back to top
19.5 C
Tirana
E diel, 13 Tetor, 2024

Kombësia dhe Feja nder shqiptare – nga vepra e Mark Milanit

Gazeta

Jeta dhe Zakonet e Shqiptareve - Ribotim 2002
Jeta dhe Zakonet e Shqiptareve – Ribotim 2002

Kombësia dhe Feja nder shqiptare

“Jeta dhe Zakonet e Shqiptareve”

nga vepra e Mark Milanit

“Shqiptari, me gjithë dhunën e pushtimeve të hueja, qëndroi në të vetën:
i pandryshuem dhe i pathyem; me gjuhën e tij të lashtë
dhe pushkën me të cilën u lind, në sup.
Kjo na ban me mendue se te ky popull ka diçka që asht ma e fortë
dhe ma e qëndrueshme se ndër popujt e tjerë,
përndryshe s’ka se si shpjegohet fakti: pse ky popull s’e lejoi veten
me ndryshue mbas gjithë atyne shekujve,
mbas gjithë atyne pushtimeve që shkelën dhe shkuen mbi të,
mbas gjithë atyne përmbysjeve që kanë ndodhë.
Pra, siç thashë edhe në krye, unë as dua e as mundem me e kërkue zanafillën e tij,
veçse do përpiqem me kallzue diçka mbi zakonet e sotme shqiptare,
të cilat janë sigurisht nji pjesë krejt e vogël e zakoneve të tij të lashta.
Nëse këto zakone të tyne, për të cilat do të flas mjaft në kët libër, janë diçka e vogël,
kjo vogëlsi le të shërbejë si shembulli i zakoneve ma fisnike të këtij populli…
mark miljanov
.
Shqiptarët - Paja Jovanoviç
Shqiptarët – Paja Jovanoviç
Ata nuk prishen kollaj me njëri-tjetrin.
Megjithëse, çdonjëri prej tyre do të kishte dashur, që vëllai mos ta ndërronte fenë, por të gjithë, ta ruanin fenë e vjetër. Mirëpo tani, ai është i detyruar, se vëllai që të rikthehej në besimin e mëparshëm, me këtë veprim ai do të humbiste edhe më shumë nga vlera e vet, siç e kanë humbur shumë prej atyre në raste të tilla. Për këta ata thonë:
“A nuk i mjaftoi njëherë që e uli veten duke e ndërruar fenë? Atij nuk i ka hije të përplaset sa te njena fe, te tjetra, siç bajnë të verbërit, që shkojnë sa nga nji portë tek tjetra…!”
Kjo është arsyeja që secili prej tyre dëshiron që vëllai, më mirë të mbetet në atë fe së cilës tashmë i përket, se sa ta ndërrojë përsëri atë dhe njerëzit të thonë:
“Po ky s’është i zoti të mbajë asnjë fe!”
Kështu, ata e ndihmojnë dhe janë gati edhe të vdesin për njëri-tjetrin. Ata, sa i bashkon gjaku i përbashkët, po aq i ka mësuar dhe nevoja, se feja, nuk mund t’i pengojë që ata të jetojnë si vëllezër. Kjo gjë jo vetëm i ka forcuar, por edhe u ka siguruar jetën, gjithashtu i ka ndihmuar që të mos urrejnë njeri-tjetrin, për ta edhe një mysliman i huaj, që i ka shpëtuar nga një e keqe, ata e duan dhe ndajnë me të si të mirën ashtu dhe të keqen.
Ndodh që edhe pse mund të mos e duan vëllanë e tyre, por vendin e tij, nuk mund ta zërë askush. Në rast nevoje, ata i drejtohen atij duke i thënë:
-Ndihmomë o vëlla!
Nëse ai ka ndërruar fenë, kjo s’do të thotë se ai është çvllazëruar. Ai nuk e harron gjakun e vet, sepse ka diçka misterioze që nuk e lejon ta harrojë vëllanë, dhe sa merr vesh që ai ndodhet në vështirësi, menjëherë i shkon në ndihmë dhe është gati të vdesë bashkë me të.
Nëse ai nuk kursen jetën e vet për vëllanë, atëherë si mund ta braktisë atë për çështje feje? Sadoqë mund të mos e pranojë fenë e tij, nga vëllai vet nuk heqë dorë kurrë.
Edhe pse ndokush ka zemër që ta urrejë vëllanë, atë njeri mund ta lejojë shpirti dhe zemra t’i urrejë gjithë të tjerët, sepse në jetë njeriu gjithnjë ka nevojë për një ndihmë dhe është fatmirësi e madhe për të, kur ka edhe ndihmën edhe vëllanë. Këtë mendim na e shpreh edhe fjala e urtë që thotë: “Vëlla – ty të kam, nuk të njoha, të humba – të njoha!”.
Shumë njerëz i ka mësuar vetë nevoja. Ajo, ua ka hapur sytë dhe i ka detyruar që të mos e urrejë vëllai vëllanë, pse ai ka ndërruar fenë dhe është bërë mysliman. Kështu, shkolla e nevojës u ka mësuar shqiptarëve se: “Kur të kërcënon një rrezik, vdekja është e sigurt nëse nuk e ke ndihmën e vëllait!”.
.
Epika e maleve shqiptare...
Epika e maleve shqiptare…
