back to top
11.5 C
Tirana
E hënë, 13 Maj, 2024

Fjali me paskajore… – nga Artan Kafexhiu

Gazeta

7 qershor 2023 - Tani duke fotografuar diellin dhe une Tanin dhe Diellin ne Half Moon NY
7 qershor 2023 – Tani duke fotografuar diellin dhe une Tanin dhe Diellin ne Half Moon NY

Fjali me paskajore…

nga Artan Kafexhiu

Qëlloi që u takuam me Jozef Radin, në një mot jo të zakontë në New York, ku troposfera ngjante të ishte mbështjellë prej një lente opake gazesh, tymosur prej grimcash mikroskopike, produkte të djegieve masive të pyjeve në Quebec. Dielli në dukje, ishte kthyer në një lloj ylli, sikur t’i ishin shterrur fuqitë, e as ndriçonte mjaft, e as ngrohte mjaft.
Sidoqoftë, Jozefi nuk kishte harruar të më bënte një surprizë të lakmueshme – të më dhuronte dy libra të dashur përkthimesh poetike të tij, e të dyja me dedikim. Tek po i shfletoja, më mbeti syri tek një poezi e Vinicius de Moraes, e titulluar “Folje me paskajore”. Ndërkohë, që lexoja poezinë e shqipëruar me një sqimë gegërishte prej mjeshtri, po mendoja se çfarë inventari pasuror, i shton paskajorja të shprehurit shqip.

Libri me perkushtim Artan Kafexhiut
Libri me perkushtim Artan Kafexhiut

Paskajorja mund të marrë shumë role në fjali, e në mënyrën e të shprehurit tonë. Paskajorja mund të luajë rolin e objektit, pra objektit të drejtpërdrejtë, që kryen veprimin e foljes. Fare mirë, paskajorja mund të luajë rolin e subjektit të fjalisë, si aksioni veprues që udhëheq fjalinë.
Po ashtu, mund të ndjekë një folje tjetër ndërvepruese, duke iu shtuar asaj si plotësuese e kryefjalës në fjali. Përveçse, mund të marrë rolin e mbiemrit si kualifikues-modifikues, apo edhe të ndajfoljes, duke ndryshuar e sqaruar rolin e foljes.
Pra paskajorja është një “multitude” përdorimesh, rolesh, e kuptimesh, të pazëvëndësueshme në shqipen e folur dhe të shkruar.
Bravo Jozef!

Vinicius de Moraes - 55 Poezi
Vinicius de Moraes – 55 Poezi

Folje me paskajore

nga Vinicius de Moraes

M’u ndje krijesë, me riprodhue, me e transformue
dashninë në mish e mishin në dashni; me lindë e
me marrë frymë, m’u përlotë e me ra me fjetë
me u ushqye për me mujtë me klithë.

Me mujt me u ushqye edhe m’u zgjue
nji ditë nën dritë e me pà botën, me e ndigjue
e me nis me dashtë e mandej edhe me buzqeshë
e mandej me buzqeshë për me mujt me kja.

E m’u rritë, e me dijtë, e me qenë, e me pasë
edhe me humbë, edhe me vuejtë, edhe me pas tmerr
me qenë i dashunuem e m’u ndje i mallkuem

e me harrue gjithçka, kur t’vjen nji dashni e re
e me jetue për njat dashni deri n’ditë të dekës
tue zgjedhue folje deri paskaj-ore…

Shqipëroi © Jozef Radi

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.