Nga na vjen e keqja? – nga Lev Tolstoi

Gazeta

Leon Tolstoj (1828-1910)
Leon Tolstoj (1828-1910)
Nga na vjen e keqja?
nga Lev Tolstoi
Përktheu nga origjinali: Agron Tufa

Një heremit jetonte në pyll, pa pasur frikë nga kafshët e egra. Heremiti dhe kafshët e egra kuvenduan së bashku dhe e kuptuan njëri-tjetrin. Një herë, heremiti qe shtrirë, si rëndom, nën një pemë; aty u mblodhën një korb, një pëllumb, një dre dhe një gjarpër për të kaluar natën.
Se si ndodhi që kafshët filluan të kuvendojnë për zanafillën e së keqes në botë.
Korbi tha: – E keqja vjen nga uria. Kur keni ngrënë dhe jeni të ngopur, uleni mbi një degë dhe krrokisni: gjithçka ju duket e gëzuar, e mirë dhe e hareshme; por provoni të qëndroni vetëm dy ditë pa ngrënë dhe nuk do të keni më zemër as të shikoni natyrën; ju ndiheni në ankth, nuk mund të rrini më të qetë, nuk keni një çast prehjeje; kur ju bie në sy një copë mishi, është edhe më keq, turreni pas saj pa u menduar. Sado fort t’ju godasin me shkopinj apo t’ju gjuajnë me gurë; edhe pse qentë dhe ujqërit sulen t’jua rrëmbejnë, ju nuk e lëshoni. Sa prej nesh janë vrarë nga uria! E gjithë e keqja vjen nga uria.
Pëllumbi tha: – Sa për mua e keqja nuk vjen nga uria; e gjithë e keqja vjen nga dashuria. Nëse do të jetonim vetëm, nuk do të duhej të vuanim aq shumë: përndryshe fatkeqësia që do t’ju binte për short, kufizohet vetëm me kokën tuaj. Por ne jetojmë gjithmonë në çifte; dhe e duam aq shumë shoqen sa nuk kemi gjallë pushim, mendojmë vetëm për të: A ka ngrënë vallë ajo? A ndjehet ngrohtë sa duhet? Dhe kur ajo largohet pak nga shoqja e saj, atëherë ju ndiheni krejt të humbur; ju trand mendimi se mos e ka rrëmbyer një fajkua, apo mos e kanë kapur gjahtarët. Dhe nis ta kërkosh dhe vetë bie në telashe, në kthetrat e një shkabe, apo në kurthin e një rrjete. Dhe nëse shoqja juaj humbet, nuk hani më, nuk pini më, vetëm kërkoni dhe qani. Sa shumë vdesin kështu mes nesh! E gjithë e keqja nuk vjen nga uria, por nga dashuria.
Gjarpri tha: – Jo, e keqja nuk vjen as nga uria, as nga dashuria, por nga ligësia. Nëse do të jetonim të qetë, nëse nuk do të njihnim telashe, atëherë gjithçka do të ishte mirë: por, nëse diçka jua vret dëshirën, ju humbni durimin dhe gjithçka ju fyen; atëherë mendoni vetëm për të shfryrë zemërimin tuaj mbi dikë tjetër; dhe pastaj, si në panik, ju veçse fërshëlleni dhe spërdridheni, përpiqeni të kafshoni kush t’ju dalë përpara. Dhe nuk keni më keqardhje për askënd; do të kafshonit dhe babë e nënë; do të hani veten tuaj; dhe tërbimi juaj s’ka të sosur derisa të keni shkatërruar vetveten. E gjithë e keqja vjen nga ligësia.
Dreri tha: – Jo, as nga keqdashja, as nga dashuria, as nga uria nuk vjen çdo e keqe, por nga frika. Nëse nuk do të kishim frikë, gjithçka do të ishte mirë. Këmbët tona janë të lehta kur vrapojmë dhe ne jemi të fuqishëm. Nga një kafshë e vogël, mund të mbrohemi me brirë; nga një e madhe, mund të ikim me vrap: por është e pamundur të mos kemi frikë. Mjafton të kërcasë një degë në pyll, një gjethe të frushullojë dhe ju befas dridheni nga frika; zemra fillon t’ju rrahë, sikur të do të çajë kraharorin e të dalë jashtë; dhe nisni atëherë të fluturoni si shigjetë. Herë të tjera, është një lepur që kalon, një zog që rreh flatrat ose një degë që bie; por ju tashmë mendoni se është bisha e egër që po ju ndjek dhe vraponi t’i ikni rrezikut. Ndonjëherë, për të shmangur një qen, ndesheni me një gjahtar, ndonjëherë, të pushtuar nga frika, vraponi pa e ditur se ku, bëni një kërcim dhe rrokulliseni në një greminë ku gjeni vdekjen. Flini me një sy hapur, gjithmonë në gatishmëri, gjithmonë të tmerruar. Nuk ka paqe; e gjithë e keqja vjen nga frika.
Atëherë heremiti tha: – As nga uria, as nga dashuria, as nga ligësia, as nga frika nuk na vijnë të gjitha fatkeqësitë: nga natyra jonë vjen e keqja; sepse është ajo që e lind urinë, dashurinë, ligësinë dhe frikën.
Marrë nga Muri i FB, Agron Tufa 22 gusht 2026

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit