back to top
26.5 C
Tirana
E shtunë, 15 Qershor, 2024

Lidhja e Shkollave Shqipe në Itali nën drejtimin Partisë Socialiste – opinion nga Artur Shkurti – Drejtor i shkollës “Udha e shkronjave”

Gazeta

Artur Shkurti - Drejtor i shkollës "Udha e Shkronjave" - Tiranë
Artur Shkurti – Drejtor i shkollës “Udha e Shkronjave” – Tiranë

Lidhja e Shkollave Shqipe në Itali nën drejtimin Partisë Socialiste
opinion nga Artur Shkurti – Drejtor i shkollës “Udha e shkronjave”
Dy artikuj që janë refuzuar nga Lidhja e Shkollave Shqipe në Itali
16 maj 2024 Global Albania, 

Shënim: Nuk është artikull politik. Është e kundërta! Por nuk mund të garantohet “depolitizimi” i shkollave shqipe në diasporë, pa luftuar politizimin e tyre. Ndaj jemi saktësisht në funksionet e një shkolle dhe jo në funksionet e një lëvizje politike. Ne nuk analizojmë një forcë politike në tërësi, as nuk e bëjmë këtë për fusha që nuk na takojnë, por e bëjmë gjithmonë në sensin e garantimit të atij këndvështrimi që duhet ta ketë një shkollë.

Ka një rëndësi shumë të madhe për diasporën nëse organizata shqiptare që pretendon të bashkojë komunitetin ia bën vetingun komunitetit në mënyrë politike, pra me “syzet e objektivave politikë të një partie”.
Është shumë në rregull që një parti politike të thotë hapur: “Ne jemi degë e Partisë X apo Y”. Është e ndershme, është korrekte.
Por nuk është aspak korrekte që Partitë të fshehin veprimet e tyre. Naim Frashëri thotë: “O njerëzit e vërtetë u qofsha falë përjetë!”
Që të mos zgjatemi po marrim në shqyrtim një organizim shkollash në Itali që quhet Lidhja e Shkollave Shqipe në Itali.
Me këtë organizim u njohëm përmes një grupi në facebook, i cili ka për administratorë Dritan Mashi, Anila Berberi dhe Rrezart Vela.

Çfarë vëmë re në drejtimin e kësaj organizate?
Ideja jonë kryesore është organizimet në diasporë duhet të mbeten jashtë politikës së Shqipërisë. E kemi shpjeguar që nuk kuptojmë me këtë indiferentizmin, as mungesën e analizës, por “copëzimin partiak të diasporës” në atë mënyrë që e bën komunikimin dhe bashkëpunimin të kotë dhe për këtë arsye është dëmtuese.
Ndërkohë që “Udha e shkronjave” është e vetmja shkollë shqiptare nga Shqipëria dhe Kosova që po i interesohet për të marrë pjesë në organizimin e shkollave shqipe në diasporë, në fushën e analizës por edhe të ofrimit të ideve apo projekteve, organizata Lidhja Shqiptare e Shkollave Shqipe provohet që na sheh me syrin e Partisë Socialiste. Ne nuk e kemi problem që organizatat e partisë socialiste të kenë një pikëpamje për punën apo analizat tona, por e kemi shumë problem që Partia Socialiste të fshihet nën petkun e organizatave me fytyrë “kombëtare”, “gjithëpërfshirëse”. Dëmi është i madh për të gjithë ata që futen në kurthe të tilla me veshje “kombëtare” (gjuha shqipe, shkolla, mësuesit). Njerëzit lënë bindjet e tyre politike për t’u bashkuar ndërsa “të zgjuarit e partisë socialiste” nuk e lënë partinë socialiste jashtë derës së Lidhjes së Shkollave Shqipe, por e duan ta marrin me vete dhe të bëjnë “veting”, “patronazhim” të shkollave shqipe. Thjesht kjo metodë është e pandershme. Ka një arsye se pse organizatat kur krijohen deklarojnë nëse do të jenë politike ose jo.
Lidhja e Shkollave Shqipe në Itali është një levë e Partisë Socialiste dhe unë nuk e provoj me tjetër gjë, përveç se në mënyrën më të pastër të mundshme, që është fusha e mendimit.
Ne jemi anëtarë të grupit Lidhja e Shkollave Shqipe në Itali. Katër rregullat e botuara të grupit janë:
1.Mirësia dhe mirësjellja
2.Mungesa e gjuhës së urrejtjes apo ngacmimi.
3.Asnjë veprimtari promovuese.
4.Respekti për privatësinë e të tjerëve.

