Një dokument interrnimi… – dhe një reflektim nga Stefan Basko

Gazeta

Leja e qarkullimit e brenda rrethit per te interrnuar!
Leja e qarkullimit e brenda rrethit per te interrnuar!
Një dokument interrnimi…
dhe një reflektim nga Stefan Basko

Kjo letër e zverdhur nga koha, jo pak por prej 67 vitesh është leja e qarkullimit e brenda rrethit të Lushnjes, për një grua të interrnuar Urani Milo, e lëshuar nga Dega e Punëve të mbrendëshme e Lushnjes me kryetar Nuçi Tirën, lëshuar me 4 shkurt 1959, çka dëshmon se duhej edhe një dokument për ata që ishin të interrnuar në kampet e shumta të Lushnjes. Gruaja në fjalë ishte 66 vjeç, pra diktatura, kujdesej në veçanti për moshat e shkuara t’i degdiste kampeve të interrnimit. Zoti Stefan Basko, i ka sjellë këto dy dokumenta së bashku me kujtimet e tija modeste gjatë vizitave që bënte në Kampin e Savrës, tek gjyshja Urani Milo dhe tezja e tij Antoneta Milo. Ai i ka ruajtur këto dokumente dhe është interesuar nëse ka ndonjë Muze që mund t’i ishin të dobishme… Por muze të kësaj natyre Shqipëria nuk ka…
Ky dokument, është leja qarkullimi i të internuarve në kampin e Savrës të ruajtur në arkivin e familjes Basko.
Unë besoj se ky dokument flet shumë…
Kur e pashë u futa në kujtime!
Nuk isha më shumë se 7 vjeç kur na erdhi lajmi se na kishin internuar gjyshen Uraninë, 68 vjeçe e tezen Antoninën 19 vjeçe!
Ishte dhjetor. Një ditë shiu dhe dega e brendëshme ndodhej te shtepia e Aleko Babës… shumë afër shtëpisë sonë!
Vrapova me nënën time dhe jashtë gardheve, i pame të dyja që vazhdonin të lageshin nga shiu i imët që nuk pushonte!
I shikonim vetëm e nuk kishim ç’të bënim. Kishin me vete vetëm një “kokosh plaçka” e bashkë me to dhe dy pula, qe dukej sikur “qanin” edhe ato!
Një polic shpirtmire na i solli ne, por gëzimi im nuk zgjati… pas dy ditësh pulat e gjora ngordhën….
Pas pak aty sollën të lidhur dhërmiasin Petro Gjoni, të cilit i kishte ikur vëllai si dajo im!
Petrua kishte dhe vëllanë dëshmor, mirëpo ku pyesnin ata! Fjetën mbi plaçka dhe ditën tjetër i nisën për në Savër të Lushnjes!

Zonja Urani Milo (punuar me IA)
Zonja Urani Milo (punuar me IA)

Nuk kaloi shumë kohë dhe djali i tezes sime, Spiro Kutulla, shofer me një skodë të madhe me turi, më mori me vete dhe unë u gjenda në Savër!
Nga të kaloje… baltë e llucë e tmerrshme, dhe një rrugicë në mes, e anash barakat e famshme, ku jetonin ndoshta familjet e fisme e të mira shqiptare! Afër tezes e gjyshes time… banonte familja e z. Vehip Hoxha, një burrë zotni dhe mjaft i kulturuar, me të bijat Nerimanin, Suzanën… tjerat nuk me kujtohet.
i ishte arratisur djali i vetëm, (kushëri i Enverit) Një familje intelektuale ku dy nga të bijat, njera ishte teniste e tjetra mësuese e pianos…
Përballë ishte familja e Abaz Kupit… këtij patrioti që nuk rreshti për çeshtjen shqiptare: ishin Hyria, Dudia, Bardh Kupi e të tjere. Diku aty afër jetonte dhe Tefta Bajraktari një vajzë e gjatë e pashme e me rradhë Zef e Katrina Miraka, Koço Plasoti, Musa Sina i famshëm, familja Mirakaj, dhe familja e eruditit Lazër Radi… Familjet Kokali, e njëkohësisht familjet Merlika Dema. Aty për herë të parë takova Shitin dhe Hajrien, djali dhe gruaja e Qazim Mulletit personit të njohur e të kulturuar!!
Njerëz pa moral, sigurimsa e tjerë ia nxinë jetën familjes së Prefektit të Tiranës, nga shpifjet ordinere të njerzve pa moral…
Unë rrija gjatë në Savër, dhe shoqëria me Loli e Joti Gjonin, megjithëse ishin më të vegjël, natyrisht njihja dhe Taqo e Thoma Gjonin djemtë e Spiro Gjonit, njeri më i mirë se tjetri…
Gëzimi im, por edhe gjithë të internuarve, ishte kur dilnin me leje në qytetin e Lushnjes!
Të veshur bukur, e me biçikletat ndër duar, ata ecnin rrugës, ashtu të qetë e krenarë!
Zakonisht mua më merrte në biçikletë i ndjeri Zef Miraka, i cili arriti të arratisej për në Korfuz e pastaj, mbrriti në USA!
Në qytet për fat kisha kushëririn e tim, Nasi Banon i ati i Maksit, Isidorit, Artanit e tjerë, i cili sfidonte frikën, dhe na ndihmonte mjaft, duke mos harruar dhe kushërirën e parë të nënës time Eleni (Milo) Doko, të emën e dirigjentit të operas Edmond Doko dhe të inxhinjer Vasil Doko!!
Shumë herë shoferat e Vlorës ndalonin, e na merrnin duke sfiduar frikën: Kujtoj të atin e Aktorit tonë të shquar Bujar Asqeriu, Andrea e Jani Konomi, Hanon Zenelin… e tjerë!
Të paharruar!
E në ora 18 binte çanga dhe bëhej apeli!!

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit