën biblike të të folurit për vdekjen si gjumë.
“Dhe kur të bie të fle të fundit gjumë” , këtu vdekja nuk emërtohet drejtpërdrejt; ajo quhet “gjumi i fundit”. Është një eufemizëm i lashtë, por këtu mbart edhe një kuptim të thellë shpirtëror.
Duket tragjike, por pothuajse të gjitha kulturat kanë kërkuar një gjuhë që ta bëjë vdekjen të përballueshme dhe ta paraqesë atë si një akt të natyrshëm dhe njerëzor.
Kështu, kur autori përdor fjalën “gjumë”, krijon një mundësi për zgjim. Prandaj, fjala “gjumë” e lë të hapur mundësinë e transcendencës.
“Mos pandehni, jo, se un’ pushova!”/ ”Mos pandehni” është një thirrje drejtuar të gjallëve. Duket sikur poeti u flet lexuesve nga përtej varrit, me vargje që vijnë me kurajo dhe dinjitet. Nuk ndihet asnjë keqardhje apo ankesë, por poeti ngrihet nga epitafi i vetvetes dhe nuk kërkon mëshirë nga të gjallët. Përkundrazi, vargu na kujton idenë se vdekja fizike nuk e mbyll domosdoshmërisht ekzistencën e njeriut.
Antropologjikisht, kemi kundërshtimin e asaj që mund të quhet “vdekje sociale”, duke qëndruar te ideja se njeriu mund të vdesë fizikisht, por të vazhdojë të jetojë në kujtesën e komunitetit.
Gjithsesi, pasthirrma “Oh!” e dramatizon zërin dhe e bën epitafin pothuajse një monolog skenik.
“Ju mos pandehni, jo, se do hesht fare,”
Përsëritja e mohimit e bën qëndrimin e poetit kategorik. Ai nuk pranon as pushimin, as heshtjen, as zhdukjen. Kjo nuk është thjesht dëshirë për famë. Është një nga instinktet më të vjetra të njeriut: dëshira për të lënë një gjurmë.
“Në varr të zi, kur eshtrat të më treten,
Sepse në vargun tim, shkrapëtimtare,
Të rrahjes së zemrës time do të mbeten!”
Vargu poetik vazhdon me logjikën e poezisë si një formë e qëndrueshme e kujtesës, e cila i mbijeton vdekjes fizike të autorit. Përmes poezisë ruhen gjurmët e ndjenjave, përjetimeve dhe emocioneve që kanë shoqëruar jetën e tij.
Në këtë kuptim, poezia shndërrohet në një mjet që i reziston vdekjes fizike dhe, antropologjikisht, shpreh atë që mund të quajmë “pavdekësi simbolike” ku poeti e sheh poezinë si mënyrë për të mbijetuar në kujtesën kolektive.
Njeriu e di se trupi do të zhduket, prandaj ndërton këngë, mite, monumente, libra, emra dhe kujtime. Që nga këngët e rapsodëve deri te monumentet e qytetërimeve të lashta, njerëzimi ka kërkuar një mënyrë për t’i thënë vdekjes: “Edhe kur nuk do të jem më këtu, diçka nga unë do të mbetet.”
Por poezia ndryshon plotësisht atmosferë në strofën e fundit. Autori nuk i përket vetëm vetes, jetës së tij apo familjes; ai i përket Atdheut, por edhe Vlorës së tij të dashur dhe historisë së saj:
“Fuqinë ia rrëmbeva un’ stuhisë
Dhe me të mbrujta vargjet për Atdhenë,
Prej zjarrit kur u dogja të lirisë,
Dhe Vlorës i këndova Epopene!”
Këto vargje përmbyllëse përbëjnë kulmin emocional, ideor dhe artistik të poezisë, sepse përmbledhin marrëdhënien e poetit me stuhitë e jetës, lirinë e vendit, Atdheun dhe historinë e tij.
“Fuqinë ia rrëmbeva un’ stuhisë” shpreh një subjekt poetik që nuk mposhtet nga vështirësitë, por i shndërron ato në energji krijuese. Stuhia nuk mbetet vetëm një dukuri natyrore, por merr kuptim simbolik si shenjë e trazirave, përplasjeve dhe sfidave të jetës, prej të cilave poeti nxjerr forcën për të krijuar.
Në vargun “Dhe me të mbrujta vargjet për Atdhenë”, poezia paraqitet si një proces i mundimshëm, i vetëdijshëm dhe thellësisht shpirtëror krijimi. Folja “mbrujta” sugjeron jo vetëm një akt krijues, por edhe një përkushtim e vuajtje të thellë, sikur vargjet të jenë formuar nga duart e një krijuesi që ka derdhur në to gjithë përvojën, dhimbjen, dashurinë dhe idealet e veta.
Është sikur poeti të ketë vendosur në varg jo vetëm mendimin, por vetë jetën dhe shpirtin e tij. Me gjithë ndërgjegjen time, këtë proces do ta quaja “metamorfoza e dhimbjes në krijim”.
Kjo është, në fakt, një nga idetë më të fuqishme që përshkon gjithë poezinë: dhimbja nuk mbetet thjesht një përjetim individual, por shndërrohet në energji artistike dhe në një formë të lartë përkushtimi ndaj Atdheut.