Global Albani - Artur Shkurti
Global Albani – Artur Shkurti

Botuam dy artikuj që i kemi botuar kudo tjetër dhe tashmë i kanë me mijëra qytetarë dhe me qindra organizata në Shqipëri dhe në diasporë. Botuam:
1.Politizimi i diasporës lajmi më i keq (10 maj 2024)
2.25 maj 2025 – Përkujtimi i Naim Frashërit (15 maj 2024)
Artikulli i dytë lidhet me të parin në faktin që i dyti u propozon diasporës një mënyrë anashkalimi të politizimit të diasporës përmes përkujtimit të datave kombëtare, siç është ditëlindja e Poetit Kombëtar Naim Frashëri (25 maj 1846) në mënyrë që njerëzit në diasporë të mos fillojnë procesin e përçarjes.
Pra, që të dy artikujt nuk marrin përsipër të analizojnë politikisht të gjithë Partinë Socialishte (kjo do të ishte politikë), por synojnë të analizojnë atë parametër që ka të bëjë me diasporën dhe pikërisht në të kundërt të politikës që është “mospolitizimi”. Në këtë sens ne po i kërkojmë që ajo të mbajë jashtë politizimit shkollat shqipe në diasporë, por edhe organizatat patriotike të diasporës. Nëse shkollat duhet të qëndrojnë jashtë politikës në Shqipëri, aq më tepër kërkohet që ato të qëndrojnë jashtë politikës në Diasporë, ndaj si shkollë ne po mbrojmë një frymë që duhet ta ketë shkolla.
Ndërkohë Lidhja e Shkollave Shqipe në Itali kërkon të çaktivizojë sensorët që bëjnë të mundur hetimin nëse një veprimtari është apo jo politike.
Vijmë tani tek thelbi: Partia Socialiste me në krye Edi Ramën ka marrë nismën e saj për të qenë në diasporë dhe për të takuar diasporën. Kjo i lejohet asaj ligjërisht, por nuk i lejohet që ajo të gënjejë publikun dhe të thotë se kjo është një veprimtari e shtetit shqiptar. Ka një dallim thelbësor ndërmjet një veprimtarie shtetërore nga një veprimtarie partiake. Në rastin e dytë paratë i paguan partia dhe jo shteti, organet shtetërore nuk përfshihen, dhe publiku e di qartë se veprimtaria është e Partisë Socialiste. Tashmë është marrë vesh përmes deklarimeve të Damian Gjiknurit në A2CNN (video) që kjo është një veprimtari mirëfilli politike (citoj: “Ky ishte një takim i organizuar nga Partia Socialiste”).
Tani me çfarë të drejte një përfaqësuese e Lidhjes së Shkollave Shqipe në Itali në grupin “jo-politik” të shkollave shqipe,
a)nga një anë i bën reklamë veprimtarive të Partisë Socialiste në diasporë (shih foton-postim poshtë)
b)nga ana tjetër, nuk lejon mendimin që diaspora nuk duhet të politizohet.
Postimi i Anila Berberit, drejtuese në Lidhjen e Shkollave Shqipe në Itali
E kundëra e politizimit është bashkimi. Ne i ftojmë për bashkim, kur kërkojmë “jo politizim”. Ndërsa organizatorët e Lidhjes Shqiptare të Shkollave Shqipe po kërkojnë përçarje, sepse po i bëjnë “hysmetin” vetëm Partisë Socialiste dhe po pengojnë mendimet e tjera.
Organizatorët e Lidhjes së Shkollave Shqipe as nuk e kanë idenë se edhe Riti i Identifikimit të Shqiptarëve me duart si shqiponjë është krijuar pikërisht prej meje në vitin 2009 në librin “Besa – feja ime, e fëmijëve të mi dhe e bujarëve shqiptarë” në faqen 32 dhe PS thjesht e ka për detyrë t’i tregojë publikut se në çfarë mënyre një krijim të tillë ajo nuk e nderon, por thjesht e përdor. Synimi ynë është bashkimi sipas devizës së Rilindjes Kombëtare “Feja e shqiparit është shqiptaria”.
Pra, ka shumë prova se “Udha e shkronjave” nuk po bën asnjë “marifet” për të fshehur ndonjë anësi politike si në këndvështrim të forcave ekzistuese ashtu edhe të ndonjë paraprirje për ndonjë forcë politike, por sigurisht që kjo nuk do të thotë që ne të mos përpiqemi që të krijojmë atë tokë pjellore që do të prodhojë produkte të mira, pra nuk jemi të interesuar mbi “produktin e tokës” por mbi pjellorinë e saj, që është diçka edhe më e lartë se sa të rendurit pas organizimit politik që sigurisht merr frytet.
Lidhja e Shkollave Shqipe me mënyrën si vepron është qartësisht një levë e Partisë Socialiste dhe ata që duan të rrinë në këtë organizatë ose ta citojnë atë thjesht duhet ta jenë të vetëdijshëm për këtë situatë deri në çastin që ata e kanë ndryshuar drejtimin.
Nëse do të shihen veprimtaritë e Qendrës së Botimeve për Diasporën të gjithë këta persona janë të aktivizuar shumë, që do të thotë se ai pak investim shtetëror që vjen nga Shqipëria dhe që nuk duhet të ishte politik, po përfundon për financimin e fshehtë të kapjes së organizatave të pavarura nga anëtarë të Partisë Socialiste që do të punojnë (si në këtë rast) për axhendën më të madhe të Partisë Socialiste në diasporë.
Ne e kemi ditur që partitë e Shqipërisë kanë ecur vazhdimisht e vazhdimisht me organizime fikive “kombëtare”, kur në fakt janë vetëm organizime me profil “të pavarur” por që përfundojnë të jenë leva dhe të plotësojnë axhendën partiake.
Në librin Global Albania në faqen 18, e kemi dhënë konceptin tonë se si duhet të jenë organizatat shqiptare dhe koncepti ynë ndikohet thellësisht nga legjislacioni perëndimor më i mirë në fushë:
Citojmë faqen 18:

