Tuj pritë Nanë Terezën (1991) Poezi nga Jozef Radi

Shën Tereza e Kalkutës (1910-1997)

Shën Tereza e Kalkutës (1910-1997)

Tue pritë Nanë Terezën (1991)

Poezi nga Jozef Radi

Dola me e pritë
njat grue të mpakun dhimbjesh,
pse bota e vogël kish mbetë
në sandallet e saj.
 
Dola me e pritë me zemër t’mbushun
rrugës ku tanket kafshojnë mjerim.
I mbusha duert e saj eshtake
me mimoza – si lot fëmije,
dhe mirseardhjen
me lamtumira anijesh
të mbytuna ikjesh,
ia urova.
 
Dola me pritë Nanë Terezën
me qiej tmerri mbi shpinë.
 
Dola me e pritë, me i folë, me e puthë
i papërziem me klithma hipokrite,
dola thjesht, me e pritë si Nanë
mes t’mirëveshunish shpirtëzbathun,
që tan’ jetën me Zotin e saj
ishin tallë.
 
Dola me e pritë
njat grue t’vocërr sa grima,
që hecte pothuej zdathun
ndër plagët e mëdha
t’kësaj bote.
1991
.
Jozef Radi - Kujtesa e Mjegulles (2000)

Jozef Radi – Kujtesa e Mjegulles (2000)

Marrë nga Libri Kujtesa e Mjegullës (Tiranë 2000)
Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Kënga si Kujtesë, Poezia  Etiketat: , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook