back to top
9.5 C
Tirana
E hënë, 15 Dhjetor, 2025

Zhan Valzhani – Rrëfim nga Muçi Xhepa

Gazeta

"Les Miserables" roman i Viktor Hugosë
“Les Miserables” roman i Viktor Hugosë
Zhan Valzhani
rrëfim nga Muçi Xhepa

Sheshi “Skënderbej” ishte shkretuar i tëri. Neoni përkrah xhamisë herë ndizej e herë fikej. Errësira përzier me shiun e akullt të shtonte frikën. Përbindëshi sapo kishte ngrënë numrin dy. Çezari, miku im i ngushtë, nguli këmbë të shkonim te “Xhamllëku”. Brenda, një grua pa uniformë pastronte lokalin.
-Kam vetëm spinaq me vezë, – tha ajo.
Vezët e zhytura në ujin e spinaqtë ta prisnin oreksin. Nuk kishim marrë ende pjatat, kur te dera u shfaqën tre fëmijë, dy vajza dhe një djalë. Ishin lagur deri në palcë. Vajza, që dukej rreth dhjetë vjeç, më e rritura ndër ta, iu afrua gruas dhe i kërkoi për të ngrënë. Ajo e urdhëroi të dilte jashtë. Çezari i dha pjatën e tij; ashtu bëra edhe unë dhe u larguam. Çezari banonte te halla dhe më kërkoi ta shoqëroja. Rrugës folëm për vrasjen. Kur iu afruam hotelit të vogël, përballë “Zërit të Popullit”, dëgjuam zërin e sportelistit t’u çirrej tre fëmijëve që kishim lënë te Xhamllëku.
-Dilni jashtë! – thërriste, duke i shtyrë me dorë.
U afruam. I pyetëm. Vajza, duke qarë, tha se nuk kishin ku të kalonin natën. Ora po afronte nëntë; Çezarit i duhej të shkonte. Unë e kisha lënë me një mik për të marrë prej tij fjalorin gjermanisht-anglisht dhe, meqë rruga kalonte pranë konviktit të vajzave të mjekësisë, i mora fëmijët me vete. Kur u afruam te dera e konviktit, e këshillova vajzën e madhe t’i lutej dezhurnit të kalonin natën atje. Prita jashtë. Pas pak fëmijët dolën duke qarë.
-Na përzuri, – tha me dënesë vajza.
Së largu u duk miku im; ecte ngadalë, duke tërhequr këpucët e shkelura te thembrat. Me njërën dorë shtrëngonte nën sqetull çantën, ku mbante studimin për gjuhën shqipe, kurse me tjetrën përpiqej të drejtonte çadrën, që ia rrëmbente era. Ndriçimi i neonit mbi trotuar ishte i zbehtë. Ndonëse kaloi fare pranë, ai nuk më njohu.
-Zhan Valzhan, – i thirra, – Fantinës ia kanë flakur Kozetën në rrugë.
Qeshi me zë të brendshëm, të thellë.
-Hajdeni zogj në çerdhen time, – i ftoi, pa pyetur se cilët ishin.
I mblodhi rreth vetes dhe të pestë morëm rrugën për te banesa tij. Toka, vende-vende, ishte me pellgje uji dhe baltë. Shtegu kalonte përmes një rrëpire të pashtruar e përfundonte në një hendek të madh, që e kaluam me vështirësi. Djali më i vogël mbahej fort te këmba e tij. Filluam të ngjisim shkallët, që nxinin pus. Në katin e tretë, atij i rrëshqiti këmba e me zor u ngrit. Kur arritëm në katin e pestë, hoqi një copë tulle nga korniza e derës, nxori një çerek qiriri, e ndezi me vështirësi, hapi derën dhe, duke u kthyer nga hyrja përballë, tha:
-Ai atje më ka prerë dritat.
Në atë apartament banonte një punonjës policie. Sapo hymë në kuzhinë, dhoma e tij e punës, nxori nga një dollap i vogël pesë qirinj, nga një për secilin. I vendosi në parvazin e dritares, i ndezi me kujdes dhe me zërin që kumbonte qiellor u tha fëmijëve:
-Mirëseerdhët, o engjëj të shenjtë!
Vajza e vogël vrapoi drejt tij, iu hodh në qafë e me lot gëzimi i tha:
-Xhaxhi, ti je si ne!
Atë ditë fëmijët kishin ardhur nga Shkodra të takonin babanë e tyre te Burgu i Ri. I kishte sjellë njerka, e cila, pasi kishte mësuar se të shoqit ia kishin kthyer dënimin në politik, i kishte braktisur. Të nesërmen në mëngjes, Petro Zheji, antikomunisti trim, pasi i ushqeu dhe u preu biletat fëmijëve “armiq”, me dashuri hyjnore i përcolli për Shkodër.
Muç Xhepa & Petro Zheji

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.