
Mbas 50 vitesh “Matura ’76”, u mblodh dhe kujtoi rininë e viteve të gjimnazit…
reportazh nga Jozef Radi
Ftesa e 50 vjetorit të Maturës 1976, të Gjimnazit të Lushnjes, qe vërtet diçka e bukur. Në një reflektim të shpejtë, ashtu “al volo, un dolceamaro” siç thonë italianët: e ëmbël pse me shokët e klasës kemi ruajtur ndër kohra një raport vërtet miqësor. Shpesh flasim, takohemi e drekojmë së bashku; e hidhur sepse mjaft prej nesh jemi të ikur, e sigurisht edhe mungojmë, pa harruar faktin, se njeriun më të lehtë për ta përjashtuar n’ato vite të largëta, drejtoria e shkollës e kishte emrin tim!! Kështu që ftesa, rrëshqitas m’i solli edhe ca kujtime ëndrrash “padashtas” të thyera.
E vendosa të shkoj… Më ftonin shokët dhe jo shkolla! Pastaj njeriu ka dëshirë të rrëfehet dhe t’i rrëfejnë, se si i lamë të na kalojnë kaq lehtë e kaq shpejt këto pesëdhjetë vite…!!
Meqë ftesa thoshte: Para gjimnazin në orën dhjetë, e vendosa që në orën nëntë të isha në qytet. “Po shkoj pak më herët, – thashë – e po i hedh një shikim qytetit tim të dashur, mbasi asnjëherë në këto tridhjetë e pesë vite të fundit s’me qe bërë mbarë të bëja një shëtitje nëpër qytet. Në Lushnje kam kaluar pjesën më të rëndësishme e më të shumtë të jetës, kështu që ajo shëtitje do të ishte edhe një parathënie e asaj dite të ndërtuar vetëm mbi kujtime.

Besoja se ai qytet do të ma jepte të plotë kënaqësinë rikthimit mbas kaq shumë vitesh. Me at’ rast edhe e shihja, mendoja dhe e krahasoja, atë çka kisha lënë, me atë çka po gjeja…
Në orën 9 pa një minutë, mikrobuzi më ndali të posta e dikurshme e qytetit. Nga Posta e vjetër, i rashë drejt Pastiçerisë së Dytë, u kteva te Mapo e Madhe, i hodha një sy Hotel Myzeqesë, m’u duk se s’ishte ai, kalova te Dyqani i Fëmijëve, te Libraria më e Dashur e Jetës, anashkalova Farmacinë, rrëshqita si hajdut të Dega e Brendshme, ku dikur gatuhej “krimi i organizuar ndaj të pafajshmëve” Ia hodha sytë zyrave të ish gazetës “Shkëndija” ku kisha ëndërruar t’i botoja ca vargje (po nuk ndodhi kurrë), kalova te ish gjykata, ku për dreq i kisha ndjekur edhe ca gjyqe politike… e kujtova me mall rrugën e tregut fshatar; që të çon të shkolla “4 Dëshmorët”, ku at vit që kisha nisur gjimnazin kishin arrestuar në orën e mësimit, shkrimtarin Kapllan Resuli; i hodha sytë nga kodra ku Kisha Ortodokse qe bërë Poliambulanca e qytetit; u rrotullova në atë shesh se mos më shfaqeshin xha Mai me Marien, apo xha Nuri Gostivari me kaushët e kumbullave apo xinxifeve në dyqanin prej dërrase; u ndjeva pak keq se Gastronomi i famshëm aty ishte po qe bërë diçka tjetër…
Gjithçka ishte aty… po aty s’ishte asgjë!

