
Fishta i Madh – midis adhuruesve dhe mohuesve!
nga Rexhep Qosja
Qe 45 vjet duke pëshpëritur ia kemi permendur emrin!
Qe 45 vjet fshehurazi ia kemi lexuar veprat!
Sepse qe 45 vjet ishte i ndaluar!
Sepse qe 45 vjet ishte
i përjashtuar prej kujtesës së popullit të vet!
E pabesueshme e, megjithate, e vërtetë!
Ky është fati letrar i Gjergj Fishtës – i shkrimtarit të cilin populli nuk e ka harruar dhe të cilit shumë lexues ia kanë dijtur përmendsh veprën madhore “Lahuta e Malcis”.
Fishta është shkrimtari ynë, të cilit i janë shqiptuar dënimet më të rënda politike dhe ideologjike, domethëne shkrimtari mbi të cilin janë hëdhur faje të rënda dhe të ndryshme.
Nuk thuhet kot: rrufeja bie mbi lisat më të gjatë!
Për Fishtën dhe veprën e tij prej tashit do të shkruhet shumë.
Do të shkruhet shumë për të për shkak se ekziston miti i tij.
Mitin e Fishtës e kanë krijuar: ithtarët, miqtë, adhuruesit e tij të shumtë, por edhe individët e ndryshëm që edhe kanë dashur ta bëjnë mit. Për të gjallë e kanë pagëzuar
Homeri i Shqypnis, Orfeu i Shqypnis, Tirteu shqiptar.
E kanë krahasuar me Gëten dhe me Shilerin!
I kanë thënë: Poet i Kombit; poet populluer; poet luftëtar, apostulli i pavarësisë.
E kanë quajtur: tipi vigan i racës; mbreti i poetëve shqiptarë; ai qi na ka ushqye shpirtin, na ka çilun mendjen, na ka ngrohë zemrën dhe armatosë krahun; gjenia ma e naltë e fisit arbnuer; pjella ma fisnike e ma e bukur e tokës së të parëve tanë; krenija e kombit tonë!
Kryevepra e tij, “Lahuta e Malcis”, është çmuar si Bibël kombëtare dhe është quajtur: përmendore kombëtare: monument klasik i rodit trako-ilir; udhëndriçues për ata që dëshprohen; vade mekum i çdo atdhetari. E të tjera.
Përpos të vetëve, shqiptarëve, Fishtën e kanë madhëruar edhe të huajt, si D’Anuncio, që në kohën kur Shqipëria ishte e okupuar prej Italisë, e quan “Poeti ma i madh i popullit të lumnueshëm të Shqypnis”.
Nuk ka dyshim se vepra e Fishtës meriton shumë fjalë lavdie, por nuk ka dyshim se lavdëruesit e tij, jo rallë e kanë lavdëruar për nevoja të veta: atdhetarët për
nevojat e Atdheut; shkrimtarët e ndryshëm në shërbim të pushtetit për nevojat e pushtetit; poetët e vërtetë për hir të artit të tij; lokalistët e ndryshëm shkurtpamës për nevojat e lokalizmit të tyre; propagandistët fetarë për nevojat e tyre fetare; të huajt për nevojat e politikës së tyre pushtuese!
Përpos ithtarëve, miqve dhe adhuruesve të shumtë, të lavdëruesve të sinqertë e të pasinqertë, në krijimin e Mitit të Fishtës kontributin e tyre e kanë dhëne, natyrisht pa dashje, edhe kundërshtarët e tij politikë dhe ideologjikë, që të vetëbindur apo teë yshtur, janë përpjekur ta mohojnë apo, në disa raste, madje, edhe ta humnerojnë.
E kanë sulmuar për shkak të bindjeve të tij të gabuara dhe për shkak të bindjeve të tij të drejta; i kanë kërkuar dobësi qëe s’i ka pasur; i kanë trilluar faje që s’i ka bërë; e kanë shpallur çka ka qene dhe çka nuk ka qenë.
E kanë sulmuar në baze të të dhënave që kanë gjetur dhe në bazë të pandehmave të imagjinuara!
E kanë sulmuar njeriun duke ia harruar atë që s’harrohet: veprën.
Fishta është bërë viktimë intelektuale e të kundërtave, e pikëpamjeve dhe e interesave kundërshtimore, e dy të pavërtetave që mbi emrin e tij kanë qëruar hesapet mesveti.
Si pasojë e kësaj edhe ka ngjarë që dikush ta quaj hero e dikush qyqar, dikush martir e dikush të dënuar me të drejtë, dikush orator e dikush demagog, dikush atdhetar e dikush, madje: tradhtar!
Të gjitha këto duan të thonë se Gjergj Fishta, ndoshta më dukshëm se asnjë shkrimtar tjetër shqiptar deri në ditët tona, është parë njëanshëm, padrejtësisht dhe gabueshëm.
…ta shpëtojmë Fishtën prej përqafimit të adhuruesve te tij te pasionuar – që emrin dhe veprën e tij i kanë shfrytëzuar a i shfrytëzojnë edhe për nevoja të veta, në njerën anë, dhe prej mohuesve të tij të pasionuar – që përmes emrit të tij duan të qërojnë hesapet me fatamorganat e tyre politike, ideologjike a letrare, në anën tjetër.
Me një fjalë: Fishtën duhet ta pastrojmë prej baltës politike që ia kane qitur kundërshtarët dhe adhuruesit politikë.
Fishta ështe mjaft i madh sa të mos frigohemi se, duke ia treguar edhe dobësitë, do ta zvogëlojmë atë.
Rexhep Qosja, “Gjergj Fishta dhe çeshtja kombëtare” (nga libri “Strategjia e bashkimit shqiptar”, 1992)
Marrë nga Muri i FB Selim Kurti, 23 tetor 2025