back to top
23.5 C
Tirana
E diel, 23 Qershor, 2024

A u ka mësue gja jeta e Lazër Radit bijve biologjikë e ideologjikë të persekutorëve…?! nga Robert Prennushi

Gazeta

Promovimi i dokumentarit "Golgota e Lazër Radit"
Dokumentari “Golgota e Lazër Radit”
Ajo që më vjen keq asht se e humba rininë…
Sa do kisha muejt me dhanë e sa do kisha muejt me punue
sikur t’mos më ishte ndërpre ajo energji.
Lazër Radi
.

A u ka mësue gja jeta e Lazër Radit

bijve biologjikë e ideologjikë të persekutorëve…?!

nga Robert Prendushi

Shënime për Lazër Radin (1916-1998)

.

Robert Prennushi
Robert Prennushi

Ky shkrim për Lazër Radin merr shkas nga impakti i madh emocional që më shkaktoi dokumentari “Golgota e Lazër Radit”, vepër e gazetares së njohur Tefta Radi, kushtue jetës stoike e veprës së pasur të kësaj figure poliedrike. Dokumentari u shfaq në Ancona me 23 shkurt 2017, në nji nga sallat e Bashkisë.

 
***
…Nji familje shqiptare, si shumë të tjera, me dhimbje të madhe në zemër zhgulet nga Prizerendi, nga Kosova e dashtun. Nji mushkë ngarkue vetëm me pak ndrresa trupi. Mbas saj nji familje e tanë, ndër ta dhe Lazri 13 vjeçar, që ecin me ditë në kambë për të hy në dheun amë. “Ky udhëtim i tij më këmbë është metafora e Shqipërisë që udhëton për të gjetur vetveten”, – do të shkruante më vonë Visar Zhiti
Djaloshi i ri, që etjen për kulturë do ta kishte konstante të jetës, me vështirësi arrin të sigurojë një bursë studimi në Gjimnazin e Shkodrës dhe të jetojë në konviktin “Malet tona”.
Gjimnazi, që “n’at kohë kishte superioritet mbi të gjitha shkollat e tjera të mesme të Shqypnisë” (L. R,) e Shkodra e Fishtës, Koliqit, e Mjedës, Prennushit, Shantojës, Harapit dhe Idromenos; qyteti i muzikës i M. Gjokës, M. Koliqit, P. Kurtit, e shoqnive të shumta muzikore; Shkodra e “Hyllit të Dritës”, “Lekës” e “Kumbona e së Diellës”, plot shtatë vite jetë aktive në këte qytet që rrezatonte kulturë do të përbanin shkollën ma të madhe të jetës së Lazër Radit.
I lidhur me rininë gjimnaziste, Lazri krijon një raport mjaft miqësor edhe me konviktorët kosovarë H. Taha, E. Braha, E. Duraku, M. Paci e tjerë. Bëhet pjesë aktive e shoqnisë “Besa shqiptare” dhe drejtues i gazetës “Shkëndija”.
“…Meqë nji pjesë e madhe e studentave kishin tendenca të majta edhe artikujt ishin të tillë: pak si majtistë, na u ndalue pikrisht në momentin kur ishim tue ba bocat e para të shtypit…” (L.R.)
Studiuesi Robert Elsie, tue folë jeten e veprën e L. Radit, ve në dukje: “Vitet ’30, edhe në Shqipëri edhe në Evropë në përgjithësi ishin një kohë lëvizjesh politike ekstreme, komunizmi – fashizmi. Të dyja ishin në konkurencë në Evropë… Mirëpo intelektualët europianë edhe shqiptarë ishin në mes të dyjave”.
