back to top
15.5 C
Tirana
E hënë, 4 Nëntor, 2024

Robert Elsie – i sakti, i urti, punëtori i madh dhe miku i dashur i shqiptarëve – nga Thanas L. Gjika

Gazeta

Albanologu Robert Elsie
Albanologu Robert Elsie (1950-2017)

Robert Elsie – i sakti, i urti, punëtori i madh

dhe miku i dashur i shqiptarëve

nga Thanas L. Gjika

Më 29 qershor 2020,
mbushen 70 vjet nga lindja e albanologut të shquar
kanadezo-gjerman Robert Elsie, prandaj po i ribotoj
këto kujtime që hartova me rastin e vdekjes së tij në tetor 2017,
duke i shoqëruar dhe me disa vlerësime
që më dërguan disa miq të mij e simpatizantë të të ndjerit.
 
Thanas L. Gjika
Thanas L. Gjika

Gjatë vizitës së tij të parë

Njohja ime me Robert Elsien ndodhi gjatë vitit 1978. Ai kishte ardhur pranë Akademisë së Shkencave për të bërë kërkime e studime lidhur me letërsinë tonë. Donte të mblidhte material për të hartuar një histori të letërsisë shqiptare anglisht, vepër e munguar. Nga ana e Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, ku punoja, më ngarkuan mua ta shoqëroja për ta ndihmuar gjatë punës në Bibliotekën Kombëtare, Bibliotekën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe në Bibliotekën e Institutit tonë…
Më ra në sy kujtesa e tij e fortë, karakteri i tij i qetë, e folura pa nerv. Nuk qeshte me zë, por buzëqeshte heshturazi. Fliste shqip me një fjalor jo shumë të pasur, por i shqiptonte shumë saktë të gjitha zanoret dhe bashkëtingëlloret e gjuhës sonë pa asnjë theks (aksent) të huaj, prandaj nuk mund ta dalloja se cila ishte gjuha e tij amëtare. Kisha vënë re se gjermanët, francezët, italianët edhe më shumë rusët e grekët e flisnin shqipen me thekse të ndryshme, që mund t’i dalloje shpejt se cila ishte gjuha e tyre amëtare. Kur e pyeta se si e shpjegonte këtë dukuri, më tha se ai ishte rritur në Vankuver të Kanadasë, ku flitej anglishtja, por kishte mësuar që herët gjermanishten dhe gjatë shkollimit frëngjishten, keltishten, italishten, serbishten, etj. Më sqaroi se shqipen e kishte mësuar kryesisht në rrugë autodidakte dhe se ishte përqendruar në zotërimin e gjuhës letrare të njësuar dhe nuk i njihte ende dialektet.
Më shprehu dëshirën se po t’i jepej një bursë mund të bëhej nja dy vjet student në Fakultetin Histori Filologji. Mirëpo kjo mundësi nuk iu dha. Më tej ai erdhi shpesh në Shqipëri dhe Kosovë. Në Prishtinë mori pjesë në Seminaret e gjuhës shqipe që organizonte çdo vit Fakulteti Filozofik gjatë muajve të verës.
Nga pamja e jashtme, nga sjellja shumë e kujdesshme, njohuritë e gjera kulturore, gjuhësore dhe letrare, mosshprehja e opinionit për të tjerët, buzëqeshja e tij disi e ngrirë, më krijuan idenë se ai mund të kishte origjinë hebraike. Mirëpo as gjatë takimeve të atyre ditëve dhe as gjatë takimeve dhe shoqërimeve të mëvonëshme, nuk e pyeta për origjinën e tij familjare. Ai nuk fliste kurrë për familjen e familjarët e tij.
Mbante veshur pantallona dhe këmishë që nuk kishin nevojë t’i hekuroste, kurse sandalet i kishte prej një materiali plastik, që nuk kishte nevojë t’i bojatiste.
Një ditë, për të mësuar diçka rreth rinisë së tij, e pyeta:
-A e ke vizituar kryeqytetin e Kanadasë?
Ai m’u përgjigj: “Në brigjet kanadeze të Paqësorit, ka shumë njerëz që lindin, jetojnë, plaken e vdesin pa e parë Otavën, kryeqytetin e shtetit. Unë me katër shokë, pasi mbaruam maturën, me kursimet që kishim mbledhur, blemë një makinë të re dhe një çadër. Udhëtuam për gjashtë ditë duke fjetur natën në çadrën tonë. Gjashtë ditë kur shkuam dhe gjashtë ditë kur u kthyem. Kanadaja është fushë e pamasë. Iknim me orë të tëra dhe në horizont nuk shihnim tjetër vetëm fusha me grurë. Kishim përpara fusha pa fund, horizont i njëjtë, plantacione me grurë, herë pak të tatëpjeta e herë pak të përpjeta. Ishte një monotoni. Tani rrugët janë sistemuar më mirë dhe automjetet janë shumë më të shpejtë…
Ne kishim mbledhur jo shumë pare nga punët që kishim bërë gjatë kohës së shkollës, prandaj nuk mund të flinim nëpër hotele. Në hotel fjetëm vetëm në Otava. Shumicën e ushqimeve i blinim gjysëm të gatshme dhe i hanim pa i gatuar!”
Mua nuk m’u durua dhe e pyeta: – Po prindërit, nga ana e tyre nuk ju dhanë para?
-Mbas viteve 1950-1955, më sqaroi ai, – mirëqenia e popullit kanadez ishte rritur dhe midis të rinjve u krijua një psikologji sipas së cilës, marrja e ndihmave prej prindërve ishte turp. Sejcili kishte mundësi, që me punën e vet të krijonte të ardhura të mjaftueshme për të jetuar e studiuar si të donte vetë, pra ishim të pavarur nga prindërit.
Jeta disi e ndarë nga bota atje në Vankuverin e largët më nxiti të synoj për të ardhur e jetuar në Europë. Që në fëmijëri më ishte ngulur ideja se Europa ishte pjesa më e mirë e botës.
Kur shkuam tek Biblioteka e Lidhjes së Shkrimtarëve, Flutura Greva shefja e bibliotekës, e sqaroi mikun se shkrimtarët, anëtarë të Lidhjes, sipas rregullit kishin depozituar sejcili nga një biografi të shkurtër mbi jetën dhe listën e botimeve të tyre. Roberti ia kërkoi dhe pasi pa disa, iu lut që t’i merrte me vete për të mbajtur shënime. Meqenëse Lidhja nuk kishte makinë kopjimi (kseroks), Flutura ia dha dhe ai i kopjoi mbrëmjeve në hotel dhe paraditeve kur punonte në Bibliotekën Kombëtare.
Kishte një shkrim të vogël, si shkaravitje. Shkruante me dorën e majtë, gjë që më bëri përshtypje, sepse tek ne nuk lejohej të shkruaje me dorën e majtë. M’u kujtua fëmijëria ime, kur isha në klasën e parë. Zonjushja ime, kur më pa se shkruaja me dorën e majtë, më detyroi që të mësoja të shkruaj me dorën e djathtë. Më dha detyrë të mbushja me shkrimin e dorës së djathtë faqe të tëra me gërmat a, A, b, B dhe c, C që kishim mësuar deri atëhere…
Në vitet 1970-1980 tek ne nuk kishin hyrë kompjuterat, kurse Roberti punonte në shtëpinë e vet në Gjermani në një kompjuter të vogël. Kjo ia shtonte atij shpejtësinë dhe saktësinë e punës. Gjatë vizitave të para, ai nuk e përmendi faktin se punonte në kompjuter, ndoshta nuk donte të na lëndonte për varfërinë tonë.
Duke pirë kafe një ditë e pyeta:
-Si të lindi ideja të merresh me letërsinë shqipe, letërsi e një populli të vogël dhe që është zhvilluar në një gjuhë të vështirë? Me gjuhët që dije, ti mund të studjoje letërsi më të mëdha dhe mund të arrije suksese pa u lodhur të mësoje shqipen e vështirë.
Roberti, më sqaroi:
-Në Europën Perëndimore është vështirë të gjesh tema studimi në fusha si historitë e letërsive dhe historitë kombëtare të popujve. Janë kryer aq shumë studime, sa që studjuesit e kanë vështirë të gjejnë tema studimi. Një histori e plotë e letërsisë shqipe është një vepër e munguar në anglisht, prandaj mendova se ia vlente mundimi për të mësuar këtë gjuhë me anën e së cilës do të kapja një temë studimi që intereson shkencën dhe kulturën europiane.
Letërsia shqipe, është letërsi e pasur, – shtoi ai – Ka shumë popuj në Europë, që janë më të mëdhenj se populli shqiptar, si psh populli hollandez, por ky nuk ka letërsi të pasur si ka populli shqiptar. Populli shqiptar është popull që ka probleme dhe një popull që ka probleme e lëvron letërsinë shumë më tepër se popujt që nuk kanë probleme. Hollandezët janë marrë e merren me pikturë.
Kosova zjen, prandaj atje lulëzon poezia”.
.
Albanologu Robert Elsie (1950-2017)
Albanologu Robert Elsie (1950-2017)

Gjatë vizitave të mëvonshme

Pas vizitës së parë, Roberti erdhi shumë herë të tjera në Shqipëri. Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë më vuri sërisht ta shoqëroja e ndihmoja deri në vitin 1996, kur unë fitova lotarinë amerikane dhe u largova nga Shqipëria.
Ndoshta ishte mars-prill i vitit 1979, mbaj mend se ishte si shoqërues edhe Fatos Beja, punonjës tjetër i Institutit. Pasi vizituam Pazarin dhe Kalanë e Krujës, Roberti hapi bisedën për Bektashizmin. Pyeti nëse kishim parë ndonjë baba teqeje, i cili gjatë kërcimit ritual fuste një thikë ose një shtizë nëpër bullçijtë e tij. Unë i thashë se kisha dëgjuar, por nuk kisha parë gjë të tillë. Fatosi i tha se kishte parë një ritual të tillë në një teqe në Gjirokastër kur ishte 14 ose 15-vjeçar.
Kur zbritëm në Fushë-Krujë, para se të vijonim rrugën për Tiranë, Roberti kërkoi të ndalonim tek ish-Teqeja e bektashinjve. Pyetëm dhe na treguan ku ndodhej. Prej kohësh ajo ishte kthyer në ambjent të një ndërmarrjeje prodhimi. Nuk mbaj mend se si quhej dhe çfarë prodhonte ajo ndërmarrje. Tek hyrja, në të majtë të portës së madhe ishte një pllakë e gurtë e thyer. Gjysma e saj qëndronte në mur brenda një kornize të krijuar nga gurë të skalitur pjesë përbërëse e murit, kurse pjesa tjetër ishte e rrëzuar në tokë, e thyer në disa copa. Në këtë pllakë jepeshin të dhëna në arabisht për atë teqe.
Roberti u afrua dhe u gëzua kur pa se shkronjat ishin të lexueshme. E fotografoi. Pastaj mblodhi copat që ishin për tokë, i afroi, i sistemoi sipas shkrimit dhe e fotografoi dhe atë pjesë.
Pastaj tha se kishte ndjekur një kurs për të mësuar alfabetin e arabishtes dhe se dinte shumë fjalë të asaj gjuhe, gjë që nuk e kishte thënë më parë. Modestia nuk e linte të mburrej e të përmendëte gjuhët që dinte, studimet që kishte kryer, artikujt që kishte botuar, dhe as planet për të ardhmen.
Të nesërmen kërkoi të vizitonte Varrin e Naim Frashërit që ndodhej tek ish-Teqeja e Kryegjyshatës Botërore. Në vitin 1937, me rastin e 25-vjetorit të Pavarësisë, Mbreti Ahmet Zog i Parë, u interesua dhe i solli nga Stambolli eshtrat e Naim Frashërit, autorit të poemës Qerbelaja, një nga poemat më të shquara të Bektashizmit. Në kopshtin e këtij institucioni u varrosën eshtrat e poetit kombëtar. Mirëpo ky institucion, pas vitit 1967, u kthye në azil për pleq, kurse Kryegjyshin Botëror, nuk dihej ku e kishin degdisur. Kjo qendër dikur aq e rëndësishme për besimin Bektashi ndodhej në anën lindore të Tiranës mbi vargun e kodrave të Malit Dajt. Jo larg saj në vitet 1970-të u ndërtuan Uzina Traktori dhe Kombinati Poligrafik.
Shkuam atje, takuam drejtoreshën e azilit e cila na shpuri tek vendi ku ishte Varri i Naimit. Ajo dhe pleqtë azilantë na thanë se aty preheshin eshtrat e poetit, por në shtypin e vitit 1950 ishte shkruar se eshtrat e Naim Frashërit, me rastin e 50-vjetorit të vjekjes së tij, u shpërngulën dhe ishin rivarrosur anës bulevardit kryesor, pranë godinës së Komitetit Qendror të PPSH. Kurse më 1978 me rastin e 100-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit u krijua vorreza treshe e vëllezërve Abdyl, Naim e Sami Frashëri te kodra e liqenit artificial.
Më 1940, me rastin e 40-vjetorit të vdekjes së poetit kombëtar, Varri i Naimit te Kryeqendra e Bektashizmit Botëror ishte rindërtuar si dhuratë e Francesco Jakomonit, mesa duket për të marrë me të mirë Kryegjyshin Dedej, i cili nuk e kishte pranuar pushtimin italian. Duke u gdhirë 28 nëntori i vitit 1941, ky kryegjysh u vra nga njerëz të panjohur, pas takimit me Jakomonin, kur kishte kundërshtuar firmosjen e një deklarate pro pushtimit fashist.
Varri ishte vërtet madhështor, por më vonë qeveria komuniste ia kishte dëmtuar madhështinë. Kur shkuam ne ende dukej që kishte qenë një objekt monumental i rëndësishëm. Roberti nxori aparatin dhe bëri disa fotografi. Duke u kthyer në Tiranë më tha:
-Ky varr nuk e ka vendin këtu. Duhej të ishte te oborri i Lidhjes së Shkrimtarëve.
Mirëpo të dy kryetarët e Lidhjes së Shkrimtarëve, as ish-kryetari i parë, Dhimitër Shuteriqi njeri me kulturë; dhe as Dritëro Agolli, kryetari aktual i kësaj lidhjeje, ndoshta e dinin ku e kishte vendin Varri origjinal i Naimit, por nuk besoj se kishin bërë ndonjë vizitë atje. Madje, as në tetor të vitit 1990, kur Instituti ynë organizoi një konferencë shkencore kushtuar 90-vjetorit të vdekjes së Naimit me pjesëmarrje edhe të disa studiuesve nga bota, nuk u mendua dhe as u dërgua kush tek asnjëri nga tre Varret e Naimit me një tufë lulesh. Ndaj të tillë veprimeve për shprehje respekti, njerëzit që krijonin kulturën e re socialiste, ishin indiferentë.
Sot, indiferenca e tyre e asaj kohe, më kujton faktin se si po këta njerëz të letrave dhe studiuesit e letërsisë shqiptare, nuk shpunë në Librazhd një tufë me lule gjatë viteve të tranzicionit te memoriali i Genc Lekës dhe Vilson Blloshmit, dy poetëve martirë të diktaturës komuniste dhe as te varri i Havzi Nelajt, poetit të varrur në Kukës…
,
Robert Elsie
Robert Elsie

