
Bisedë në heshtje me një krijesë që quhet: Dashuri
nga Adelina Havo
12 vjet më parë, në një vijë uji të pashë ndërsa po qaje. E ndala motorin dhe pashë që mamaja jote të kishte humbur. Nuk u mendova gjatë. Të mbështolla me një xhaketë të hollë e të mora me vete, ndërsa ti… vazhdoje të qaje! Të parën gjë që bëra, shkova dhe mora një biberon të vockël dhe qumësht për mace.
Sytë i kishe akoma mbyllur dhe unë mendova se ndoshta s’do të jetoje…
Por fati për ty qe shkruar ndryshe, po edhe për mua.
Atë ditë filloi një rrugëtim që po zgjat prej 12 vitesh. 12 vite bashkë zemra ime e vogël…
Ndoshta, këto rreshta që shkruaj nuk do t’i kuptojnë të gjithë, por s’prish punë… Mjafton që unë e di çfarë je ti për mua.
Ti nuk e shikon si njerëzit, as dëgjojnë njësoj, as hanë njësoj… por ke një mënyrë tënden për të kuptuar. Dhe ndonjëherë kam ndjesinë se ti i kupton njerëzit më mirë se ne e kuptojmë njëri-tjetrin.
Ti e kupton, kur unë jam e mërzitur, kur jam e lodhur, kur dua të luaj me ty, kur dua të fle. Ti vërtet nuk flet, e nuk mund të më tregosh çfarë ndjen dhe nuk ms tregon dhimbjen si ne… por prap, në mënyrën tënde, ti më kupton më mirë se ata për të cilët kam sakrifikuar gjithçka.
Njerëzit, mund të kenë zemra të mëdha, por jo gjithmonë dinë të japin dashurinë që mbajnë brenda tyre. Ti, me atë zemrën tënde të vogël, edhe e pafjalë, ke ditur të më japësh dashuri, sepse dashuria e vërtetë shpesh s’ka nevojë për fjalë.
Dhe ajo zemra jote ka tashmë një vit që vuan në heshtje e nuk ankon, e megjithatë unë e ndjej.

S’e di sa kohë do të jesh me mua dhe kjo është ajo që më dhemb më shumë.
Por sot që je këtu me mua ti je dashuria ime, terapia ime.
Je ajo që më pret te dera kur kthehem nga puna… edhe nëse je duke fjetur, kur dëgjon që erdha, del te dera me sytë gjysmë të mbyllur vetëm për të më pritur.
Natën, më fle te këmbët, ndërsa në mëngjes më zgjon me atë “gërgër” tënde, pa bërë kurrë më shumë zhurmë se kaq.
Nuk e di sa kohë do të të kem akoma pranë, por shpresoj me gjithë zemër të jeshë sa më shumë, e sa më gjatë, Dezi im!
Të dua shumë!