back to top
23.5 C
Tirana
E premte, 24 Maj, 2024

Mondi-al… Mondi-art 2014 nga Edmon Hasani

Gazeta

Hasan Brothers 2014
Hasan Brothers 2014 

Mondi-al… Mondi-art 2014

(nga ditari i Edmond Hasanit)

26 qershor, 2014
Nëna ime e shkretë para se të ikte nga kjo botë jallane me kish taksur ca miliona lekë tek Banka Austriake Raif… që t’i përdorja pas vdekjes së saj! Ajo tashmë ka një vit që ka ndrruar jetë… ndërkohë unë po mundohem përmes dokumentesh që t’ju mbush mendjen titullarëve të bankës në fjalë se nëna ime: nuk ka patur fëmijë ilegalë, se nuk është martuar më tepër se një herë; se gjyshja ime 102 vjeçare nuk e tradhëtoi kurrë gjyshin tim; dhe se fëmijë të tjerë veç nënës sime nuk pati; se im atë me 25 qershor ka bërë 18 vjet që nuk jeton më… e për pasojë nuk ka gisht te milionat që pres të marr; se nipi im Sedriku nuk ka lidhje me Al Kaedën; dhe se paratë e nënës sime nuk qelben era gjak apo naftë, se unë vërtet edhe jam dehur ndonjëherë… por burg nuk kam bërë, se…!
Vetëm në Shqipëri është ky sistem i dhjerë financiar bankash, aq i dhjerë saqë jam gati t’ia fal bankierëve austriakë paratë e nënës sime, paratë e mia të cilat nuk i përdora dot as për bast, as për pije, as për funeralin mbase të 102 vjeçares e as për ëndrra!
Sa rehat do ishim pa banka dhe pa para, pa dokumente absurde dhe ecejake noteriale! Nga gjithë kjo histori e çmendur bankare e vetmja gjë e mirë… ishin noteret e bukura, obeze… ndonjëherë edhe zemërgjera!!!

Te vendvrasja e Artan Santos-qirinj
Te vendvrasja e Artan Santos

po 26 qeshor
Eshtë vrare sot në mes të Bllokut Artan Santo, një figurë e rëndësishme e sistemit bankar shqiptar! Kokëministri ynë u keqardh duke e etiketuar viktimën si ”çun Tirone”!
Vriten përditë por askush nuk i etiketon si çuna Cërriku, Vlore, Korçe, Shkodre apo Mamurrsi…! Të gjitha viktimat janë njerëz e nuk mund t’i klasifikojme miqtë e të panjohurit! Aq më tepër që për të gjetur vrasësit shteti të shpenzojë 100 mije euro nga taksat tona!
Diskriminim lokal dhe financiar i thonë kësaj: o kokëministri ynë i nderuar!
Ngushëllime familjarëve dhe kurajo policisë t’i gjejë e t’i kapë vrasësit!
Më gjakftohtë o ed rama! Je i pari i vendit e nuk të ka hije zhargoni në të tilla raste!!!

Tifoze gjermane
Tifoze gjermane

3 korrik, 2014
Mirmëngjes o dit’e bukur!
Nuk ka dilema futbollistike sonte! Fitojnë gjermanët dhe brazilianët! Të dyja fitoret bashkë kuotohen tek 5 pra ja vlen të fitosh ca lekë sot në bastore!

4 korrik, 2014
Sedriku nuk fitoi asnjë skedinë këtë botëror, por sot ai si ”francez”, beson se do fitojë kundër xhaxhait të tij ”gjerman”, i cili pavarësisht ndjenjave futbollistike është tolerant ndaj gjakut të tij dhe dëshiron që nipçja të gëzohet në këtë botëror!

akoma 4 korrik,
U zbyth dhe Franca… siç është zbythur historikisht nga gjermanët nëpër botërore bashkë me dëshirat antigjermane të militantëve trushplarë latinë!
Sedrik, mos u mërzit… jeta është e gjatë e mbase ndonjë Zidanë do rilindë! Ndërkohë pres me padurim Neymarin të shënojë sonte e të shohim një finale të parakohëshme gjermano-braziliane! Harrova, skedina ime fituese ishte 1 pjesa e 1 loja per gjermanët tek top basti! Nesër birra me pakicë!!!

Sedriku mendon se Franca e mund Gjermanine
Sedriku mendon se Franca e mund Gjermanine

vazhdim 4 korrik,
Kolumbi e fortë fizikisht, po e shthurur taktikisht e mendërisht para një Brazili sa spektakolar aq edhe neglizhent! Gjermanët do ta kenë të vështirë ta kalojnë gjysëmfinalen, duke patur përballë një Neymar që po shënoi sonte më jep fët e fët 100 mijë lekë!
Kolumbianët e ndyrë qërohen! Hulk – kafsha, Oskar – pordhaci dhe Skolar – debili që mban në stol Hernanesin së bashku me gjyqtarin që kartonat i mbante në xhep… ma ngritën tensionin 22 me 14…!!!