Ciganët, analfabetë edhe në Shqipëri, si në gjithë Europën.

Gjatë një vizite tjetër Roberti kërkoi të vizitonte Shkodrën, Bibliotekën e Shtetit dhe Institutin e Lartë, sot Universiteti “Luigj Gurakuqi”. Takoi dhe bisedoi me disa pedagogë, midis të cilëve pati interes për prof. Jup Kastratin, bibliograf i mirënjohur. Mbasdite, para se të niseshim për t’u kthyer, më kërkoi ta shpija tek ish-Kisha e Madhe, e cila që nga viti 1967, ishte kthyer në pallat sporti. Brenda saj dëgjohej zhurmë e madhe, bërtitje tifozësh. Po luanin basketboll dy skuadra. Roberti, nxori aparatin fotografik, hyri dhe bëri disa foto.
Gjatë kthimit për Tiranë, aty afër Mamurrasit, pranë një përroi pamë një grup ciganesh pranë çadrave të tyre.
-Ata njerëz janë analfabetë edhe në Shqipëri si në gjithë Europën, tha Roberti.
Duke dashur t’i mburresha, i thashë se në Shqipëri shkolla 8-vjeçare është e detyrueshme për gjithë fëmijët dhe ciganët nuk ka si të jenë analfabetë.
-Në Europë mund të ketë analfabetë, por tek ne, nuk ka, shtova unë.
-Roberti shtoi:
-Nuk beson? Po deshe shkojmë t’i pyesim.
I thashë shoferit ta ndalte makinën dhe zbritëm. Mora një libër në dorë dhe iu afruam një grupi me vajza ku midis tyre ishte një 15-vjeçare. Iu afruam edhe më dhe duke i treguar librin, iu luta të lexonte titullin e librit. Ajo qeshi dhe tha:
-Po ku di unë të lexoj.
-Si nuk di, ti a e ke mbaruar shkollën 8-vjeçare? Gati i bërtita.
-Shkollën e kam mbaruar, po nuk kam bërë kurrë detyra me shkrim, nuk kam zënë libër me dorë. Kam mësuar vetëm ato që kam dëgjuar nga shpjegimi dhe më kanë kaluar nga një klasë në tjetrën. As motrat, as shoqet dhe as vëllezërit e mij, as mamaja e as babi nuk dijnë të lexojnë e të shkruajnë.
Më e pabesueshme ishte kur i thashë nënës së saj, një grua e re nja 35 vjeçe të afrohej e të lexonte fjalët Parti – Popull – Enver, që ishin shkruar me shkronja të mëdha me gurë të lyer me gëlqere të bardhë te faqja e një kodre përballë. Edhe ajo tha se nuk i njihte shkronjat e nuk dinte ta lexonte.
-Mos ngul këmbë, – më tha Roberti, – ky popull nga që nuk e shkruan gjuhën e vet, nuk përpiqet të mësojë si të shkruajë e lexojë gjuhën e vendit ku jeton. Kjo është dukuri e ciganëve në mbarë Europën.
.
Robert Elsie - Fiset Shqiptare
Robert Elsie – Fiset Shqiptare