Përtej vetes dhe përtej jetës së tij individuale, duke njohur peripecitë e rrugëtimit të poetit, kuptojmë se stuhia, vuajtja dhe zjarri shpirtëror nuk janë vetëm figura poetike, por shenja të një përvoje të thellë njerëzore. Zjarri ruan brenda vetes vlerat njerëzore, dinjitetin dhe lirinë e brendshme të autorit, ndërsa vargu dhe kultura e tij letrare shndërrohen në një lloj arme shpirtërore dhe intelektuale për të mbrojtur Atdheun.
Poeti nuk e mohon dhimbjen dhe as nuk përpiqet ta fshehë atë; përkundrazi, ai e pranon, e përpunon dhe artistikisht e transformon në poezi. Kështu, vuajtja individuale fiton një kuptim më të gjerë, sepse vendoset në shërbim të një ideali kolektiv.
Në këtë pikë, poezia bëhet një formë e transfigurimit të jetës në art. Ajo që në përvojën njerëzore mund të ishte plagë, humbje apo vuajtje, në duart e poetit shndërrohet në fjalë, ndërsa fjala në kujtesë. Pikërisht kjo e bën përmbylljen veçanërisht dinjitoze: poeti nuk e mbyll jetën e tij me dhimbjen që ka përjetuar, por me krijimin që ka nxjerrë prej saj. Ai e kthen vuajtjen në trashëgimi dhe jetën në dëshmi artistike.
Prandaj, fjala poetike bëhet shprehje e dashurisë dhe e përkushtimit të gjithë jetës ndaj Atdheut. Dhe kjo merr një peshë edhe më të madhe për atë që e njeh historinë dhe rrugëtimin e autorit, sepse vargu nuk lexohet më vetëm si një deklaratë patriotike, por si përfundimi logjik i një jete të lidhur me idealet e lirisë, dinjitetit dhe dashurisë për vendin.
Në metaforën “Prej zjarrit kur u dogja të lirisë”, zjarri simbolizon atdhedashurinë, pasionin, sakrificën dhe përkushtimin ndaj idealit të lirisë.
Poeti nuk e përjeton lirinë si një koncept abstrakt apo si një ide të largët historike, por si një realitet që e ka prekur dhe e ka djegur personalisht. Folja “u dogja” e bën këtë përjetim fizik, emocional dhe shpirtëror njëkohësisht.
Liria, pra, ka një çmim; ajo kërkon përkushtim, sakrificë dhe gatishmëri për të përballuar dhimbjen. Në këtë mënyrë, përvoja personale e poetit bashkohet me idealin kolektiv dhe sakrifica individuale merr përmasë kombëtare.
Ndërsa përmbyllja “Dhe Vlorës i këndova Epopene!” e ngre poezinë nga përvoja individuale në dimensionin historik dhe kombëtar. Vlora shfaqet si simbol i lirisë, i qëndresës dhe i kujtesës shqiptare, ndërsa fjala “Epope” i jep ngjarjes një përmasë madhore, heroike dhe kolektive.
Poeti nuk i këndon vetëm një qyteti, ai i këndon një ngjarjeje, një ideali dhe një momenti të rëndësishëm të identitetit kombëtar.
Në këtë përfundim, stuhia, zjarri, liria, Atdheu dhe Vlora krijojnë një rrjet të fuqishëm simbolesh, përmes të cilit poeti ndërton figurën e krijuesit që e ka kthyer jetën dhe sakrificën në art. Vargu bëhet dëshmi e një përvoje të jetuar dhe, njëkohësisht, monument i kujtesës kolektive e historike.
Në një lexim antropologjik, ky proces mund të shihet edhe si mënyra përmes së cilës individi e tejkalon përkohshmërinë e ekzistencës së vet dhe hyn në kujtesën e komunitetit përmes fjalës.
Prandaj, këto vargje nuk funksionojnë vetëm si mbyllje e poezisë, por si një deklaratë poetike dhe testamentare.
Ajo që autori e përjetoi në jetën e tij si dhimbje, sakrificë dhe përballje me stuhitë e kohës, shpirti i tij e shndërroi në varg; ndërsa vargu, përtej jetës së tij fizike, mbetet si dëshmi e dashurisë për Atdheun. Në këtë kuptim, përmbyllja fiton edhe një dimension të thellë ekzistencial, trupi mund të lodhet nga stuhitë e jetës, por krijimi që lind prej tyre mund të mbijetojë si kujtesë, si kulturë dhe si dëshmi e një jete të jetuar me dinjitet.
Në planin psikologjik, vuajtja nuk mbetet plagë, por sublimon në krijimtari, në planin antropologjik, përvoja individuale shndërrohet në kujtesë kolektive.
Atdheu bëhet kështu jo vetëm objekt i poezisë, por arsye dhe qëllim i saj. Vlora, si simbol historik i lirisë dhe qëndresës, e ngre përvojën personale në dimension kombëtar. Fjala “Epope” i jep përmbylljes një ton heroik dhe e lidh poezinë me kujtesën historike të shqiptarëve.
Në këtë mënyrë, vargu shndërrohet në një formë rezistence shpirtërore dhe kulturore, në “armën” e poetit për të mbrojtur vlerat dhe identitetin. Në fund, ajo që jeta i dha poetit si dhimbje e sakrificë, ai ia ktheu Atdheut si art, kujtesë dhe trashëgimi shpirtërore.
Marrë nga Muri i Fb i Anila Totos