Edhe pse i ri, shpesh tue përdorë edhe pseudonime, Lazër Radi bahet pjesë aktive e Qytetit të Veriut, ku ndjehej përplasja e mendimit të lirë, ndjehej ballafaqimi i ndezur i ideve të majta e të djathta. Lazër Radi do t’i njihte Migjenin, Gaspër Palin, Guljelm Dedën, Qemal Draçinin, Xhemal Brojën, Pashko Gjeçin, Arshi Pipën, Qemal Stafën e plot të tjerë të cilët do t’i kishte miq të udhës së jetës e shokë idealesh e disa prej tyne edhe bashkëvuejtës në Kalvarin e mavonshëm.
“Në vitet tridhjetë kam punue me Qemal Stafën, Xhemal Brojën, Vasil Llazarin, Vasil Trimçevin, e të gjithë këte grup të fuqishëm, qi masanej u dalluen tepër për komunizëm, nji lloj komunizmi shqiptar. Unë për veten time u shkëputa në kohën kur vishin malazestë edhe na organizojshin, si duhet t’i vritshim shqiptarët. I thashë se nuk kisha ardhë prej Kosovës të vras shqiptarët, për hir të komunizmit…”.(L.R.)
Studiuesi Robert Elsie, që ban nji analizë të ftohtë e konçize të kësaj përiudhe thotë: “Nuk besoj që intelektualët shqiptarë të kishin shumë ide se çfarë ishte fashizmi apo komunizmi. Ishin vetëm ideale… Në vitet ’30, ishin ëndrrat, ishte entuziazmi, flamuj…”.
Lazri fare i ri punon si korrespondent i gazetës Shtypi, bashkëpunon tek Kombi, Drita, Diana, me inicialet L.R., por edhe me pseudonimet La.ra Lapredi, La-di, Dardani, etj.
Në qytezën e Pukës, ku punonte si mësuese motra e tij, Xhuliana, ai do të kalojë një verë me Poetin e Rinisë, Migjenin. Vera me Migjenin, nën të njejtën strehë, do të ndikonte dukshëm në konsolidimin e tij ideor, ashtu edhe në dashurinë për letrat shqipe. “Për Migjenin kam kujtime shumë të bukura, shumë të mira se kam ndejtë nji verë me te, verën ma të randsishme të vitit 1936 në Pukë. Gjatë kësaj kohe mund të them se Migjeni dha krijimtarinë e vet ma të mirën, ma të fuqishmen dhe ma të pregaditunën. Përveç “Vargjeve të Lira” ai ka pasë edhe krijimtari në tregime të vogla. Ma vonë më njoftoi se do të punonte novelat shqiptare, të cilat i punoi dhe i botoi Skënder Luarasi. Janë shumë të bukura, shumë të vlefshme…”.
Këte influencë të Migjenit tek L. Radi, poeti Visar Zhiti e shpreh kështu: “Lazri ishte shok me Migjenin. Eshtë vetë Migjeni tek personaliteti i tij. Ka shkruar një studim që në kohën e diktaturës për Migjenin dhe arriti t’i japë një vlerësim që kritika jonë ende nuk e ka arritur…”
Lazri ndjehet i privilegjuem që jetoi në atë kohë. Do të shkruente: “Në atë kohë ishte Koliqi, n’at kohë ishte Poradeci, n’at kohë ishte Vangjel Koça, n’at kohë ishte Branko Merxhani, Odise Paskali edhe Eqerem Çabej; n’ato vite i kanë zhvillue gjithë veprimtaritë e tyne të rijtë që dolën me Sterio Spassen, me Petro Markon…”.
“Lazër Radi ishte në mes të atyre figurave. Ai kishte takim me këto figura të shquara”, thotë R. Elsie.
.
Visari dhe Eda në 1993, me Elsienë dh Lazrin
Visari dhe Eda në 1993, me Elsienë dh Lazrin

Në plejadën e mendimtarëve të viteve ’30, si Branko Merxhani, Vangjel Koça, Ismet Toto, Tajar Zavalani, Nebil Çika, Krist Maloki e tjerë, shfaqet ndrojtun edhe emri i Lazër Radit, i cili në verën e vitit 1937, do të ishte midis njiqind studentëve më të mirë të gjimnazeve shqiptare që vizitojnë Romën.

Në moshën 21 vjeçare ai do ta intensifikonte bashkëpunimin e tij me shtypin e kohës me krijimtarinë e vet letrare e gazetareske.
Regjistrohet për drejtësi në Sapienza të Romës, falë ndërhymjes së Priftit të Durrësit, Don Anton Zogajt dhe garancisë së gruas së Jacomonit, Dona Maja që i çel rrugën e shkollimit. Ajo guxoi të anashkalonte relacionin e konsullit të Shkodrës, Melonit, ku Radi cilësohej si element subversiv i rrezikshëm, pjesë e grupit komunist të studentëve të Shkodrës.
7 prillin e ’39-tës studentët shqiptarë të Romës e priten me indinjatë. Dy ditë para këtij pushtimi, Musine Kokalarin dhe Lazër Radin, dy nga studentët ma aktivë, nën pretekstin e një udhëtimi turistik. i largojnë nga Roma drejt Tripolit.
Me pushtimin italian, krejt gjenerata e re po përballej me realitetet dhe zhvillimet e reja. Lufta e përbotshme po precipiton me shpejtësi. Dilemat e kësaj lufte bënë që intelektualët të ndahen në dy kampe.
Për dilemat e Lazër Radit, Visar Zhiti thotë: Në fatin e keq të botës, të Shqipërisë dhe të Lazrit, është Lufta, Lufta e Dytë Botërore. Një pjesë e madhe u përfshinë në luftë, një pjesë me ata që e nisën luftën dhe disa me ata që e kundërshtuan luftën. Lazër Radi donte atdheun, Lazër Radi donte Shqipërinë. Ajo forcë që bënte diçka për vendin, që realizonte një ëndërr shekullore, gjente mbështetjen e patriotëve shqiptare. Dhe nuk është se gaboi Lazri, gaboi historia. Lazri nuk gaboi. Lazri u lidh me ata që donin të na bashkonin. Këtu është keqkuptimi. Ne duhet të ndajmë gabimet e historisë me gabimet e njerëzve. Lazri nuk ka gabuar…”
Në këta travaje, në këte kapërcyell të historisë, Lazri do të marrë laurën. “Ndër gjashtqind studenta, isha nji ndër ma t’mirët që u laurova me 110/110, me notën maksimale”. (L.R.)
Professor Cesarini Sforza e shpall Doktor me maksimumin e votave dhe i ofron postin e asistent-profesorit në Katedren e Filozofisë të së Drejtës, detyrë që e ushtroi për pak kohë, mbasi vendosi t’i shërbejë vendit të vet.
Fillon të shkruej artikuj të shumtë në “Bashkimi i Kombit”, ku bashkëpunonin emnat ma të njohin të kohës. Gazeta kishte frymë mbarëkombëtare e kulturore. Në të pasqyroheshin studimet albanologjike, gjuhësore, zhvillimet sociale dhe veprimtaritë politike të kohës. Lazër Radi do të trajtonte shumë nga këto probleme, me pseudonimin Ushtima e Sharrit.
Në dhjetor të vitit 1943, Lazër Radi martohet me Vitore Vushmaqin, ish nxanëse e Institutit “Nana Mbretneshë”. Vitorja nuk do të ishte vetëm grueja e tij, por edhe shoqja e jetës dhe e vuejtjeve të pafund.
Ajo do ta ndiqte të shoqin hap pas hapi në krejt kalvarin e jetës që filloi aq shpejt për ta, pak ditë pas asaj datë që ende shpesh quhet “Çlirim”.
Mbas pesë muajsh hetuesie të rëndë, Radi akuzohet për “Tradhëti të lartë ndaj atdheut”. E njejta akuzë u përsërit për gjithë të arrestuarit. Dënimi i tij u mbështet tërësisht në shkrimet e botuara në shtyp…
Tregon Lazri: “U dënuam si propagandistë kundër pushtetit popullor. Ishte nji dënim shumë i rreptë në atë kohë. Mua më dënuen me tridhjetë vjet burgim. Tue marrë parasysh se dënimi i parë kryesor ishte pushkatimi, dënimi i dytë – burgim të përjetshëm dhe dënimi i tretë ishte me tridhjetë vjet burg. Unë isha në kët kategorinë e tretë me tridhjetë vjet burg. Bedri Spahiu u ankua që mua më kishin dhanë vetëm tridhjetë vjet. Simbas tij, unë duhesha t’isha pushkatuar në vend!!
Po në shkurt të këtij vitit, ndodh ngjarja e ashtuquajtun “Bombë në Ambasadën Sovjetike”. Një tjetër tronditje i shtohet familjes Radi. Baltoja, vëllai i madh i tij, që jetonte asokohe pranë ambasadës Sovjetike, arrestohet. Ky incident s’do të kalonte pa pasoja. Vëllai i dyshuar dhe i tmerruar e gjen veten mes një liste të hartuar nga Mehmet Shehu. Mbasi provon tmerrin e hetuesve, lirohet mbasi emri i tij qe ngatërruar me dikë tjetër. I terrorizuar brenda natës ai djeg krejt dorshkrimet e lëna amanet nga Lazri…
.
Lazer Radi e Gino Lanzillotta - Rome 1941
Lazer Radi e Gino Lanzillotta – Rome 1941

