
Lamtumirë, Shkëlqim Këmbora! – Hekuran Alizoti
Me 31 gusht 2026, morëm lajmin e hidhur, se u nda nga jeta shoku ynë i dashur, Shkëlqim Këmbora, një nga shokët tanë më të mirë të Maturës 1976, i cili prej shumë vitesh jetonte ne Athinë.
Është e vështirë të besojmë se në takimin tonë të 50-vjetorit do të mungojë një prej nesh. Kujtimet e viteve të gjimnazit, miqësia, të qeshurat dhe ditët e bukura që kaluam së bashku do të mbeten gjithmonë në zemrat tona.
Shkëlqimi do të jetë përherë pjesë e kujtimeve tona dhe e historisë së Maturës 1976.
U prehsh në paqe, i dashur Shkëlqim!
Lamtumirë shoku ynë!
Ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe të afërmve.
Marrë nga Muri i FB, Matura 1976

Do të na mungosh shumë… Shpend Sallaku
është ndarë nga jeta shoku dhe miku im i ngushtë i adoleshencës dhe rinisë Shkëlqim Këmbora. Ishte nga ata shokë me të cilët mund të flisje për gjithçka, pa rrezikuar. Dhe kjo nuk ishte cilësi e pakët në atë kohë të rrezikshme. Djalë inteligjent, i pajisur me një humor e ironi të rrallë, i dashuruar me muzikën perëndimore dhe artin e përtej detit.
Nuk do t’i harroj kurrë netët e vona kur këndonim kënget e Celentanos të cilin ai e imitonte aq mirë;
nuk do t’i harroj të tallurat që i bënte sekretareve të rinisë e partisë;
nuk do t’i harroj veshjet sipas modës së fundit, flokët alla Albano,
nuk do t’i harroj shakatë dhe barcaletat me spec e tentativat për t’u arratisur.
Të mbaj në zemër, Kiço, gjithmonë!
Ngushëllime të shoqes, djalit, vajzës, dhe familjarëve e miqve të shumtë.
Marrë nga Muri i FB, Shpend Sollaku – Noe

Kujtimi yt, do të jetë e para fjalë për të gjithë ne nesër… Jozef Radi
Humbja e një shoku të rinisë së hershme është humbje e gjërave të shenjta që nuk rikthejnë, e ku secili prej nesh ka bllokun e kujtimeve që vërtitet me centrifugën e ëndrrave të parealizuara.
Humbja e Shkëlqim Këmborës, ose siç e thërrisnim të gjithë ne shokët e dikurshëm, Kiçoja, më tronditi së pari e më trishtoi. Sepse m’i risolli e mi vrau shumë kujtime të nji kohe të përbashkët, ku ne rinia e atyre viteve ishim në kërkim të një lirie të munguar e ndjeheshim të pafuqishëm për ta prekur atë.
Kiço Këmbora ishte një prej atyre djemve, siç e thekson edhe Shpend Sollaku e dëshmonte atë mosbindjen rebele, e dëshmonte atë lirinë e fshehur në vetvete që shpesh përmes një humori pikant merrte një domethënie ndryshe… sepse në ato kohëra të doje muzikën, veshjen, mendimin e pacunguar, ta doje lirinë, ishte një inkoherencë e jashtëzakonshme. Kiçoja dallohej për sensin e humorit dhe të gallatës, po edhe autoritetin asi bëhej herë epiqendra e humorit, e herë indiferenti rigoroz. Humbja e parakohshme e Kiços, përballë një takimi të afërt që ka në mes hapësirën e një gjysëm shekulli me ka trishtuar edhe më shumë.
Shkëlqim Këmbora përmes miqësinë së shkollës ishte në dasmën e vëllait tim, si fotograf. Fotografitë e para me ngjyra i kam prej Kiços, një gjurmë më shumë në humbjen e tij, sepse kishim mjaft kujtime të fshehura në kujtesë që do t’i ribënte të bukura prania Kiços.
Pushohësh në paqe, o Kiço dhe ngushëllime familjes për humbjen e parakohshme!
Jam i bindur se fjala e pare e të gjithve ne në këtë shpërndarje të dhimbshme do të jetë kujtimi yt mungesa jote, humori yt prej gjithë një shoqërie që të desh e do të vazhdojnë të respektojnë.
1 shtator 2026

Udhëtimi për lamtumirën e fundit të shokut tonë…
Një grup shokësh: Hekuran Alizoti, Llukan Bica dhe Aleksandër Pukën, udhëtuam drejt Athinës për t’i dhënë, me 3 shtator 2026, lamtumirën e fundit shokut dhe vëllait tonë, njeriut me zemër të madhe, Shkëlqim Këmborës.
Lodhja e udhëtimit s’kishte rëndësi përballë respektit dhe dashurisë që meritonte shoku ynë i paharruar.
Edhe pse të shpërndarë dhe larg, deshëm me çdo kusht të ishim pranë tij në çastin e fundit, ashtu siç kemi qenë bashkë në ditët më të bukura të rinisë sonë.
Shkëlqimi, do të mbetet gjithmonë pjesë e kujtimeve tona, e miqësisë sonë, dhe e gjithë Maturës së vitit 1976.
U prehsh në paqe, shoku dhe vëllai ynë!
Kujtimi yt do të jetojë gjithmonë mes nesh.
Falenderojmë bashkëshorten e Shkëlqimit, Teutën, në përkushtimin e saj ndaj Çimit dhe respektin ndaj nesh.
Marrë nga Muri i FB, Matura 1976