Dola prej sheshit kryesor, dhe mora nga mbas Kinoteatrin “Vaçe Zela”. Kujtova atë tregun e vjetër fshatar, ku të dielave ishte një festë e dhimbshme e begatisë që mpakej vit mbas viti…
Po ecja me qetësi. Herë pas here ndaloja si të më kishte humbur diçka! Për fat, gjatë natës, kishte rënë një shi i stuhishëm, kështu, mbas ditësh përvëluese ajri qe freskuar mjaft, si një dhuratë që më jepesh për ta pasur më të lehtë shetitjen e asaj dite, ndër më të veçantat e viteve të fundit. Shihja majtas e djathtas, grataçielat e ndërtuara. M’u kujtua dyqani i pijeve të xha Lip Sylarit me syzet e ulura përgjysëm, apo magazina ku mblidheshin letra, shishe e kavanoza, e një burrë rondokop me mbiemër Aliçka, një herë në muaj më kishte te abonuar me thesin mbrapa biçiklete… Kujtova repartin e pikturës ku punonin Seit Selfo, Vango Lezoja me të tjerë, që e mbushin qytetin me parulla e portrete. E kërkova me sy Bar Lulishten “1 Maji”, rrëzë kodre, ku të shtunave kishte birrë dhe orkestër, po asgjë!! Ishin vetëm kujtimet e mia që i përcillnin ato ndryshime imponuese… e më shtynin të krijoja një ide tjetër mbi transformimin e qytetit.
Në të vërtetë, po kërkoja atë qytetin e 50 viteve të shkuara! Po kërkoja qytetin që s’ishte më!
Ja, fjala vjen, aty kish qenë dikur Shtëpia e Kulturës së qytetit, me bibliotekën e famshme, ku kam kaluar dhjetra orë e kam marrë qindra libra. Në katin e dytë ishte studio e regjizorit dhe piktorit Tahsin Demiri, e ku bëheshin prova të muzikës dhe teatrit e rralle edhe ndonjë ekspozitë pikture… Nuk ishte më! Ishte shembur me kohë! Përballë mu shfaq Pastiçeri e Parë e në mes monumenti “Toka Jonë”. Ish – selvia e dikurshme, monumenti i gjelbërt po edhe streha e kumrive të qytetit edhe është edhe s’është më… E lashta është zhdukur bashkë me qytetin e kujtimeve të mia, ndërsa një e re më e vogël me shtat vajzëror përpëlitej ta imitonte selvinë e dikurshme, atë të kohës sonë…

Vazhdova të zbres poshtë. Kujtova kinemanë e dhjetra filmave, eca përpara dhe u ndala, aty ku dikur kishte qenë kioska e fruta-zarzavateve e Jan Korraqes. Sa herë kisha ndenjtur në rradhë. Sa herë më ishte thënë fjalia: Mbaruan për sot domatet, specat, rrushi apo preshi… Hajdeni nesër…! S’do ta harroj kurrë Janin! Shiste, fliste… dhe qeshte gjithë kohës… Kishte një dhëmb floriri që ia përndriste buzëqeshjen. Tallesh me të gjithë e me gjithçka. Tregëtinë e kishte pasion shoqëruar edhe me pak gallatë. S’do ta harroj kurrë një ngjarje. I tha një gruaje në rradhë… ”Merr sallatë se është e butë si mëndafsh!?” – Po s’kam asnjë pikë vaj ulliri o Jani! – ia ktheu ajo… “Merre, se vaj ulliri s’do ketë as vitin tjetër! Duhet të mësohesh ta hash sallatën edhe me vaj kikiriku, se s’bëhet nami!! Ku do shkojmë pa sallatë!” – dhe qeshte Jani… e dhëmbi floririt ia përndriste fytyrën… Harronte i shkreti Jani, se edhe gallata e tij raportohej, e një ditë do ta fluturonin nga dyqani…!”
Kur u futa te lulishtja e famshme e gjimnazit, ndjeva një nostalgji të trishtë. Lulishtja ishte aty, po s’ishtë më lulishte, ishte diçka që s’dija ç’emër t’i vija!
Aty shumë prej nesh kemi kaluar herë mbas here orët e pushimeve, orët e “arrative”, orët e detyrave të pabëra e të kopjuara me ngut, të shpërndara si trakte, ishin aty orët e gallatës rinore… orë të pafundme rinie me Kiçon dhe Lirin. Kur linim orën e mësimit dhe mësonim lëndën që e dinim se e kishim rradhën e ngritjes apo të provimit. Si i abonuar i bibliotekës, aty kam lexuar librat e parë me poezi të idhujve të realizmit socialist, leksionet e të cilëve na i jepnim me shënime. Aty te lulishtja bënim gallatë, kur presor Raqi a Xhoxhi, s’na jepnin ndonjë top për të luajtur futboll apo basket…!
Mbas eca dhe pak m’u shfaq gjimnazi. Ashtu imponues po edhe i dashur.