Do të shkruente për këte Lazri: “Kur më futën në burg, lashë gruen me gjithë vajzë, kur dola nga burgu, gjeta gruan në burg dhe vajzën të vdekur…”.

Tue analizue jetën e veprën e Radit, në ata kushte historike që jetoi, Robert Elsie, (që shkruen e flet shumë mirë shqipen), thotë se të gjithë ata që kishin njohtë Perëndimin: “…ishin në rradhë të parë viktima të sistemit komunist. Viktima të pafajshme. Pse u persekutuan kaq shumë? Për çfarë, për çfarë?? Nëse ishe kundërshtar politik, mirë… të futesh në burg për një vit e pastaj të dalësh! Por ata u futen në burg, në internim për dhjetëvjeçarë. Sistemi ishte i pamëshirshëm, deri në fund, deri në fund fare…”.
Ndërsa poeti Visar Zhiti, që arriti ta njohë Lazrin gjatë Kalvarit, shkruen: “Ai pati një ideal, pati një ëndërr, i shërbeu kësaj ëndrre. Koha… solli një diktaturë të tmerrshme. Nga fashizmi ramë në një mungesë lirie totale, ku po prishnim historinë tonë, jo vetëm të tashmen”.
Jo vetëm studiues e poetë bashkëkohës, por edhe gazetarë të brezit të ri, si Blendi Fevziu, në bocetet e tij për një vepër kushtuar L. Radit shkruen si me çudi: “Mbeta tejet i befasuar. M’u duk… sikur ishte një personazh që dilte nga tekstet e letërsisë së viteve ‘30, që ne i kishim studiuar në shkollë përgjysëm dhe ishte pikërisht ajo pjesa e panjohur e shkollës sonë… Kishte ardhur në Shqipëri kur ishte në kulmin e energjive për të dhënë kontributin e vet dhe ishte përballur shumë shpejt me një realitet të tmerrshëm. Ishte dënuar në Gjyqin Special(!). Kishte njohur Koliqin, Migjenin të cilin e kishim studiuar. Njeri që kishte njohur Musine Kokalarin. Befas këta personazhe që kishim dëgjuar vetëm si jehonë emrash në studimet tona… filluan të ishin të gjallë në tavolinë…”.
Rrëfimet e Radit zbardhin një tjetër pikë të errët të rregjimit komunist: Tjetërsimin e punës intelektuale në Shqipninë komuniste. Numri i teksteve të përkthyera prej tij dhe të dënuarve të tjerë, (pa të drejtë autorsie), ishte disa dhjetra mijëra faqe. Ai pohon se fillimisht punonin 3-4 vetë në Burgun e Tiranës, në mjedise të ngushta e të papërshtatshme. Më pas Mesagjeria u rrit. Ajo u vendos në Shkollën e Dakos në Kamëz, ku përkthenin rreth 100 intelektualë të burgosun.
E, si ndodhë me gjithë diktatorët, kur nuk ju desh ma aftësia e Lazër Radit me shokë, përsëri burgu. Pra mbas tre vitesh do të niste tmerri i birucave të Burrelit, stërmundimi në Aeroportet e Rinasit dhe Urës Vajgurore, tharja e kënetës në kampin e Kafarajt… Një udhëtim tragjik prej nji ferri në nji tjetër e krejt botës intelektuale shqiptare të indeksuem prej komunizmit…
Mbas dhjetë vitesh burg, më 1954, Lazër Radi lirohet nga prangat, por për të fillon një tjetër jetë edhe më e rëndë: ajo e internimeve.
Menjëherë mbas burgut internohet në Savër të Lushnjes. Pa mbushur dy muaj internohet në Kampin e 100 intelektualëve në Kuç të Kurveleshit. Jeton mes malesh të egra në izolim të plotë.