Ja, pra pikërisht kjo frikë detyroi; harresën në mes feve dhe shtoi dashurinë në mes vëllezërve që ndërruan fe dhe atyre që e ruajtën fenë e lashtë kristiane në Shqipëri, ta duan dhe të lidhen edhe më shumë me njëri-tjetrin. Me këtë, ata zbuluan një ndihmë të madhe dhe shpëtimin për veten e tyre, të cilin nuk do ta kishin gjetur, nëse nuk do të ishte bërë shkak myslimanizmi i tyre, i cili jo vetëm i ndihmoi, por edhe u tregoi se: do qe më keq për ta, po të mos kish ndodhur ai.
Sipas rrëfimeve, shqiptarët, para më shumë se njëqind vjetësh, kur filloi myslimanizmi i tyre individual, i hynë kësaj rruge pa e ditur se sa do t’i ndihmonte ajo, dhe sa do t’i forconte më vonë, që këta njerëz të viheshin në shërbim të njeri-tjetrit.
Po ju tregoj diçka, për fillimet e myslimanizmit të disa pleqve dhe më pas do të vij tek gjendja e tyre e tanishme.
Siç ju thashë, ata filluan të myslimanizohen njëqind e ca vjet më parë, ndoshta të detyruar nga arsye madhore, ndoshta edhe të vogla, të cilat vetvetiu kanë ardhur më pas duke u zmadhuar, aq sa janë bërë të mëdha. Në fillimet e myslimanizmit, atje ku kishte familje të mëdha me shumë vëllezër, nuk kishin të gjithë të njejtin mendim përsa u përket besimeve fetare. Siç ndodhi më vonë, mes tyre nisi një urrejtje e madhe. Kur njëri myslimanizohej, pse të mos myslimanizohej edhe tjetri? Ndërsa tjetri, duke e parë si gjaksor të vëllanë, ai s’pranonte ta ndërronte fenë e vet!
Kështu dy besimet, arritën t’i ndajnë përjetësisht vëllezërit. Mirëpo kur njërit prej tyre u ndodh në ditë të rrezikut nga armiku, dhe ndjeu hijen e vdekjes para syve të vet, thirri:
“Mos më lër o vëlla se mbarova!”
Kur dëgjoi zërin e vëllait në rrezik, dhe e pa me sytë e tij atë, vëllai tjetër e harroi fenë, sepse gjaku i vloi në damarë dhe kërkoi ta derdhnin të dy bashkë, si gjakun e tyre po edhe gjakun e armikut. Pas këtij gjesti vëllazëror, sytë dhe mendja e tyre u qartësuan dhe u bindën se s’mund të jetonte vëllai pa vëlla. Në këtë mënyrë, ata qëndruan disi indiferentë ndaj fesë dhe vazhduan dashurinë vllazërore mes tyre. Këtë dashuri, ata ua kaluan brezave pasardhës, të cilët kaluan rreziqe edhe më të mëdha, dhe nëse vëllezërit s’do të kishin pjesë në të dy besimet, do të kishin rënë më lehtë viktima të sulmeve të pabesa dhe intrigave aziatike. Mirëpo si myslimani shqiptar dhe kristiani shqiptar u gjetën pranë në ditë të rrezikut nga më i forti, dhe u lidhën më shumë me njeri-tjetrin, e duke përdorur si armë kuranin dhe fenë, shqiptari iu drejtua aziatikut si myslimani myslimanit duke i thënë:
“Bismilah, unë jam mysliman, e kët që ti e sheh këtu unë e kam vëlla! Guxon të ma prekësh se pasha dinin, bashkë me gjakun e tim vëllai, rrëkajë do derdhet edhe gjaku yt, edhe gjaku im…!
Aziatiku, duke e ditur se feja nuk e lejonte myslimanin të vriste myslimanin, u tërhoq. Në këtë mënyrë myslimanët shqiptarë fituan dy vëllezër: njërin prej gjaku dhe tjetrin prej fesë. Kështu, ata mbrojtën jo vetëm veten por edhe njerëzit e tyre, duke arritur deri në ditët e sotme. Prandaj, ne sot ndeshim fise të tëra që janë shtuar, duke filluar nga ata pak vëllezër që përmenden në fillimet e myslimanizmit të tyre.

.

Marrë nga Libri “Jeta dhe Zakonet e Shqiptareve” i Mark Milanit
Përktheu Dr. Lazër Radi
.

“Jeta dhe Zakonet e Shqiptarëve” asht nji përkthim i hershëm i Dr. Lazër Radit, po edhe nji prej librave ma të sukseshëm të tij, mbasi u botue dy herë… Libri asht nji përzgjedhje e auotrit, i cili e ka shoqnue kët botim edhe me nji studim mjaft analitik kët vepër të autorit Mark Miljanov Popoviç… ose i njoftun ndryshe Vojvoda Mark Milani… Në kët prezantim, të cilin mendoj ta vazhdoj edhe ma tej po japim nji fragment të shkurtë të shkëputun nga hyrja e librit të ketij vojvode malazias, i cili edhe siç shkruen në kët libër, ishte edhe vetë me origjinë të hershme shqiptar… j. radi

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.