5 korrik, 2014
Kur isha adoleshent ideja e vrasjes së gjyqtarëve të futbollit brenda meje ndizte një zjarr pothuaj erotik! E dashuroja vdekjen e ca gjyqtarëve të njohur për gafat në gjykim apo për anshmërinë e tyre! Kaluan vite dhe u bëra më tolerant ndaj tyre! Ideja e lincimit publik më dukej më interesante! Pas kaq vjetësh ndjej se kam gabuar; duhen linçuar edhe të ashtuquajturit analistë sportivë, bashkë me ca gazetarucë parashikimet futbollistike të të cilëve jo vetëm që nuk dalin kurrë, por debatin futbollistik e kanë përdhunuar e përçudnuar me gjokse e shalë femrash idjote dhe fytyra injorante të djersitura politiqenësh mafiozë!

Lunatik...
Lunatik…

përsëri 5 korrik,
Kur shkoj në Tiranë ndjej pakënaqsinë time urbane që ulërin; kur futem në dush nuk këndoj por fantazoj; kur shkoj në ndonjë dasëm uroj të ikin dritat e të pushojë zhurma që shumica e quan muzikë; kur pi kafen e mëngjezit trishtohem se mendoj që dita do ketë si melodi zërin idiot të dy tipave në tavolinën fqinje; kur bastoj në lloto ndjej se mikja ime që mallkon bastet ka të drejtë; kur relaxohem nga Etta James marr inat dixhejtë dhe atë këngën debile e të gjatë që flet për Sarandë e për Delvinë; kur shikoj ndonjë kokë femerore të kuruar bukur nga ndonjë parukiere kurvickë me kujtohet koka e prerë e Ali Pashë Tepelenës që idiotizmi masiv shqiptar e fut edhe në dasma; kur shikoj ndonjë bebe të përgjumur e të djersitur me mendje gjuaj ndonjë sisë të ëmbël majmoke; kur shikoj një femër që varet te krahu i një mashkulli vjell me zhurmë; kur vëmendjen time ma tërheq një krah muskuloz i dalë nga një dritare makine pjerdh pa hezitim; kur shikoj në fb ndonjë foto ku dikush shëmtueshëm pozon dhe nën të komentojnë se ”sa bukur” ka dale… i fus një like pa një pa dy…; dhe kur e shikoj se nuk jam ndryshe nga idiotët e tjerë që e popullojnë globin ndihem happy!!!

5 korrik që s’ikën,
Kokëdhembjen nuk e simpatizoj fare, madje e urrej! Po ashtu edhe pjesën e mbetur të jetës që nuk dihet si do ta shpenzoj!
…Eshtë vapë dhe nga yjet në qiell bie, pikon djersë… djerse idiote e neveritshme që vadit monotoninë e kësaj nate vere!

Gjermania 1974 - (Ndoshta me e mira skuader e botes
Gjermania 1974 – Kampione e botes

7 korrik, 2014
Si sot 40 vjet më parë, pra me 7 korrik 1974 gjermanët Majer, Vogst, Brejtner, Shvarcenbek , Bekenbauer, Overat, Bonhof, Henes, Grabovski, Myler, Holzenbain nen drejtimin e të madhit Helmut Shen ngritën Kupën e Botës pasi munden 2-1 Hollandën e madhe të Crujfit!

akoma 7 korrik,
Gruaja e shkujdesur të çmend!
Gruaja e kujdesshme të fut në mendime!
Po kush ka kohë të mendojë?
Më mirë po i fus një çmenduri!!!

Dalja e Nuses
Dalja e Nuses

mbrëmje e 7 korrik,
Poshtë pallatit tim ka aheng!
Martohet komshija ime e mirë Beta! Jam i befasuar nga dy gjëra: volumi i boxeve është normal dhe repertori muzikor është puro shqiptar dasmash tradicionale!
Hera e parë që pas pushtimit të Shqipërisë nga tallavaja që nuk e urrej dasmën!
Beta, të trashëgohesh e të premtoj se të mërkurën në darkë do të kërcej rock special me Adën… për ty!!!

8 korrik, 2014
Habitem me veten!
E admiroj shumë kombin gjerman për atë çka është: produkt disipline, prodhues disipline (pavarësisht se disiplina brenda meje është mizerabël!!)
Njeriu gjithmonë kërkon dhe çmon atë që i mungon… kështu nëse unë do të isha i disiplinuar, pra gjerman… do vdisja të isha shqiptar madje me emrin Edmond!

8 korrik përsëri
Nëse fiton Gjermania 900 mijë lekë plus janë tonat… nëse del barazim, nuk humb as fitoj gje, nëse humb Gjermania do të pimë po aq sa për fitoren!!

Skedina fituese
Skedina fituese

9 korrik, 2014
Atëherë, kur manipulimi shtetëror ishte në maximum shkruaja hartime për ca tipa me yll të kuq në ballë!!
Duke u rritur shkruaja pusulla idiote, po të sinqerta dashurie edhe për kurvicka!
Në postadoleshencë vargjet i nxirrja me kovë pusi dhe nga fundi i ndonjë gote plot alkool dhe në postkomunizëm rrjeshtat frymëzoheshin nga mitingjet!
Tani, i palodhur nga gërmat befasisht ndihem fajtor se për kofshët legjendare të Tina Turner-it nuk kam qullosur asgjë!!!

9 korrik, 2014
Sonte jam në dasëm duke kërcyer apo duke ngrënë si kafshë (pijen e kam lënë) pa më ardhur aspak keq që nuk do e shoh për herë të fundit Messin në Botëror!
Nëse do jem me pak fat do të kërcej me ndonjë ”braziliane” e nëse do jem me shumë fat ndonjë ”gjermane” do më shplajë me birrë kokës!
Nëse do jem pa fat fare do të pi ndonjë cigare me ndonjë ”italiane” të dëshpëruar!

Tunnel of Love...
Tunnel of Love…

9 korrik, në drekë
Epo prandaj Maradona është më i madhi! Tani pres trushplarët mediatikë të më kundërshtojnë tamam si enveristët kundërshtojnë demokracinë e qajnë për diktatorin dhe për kooperativat!
Hajde Gjermani t’i shtypin pleshtat edhe një herë si në 2010!!!

9 korrik, mesantë
Xhelatët ekologjistë gjermanë mirpresin delet ngordhalaqe argjentinase për t’i prerë, rrjepur dhe për t’i groposur si ndotëse ambjenti!

10 korrik, 2014
Breshka me kockoren në shpinë të thyer e të gjakosur, gjarpërinj kokështypur e të tharë në diell, akrepa të shkelur me këmbë pamëshirshëm, miza të shtypura me gisht nëpër xhama të ndyrë nga jashtëqitjet e tyre, qenër rrugaçë të shtypur nëpër autostrada… Kështu do ju a bëjmë argjentinasve zvarranikë që paradoksalisht guxuan e dolën me brekë nëpër këmbë në finale ku brekët do t’jua heqim nga koka! Ne jemi treguar gjithmonë xhentilë, tolerantë, durimtarë e të ndershëm me armiqtë, kundërshtarët dhe fatin! Tani edhe fatit do t’ja thyejmë brinjët sepse edhe ai është treguar kurvë pa nder me ne! Gjermania e madhe është thënë e do thuhet historikisht!

Sofia Loren - si enderr e parealizueshme...
Sofia Loren – si enderr e parealizueshme…

10 korrik, po jo festa e ushtrisë
Eleganca e Beckenbauerit, bota e Ema Bovarisë, psikologjia e Hichkokut, kofshët e Tina Turnerit, sytë e Liz Teylorit, magjia e brazilianve të 82, ndjeshmëria e Lucio Batistit, profili i Marlon Brandòs, gjinjtë e Sofia Lorenit, fati tragjik i Kenedeve, zeri i këngëtarëve zezakë, grushti i Mohamed Aliut, lufta e Vietnamit, antikomunizmi i Reganit, filmat italiane bardhezi të viteve ’50, femrat pornostarë, ateizmi komunist, vjershat e Eseninit, personazhet femërore të Cvajgut, Rilindja italiane, piramidat e Egjiptit, San Remot e viteve ’60-’70, Ushtari i mirë Shvejk, 20 korriku i 69 i Hënës, rocku i Elvis Presleyt… ndikuan qamet tek unë aq sa shpesh vetja më duket si libër dhe ndonjëherë në pije e sipër edhe si… lajm!!!

10 korrik… muz(ik)a e shiut
Bie shi! Aq shumë sa që po dëgjoj muzikë pothuaj të vjetër!
Bie shi! Aq shumë sa që plasaritjet e ca fotove të vjetra bardhezi nuk i dalloj fare!
Bie shi! Aq shumë sa që sytë më ndalin tek një fletë e bardhë e një laps pranë kompjuterit!
Bie shi! Aq shumë sa me duket sikur do bie në dashuri apo do tradhëtoj një dashuri!
Bie shi qametshëm!

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.