Unë punoj vetëm disa ditë në muaj

Kisha vënë re se Roberti nuk ishte i pasur, se bënte një jetë modeste, por kuptohet, dallonte shumë nga jeta tepër e varfër e ne studiuesve shqiptarë. Një ditë guxova dhe e pyeta se ku jetonte dhe ku punonte për të siguruar të ardhurat e nevojshme për jetën.
-Unë jetoj në një fshat të vogël pranë Bonn-it. Atje nuk kam shokë intelektualë, bëj jetë të shkëputur nga banorët. Jam studjues i lirë. Lexoj e shkruaj ç’të dua. Është një komshie plakë e cila më afrohet e më bën nga njëherë muhabet.
Për të më shuar kuriozitetin se ku punonte dhe si i siguronte të ardhurat, shtoi:
-Unë nuk jam i punësuar në asnjë institucion shkencor, por për të sigurar të ardhurat e nevojshme për jetesën, punoj si përkthyes për qeverinë gjermane, ose ndonjë gjykatë, sa herë ato kanë nevojë. Një ditë pune në këto raste paguhet 1.000 (njëmijë) marka gjermane. Me katër ditë pune të tilla unë plotësoj nevojat e mia për gjithë muajin, madje kursej dhe qindra marka për udhëtimet.
Pra ky studiues ishte krejt i pavarur, i pavarur në zgjedhjen e temave të studimit, i pavarur dhe nga disiplina e një rrogëtari. Ndoshta kjo pavarësi i krijonte ndonjëherë vështirësi ekonomike, sepse po të mos e kërkonin si përkthyes, ai nuk kishte si jetonte. Një jetë e tillë ishte krejt e pakuptueshme për ne punonjësit e instituteve shkencore shtetërore, të cilëve temat e studimit dhe të ardhurat ekonomike na i caktonte drejtoria e institutit.
 .
Robert Elsie (1950-2017)
Robert Elsie (1950-2017)

Shqipëria ka të tashme t’zezë, po t’ardhme t’mrekullueshme

Gjatë vitit 1992 Roberti erdhi dy herë. Herën e parë në verë e pastaj në nëntor. E pyeta për emigrantët tanë në Gjermani. Më tha se kishin ambicie, se përpiqeshin të mësonin gjermanishten dhe shumë prej tyre kishin filluar punë. Pastaj shtoi: -Ty nuk të shau e nuk të kritikoi asnjë prej tyre.
Kuptova se emigrantët tanë i kishin marrë në pyetje për të dhënë opionin e tyre për njerëzit që njihnin, ose për njerëz që interesohej shteti gjerman.
I thashë se jeta jonë në Shqipëri ishte vështirësuar shumë ekonomikisht dhe po të hapeshin edhe një herë ambasadat, do ikja edhe unë me familjen. Për ta përforcuar mendimin shtova:
-Bëri mirë Ismail Kadareja që iku!
-Mos u ngut, – më tha, – rri, sepse në Gjermani mendohet që Shqipëria e ka të tashmen të zezë, por të ardhmen, pas 20 vjetësh, të mrekullueshme… – pastaj shtoi, – Për Ismailin, mendohet se ikja e tij është pjesë e planit të Ramiz Alisë. U dërgua jashtë si i arratisur, që ta kërkoni ju pas rrëzimit të diktaturës dhe të vijë si udhëheqës për të shpëtuar Ramizin dhe klanin Hoxha!
-Nuk mund ta besoj që Isamili të pranojë të kthehet në Shqipëri për t’u marrë me politikë. Ai shyqyr që shpëtoi nga imponimet e politikës! Roberti nuk kundërshtoi.
Në Gjermani kujtonin se shqiptarët do të ecnin sipas rrugës gjermane, pra do ta dënonin krimin komunist dhe do t’i futeshin punës me ndershmëri e seriozitet si gjermanët. Kështu që 20 vjet tranzicion sipas tyre ishin të mjaftueshëm për të krijuar shtetin ligjor dhe shoqërinë demokratike…
Pas dy vjetësh, pra më 1994, duke parë korrupsionin dhe mungesën e dëshirës te pushtetarët shqiptarë për krijimin e shtetit ligjor, po në Gjermani, më tha Roberti, u krijua opinioni i kundërt, sipas të cilit Shqipëria ishte kthyer në një kazan plehrash.
Në nëntor të vitit 1992, u zhvillua një takim shkencor me rastin e 20-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit. U diskutua problemi nëse gjuha letrare me bazë toskërishten e kishte kryer deri atëhere detyrën e saj, apo duhej ndërruar baza e saj me gegërishten. Gruaja ime, Julia, më tha që t’i ftonim për drekë disa studiues nga Kosova dhe Robert Elsien. Kështu gjatë drekës Roberti dhe profesorët Sadri Fetiu, Agim Vinca, Abdullah Zymberi u njohën me Julian, vajzën dhe djalin tonë dhe me nënën time. Studiuesit kosovarë flisnin lirshëm, kurse Roberti dëgjonte.
Kur ikën, Julia tha: “Roberti nusëroi si nuse e bukur, si nuk foli fare!”
.

Robert Elsie & Presidenti Nishani 2013
Robert Elsie & Presidenti Nishani 2013

Robert Elsi ishte ateist

Në vitin 1992, në Shqipëri u lejua rihapja e institucioneve fetare. Erdhën dhe fetarë protestantë ku bënin pjesë dhe misionarët e kishës Advendiste të ditës së shtunë, besim që nëna jonë e kishte përqafuar që në vitet 1935-36. Ajo filloi të shkonte rregullisht në takimet e së shtunave, që organizoheshin në salla të ndryshme që merreshin me qira. Vëllai im i madh dhe unë që jetonim në Tiranë filluam ta shoqëronim nënën në këto takime. Predikimet mbaheshin anglisht prej misionarëve të huaj dhe përktheheshin shqip prej disa djemve e vajzave të reja. Ne na interesonte ushtrimi i veshit në anglisht, gjuha që mori përhapje të shpejtë tek ne pas shkërmoqjes së diktaturës komuniste. E shtuna ishte shpallur ditë pushimi bashkë me të djelën, kështu që kishim mundësi të kalonin disa orë në ato salla predikimi.
Një të shtunë gjatë vitit 1994, kur po kthehesha nga një ceremoni e tillë predikimi, takova Robertin pranë Hotel Tiranës. Pasi mori vesh se unë vija të shtunave dhe dëgjoja predikimet fetare, më tha:
-Mos i merr seriozisht predikimet fetare, se mund të të shpëlajnë trutë dhe nuk do çash më kokën për shkencë. Unë nga ana ime jam ateist, por po të më duhej të përqafoja një besim fetar, do të pëlqeja Budizmin! – dhe e mbylli ai bisedën.
.
Varri i Robert Elsiesë në Theth-Fushë
Varri i Robert Elsiesë në Theth-Fushë

History of Albanian Literature/ Histori e letërsisë shqiptare

Në vitin 1995, Robert Elsie e kurorëzoi punën e tij për hartimin e historisë së letërsisë shqiptare. Atë vit ai e solli veprën e tij anglisht në dy vëllime, botim i Columbia University Press, Usa.
M’u bë shumë qejfi, kur autori më dhuroi një kopje të saj. Unë sa kisha mbaruar së studiuari një metodë të anglishtes me 52 mësime, sepse po përgatitesha për t’u larguar nga Shqipëria, sepse kisha fituar lotarinë amerikane për Green Card.
Vepra më mahniti me informacionin e madh mbi shkrimtarët shqiptarë të të gjitha kohëve dhe të të gjitha territoreve, me fotografitë e shumta, shumë prej të cilave ishin të panjohura për ne studjuesit e institutit. E ndjeva për detyrë që kësaj dhurate t’i përgjigjesha me një recension. Duke qenë se e njihja lëndën, m’u krijua ideja se kisha ecur mirë në anglisht. Recensioni u botua së pari te gazeta “Rilindja” e Prishtinës, e cila për shkak të përndjekjes në Kosovë, botohej në Tiranë. Një variant më të plotë e dorëzova në revistën shkencore të Institutit “Studime Filologjike” e cila delte tashmë vetëm dy herë në vit dhe me shumë vonesë. Numri 2 i vitit 1995, ku u caktua të botohej recensioni, nuk ariti të delte nga shtypi as në fillim të korrikut 1996, kur unë me familjen u largova për SHBA.
Lidhjet me Robertin i vijova edhe pas vendosjes sime në Amerikë. Më 1998 më dërgoi veprën “Histori e Letërsisë Shqiptare” përkthyer shqip prej Abdurrahim Myftiut, botim i shtëpisë DUKAGJINI Tiranë – Pejë 1997.
Pasi e falenderova, i shkrova se fabrika ku punoja në turnin e tretë u mbyll dhe kisha filluar të punoja si pjatalarës në një restorant. Moszotërimi i anglishtes në nivel të mirë po më pengonte për t’u punësuar në ndonjë punë intelektuale. Roberti m’u përgjigj me të qeshur:
-Mos u mërzit, shumë emigrantë në Amerikë, që punojnë pjatalarës, bëhen shpejt a vonë pasanikë!
Herë pas here këmbenim e-maile, por fatkeqësisht ato që u shkruan në kompjuterin e vjetër, nuk i ruajta. Për herë të fundit e takova Robertin në Tiranë gjatë vizitës që bëra më 2008. Unë dhe historiani Iliaz Gogaj po ecnim në rrugë pranë shkollës Sami Frashëri. Roberti na doli para papritur. Pasi u përshëndetëm, Iliazi nxori nga çanta një kopje të librit që kishte botuar atë vit dhe filloi të shkruante dedikimin për t’ia dhuruar mikut tonë.
Të gjithë studiuesit shqiptarë të fushave humane e deshin dhe e respektonin shumë këtë albanolog dhe i dhuronin me qejf librat e tyre. Madje unë, më 1994, i pata dhuruar dhe një punim në bakër në formë disku, basorelev me temë Gjergj Elez Alia e Bajlozi, vepër e artistit Genc Tirana.
Duke dashur të bëja shaka, i thashë Iliazit:
-Iliaz, ne e duam dhe i dhurojmë libra Robertit, por atij i japin aq shumë libra sa nuk ka mundësi t’i lexojë.
Roberti nuk ma mori për keq dhe nuk reagoi me ndonjë thumb. Ndoshta e kuptoi që më kishte mbetur qejfi për dërgimin e librit tim “Kur dhe ku u shkrua Dhiata e Re” Medaur Tiranë 2007, 500 fq. të cilin ia kisha dërguar një vit më parë duke iu lutur që ta dorëzonte në Tybingen University, ku kishte specialistë që mund të më ndihmonin për ta bërë problem të shkencës europiane çështjen e vizitave të Shën Palit në territoret ilire, që unë e kisha trajtuar me shumë argumente në atë studim.
-Me të vërtet kohën e kam shumë të pakët, – e mori fjalën Roberti. – Nga librat që më dhurohen lexoj vetëm ndonjë që lidhet drejtpërdrejt me synimet e mia. Po më shtohen shumë punët. Më duket se nuk do t’i botoj dot gjithë ato studime që synoj të hartoj”.
Letrën e fundit ia dërgova me e-mail më 29 shkurt 2016, ora 10:17 AM. Iu luta që të shkruante kujtimet e tij për Profesor Eqrem Çabejn. E sqaroja se unë bashkë me vajzën e profesorit, mendonim të mblidhnim kujtime prej atyre që e kishin njohur nga afër, sidomos prej kolegëve shqiptarë të Shqipërisë dhe Kosovës. Ia vlente të përgatitej një libër me kujtime për këtë personalitet të shquar të shkencës shqiptare.
Roberti m’u përgjigj po atë ditë në ora 11:16 (ora e Amerikës 5:16 AM e datës 1 mars). Më falenderonte për letrën, më uronte për idenë, por më sqaronte se ishte shumë i zënë me projekte të ndryshme dhe konkretisht profesor Çabejn e kishte takuar vetëm një herë. Disa muaj para se profesori të largohej nga jeta, në një takim me shkencëtarë gjermanë në Universitetin e Bonn-it, por që nuk i kujtoheshin hollësira. Më uronte që kjo vepër të kryhej me sukses dhe sugjeronte që të përkthehej dhe në anglisht…
.

The Tribes of Albania - Robert Elsie
The Tribes of Albania – Robert Elsie

* * *

Po i mbyll këto kujtime duke shprehur pakënaqësinë time ndaj Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe instituteve shkencore të saj, sepse kam vënë re se këtë albanolog të shquar, që botoi 60 libra ku na solli aq shumë materiale të panjohur dhe studime të shumtë e të shumanshëm, e ka vlerësuar më shumë Akademia dhe institucionet shkencore të Kosovës se sa ato të Shqipërisë. Në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar Tiranë 2008, vol. I, nuk është trajtuar si zë më vete jeta dhe ndihmesa e këtij albanologu të shquar. Kam frikë se kjo akademi nuk do të interesohet për të sjellë në Shqipëri krahas eshtrave të tij edhe gjithë bibliotekën e tij, fondin e letrave, fotografive dhe të materialeve e shkrimeve të tij të pabotuara…
Mezi pres të shkoj në Shqipëri e të vendos një tufë lulesh te varri i këtij studiuesi të huaj, i cili me jetën dhe veprën tij u shqua për saktësi, urtësi, punë të madhe dhe dashuri ndaj popullit tonë.
I përjetshëm qoftë kujtimi i studiuesit Robert Elsie!
.
Robert Elsie (1950-2017)
Robert Elsie (1950-2017)

Vlerësime që m’u dërguan prej miqve të mi për kët shkrim

Kolec Topalli:
Te faleminderit. Edhe une e kam takuar disa herë, por vetëm vitet e fundit dhe vetëm në Kosovë.
.
Ilir Ikonomi:
Thanas, e lexova me shumë kënaqësi. Mësova gjëra që nuk i dija edhe pse e kam njohur Robertin. Të lumtë.
.
Ilia Karanxha
I shtrenjtë Thanas!
Mbi të gjitha të uroj shëndet e gjithë të mirat si për ty po ashtu edhe Julis! Faleminderit për shkrimin dedikuar Robert Elsit të cilin e lexova me një endje e interes të veçantë. Ishte shkrojtur shumë bukur e ndërkohë mësova shumë aspekte nga jeta dhe vepra e tij. Në shtjellimin e kujdesshëm që i ke bërë figurës së tij bie në sy thjeshtësia, mënçuria dhe aftësia për të kuptuar botën shqiptare në epokën komuniste dhe paskomuniste. Sidoqoftë një shkrim me vlerë për njohjen e këtij albanologu të shquar e në të njëjtën kohë një homazh serioz për figurën e Tij. Mbarë populli shqiptar dhe bota intelektuale, që e kanë vlerësuar gjithmonë për prodhimtarinë e pasur në fushën e albanologjisë, e ndjeu humbjen e tij ndërsa institucionet tona kulturore shkencore ose nuk lëvizin fare ose lëvizin si kërmilli e shpesh shkel e shko dhe sa për sy e faqe.
Unë vazhdoj punën për Beçikemin, por me ca vështirësi se nuk është kollaj të gjenden përkthyes të latinishtes. Sidoqoftë jam në procedurat e fundit të përgatitjese së veprës.
Edhe një herë shëndet e gjithë të mirat!
 .
Sadri Fetiu:
Përshëndetje, Thanas i dashur,
të falenderoj për këto kujtime shumë njerëzore për një njeri që punoi me plot përkushtim për kulturën shqiptare. Roberti u prehtë në paqen e përjeteshme! Ai do të jetojë gjithmonë në kujtesën e shqiptarëve. Një shkrimtar i madh malazias ka thënë: “I lumi ai që jeton gjithmonë, ai ka pasë se për çka me le!”
 .
Rexhep Qosja:
I dashuri Thanas,
uroj të jeni mirë me gjithë familjen tuaj dhe uroj të jeni mirë me shendet e me suskese në krijimtarinë shkencore. Ju falemnderit për kujtimet kushtuar Robert Elsit që m’i dërguat. Prej këtyre kujtimeve të pasura me të dhëna, me gjykime e vlerësime të rëndësishme mësova shumë ër albanologun e madh dhe mikun e madh të popullit shqiptar Robert Elsin.
Me këto kujtime ju më mirë se askush tjetër i dolët borxhit atij.
Me përzemersi të përkushtuar,
.
Jozef Radi
I nderuar Thanas,
Shkrimi juaj edhe pse i tre vite të shkuara, është përplot me informacion nga një kohë e vështirë për njerëz të kulturës si Robert Elsie. Jo vetëm e lexova me kënaqësi, por duke qenë se Elsie ka qenë mjaft mik i familjes sonë, munda të ballafaqoj se midis çka ju shkruanit për këtë njeri të rrallë dhe së vërtetës së tij me familjen tonë… kishte një përputhje të plotë, çka dëshmon se Elsie ishte një Model Intelektual mbi të gjitha. Si njeri i Rrallë, Skrupoloz, i Thjeshtë, i Vëmendshëm, ai dinte të Dëgjonte e të Përfitonte nga të gjithë, si dinte të dhuronte mirësi e thjeshtësi si askush në një komunikim sa human aq edhe profesional…
Shqipërisë i ndrin gjithnjë ylli, sepse herë mbas here fati i dhuron ndonjë vlerë të padiskutueshme si Robert Elsie…
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.