Nga Kuçi i Kurveleshit, tashmë si familje, do të kalonin në kampet e Radostinës, të Gradishtës, të Çermës dhe do të riktheheshin mbas gjashtë vitesh sërish në Kampin e Savrës, ku do të jetonin plot tri dekada në internim.
Savra! Një nga 13 kampet e përqëndrimit që u ngritën në rrethin e Lushnjës, mbas vitit 1953. Për paradoks, ajo u ndërtua me kontributin e azilantëve grekë të përzënë nga regjimi i tyre ushtarak. Shtatë barakat e famshme të Savrës, shërbyen si strehë vuajtjesh të papërshkrueshme edhe për 5 familjet kryeministrore të Shtetit Shqiptar: Merlika, Kote, Alizoti, Frashëri dhe Dine.
Në Savër, Lazrin e kujtojnë si njeri të ditur, sa të heshtur aq edhe komunikues. Ai vishte një xhup lëkure të errët. Me biçikletën e tij të vjetër shkonte përditë nga kampi i internimit në Savër ku jetonte, në kampin tjetër në Plug, ku ai punonte.
Tue shkrue e përftyrue jetën e këtij njeriu që si Fenice-Feniksi, Zogu i zjarrtë, rilindi nga shkrumbi i diktaturës e shpërthej me krijimtari, përkthime, studime e kujtime, mbas ramjes së Murit të Berlinit; tue pa kasollet e Savrës, tue njohtë personalisht fëmijtë e tij, lindë, rritë e martue ne internim, ngrihet nalt, në kufijtë mitit Lazri, Njeriu që e jetoi jetën si intelektual, si krijues edhe në ferrin rrethue me gjemba të Enver Hoxhës. Ai shkroi edhe poezi lirike në atë tmerr. “Atë copë qiell”, që shihte përmes hekurave “poeti i butësisë” që vdiq ndër tortura në burg, poet të cilin e adhuronte dhe shkroi per te, edhe Lazri me atë “copë qiell”, përmes baltës e erës, që nuk mund t’ja merrte askush, kuvendonte edhe pas punës së mundshme.
Ishte baba i mirë në radhë të parë. Çdo ditë kontrollonte detyrat e shtëpisë së fëmijëve për t’i shkollue sa ma mirë, gjente kohë edhe me i dhanë ndihmë e zemër talentit poetik të Jozefit, djalit të tij (qe do te bante rruge si poet e publicist i njohur). Çuditesha, – tregon vetë Lazri pas ramjes së diktaturës, – se si në Kafaraj, ku tmerri arinte kulmin që s’mund ta kuptojë mendja njerëzore se ç’është ferri tokësor, kam shkrue poezi lirike. Due me thanë sa i fortë asht shpirti i njeriut. Edhe në atë tmerr ashtu, i shkon mendja për dashuri, i shkon mendja për gjanë e bukur!
Tue ja qa hallin, nanë Sava Kuqeshi, njiqindvjeçare, bashkëvuajtëse me familjen e tij, thotë: “Ka qenë në burg, me gjithë të shoqen, Vitkën. Ç’kanë hequr. Kanë hequr shumë!”.
Ka hequr, por ka mbetë njeri “nji cope”. Asnji ashkël nuk mundi t’i heqë rregjimi ma gjakatar i Lindjes europiane. Ai e jetoi jetën e vet si njeri i lirë shpirtnisht.
“Takohem me Lazër Radin, – shkruen poeti Rudolf Marku, – dhe gjej një xhentellmen të viteve ’30. Një intelektual të asaj race që janë një racë në zhdukje e sipër, një racë njerëzish, intelektualësh që nuk i vijnë me Shqipërisë. Kjo më duket një ndër fatkeqësitë më të mëdhaja të vendit tonë. Një njeri me dinjitet të jashtzakonshëm. Marr vesh që ky njeri mik i ngushtë i Migjenit është shkrimtar, është poet, është dramaturg është dhe përkthyes…”
.
Migjeni, Lazër Radi dhe Hajdar Delvina - Pukë 1936
Migjeni, Lazër Radi dhe Hajdar Delvina – Pukë 1936

