back to top
19.5 C
Tirana
E diel, 19 Maj, 2024

Trokitje drite – cikel poetik nga Anton Çefa

Gazeta

Studiuesi Anton Cefa
Studiuesi Anton Cefa

Trokitje drite – 

cikel poetik nga Anton Çefa

Ky cikël poezish të mbrame i Anton Çefës, përbën nga ato rastet e veçanta,
ku autori na rishfaqet përmes vargjesh t’nji ndjesie të hollë
e nji përmasë thuejse të pabesueshme,
n’se qoftë edhe për nji çast të vetëm mendojmë moshën e tij.
Krejt poezitë e ciklit “Trokitje drite”, janë thuejse t’nji përmase sentimentale
e t’nji delikatese andrruese, sa të krijojnë bindjen e nji shpirti djaloshar,
strehue aq hijshëm në shtatin e nji autori, i cili prej kohësh i ka kalue të tetëdhjetat…
Ato kanë me mbetë nji dëshmi e mundësisë që ka poezia me i përtëri ndjesitë tona
e me na e mbajë shpirtin gjallë estetikisht, dhe se as poezia e as dashnia s’kanë moshë…
Shpreh bindjen se këto poezi të mbrame të Anton Çefës
kanë me mbetë ndër ma të bukurat e ma të dashtunat, jo vetëm për të,
mbasi besoj se ky musht vargjesh që autori na i ka ofrue në kët fazë të epërme të jetës
së vet me kohë ka me na shërbye si nji venë e mirë…
Urime baca Anton!
jozef radi, maj 2021
.

Autoportret

I zhveshun jam
nga mishi i flashkët
nga ashti i ngurtë
nga vetja
i zhveshun jam.
 
Nji tingull,
nji ngjyrë,
ndoshta aromë
a frymë e nji reje të epër
që kullohet në folezë të dritës
e rigon ujna të qelqtë
mbi ankthet.
.

Trokitje drite

Kjo asht dhoma
Ku u fute nji ditë në jetën time
Me do trokitje drite.
 
M’qe ngri mendimi n’ballë
E fjala n’buzë.
 
Emni yt
Dritë që troket
Deri në të sosun të stinëve.
.

Nata u dogj

Nata u dogj
Në magjen e shpirtit.
 
Drita yllësish ndezin në damarë
Misterin e dashtnisë.
 
Bukën e lumturisë
Mbruejnë duert e dhimbjes
Në këtë dritë.
 
Thirrja e kësaj nate asht dashtni,
Asht emni yt thirrja e kësaj nate.
.

Hija e strehës

Errësohet dita
Plot dritë ma parë.
Kshtu fjalët që më pate thanë dikur
Nën hijen e nji strehe
E më ndjekin si hije
Atëherë e sot.
 
Edhe atë ditë shiu nuk pushoi.
 
Emni yt qe dalldì
E dhimje
E flakë
Ndër skutat ma të errta
Të ditëve, deri atëherë të patrazueme
Të adoleshencës time
Të brishtë.
.

Je nji trëndafil

Je nji trëndafil
Që ke mbi mi zagnat e gjakut tim
Si nji varg i Sadiut.
 
Me gojën e t’etshmit pij ujë
Në blerimin e gjethnajës tande
E kurr’ s’e shuej etjen.
 
Zogjt’ e fjalës sime
Të dejun aromash
Melodinë e dhimbjes
Çurlikojnë nder gemat tuej
Pa iu lodhun gushat njiherë.
 
Përjetësisht e përndezun
Rrezëllima e ninëzave të jermit tim
Pahitet mbi perlat ngjyralle
Të gonxheve tua n’shpërthim.
 
Të preku me dorën e mallit
E më duket se deri në palcin e brengës
Më therin gjembat tuej.
.

E pakapshme

-nji kokete-
.
E pakapshme,
Delir që flirton me veten
E vetes i mungon.
 
Të knaqë prania e shikimeve lakmuese
Që vuejnë bardhësinë verbuese
E lakimet e epuna të shtatit tand të hajthëm.
 
Nji gjysmë buzëqeshje çelun n’ironi
Të ngjitet deri në ballë, ndër sy,
Të zbret kudo, në gji, ma poshtë,
Deri ndër gishta të kambëve.
 
E pakapshme,
Delir që flirton me veten
E vetes i mungon.
.

Vallëzove e dehun

Zemra ime e hapun
Si kanatat e nji kabareje.
 
Ti hyne, e dashtun,
E vallëzove tanë natën e gjatë.
 
Takat tua,
Të pamëshirshmet takat tua
Shkelën randë
Në parketin e pasionit tim të sinqertë.
 
Si s’u kujtove, e dashtun,
Se jeta s’asht natë
E zemra ime nuk asht kabare?
.

Nuk shkelet kësisoj mbi dashtninë

Shetisim pranë e pranë
Si dikur.
 
Hapat tonë shklasin
Mbi gjethet e trishtimit
Që ka hedhun vjeshta,
Si patëm shkelë nji ditë
Mbi dashtninë.
 
Kam mbetë për ty
Si afishet e nji filmi të bukur
Të zhdukun prej kohësh
Dhe ti për mue
Si fjalët e nji gjuhe të huej,
E pakuptueshme.
 
Refrenin e pendimit fishkëllejnë
Degët e mpita:
Nuk shkelet kësisoj mbi dashtninë!”
.

Shpatoret e kujtimeve

Shpatoret e kujtimeve
Mbi varre lulesh n’harrim
Nuk më shpojnë ma
Si nji ditë.
 
As pjalmi i tyne
Nuk pllenon ma
Copëza jete.
 
Sa do ta dëshiroja xhixhillojen
E natës së majit në ndriçim
Të rrënojave të mallit tim
Të dikurshëm.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.