back to top
9.5 C
Tirana
E hënë, 9 Dhjetor, 2024

Ilirjana Stankaj: Njeriu i fortë e ka kërkue, e ka gjetë, ka bashkëjetue e ka vdekë me t’vërtetën…

Gazeta

Ilirjana Stankaj
Ilirjana Stankaj

Ilirjana Stankaj:

Njeriu i fortë e ka kërkue, e ka gjetë,

ka bashkëjetue e ka vdekë me t’vërtetën…

Intervistë nga Gilmana Bushati

Njeriu ngjason me bimën,
që po nuk pati rranjë,
ka me e marrë era,
në mos sot, nesër…
E kaluemja asht rranja jonë,
që duhet t’jetë e fortë
për me na mbajtë t’fortë trupin (ekzistencën) tonë.
 
Marc Chagall - Muzika
Marc Chagall – Muzika
Duket se njeriu, si qenie, qenka në krizë në shumë shoqni dhe s’e paska nevojë për ndihmë për me dalë nga kriza,njeriu duhet me u rritë, na duhet me shpëtue vedin piksëpari, thotë Peter Sloterdijk, nji filozof gjerman… si asht kjo kriza ndër ne,çfarë pasojash ka me pasë për ma vonë? Para se t’i përgjigjem kësaj pyetjeje, e shoh t’arsyeshme me shpjegue ç’asht kriza. Sipas psikoanalizës (po t’i referohemi Frojdit e Jungut), kriza shënon atë moment në funksionim, kur nga nji mënyrë e ngulitun e funksionimit, kalojmë në nji të re, zakonisht ma t’mirë.
Me iu kthye tash pyetjes suej: Mendoj se historikisht njeriu ka kenë n’krizë me veten, mandej e ka reflektue atë edhe jashtë saj. Njeriu n’krizë me veten asht nji njeri që mendon, prandaj krizën e njeriut me veten unë nuk e shoh si “minus”, por si “plus”, mbasi njeriu (homosapiens), nënkupton krijesën e zgjuar, pra atë që mendon.
Ajo që m’shqetëson n’fakt, asht krijesa që nuk mendon, ajo që priret drejt “robotizimit”, pasi ajo mund t’jetë kurdo edhe e rrezikshme…
Njeriu n’krizë me të tjerët më shqetëson, sepse ka t’bajnë me kufijtë e qenies dhe shoqnisë, celulë e së cilës vetë qenia asht.
(Njeriu asht qenie sociale,ndaj e ka të nevojshme mirëkuptimin me komunitetin ku gjallon, për me realizu “bashkëjetesën sociale”,përndryshe,nëse krijon konflikte interesi,aq ma keq kur përjeton kriza me të tjerët,ai dashje pa dashje prish ekuilibrin,mandej anomalitë e tjera shoqnore, si: dhuna verbale, dhuna fizike…etj,do pasonin në mënyrë t’pashmangshme precipitimin e situatës…)
Sa për mendimin e filozofit gjerman se duhet t’rritemi për me dalë nga kriza,personalisht nuk mendoj se rritja e “shëron” njeriun nga kriza, përkundrazi, rritja asht nji proces që shoqnohet vazhdimisht nga kriza identiteti. Njeriu n’krizë prodhon mendim, mendimi sjell veprim, veprimi ndryshim të gjendjes…
Si asht kriza tek ne? Natyrisht, as ne nuk mund t’përjashtohemi nga fenomenet sociale globale.
Ne jemi nji popull me t’kalueme të turbullt historiko-politike, po aq sa ekonomiko-shoqërore. Individi dhe shoqnia vazhdimisht konfliktohen me njeni-tjetrin n’emër t’bashkëjetesës, sepse të bashkëjetosh don me thanë me ba nji kompromis t’heshtun me tjetrin, apo tjerët.
(A nuk janë kompromiset në nji farë mënyre marrëveshje mes palësh, ku duhet t’lëshosh diçka nga “territori yt” për me fitu diçka nga “territori i tjetrit/ tjerëve”? Pikërisht për këtë arsye mendoj se individi dhe shoqnia konfliktohen, pasi individi me raste e ka t’vështirë e me raste e ka t’pamundun heqjen dorë totalisht nga diçka që i përkiste, ndaj së cilës priret t’lëshojë vazhdimisht sadopak vëmendje, veprim ky që e shtyn n’konflikt me tjetrin/ tjerët duke e cënue marrëveshjen që kishin caktu ma parë…)
Mendoj se kriza ka me ekzistue gjithmonë si pjesë e pashmangshme e njeriut që mendon, por gjithashtu mendoj se u takon gjithmonë brezave paraprinjës të krijojnë nji “habitat socio-kulturo-ekonomik” sa ma t’pranueshëm për pasardhësit e vet (si detyrim ndaj genit), në mënyrë që individi i ardhshëm t’mos kalojë kriza t’thella ekzistenciale, por t’mendojë vetëm për progresin e njerëzimit, jo regresin e tij…
Kriza e njeriut me veten asht e thellë (përderisa derivon prej “honit t’ndërgjegjes”) e ka me kenë edhe ma e thellë, për sa kohë të menduarit (arsyetimi) nuk zgjerohet drejt së përgjithshmes(pra,drejt fatit të përbashkët të njerëzimit,apo drejt së ardhmes së humanizmit, i cili po zvetënohet gradualisht, si rrjedhojë e shpërfilljes dita-ditës të idealeve primare njerëzore), por përqëndrohet (të menduarit)vetëm rreth vetes, si nji rreth vicioz. Në këtë mënyrë njeriu ka me u izolue vazhdimisht nga bota, ndaj kriza e individit ka me u thellue pa ndërpremje, fatkeqsisht…
.
Marc Chagall - Fidler
Marc Chagall – Fidler

