
Mos ma trazoni vetminë
poezi nga Lazër Radi
Kur të vdes
mos t’më vajtojë askush,
s’dua të jem
edhe nji përlotje e shtuar
n’lumin e Njimijë e Nji t’zezave
s’dua t’rrëshqas fytyrash të lodhuna
me nji dhimbë të re,
s’dua ta shtoj asnji kokërr misër
n’thesin e zbraztë të s’mirës,
s’dua asgja,
veç më lini vetëm…!
As tufën e trandafilave mbi varr
mos e lini t’më bëjë dritë
pse nderimi juaj
tash ka veç vlerën e talljes.
Mbi varr asgja,
veç emnin e shkruar keq
me dorën e t’fundmit nip.
Më lini n’krahët e vdekjes
ta jetoj atë dashni që ju ma munguat!
Lermëni,
mos ma trazoni vetminë…!