back to top
25.5 C
Tirana
E enjte, 3 Tetor, 2024

Do na mungosh të gjithëve, o mik i vuajtjeve – kushtuar Legjendës Uran Kostreci

Gazeta

Uran Kostreci duke recituar sonetit për Mit'hat Frashërin
Uran Kostreci duke recituar sonetit për Mit’hat Frashërin*

Do na mungosh të gjithëve, o mik i vuajtjeve…

kushtuar Legjendës Uran Kostreci

nga Jozef Radi

Sot humba një mik të rrallë,
sot të gjithë kemi humbur një mik t’pakthyeshëm
në t’vërtetë ky vend ka humbur një symbol të vetin
edhe pse ai kaherë adhuron simbolet e së Keqes,
Sot e humbëm të gjithë bashkë një Njeri
që të këndshme ta bënte ndejten më të,
që të mirëpriste me një dashuri atërore,
e mund të flisje pafund e për gjithçka,
me kët Njeri bëmë një udhë të gjatë ëndrrash e të shkurtë jete
e i mbetëm mirnjohtës njëri-tjetrit përjetë,
e kujtoj kur e nxita ta jetonte rininë virtuale
qeshi më gjithë 80 vitet e veta por më dëgjoi,
e pastaj na erdhën shumë ditë e shumë rrugë
që i bëmë bashkë miqsisht, dashurisht, njerëzisht,
sa tashmë kemi kujtime t’pafundme mbi dhè e nën dhè,
ai si rrëfyes i palodhur e unë si gjahtar që kapja
çdo imazh të tij fjale e shpirti përmes një dritze të vogël,
dhe kështu ia mblodha një trastë rrëfimesh
prej hararit të dramave e dhimbjeve pafund
e m’i rrëfente aq bukur vuajtjet e veta si t’ishin festa
e m’i ngjyroste lotët me at buzëqeshjen e trishtë,
dhe më mësonte si jetohet trimërisht çdo ditë të jetës,
duke mbetur ashtu paqtues midis atyre
që vuajtën si thikë dhe atyre që e përdhosën vuajtjen,
e që tash tavolin’e tij te qoshja e Piazzës pret përlotshëm
pse s’u kthye më ai që Njeriu s’linte të paguante askënd,
që pinte veç ujë e kafe e dy vezë t’fërguara çdo mëngjes…
që shkruante në çaste vetmie sonete magjike
e me forcën e një shpirti të paepur këndonte
e rrëfente e rrëfente pa u lodhur të vërtetat e veta
për një vend të shurdhët dhe një kohë mpirë nga vetvetja
për një tokë ku gjithçka vidhesh, deri edhe buzëqeshja,
e ku Ai mbeti: margaritar i paarritshëm për duart e nxira…!
.
Uran Kostreci - në Bar Firence - Tiranë 2016
Uran Kostreci – në Bar Firence – Tiranë 2015
Do më mungosh xhaxha, o ikonë e shenjtë e Dinjitetit,
do na mungosh të gjithëve, o mik i vuajtjeve pakufi,
pse Njerëz si ti, që dhurojnë veç dashuri e besim
një ditë gjithçka iu kthehet me dritë të shumfishtë…
jozef radi, 12 korrik 2021
.
Poeti Uran Kostreci, në nji çast meditimi
Poeti Uran Kostreci, në nji çast meditimi
Post-Scriptum: Këto tri foto, Uran Kostrecit ia kam bërë ditën që u njoha me të, diku në vjeshtë të vitit 2015… te Bar Firenze ku ishte i përditshëm te qoshja e tij…
Një ditë, ndërsa ishte vetëm, i shkova pranë dhe i mora leje që t’i ulem në tavolinë, nëse nuk e bezdisja. Më priti si gentelman! Mjaftoi krejt pak, dhe prej asaj ditë u bëmë miq, u bëmë shumë miq! S’kishte herë që të isha në Tiranë, dhe kohën më të shumtë të mos e kaloja me Uranin, te qoshja e Piazzës tashmë. E adhuroja shpirtin e tij, atë mirësinë e pashoqe, atë kulturën e gjerë që shpaloste ndër biseda që zgjasnin orë e orë, atë “elan vital” e një njeriu të përjetshëm!
Të asaj ditë janë këto tri foto… nga ku mardhëniet tona u bënë të pandashme… Në kohë, ia kam mbledhur nji për nji, të gjitha sonetet që ka shkruar e ka kënduar në të gjallë të tij, dhe deshëm të bënim një festë me librin e soneteve, si të ishte Kënga e Mjelmës.
Po kjo kohë e mbrapsht na ndau, na vrau, s’na la…!
Po libri i tij, si amanet e tij do të bëhet edhe pa të… e Ai do të jetë sëbashku me kujtimet e secilit prej nesh!
Nuk mund të jem në përcjelljen e tij të ikjes fizike… por do të jem në mbajtjen gjallë të frymes së tij!
Të qafoj nga larg Xhaxha!
Dritë bëftë shpirti yt, o hero i pashoq i qëndresës… j.r.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.