“…Organizata të hapura, demokratike dhe të aksesueshme
Organizatat shqiptare, ato që tashmë janë nëpër botë apo të rejat që do të formohen, në këndvështrim të Global Albania, pra fjala për organizata të akredituara janë ose duhet të jenë të hapura dhe këtë e tregojnë duke ofruar informacion të gjerë mbi veprimet, anëtarësimet në organizata, transparencë në rregullat se si ato funksionojnë, gatishmëri për të ndarë në çdo kohë informacion me anëtarët e organizatës, kritere të qarta dhe transparente anëtarësimi, përpiqen për ta bërë të sigurt që takimet, veprimtaritë t’u komunikohen të gjithë anëtarëve që të jenë në gjendje të marrin pjesë plotësisht në të tilla ngjarje, takime, apo veprimtari: Organizatat shqiptare tregojnë gatishmërinë e tyre për t’u mbushur me anëtarë të rinj nga komuniteti shqiptar. Organizatat shqiptare të akredituara janë ose duhet të jenë demokratike dhe konceptohen në mënyrë të tillë që të gjithëve t’u dëgjohet zëri, qoftë në shumicë apo në pakicë, kanë kanale të qarta komunikimi ndërmjet drejtimit dhe anëtarësisë, kanë transparencë dhe llogaridhënie ndaj anëtarëve sidomos në buxhet dhe shpenzime, ata që preken nga vendimet të kenë një zë në proceset që çojnë në vendime, mospajtimet dhe ankesat i trajtojnë ose i zgjidhin, dhe sipas rastit i përpunojnë në nivele të njëpasnjëshme më të larta brenda organizatës, ato konceptohen në atë mënyrë që u lejojnë të gjithë anëtarëve për të kandiduar për poste ekzekutive dhe proceset zgjedhore janë të paanshme, të ndershme ku anëtarët marrin pjesë lehtësisht si votues, por edhe si kandidatë, duke përfshirë edhe sigurimin e një arbitri të paanshëm e të besuar në procese zgjedhore. Në këtë pikë të fundit, organizatat shqiptare mund të ndihmohen nga të tjera organizata shqiptare.
…”

Dy artikuj të refuzuar nga Lidhja e Shkollave Shqipe në Itali
Dy artikuj të refuzuar nga Lidhja e Shkollave Shqipe në Itali

