back to top
9.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Shkurt, 2026

Hermann Hesse: Mbi dashurinë…

Gazeta

Hermann Hesse (1877-1962) Portrait
Hermann Hesse (1877-1962) Portret
Hermann Hesse: Mbi dashurinë…

Sa më shumë plakesha, aq më të kota më dukeshin kënaqësitë e vogla që jeta më ofronte, e aq më qartë kuptoja se ku duhej kërkuar burimi i gëzimeve të jetës. Mësova se të të duan nuk është asgjë, ndërsa të duash është gjithçka, e me kohën kam kuptuar se ajo që i jep vlerë dhe kënaqësi ekzistencës sonë nuk është gjë tjetër veçse aftësia jonë për të ndjerë. Kudo që vëreja diçka që mund të quhej “lumturi”, ajo përbëhej vetëm nga ndjenjat.
Paraja s’ishte asgjë, pushteti nuk ishte asgjë. Kam parë shumë njerëz që i kishin të dyja dhe ishin të palumtur.
Bukuria nuk ishte asgjë: kam parë burra të pashëm e gra të bukura që ishin të palumtur pavarësisht bukurisë së tyre. As shëndeti nuk kishte shumë peshë; secili kishte shëndetin që ndiente. Kishte të sëmurë plot dëshirë për të jetuar që lulëzonin deri pak para fundit dhe kishte të shëndetshëm që vyshkeshin të torturuar nga frika e vuajtjes. Por lumturia ishte kudo ku një person kishte ndjenja të forta dhe jetonte për to, nuk i dëbonte, nuk i dhunonte që të mos merrnin jetë por i kultivonte dhe i gëzohej atyre.
Bukuria nuk kënaq atë që e zotëron por atë që di ta dashurojë dhe ta adhurojë atë. Mund t’i japësh ndjenjës emrin dëshirë, ose çfarëdo emri që dëshiron. Unë e quaj dashuri. Lumturia pra është dashuri, asgjë tjetër.
I lumtur është ai që di të dashurojë. Dashuria është çdo lëvizje e shpirtit tonë në të cilën ndjejmë vetveten dhe perceptojmë jetën. Ama të duash dhe të dëshirosh nuk është e njëjta gjë. Dashuria është dëshira që është maturuar dhe është bërë e mençur sepse dashuria nuk dëshiron të ketë. Ajo dëshiron vetëm të dashurojë.

Përktheu: E. T.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.