A mos kjo ‘krizë njeriu’ na ka ndjekë në shumë periudha të historisë dhe s’na ka lanë kohë me pasë mundësi me formue mendimin? Kjo krizë na ka ndjekë në çdo periudhë, ndaj siç ndodh rëndom në situatat post-krizë, identiteti ynë asht formatue si “produkt” që mbart si “landë t’parë” pikërisht gjurmët e krizës..

(Pra, mendoj se identiteti ynë s’asht veçse “pasoja”e krizave sociale, politike, ekonomike, që kemi përjetu mbi “palcën kombërare”, ndaj e kemi trashëgu e do vazhdojmë me e trashëgu brezash,deri kur kujtesa historike t’mos na lejojë kurrësesi me përsëritë gabimet e së kaluemes sonë.) 🙂
Mungesa e këtij mendimi na ka çue nga njena periudhë e vështirë në tjetrën pa arritë me gjetë dot as vedin? N’krizë ka mendim, n’post-krizë ka çlirim, mbase. Ndoshta për këtë arsye mund t’justifikohet disi mungesa e mendimit n’hapësirat kohore mes krizash sociale.
Në fund të fundit pse duhet me e ditë kush kena kenë? E pse mos me e ditë se kush kena kenë? Pse mos me e ditë se kush jena? Ndoshta edhe nji lule e din se asht lule, ndaj zgjatet krenare kah dielli.
Njeriu ngjason me bimën, që po nuk pati rranjë, ka me e marrë era, në mos sot, nesër… E kaluemja asht rranja jonë, që duhet t’jetë e fortë për me na mbajtë t’fortë trupin (ekzistencën) tonë.
A mos harresa me qëllim se ‘kush kena kenë’ na ban shpejt robën të çdo diktatori, ose të çdo autoritari që shfaqet në tana format, sepse në thelb nuk ndryshojnë nga diktatorët e maparshëm? Çdo diktator asht nji “stuhi e rrezikshme, papritun”, ndaj na duhen kurdoherë “rranjë t’forta”!
A duhet me iu kthye leximit për me përpunue kujtesën, me përpunue urtsinë e me ditë me zgjedhë t’ardhmen? Mendoj se nuk duhet me iu shkëputë asnjiherë leximit, por duhet ditë me lexue, me u bâ selektiv… e për këtë shërben formimi i njeriut (e këtu ndikojnë shumë faktorë).
Po a asht shkrimi i vetmi vend ku mund të kërkojmë shpëtimin për llojin tonë? Nuk mendoj se asht shkrimi i vetmi vend “shpëtimtar” i yni, ka edhe forma të tjera të njehsimit të “gjurmës sonë” mbi tokë.
A mundet ai me përballue të vërtetën, apo e vërteta ka tana mundësitë që nën pushtetin e penës me u konvertue në nji rrenë të madhe? Historikisht t’vërtetat e mëdha kanë kenë t’konvertuara n’rrena t’bukura (jo t’gjitha shpresoj), sepse njeriu e ka ma t’domosdoshme me ndigjue diçka që ia përkëdhel sedrën, sesa diçka që ia trondit atë, pra njeriu pamjaftueshmërisht i fortë e ka prodhue rrenën si rrugëdalje, kurse njeriu i fortë e ka kërkue, e ka gjetë, ka bashkëjetue e ka vdekë me t’vërtetën.
Kush duhet me i dhanë kuptim fjalës që me i besue prapë asaj? Fjalës mundet me i dhanë kuptim çdo vesh që ndigjon me vëmendje.
.
Marc Chagall Bonjour Paris - 1939
Marc Chagall Bonjour Paris – 1939

Pjesa e dytë e Intervistes…

.

nji fjalë… “traditë”

Traditë – nji gjuhë e vjetër komunikimi mes brezash, që s’duhet injorue, se na thotë shumëçka mbi t’kaluemen tonë, po aq sa s’duhet lejue me humbë, se çdo humbje ia faturon “koston” shpirtit të t’zot, aq ma tepër kur i zoti i humbjes asht nji popull i tanë.
.

dy “në pranverë’”

Në pranverë rilind gjithçka, por asht kriza ekzistenciale e dimrit ajo që lind pranverën…
.

tre “qyteti në kangë”

Qyteti n’kangë kishte me kenë kulminacioni i nji pranvere shoqnore, ku ndërgjegjësimi qytetar për nji jetë gjithnji e ma t’mirë për brezat, duhet t’jetë patjetër “refreni” që duhet këndue nga brezat vetë, përgjithmonë…
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.