Me mënyrën si vepron Lidhja e Shkollave Shqipe nuk është as e hapur, as transparente, as dëgjon zërin e të gjithëve, as të pakicës, as nuk tregon se ka ndonjë dëshirë që ata që preken nga vendimet e saj të mund të kenë një zë në proceset që çojnë në vendime.
Grupi drejtues i Lidhjes së Shkollave Shqipe në Itali ka për admin tre veta dhe tre vetë përbëjnë një grup dhe ata janë Dritan Mashi, Anila Berberi dhe Rrezart Vela. Ne u kemi shkruar në inbox të treve për arsyet e refuzimit të shpërndarjes së artikujve në grup dhe ata nuk kanë dhënë asnjë sqarim. Kjo përçon mesazhin “Mos u merr me këtë punë”. Natyrisht që do të merremi me këtë punë dhe do t’ia çojmë gjithë komunitetit global të shkollave shqipe dhe organizatave shqipe në diasporë.
Ne e kemi thënë që veprimtaria e Partisë Socialiste në diasporë do të çonte në politizim të diasporës dhe për pasojë në ndarjen e saj politike dhe për pasojë menaxhimin e përçarjes politike do ta bënte përsëri e njëjta klasë politike që prej Shqipërisë ka mbushur botën me shqiptarë të përzënë nga atdheu.
Ne nuk synojmë që t’i kundërvihemi këtij organizimi të Partisë Socialiste nga ndonjë pozicion i ndonjë partie tjetër. Kjo do të ishte ajo që donte Partia Socialiste. E kundërta e këtij aksioni nuk është “partia tjetër” por është “bashkimi i diasporës”.
Ndaj ne e ftuam dje diasporën që t’i kundërvihet këtij aksioni përçarës jo duke aktivizuar forca të tjera politike, por duke aktivizuar ngjarje kombëtare që i bëjnë njerëzit bashkë, pra edhe anëtarët e partisë socialiste, edhe anëtarët e të majtës.
Mirëpo deviza “përça e sundo” është një devizë shumë tunduese për ata që kanë pushtetin politik, sepse togfjalëshi mbaron me “sundo” pra që do të thotë se: “aktualisht e ke pushtetin” dhe duhet ta mbash përmes “përçarjes”.
Në përfundim të këtij artikulli, do të donim nga të gjithë mësuesit dhe shkollat shqipe që janë në Itali të hetojnë imtësisht nëse organizimi apo drejtimi i Lidhjes së Shkollave Shqipe në Itali është apo jo një levë e Partisë Socialiste dhe më në fund të marrin masat e tyre duke ndërruar drejtimin, ose duke krijuar kushtet që të mos përdoret politikisht.
Në faqen 22 të librit “Global Albania” kemi shkruar kështu:
“Çfarë duhet monitoruar dhe dekurajuar? 1.Nuk duhet të lejohet përdorimi politik. Të shmangësh përdorimin politik është diçka që kërkon një kujdes shumë të madh, që edhe anëtarët e partive të mos ndihen të anashkaluar, por edhe që të mos nxiten të duan t’i japin Global Albania natyrën e parlamentit. Global Albania nuk do të jetë parlament, pra grumbullim partish apo aleancash partish. Kur themi këtë do të jetë e qartë se vetë Global Albania nuk do të transformohet kurrë në një parti, madje nuk do të jetë as organizatë, do të jetë thjesht Frymë e Kombit, por në veprim të dukshëm dhe të monitorueshëm.”
Koment: Kuptohet që me veprimtarinë e vet Partia Socialiste kërkon ta jonizojë situatën në atë mënyrë që “diaspora” apo organizimet në diasporë të jenë “kopje e shëmtuar e konfigurimit të parlamentit shqiptar” që pasqyron klasën e kalbur politike shqiptare.
Si do të bëhet kjo punë? Partia Socialiste kërkon ta tërheqë kërrabën nga vetja dhe mundet ta tërheqë përmes anëtarëve të partisë socialiste dhe aktivizimit të personave që janë futur kudo në organizata shqiptare kinse me motive kombëtare, por në fakt duke bërë një axhendë të Partisë Socialiste në diasporë.
Partia Socialiste e di që kjo do të prodhojë një kundërreagim. Ajo pret që kundërreagimi të jetë i tillë që të ndihmojë rreshtimin e forcave të tjera rreth atyre partive opozitare që janë në Parlamentin e Shqipërisë. Kjo automatikisht e vë diasporën masivisht nën komandën e klasës politike shqiptare ose nën çorientimin e saj.
Pikërisht këtë nuk e duam, ndaj më para se të mësonim se PS do të bënte veprimtari në diasporë kemi shkruar Global Albania dhe kemi shkruar që organizimet në diasporë nuk duhet të kthehen në kopje të parlamentit shqiptar, por duhet të shtojnë komunikimin e zhveshur nga ky koncept.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.