
Kina shtet kapitalist, ku sundon Partia Komuniste…
Kina është shtet kapitalist, por sundon Partia Komuniste. Pra, a është kapitalisto-komuniste, apo, siç thonë, socializëm me karakteristika kineze?
Po çfarë do të thotë kjo?
Së pari, pushteti politik në Kinë mbahet nga Partia Komuniste, që është e vetmja parti në pushtet. Ka edhe tetë parti të tjera, por ato nuk konkurojnë për pushtet, thjesht veprojnë brenda një sistemi të udhëhequr nga Partia Komuniste.
Së dyti, shteti është jo vetëm rregullator, por edhe udhëzues dhe zotëron një pjesë qendrore të ekonomisë.
Ndërmarrjet shtetërore, kolektivat dhe bizneset private bashkëjetojnë, mbasi vetë Kushtetuta e përcakton ekonominë shtetërore si forcën kryesore të vendit.
Së treti, sektorët strategjikë kontrollohen tërësisht nga shteti: energjia, nafta, rrjetet elektrike, telekomunikacioni, transporti, infrastruktura dhe kompanitë e mëdha të ndërtimit. Kudo, shteti mban një prani mbizotëruese.
Së katërti, toka nuk është pronë private. Toka urbane i përket shtetit, ndërsa toka rurale, në përgjithësi, u përket kolektivave. Jepen të drejtat e përdorimit: 70 vjet për strehim, 50 vjet për industrinë dhe 40 vjet për tregtinë.
Së pesti: Ndërmarrjet private dhe tregu ekzistojnë. Por ato veprojnë brenda rregullave dhe strategjive të përcaktuara nga shteti. Kina nuk synon ta eliminojë tregun, por kërkon ta përdorë atë brenda një sistemi socialist.
Së gjashti: Ekonomia është e planifikuar. Çdo pesë vjet, Kina zhvillon plane të ashtuquajtura pesëvjeçare që përcaktojnë se cilat industri duhet të promovojnë, cilën infrastrukturë duhet të ndërtojnë, cilat teknologji duhet të zhvillojnë dhe ku t’i drejtojnë investimet dhe burimet. Kjo nuk do të thotë që shteti përcakton se sa duhet të prodhojë secila kompani individuale, por ai harton rrjedhën e transformimit të dëshiruar ekonomik dhe përdor mjete të ndryshme për ta arritur atë.
Dhe së shtati: Kina është hapur ndaj tregtisë ndërkombëtare dhe investimeve të huaja, por e thekson se tregtia s’është sinonim i kapitalizmit. Tregtia ka ekzistuar mijëra vjet më përpara se të ekzistonte sistemi kapitalist. Kina përdorte tregtinë e jashtme si një mënyrë për të zgjeruar tregjet, për të përfshirë teknologjinë, për të tërhequr investime dhe për ta zhvilluar prodhimin e saj lokal.
Pra, çfarë është socializmi me karakteristikat kineze? Është një sistem në të cilin ka një treg, ndërmarrje private, investime të huaja dhe tregti ndërkombëtare, por në të njëjtën kohë, toka nuk është private, sektorët strategjikë kontrollohen nga shteti, ekziston planifikimi ekonomik dhe pushteti politik mbetet i përqendruar në duart e Partisë Komuniste.
Prandaj, për të kuptuar Kinën, pyetja nuk është nëse ka një treg apo një shtet. Pyetja është se kush e drejton procesin ekonomik. Dhe këtu del në pah një nga karakteristikat qendrore të modelit kinez: tregu funksionon si një mjet brenda një strategjie të përcaktuar nga shteti…
Përgaditi Jozef Radi