Shkrimtari Visar Zhiti e ka njohur Lazrin në kohë e vende të ndryshme. Ai ishte mik i babait të tij, Hekuran Zhitit në Lushnje dhe respekti reciprok, e shtynte ate ta shihte Lazrin me adhurim: “Kishte madhështi të brendshme dhe dinjitet. Kur e shikonim atë ndjenim një dhimbje për ikonën e Shqipërisë, që po përbaltej ashtu. Kishte një heshtje që fliste. Ndërkohë kur fliste, çudia më e madhe ishte se, edhe pse vuante, kishte begati në fjalë, kishte begati në shpirt. Ishte sfidant në këtë drejtim dhe i pamposhtur”.

Përsëri Robert Elsie:“Lazri kishte fat që nuk u çmend, që kishte ruajtur veten. Të kemi parasysh që u internua ai, u internuan djemtë e tij. Lindën në internim nipërit e tij. Tre breza njerëzish, gjysëm shekulli. Pse të mos çmendesh?! Por kishte një forcë brenda tij që në vitet e lirisë kjo forcë u përqëndrua në krijimtarinë letrare, në shkrimet e tij. Ky ishte pikësynimi i Enver Hoxhës. Të eleminohej çdo njeri që kishte studiuar jashtë Shqipërisë, që dinte diçka më shumë se fshatari. Krejt i ka luftuar, jashtë partisë opozitarët, por edhe brenda partisë së tij i ka luftuar. Të gjithë i ka eleminuar. Lazri ka fat që mbijetoi!
Pas Rënies së Murit të Berlinit, regjimi diktatorial në Shqipëri tronditet thellë. Lazër Radi guxon të përkthejë poemën: “Stalini Moxarti dhe Maria Judina” të Bërkoviçit. Ky libër antidiktaturë, u përkthye në një fletore të thjeshtë dhe qarkulloi nën dorë si sfidë regjimit.
Përgjat 46 viteve të diktaturës, Lazër Radi nuk gëzoi qoftë edhe një ditë të vetme liri fizike. Por shpirti i lirisë dhe i besimit mbeti gjithnjë i gjallë brenda atij kafazi të madh që quhej Shqipni.
“Lazri është një intelektual i jashtzakonshëm që na mëson se si duhet menaxhuar vuajtja dhe na mëson dinjitetin e heshtur. Dinjiteti gjithmonë është i lidhur me heshtjen, jo me britmën, me rrahjen e gjoksit…”, thotë me admirim Rudolf Marku.
Jeta e Lazër Radit, mbas ramjes së diktaturës, mendohej e mbaruar… Por pikërisht në këtë kohë ai nis të shkruajë e të krijojë. Biri i tij Jozefi, qe ndiqte afër babain, gati çuditet: “Edhe mbas 50 vitesh dhune ai kishte po aq rini, po aq forcë, po aq guxim, po aq kurajo qytetare po aq dinjitet për t’iu paraqitur shoqërisë, brezit të ri me një figurë që do ta kishte lakmi çdo djalosh”.
Shpjegon Lazri: “Fati im qe se memoria më qëndroi e fortë ndonëse unë po i kalojsha 78 vjetët, do me thanë isha tamam në moshën e nji pleqnije të thellë, megjithatë unë po rezistoja… E tue shkrue, tue rezistue ai kryente edhe nji amanet të madh. Sakrifikimi i disa breza intelektualësh nën peshë të diktaturës komuniste i ngarkonte Lazër Radit përgjegjsinë e mundimshme të ringjallet si Feniksi.“Unë insistova të përshkruej vitet tridhjetë që i kam jetue intensivisht, i kam jetue edhe si nxanës i gimnazit, i kam jetue edhe, si shkrues i thjeshtë librash edhe kështu që çka kam muejt e sa kam muejt me përfitue jam përpjekë me i regjistrue në mëndjen time, pa lanë dokumenta e pa lanë shkrime që mund të më rrezikonin…
“Kontributi i Lazër Radit, shkruen Leka Ndoja, ka qenë i veçantë sidomos në kërkimet arkivore. Ai ka zbuluar dhe ka përkthyer Mirash dhe Martin Ivanaj. Të dy vëllezrit, të cilët kanë lënë një dorëshkrim që e zbuloi Lazri në Arkivin e Shtetit dhe e përktheu në shqip. Ky është një kontribut shumë i madh në fushën e albanologjisë të Lazër Radit që i bashkangjitet kolanës së tij “Një vere me Migjenin” dhe “Shqipëria ne vitet ’30”.
Lazër dhe Jozef Radi, atë e bir, përtej vuajtjeve, do të shfaqen së bashku në krijimtari letrare. Revista “Arbëria” dhe libri poetik “Muret e Muzgut” të botuar në 1993, qenë frut i kësaj pune. “Muret e Muzgut” qe ndër më të suksesshmit e kohës, hallkë e pashkëputur e mbijetesës intelektuale dhe denoncim letrar i krimeve.
Në një kohë të shkurtë, më pak se pesë vjet, Lazër Radi do të botonte 16 libra. Luciano, djali i tij, që ka dhe dorëshkrime të randësishme të babait, na thot se Lazër Radi ka ende dorëshkrime që presin botimin, si “Trilogjia e jetës”, veprat letrare “Murgesha dhe poeti”, “Fatima” dhe “Letrat e Klaudias”; një vëllim me poezi, një tjetër me aforizma, disa studime si dhe përkthimi i një vepre prej 700 faqesh: “Enciklopedia e Historisë së Botës”, botim i vitit 1982, në Itali. Një vend me rëndësi ze edhe korespondenca e tij me personalitete të ndryshme të kulturës në Shqipëri e diasporë.
Ndoshta Visar Zhiti e ka përcaktue ma mirë se askush shpirtin demokratik të Lazër Radit: “Tek Ai fjala tolerancë ngjan pak e ftohtë do të thosha. Ai e pranonte tjetrin, kushdo që je: Ti thuaj atë që do, unë them atë që dua. Dhe ne pasurojmë njeri-tjetrin, jo dëmtojmë njeri – tjetrin. Pra shkurt, ai ishte një bashkëbisedues i mrekullueshëm”.
“Ajo që më vjen keq asht se e humba rininë… Sa do kisha muejt me dhanë e sa do kisha muejt me punue sikur t’mos më ishte ndërpre kjo”.
 
***
Nuk kisha pa prej kohësh kaq njerëz të përlotun mbas nji shfaqje dokumentari që duartrokisnin e kërkonin njeni-tjetrin me ato shikime që sikur thonin: “A u ka mësue gja jeta e Lazër Radit bijve biologjikë e ideologjikë të persekutorëve, që fatkeqesisht janë të shumtë e me peshë në fatet e vendit?”.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.