Sigurisht nuk ka ndryshuar veç ngjyra e bojës po edhe emri…!! Ja aty, e kemi lënë sot të mblidhemi për të dëshmuar se edhe mbas pesëdhjetë vitesh, jemi ende të fortë. Vërtet gjysma e kohës sonë ka qenë komunizëm, po gjysma tjetër ka qenë më ndryshe: Mjaft prej nesh kanë kaluar detra e oqeane për të qenë këtu kët ditë. Të tjerë s’kanë mundur! Për ata që mungojnë, do të jetë një boshllëk i dhimbshëm pamundësie, o ndoshta thjesht indiferentizëm. Koha, gjërave të bukura s’u bën biis! Nëse mosha me ne ka bërë të vetën, edhe ne kemi bërë tonën, për të mos qenë viktima të saj. Fakti që po mblidhemi mbas 50 vitesh, e përcjell si dëshmi force dhe kurajo për t’u përballur me atë hendek ndarës që s’është pak, por plot gjysëm shekulli… E kjo ia vlen të nënvizohet!
Vazhdova më përtej, te Magazinat e dikurshme në qendër të qytetit! Pashë Shtëpinë e Kongresit që na bëri shtetin dhe Kryeqytetin. I vetmi objekt që mbetej simbol i 106 viteve! Ecja dhe vëreja me kujdes fytyrat, mos hasja hijen e ndokujt që njihja, por hiç asgjë…
Kështu më kaloi ajo orë mëngjesi e së shtunës, 12 shtator 2026.
Ora dhjetë ishte lënë për takim para derës së Gjimnazit. Kur ishim ne, quhej “20 Tetori”. Tani e kanë zbritur “18 tetori”, ndoshta kur të mblidhemi për 60 vjetorin, do ta kenë zbritur edhe më te “16 tetori”… Po ç’rëndësi kanë datat! – mund të thotë dikush, – ne e kemi jetën përplot me data të kota! Një më shumë e një më pak, s’prish kandar…!!

Grupi mikpritës i “Maturës 76”, Hekurani, Sandri, Tosi dhe Llukani ishin tashmë para portës së gjimnazit. Shkova dhe u bashkova me mall me të gjithë ata që ishin të parët. Fillimisht vumë në provë kujtesën, ku bashkimi i dy figurave, asaj që kishim lënë para gjysëm shekulli më atë çka përfaqësonim sot, shoqërohej me habitë e seicilit prej nesh.
Si fytyra, i mbaja mend mjaft mirë. Problem ishte se një pjesë e “Maturës 76” ka qenë ndarë në mos gaboj në pesë klasa. Sigurisht ua kujtoja fytyrat, e ca më pak emrat, por mjaftonte të çërmoje pak në kujtesë dhe koha shlyhesh… dhe kështu nisnin pyetjet dhe historitë e pafundme…
Ndërkohë, grupi minutë mbas minute bëhej më i plotë e më i madh. Fillimisht ishim mikëpritësit e festës së asaj dite, ose shpirti i asaj feste: Hekurani, Sandri, Llukani, Fatosi dhe Tomi. Mbas orës dhjetë nisën të vijnë edhe vajzat. Erdhi Bakja (Ballkëze Gjyzeli), që s’pata as dyshimin më të vogël… Ajo s’e gjeti kush isha: kur i thashë emrin, u përqafuam fort. Erdhën edhe mjaft prej atyre që s’i kisha pasur në klasë, sigurisht u takuam, folëm dhe vazhduam me shprishjen e enigmës 50 vjeçare, që kishim në mes.

Rreth orës 10:05 u hap dera e madhe e oborrit. Më pas edhe dera e shkollës. Gradualisht nisi të bëhej me e qartë edhe sasia e të ardhurve… Premtimet shpesh janë mashtruese në kësi rastesh! Filluan ta shëtisim korridorin e madh, të kujtonim kohën tonë, të bisedonim, të bënim foto, të shihnim çfarë kishte ndryshuar në atë hapësirë gjysëm shekullore ndarjeje… Ndërkohë që një Maturë, (pjesa thelbësore e saj) kish gjetur kurajo të bashkohej aty e të festonte…
Një mrekulli më vete kjo!
E rëndësishmja e kësaj feste të bukur qe entusiazmi kolektiv, e çka më interesonte më shumë, ishte të qenit i vëmendshëm. Duhej të regjistroja gjithçka pozitive të atij takimi, e të krijoja parakushtet e një shkrimi, që e kisha mjaft për zemër.
Ngjarje të kësaj natyre, të kësaj përmase e kësi rrethanash nuk ndodhin përditë. Ato janë shumë më e vështirë se të organizosh një dasëm… mbasi duhet pasur në konsideratë mosha e të gjithëve. Ne përfaqësojmë në këtë çast jetë, largësitë (një shumicë ndodhen jashtë: në Greqi, Amerikë, Kanada, Itali dhe Angli); të tjerë të shpërndarë në Shqipëri; (Tiranë, Durrës, Vlorë, Fier dhe patjetër në Lushnje, e cila ka edhe numrin më të madh me përfaqësues). Në biseda mora vesh si dikush, s’kishte pasur dëshirë të shfaqej me fytyrën e moshës, e kishte gjetur justifikime për të mos ardhur, dikush ishte sëmurë.) Harrojnë se shansi i një takimi tjetër është në kufijtë e së pamundurës.

Afërdita Bardhi, edhe pse në gjendje të rëndë shëndetësore, kishte ardhur me këmbënguljen e burrit të saj; Vasillaq Daka, kishte nje takim familjar; ca të tjerë kishin pasur vonesa dhe do të vinin me vonesë.
Te ceremonia e shkollës u vërejt se prania ishte e kënaqëshme. Më shumë se 50 vetë. Kështu nisi faza e parë e asaj dite. Prania e Ylli Metushit, profesor i Diturisë së Makinave dhe Gëzim Amursi, që ende ruante mirë skicën e rinisë së dikurshme, e përshëndetën takimin. Sigurisht pak prej nesh ishim në kujtesën e tyre sepse: “Të mbetesh në kujtesën e një profesori duhet të bësh diçka mjaft të rëndësishme: si negative dhe si pozitive. Vetëm kështu mund të mbetesh në kujtesën e një mësuesi, përndryshe, je vetëm një emër në regjistër, sado i mirë apo i keq të kesh qenë në mësime…”
Bëmë mjaft foto: me klasat e dikurshme, me grupe shokësh po edhe individuale. Ndenjëm edhe në një “orë mësimi”, ku ju dha fjala profesor Prof. Yllit, u bënë përshëndetjet e organizatorëve, u kujtuan me dhimbje disa prej atyre që mungonin përgjithmonë, po edhe ata që s’kishin mundur të vinin për arsye nga më të ndryshmet, e që me siguri kanë dashur të ishin!
Kjo qe e gjithë faza hyrëse e takimit të “Maturës 76” – në shkollën 20 tetori!
Në oborr, u vazhdua me fotografitë, me biseda të këndshme edhe me të ardhurit e vonë, me organizimin e nisjes me makina për Ardenicë… Me thane se një vajzë kish ardhur me vonesë, e nuk kishte gjetur askend te shkolla. Kishte ikur pa takuar askënd…

Në orën 12, përfundoi organizimi, dhe makinat u nisën njera mbas tjetrës drejt Ardenicës. Udhëtova me mikut tim të mirë, Tahir Kalemin dhe të birin, duke bërë ciceronin e një rruge që e kisha bërë mijra herë. Lokali në Ardenicë, dominonte mbi Myzeqenë deri në Tomorr… Aty e rinisëm gjithçka nga e para. Ndenjtjet me njëri tjetrin shpesh reduktoheshin me ata që njiheshim më shumë dhe kishim pasur një vazhdimësi komunikimi në kohë, e ku secili gjente grupimin e vet.
Isha i bindur se klasa jonë do të kishte më shumë përfaqësues, mbasi ata ishin edhe organizatorët: Hekurani, Sandri, Tosi… E vërteta ishte se një klasë tjetër ishte me e shumtë dhe më e organizuar. Ndoshta kjo edhe për meritë e Monda Shollës, që jo vetëm e kish konservuar moshën më mirë se gjithë ne të tjerët, por kishte energjitë e një çupëlinë që as donte t’ia dinte për vitet mbi shpinë. Më erdhi shumë mirë që u takova me Mihallaq Bollanon dhe Arben Zenelin! E njoha menjëherë. I thashë: Ti je Bollano? Edhe ai më tha ti je djali i Lazrit? – Babai im me babanë tënd kanë qenë shumë miq. Më prezantoi edhe Aleksandrën, Bebën, gruan e tij! Më befasoi! Kishte qenë ngjarja më e rëndësishme e jetës së tyre. Nga shokë klase qenë bërë edhe shokë jete. Pra, ende të rinj, 50 e më shumë vite bashkë… Në kujtesën e kolektive të shoqërisë gjimnaziste ata ende ishin: Bebi dhe Beba! Mihallaqi kishte mbetur po ai djali sportiv, me buzëqeshjen e çlirtë të komunikimit… Jetonin midis Athinës dhe Himarës…

Në sallën e ngrënies o të sallën e festës, gjithçka qe gati.
Ishte salla e asaj feste që vinte prej kohrash të largëta, për të qenë domosdoshmërisht e bukur. Një atmosferë e jashtëzakonshme, e papërsëritshme, ku më duhej të përshkruaja gjithçka, sepse do të mbesë një piketa e rëndësishme të jetës për secilin: Ia dolëm të mbledhemi mbas 50 vitesh, kur gjithçka dukej e harruar e humbur në lashtësi.
Askush s’e kishte mendjen të merrej me të tavolinat e mbushura me ushqim. Me pijet ndryshonte muhabeti!! Kishte gjithçka! Verë të bardhë, të kuqe, birrë… Llukani ka sjellë raki të mirë, po e ka “nën dorë”!! Këndohet, kërcehet, bisedohet, ngrihen dolli, flitet në celular prej botësh të largëta me ata që mungojnë. Sigurisht u mungon festa, sepse sot jemi mbledhur aty ku u këput kjo histori, diku pesëdhjetë vite të shkuara…! Mungesa e Shpendit, Gëzimit, Desdemonës, Margaritës më dhemb! Kisha dashur të ishin edhe ata me ne aty…. E morën fjalën dhe përshëndetën Monda, Hekurani, Sandri, Pirro Kice tashmë si “njeri i llogarive” gjeti rast të recitonte ca vargje të krijuar enkas për atë festë; Isuf Manko përshëndeti dhe iku se i kish ardhur taksia… e mori fjalën i vetmit profesor që na ndoqi në “marrëzinë e rinisë” Ylli Metushi. I emocionuar e me fjalë të matura tha gjera prekëse! U ftua dipllomati i karrierës Taip Sulko, të thoshte edhe ai pak fjalë. S’është e lehtë ta ndërtosh karrierën dipllomatike prej një gjimnazi periferie, në vorbullat e trazuara të politikave shqiptare!! Kohët e fundit ishte edhe autor i romanit “I arratisuri”. Pati më shumë emocione se fjalë. E mora fjalën edhe unë dhe përtej falenderimit të organizatorëve përmenda dy shokët që na mungojnë përgjithmonë: Ilirjan Hoxhën dhe Shkëlqim Këmborën, pa harruar edhe Ilirjan Thanasin dhe Fatime Tarellin, po edhe ata mungonin aty, Shpendin dhe Gëzimin që me sakrifica kishin realizuar personalitete artistike në vende të huaja edhe në gjuhë të huaja… Kisha shpresuar shumë t’i takoja aty, po e pamundura e ardhjes së tyre qe bërë e pamundur edhe për ne t’i takonim…

U kënaqa me Baken e vogël, me binjaket e papërputhshme Bardha dhe Yllka Cani, me Vjollcën e Litove, me Donikën, motrën e Profit; me Gim Rrapon që me humor këmbëngulte se ka qenë “më i persekutuar” se “unë”; Me Cufen e Karbunarës që ka ardhur me paterica; me Fatos Çelën që kemi ndarë një jetë shoqëri e humor; u takova dhe bëmë një foto me dy gjimnaziste të Savrës, t’asaj mature: Donika Çuko dhe Laureta Shtëmbari, pa i dhënë asnjë rëndësi asaj që kish ikur… Hajrie Këmbora qe veshur si pulbardhë, nuk e sqaruam dot krushqinë e lidhur, edhe pse e mora me mend; dy Liljanat ishin si kanarina ne ato vallet e pafundme; me Melinda Dhimën, vajzën e drejtorit të Institutit “Miçurin”, ndamë kujtime përmes një pafundësie fotosh të ruajtura me shumë kujdes. Ajo qe arkivi më i plotë i asaj feste. Një vajzë e vemendshme, që e lidhi si askush të djeshmen me të sotmen përmes fotove, e ku secili gjente një buzqeshje, për veten e harruar. Për habinë time, m’i dhuroi në bllok rreth 30 fotografi, që lidheshin me kujtimet e shkollës, duke më thënë, se: “I kishte kopjet e tyre, dhe se i vetmi person që mund t’i vlenin… isha unë!!!” E ftova Gordana Lezhon, të bijën e doktor Qirjakos, jo vetëm të vallzonim, po edhe ta pinim një kafe bashkë. E ruante atë sharmin e dikurshëm të rinisë, si më e spikatura e asaj kohe po edhe e kësaj kohe…! Ndejta me mall me Ballkëzen (Baken), dikur pjesë e një trioje të pandarë. Determinante kish qenë, e ashtu kish mbetur. Jetonte në Amerikë prej vitit 2002. Sakrifica të shumta për të kapur ritmin e atij vendi. Me tregoi për vizitën në shtëpinë e babait para pak vitesh në Margëlliç… E rrënuar, e braktisur, e vuajtshme! Përshëndetëm përmes celularëve Desdemonën dhe Margaritën, në Amerikë, mbasi dëshira e tyre e madhe për të qenë aty, kishte dështuar…!!!
Pjesa tjetër është festë… vallzime, valle, pije, humor, kujtime, gallatë, dikush merrte një kafe, dikush ndezte një cigare, dikush kërkon ta ndalte kohën te kjo festë… biseda në ambientet e lokalit të Ardenicës, ku në sfond shpalosej Myzeqeja e pamatë. Pastaj u erdhi rradha fotove të ndarjes. Foto pafund, përshendetje, numra telefoni, whatsupe, perqafime, per të mos harruar ndokënd…
Kushedi! Pse jo! Edhe mblidhemi serish! Ndoshta në grupe më të vegjël! Është bukur! – ishin ca fraza të mbetura në ajrin e freskët te mbasdites në Ardenicë… që secili i lëshon si balona ëndrrash nga lartësitë e Ardenicës nëpër teposhtën e Myzeqesë…
Për ta shkartisur euforinë e festë me pak qetësi, një pjesë e grupit u ndal te një lokal, para derës së Institutit Bujqësor, ku ndamë për rreth një orë biseda, para se trajektoret e secilit prej nesh të humbnin si në një ëndërr të bukur, që mbante të shënuar datën: e shtunë, 12 shtator 2026…
12 shtator – 25 shtator 2026
Lista e Pjesëmarrësve në takimit 50-Vjetorit
të “Maturës 1976” – Shkolla e mesme “20 tetori” Lushnje
1.Agim Rrapo; 2.Aleksandër Puka; 3.Aleksandra Bollano;
4.Arben Zeneli; 5.Ballkëze Gjyzeli; 6.Bardha Cani;
7.Barjam Rustemi; 8.Donika Çuko; 9.Donika Naçi
10.Fatos Çela; 11.Ferdinand Sinani; 12.Gordana Lezho
13.Gori Prifti; 14.Hajrije Këmbora; 15.Hekuran Alizoti
16.Isuf Manko; 17.Jorgo Vogli; 18.Jozef Radi
19.Kristaq Davidhi; 20.Laureta Shtëmbari; 21.Liljana Hila
22.Liljana Kuçi; 23.Llukan Bico; 24.Luiza Petova
25.Melinda Dhima; 26.Maksim Sema; 27.Manushaqe Toro
28.Mihallaq Bollano; 29.Mina Velo; 30.Monda Sholla
31.Oli Sema; 32.Ollga Ujaniku; 33.Pavlina Gjoka
34.Pirro Kice; 35.Tahir Kalemi; 36.Taip Sulko
37.Tasha Mone; 38.Tefta Cerepi; 39.Thoma Dushi
40.Tomorr Mezini; 41.Violeta Prifti; 42.Vjollca Rrasa – Lito
43.Xhulieta Lako; 44.Yllka Cani; 45.Zana Hysi; 46.Afërdita Bardhi
47.Vasillaq Daka – Prof. Ylli Metushi & Gëzim Amursi