back to top
23.5 C
Tirana
E shtunë, 5 Tetor, 2024

Vargje nën diktaturë – nga Shpend Sollaku-Noé

Gazeta

Shpend Sollaku - Mëzat e kaltërt 1987
Shpend Sollaku – Mëzat e kaltërt 1987

Vargje nën diktaturë

nga Shpend Sollaku-Noé

Është e rrezikshme të jesh poet në kohë diktature.
Për nga na­tyra poetët janë lindur të lirë dhe li­ria, në një farë mënyre, është vlera më e rëndësishme që ata bartin përmes vargut. Por të qe­nit të lirë shpesh bëhet edhe kryqi që ata duhet të mbajnë mbi shpinë, sidomos kur, në kushte të caktuara historike, mendimi vetiak imponohet nëpërmjet parimesh të vendosura “nga lart”. Dëshira për të shkruar vargje sipas zemrës e jo sipas parimeve të diktaturës ka qenë fatale për shumë poetë. Ajo është paguar edhe me vdekjen e dyshimtë në qeli dhe zhdukjen e eshtrave si tek Ethem Haxhiademi, edhe me dënime kapitale – siç ka ndodhur me Trifon Xhagjikën, Vilson Blloshmin, Genc Lekën e Havzi Nelën, – me një jetë të tërë burgim dhe internim si Lazër Radi, apo me vdekjen në vetmi e përçmim pas dekadash në qeli dhe degdisje si në rastin e Musine Kokalarit.

Shpend Sollaku - Noé
Shpend Sollaku – Noé

Letërsia shqipe dhe ajo botërore kanë njohur edhe shembuj të panumurt të poetëve të oborrit, që iu nënvunë pushtetit dikta­torial sepse të bindur në idealet komuniste (rasti i shqiptarit të dëgjuar Dritëro Agolli) apo në ato fashiste (siç ka qenë italiani i shquar Gabriele DʼAnnun­zio). Po ashtu edhe të tjerë që i shërbyen regjimit të kuq për konveniencë (shqiptari Ismail Kadare). Këto emra i servir vetëm sa për të përmendur ndonjë përfaqësues, pasi lista e këmbëlëpirësve, edhe pse rallëherë poetë apo shkrimtarë të mëdhenj, bëhet e gjatë.
Ai që merr penën e vendos të hedhë në vargje lirinë apo sklla­vërinë e tij e ka të domosdoshme të ballafaqohet me lexuesin. Dhe për të arritur tek lexuesi ka nevojë të domosdoshme të bo­tojë. Por nën diktaturë kjo nuk është e thjeshtë, duhet tʼi përulesh ose të bëhesh pjesë e saj. Diçka e papranueshme për poetin e lirisë, por tundimit për tʼu përballur me njerëzit nuk mund tʼi rezistosh. Atëherë kërkohen mënyra të tërthorta për të thënë të vërtetën e për të tribluar çensurën. Njëra nga armët më të efektshme për tʼia arritur këtij qëllimi është pa dyshim alego­ria. Shembujt e përdorimit të alegorisë në poezinë botëro­re janë të panumurt, nga letërsia antike greke tek Dante Ali­ghieri e deri në kohët moderne. Nga letërsia shqiptare më tipikët alegorikë kanë qenë Mjeda, Asdre­ni, Çajupi, Naimi e Noli – të gjithë një shkollë e vërtetë për tʼiu sh­mangur ndali­meve. Në kohët mo­derne kjo mënyrë e të shkruarit u pasurua sidomos nga Kadareja me dykuptimësinë e vargut, që nuk është një alegori e mirëfilltë, por që pak i mungon: ajo është më mo­derne, por, si alegoria, të jep mundë­sinë e shpreh­jes së mendi­mit edhe pa rrezikuar shumë zyrtarisht.
Alegoritë dhe dykuptimësitë u përpoq tʼi shfrytëzonte edhe brezi i poetëve mes të cilit edhe unë nisa përpjekjet e mia në thënien e të vërtetave. Një pjesë e mirë e atij brezi përqafoi dik­taturën, e shfrytëzoi atë për të bërë karrierë, shpesh në kurriz të të tjerëve poetë, duke spiunuar apo sabo­tuar poezinë e konkurrencës. Një pjesë tjetër, në të cilën mendoj se përfshihem, u për­poq të mbijetonte. Dhe për tʼi dalë mbanë dëshirës që të matej me lexuesin, zgjodhi mënyrën e tërthortë për tʼu shprehur, atë të alegorisë apo të dykuptimësisë. Por tashmë edhe çensorët nuk ishin më të pagdhendurit e dikur­shëm: ata ishin specializuar në­për universitetet e nëpër zyrat e diktaturës edhe për të zbërthyer ale­goritë e dykuptimësitë. Dhe as unë as ndonjë tjetër nuk ki­shim kredencialet e Kadaresë. Më fatkeqët prej këtij tipi të disidencës përfunduan pas hekurave. Emri më i spikatshëm i asaj kategorie ishte pa dyshim Visar Zhiti. Unë dhe ndonjë tjetër qëlluam me fat, patëm shokë besnikë dhe i shpëtuam burgut, pasi nuk flisnim kur ishim më tepër se dy vetë (zyrtarisht, për të të dënuar du­heshin të paktën dy dëshmitarë) dhe, çka ishte më e rëndësishme, redaktorët me mua u mjaftuan vetëm me çensurimin e poezive; deri tani nuk kam të dhëna të më kenë kallëzuar penalisht. Ndoshta sepse nuk kam dashur të di se çfarë tjetër kishte pas çenzurës. Sidoqoftë hakmmarrja e diktaturës mbi mua u shpreh ndryshe: me mënjanimin shoqëror, me mosdhë­nien e të drejtës për të studjuar, me dërgimin në Sazan për tre vjet, në kohën kur kisha mbaruar me rezultate shumë të mira të dymbëdhjetë vitet shkollore apo kisha filluar të botoja, edhe pse me pikatore, që në moshën katërmbëdhjetë vjeçare. E sidomos ajo hakmarrje u shfaq me mohimin e të drejtës për të botuar. Gazeta «Drita», në të cilën kisha filluar të kisha cikle poetikë që herët, ra në dorë të poetëve të qeverisë, të sjellë aty nga rrethet apo Tirana për të pasur gjithçka nën kontroll. Në “Zërin e rinisë” vunë një tjetër, njeri i Sigurimit të Shtetit. Arritja e tij në atë gazetë, – më parë ai tip rrëshqitës kish botuar vetëm disa poeziçka mediokre, – shënoi edhe fundin e bashkëpunimeve të mia me atë redaksi. Për të marrë mendime rreth pastërtisë morale e talentin e atyre që vinin nga Lushnja, ishte dikush tjetër, banues në qytetin tonë, që, për të thënë pak, hante e pinte me ata të Tiranës dhe shtrembëronte biografitë dhe të dhënat për sjelljen e poetëve të shkujdesur lushnjarë sipas këndvështrimit të Ministrisë së Brendshme.
I armatosur me alegorinë apo me dykuptimësinë, unë arrita të kem vetëm një fitore: të vetmin libër poetik të botuar në Shqi­përi: “Mëzat e kaltër”. Në fillim ky libër titullohej “Sfinksi”. Në vitin 1976, për “Sfinksi”- n, sovrani i atëhershmëm i letrave tona Ismail Kadare, pasi e kish lexuar në shtëpi, më dërgoi me një pusullë tek shefi i poezisë: “I dashur I.N., autori i këtyre vargjeve është një djalë… Ju kër­koj, nëse është e mundur, të bëj reçensionin e këtij libri.” Kërkesa e Kadaresë u hodh poshtë. “Sfinksi”-t iu mohua botimi dhe mua mʼu bë presion të kthehesha në klishenë e paraservivur të realiz­mit socialist. Në shkurt 1987, pas njëmbëdhjetë vitesh çensure, arrij ta botoj me titullin “Mëzat e kaltër”. Por, ndërsa po shkoja në Lidhjen e Shkrimtarëve që tʼi gëzohesha suksesit, në Klubin e Lidhjes pëshpë­ritej fati i tij: Në karton!

Majtas poezia e shkruajtur nga Sollaku, djathtas vargje te futur nga redaksia. @ Sh. S. Noé
Majtas poezia e shkruar nga Sollaku, djathtas vargje te futura nga redaksia. @ Sh. S. Noé

I lajmëruar nën zë nga një tjerër autor i ri (Teodor Keko), mësova se, pasi e kishte botuar, çensori kishte vendosur menjëherë ta zh­dukte librin tim për nxirje të realitetit nëpërmjet alegorirash të rrezikshme. Çʼtë bëja? Bashkë me të fejuarën, që më priste në koridor, renda në Kombinatin Poligrafik e, duke iu lutur tipogra­fëve, të trembur prej “urdhërave nga lart” (Ky libër nuk duhet absolutisht të qarkullojë!), arrita “të vjedh” një kopje të vetme. Kur drejtori i “Naim Frashëri”-t, (G. B.) i vendosur, ngulte këmbë që libri nuk duhej të qarkullonte, unë nxora kopjen e “vjedhur” prej palltos. Ai, i befasuar, pas orësh polemike, më detyroi të pranoj një “kompromis”: të lejohej të qarkullonte libri, por pa varg­jet e kriminalizuara! Unë nuk shkova më të interesohesha për fatin e atij vëllimi. Por nuk më kish shkuar kurrë në mendje ajo që do të ndodhte vërtetë: Në variantin e dytë të “Mëzat e kaltër” ishin grisur poezi të tëra, të tjera ishin sakatuar dhe shumë vargje ishin shkruar nga njëri prej redaktorëve! Aq banale ishte bërë grisja, saqë duken qartë edhe faqet “e reja” të ngjitura mbi “të vjetrat”. (Shih në faqen 179, majtas në faqen e atëhershme numër 5 – titulli me kryq sipër – ka qenë poezia ime “Popujt si deti” dhe është zëvendësuar me vargje të shkruara nga redaksia. Po ashtu në faqen 181: në faqen e atëhershme 6 ka qenë poezia “Revolta e maleve”, grisur e zëvendësuar me vargje të shkruara nga redaksia si vazhdim i poezisë së hequr “Popujt si deti” e kështu me radhë gjatë vazhdimit të librit.). E vetmja kopje e plotë e këtij vëllimi gjendet në arkivin tim. Sidoqoftë, nuk mund të harroj mbrojtjen që më bënë, edhe pa më njohur, shkrimtarët Nasho Jor­gaqi e Fatos Arapi, që u shprehën kështu në mbledhjen e Këshillit Botues: “Të dërgosh këtë autor të ri në karton do të thotë inkuizicion mesjetar!”

Faqja 6 është ie autorit, faqja poshtë e ka shkruar redaksia. @ Sh. S. Noé
Faqja 6 siper është e autorit, faqjen 6 poshtë e ka shkruar redaksia. @ Sh. S. Noé

Disa prej poezive të grisura i kam edhe botuar më vonë në Itali e SHBA, disa akoma jo. Po shtoj në një antologji të sot­me edhe disa të pabotura ende, ashtu siç kanë qenë, pa ndry­shuar as edhe një presje, më tepër për tʼu treguar poetëve të rinj sesi ishim detyruar të shkruanim nën diktaturë, sesi përdorn­im alegoritë apo dykuptimësitë për tʼiu shmangur çen­surës, edhe pse shpesh pa suksesin e dëshiruar. Ndoshta këto shënime kanë vlerë edhe për tʼu thënë poetëve të sotëm sesa e çmuar është li­ria e të shkruarit në demokraci, që imponon vetëm një rregull të paluaj­tshëm: vetëçensurimin në emër të cilësisë artisti­ke.

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Si dëshmitar i ardhjes në jetë të këtij libri, qysh në guximin e parë të autorit kur ishim shokë të një klase në gjimnaz, e pjesë nga dorshkrimi i kisha lexuar, mund të them se trishtimi i mosbotimit të parë (ishte vetëm 18 vjeç) iu desh një betejë 11 vjeçare kur sërish e vetmja shtëpi botuese e asaj kohe ia riktheu mbrapsht për riparim! Sa i trishtë është një riparim poetik dhe përshtatja e një poezie të një rrebeli të lindur për shijet e rafinuara partiake! Jam dëshmitar edhe mbasi libri u botua, dhe autori kishte siguruar tinza një kopje të tij… ai nuk doli dot në treg pa iu shkulur edhe ca faqe të tjera… Dëshmi e gjallë se sa i pazoti ishte një autor nën diktaturë për të luftuar për faqet e tij më të dashura, kur i sheh të shkulura… dhe ajo ndjesia që ti s’ke çfarë bën asgjë për librin tënd, sepse vërtet emri në kopertinë është i autorit po miellin brenda tij e ka trazuar sipas midesë së saj Partia! Libri “Mëzat e Kaltër” është dëshmi e një beteje të gjatë për lirinë e fjalës kur askush nuk guxonte! Dhe brezat që vijnë duhet të kuptojnë që mundimi i Sizifit për ta çuar shkëmbin në maje… përballë botimit të libërthi me 50 poezi nën diktaturë… është ku e ku më i lehtë…
    jozef radi, gusht 2022

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.