Një traditë liceistësh…  nga Klodi Stralla dhe Fati i liceistit Xhevdet Kapshtica – nga Ermira Godo

Gazeta

Liceistët e Korçës
Liceistët e Korçës
Një traditë liceistësh… 
nga Klodi Stralla

Kjo foto është shkrepur në Montpellier (Francë) në tetor 1927. Janë 5 ish liceistë, 4 prej të cilëve posa kishin filluar studimet, Xhevdet Kapshtica (drejtësi), Gjergj Canco (matematikë), Niko Stralla (histori) dhe Niko Glozheni (drejtesi), ndërsa i 5-ti, Ligor Serafim, ishte student i vitit të dytë në biologji.
Ishte krijuar traditë që studentët më të vjetër i prisnin studentet e porsa ardhur që në stacionin e trenit dhe pastaj i ndihmonin në akomodimin e tyre: në mjediset universitare, në gjetjen e ambjenteve të banimit, në restorante, dhe i shetisnin në vendet kryesore të qytetit. 
-Xhevdet Kapshtica (1906-1993), student i Liceut, i diplomuar në Francë për drejtësi në 1931. Për shumë vite, në kohën e Mbretërisë, punoi si gjyqtar në disa qytete të vendit. Eksponent i Ballit Kombëtar, dënohet pas lufte dhe kryen 18 vite burg në Burel. Lirohet në 1963. Pati rastin ta shohë përmbysjen e sistemit (i pari majtas)
-Gjergj Canco (1906-1971), liceist, profesor në gjimnazin e Shkodrës, drejtor i Politeknikumit “7 nëntori” në Tiranë. Mësues i popullit (i dyti majtas)
-Niko Stralla (1907-1978), liceist, i diplomuar në, Montpellier (Francë) në histori dhe drejtësi, ish prof. i Liceut dhe mandej avokat (personi në qendër)
-Ligor Serafim (1904-1996), brezi i parë i Liceut (1925), student në Francë i diplomuar për biologji në 1929, profesor i Liceut dhe pas lufte mësues i biologjisë në gjimnazin Raqi Qirinxhi derisa doli në pension (i katërti)
-Niko Glozheni (1908-1990), liceist, i diplomuar në Francë për drejtësi. Vitet e fundit të jetës punoi si avokat në Korçë (i pesti).
Marrë nga Muri i FB, Klodi Stralla, 14 tetor 2017

Bashkëliceistë në Liceun Francez të Korçës,
Bashkëliceistë në Liceun Francez të Korçës. Mes tyre edhe Abdulla Rami (ulur i pari majtas) Viti 1930
Fati i Xhevdet Kapshticës (1906-1993),
një prej Liceistëve të Liceut Francez të Korçës

Xhevdet Hasan Kapshtica. Lindi më 25.11.1907 në Korçë. Njihet edhe me mbiemrin “Hasani”. 
Ishte ndër juristët e formuar në brezin e Liceut Francez të Korçës. Pas përfundimit të studimeve në Lice, vazhdoi arsimin e lartë në Francë dhe u diplomua për drejtësi në vitin 1931.
Pas kthimit në Shqipëri, Kapshtica ushtroi profesionin e gjyqtarit në disa qytete, gjatë periudhës së Mbretërisë Shqiptare.
Ndihmës gjyqtar paqtues në Elbasan dhe më pas gjyqtar paqtues pranë Gjykatës së Kavajës, më pas në Berat dhe në kryeqytet.
Aderon në organizatën “Ballit Kombëtar” duke qenë një nga krerët e kësaj organizate për zonën e Korçës dhe Bilishtit. 
U arrestua më 1.12.1944. U akuzua në bazë të neneve 2, 12, 14, 15, 16, 19, të ligjit nr.41, datë 14.1.1945, si “kriminel lufte” dhe “armik i popullit”. 
Këshilli Gjyqësor Ushtarak i Korçës i drejtuar nga kapiten I Koço Prifi, me pjesëmarrjen e prokurorit Nevzat Haznedari, me vendimin e datës 2.10.1945 në kinema “Majestik” në Korçë e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 30 vjet burgim dhe konfiskim të pasurisë. Nga ky proces, Mahmur Bujari, Zenel Dobërçani dhe Azis Pojani, u dënuan me vdekje . U lirua më 4.5.1962.
Vuajti 17 vjet, 5 muaj, 3 ditë heqje lirie
Në vitet e burgimit, emri i tij lidhet edhe me një nga episodet më tragjike të burgut të Burrelit. Kapshtica ishte bashkëvuajtës i Xhevat Korçës dhe, sipas dëshmive të botuara më vonë, qëndroi pranë tij gjatë grevës së urisë, deri në çastet e fundit të jetës së tij.
Jeta e Xhevdet Kapshticës është një tjetër dëshmi e fatit të atij brezi liceistësh, të formuar në kulturën europiane dhe të kthyer në Shqipëri me dijen dhe profesionin e fituar në perëndim, por të përballur më pas me diktaturën.
Vdiq më 7.2.1993 në Korçë.
Marrë nga Muri i FB, Ermira Godo Xhomaqi 7 tetor 2026

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit