back to top
14.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Mos keni ngatërruar babain, zoti Hoxha?! – nga Elona Caslli

Gazeta

Elona Caslli
Elona Caslli

Mos keni ngatërruar babain, zoti Hoxha?!

nga Elona Caslli

Në këtë ditë të nxehtë qeshori, ku dielli duket si akuzë qiellore zoti Hoxha, u përballa me shkrimin tuaj adresuar Kryeministrit Rama si dhe disa ambasadorëve.
Fillimisht mendova se ishte një lajm i sajuar, por jo! E verifikova dhe dola në përfundimin se nuk ishte aspak sajesë. Ishit ju, që në vetë të parë i drejtoheshit kryeministrit të vendit.
Fjalia që më tërhoqi vëmendjen ishte: “Ju drejtohem Juve Z. Edi Rama, (pavarësisht opinionit që keni për Enver Hoxhen, ai është mendimi juaj që mua nuk më intereson) unë po ju drejtohem si Kryeministri i vendit tim, për të më mbrojtur nga institucionet që ju drejtoni…”
.
Ilir Hoxha
Ilir Hoxha
Zoti Hoxha mos keni ngatërruar baba?!
Dua të them, mos ndoshta gabimisht keni ngatërruar babanë tuaj, me një shqiptar të ndershëm?! Sigurisht që juve mund të mos t’ju interesojë se ç’mendim kanë të tjerët për babanë tuaj, për sa kohë ky i fundit nuk shenjon një periudhë historike në jetën e një vendi.
Në rast të kundërt në mos ju interesoftë juve, çka thuhet për babanë tuaj, i intereson historisë!
Në letrën tuaj keni treguar një ndjeshmëri të lartë kundrejt babait tuaj përmes fjalisë. “Vjedhje e relikteve dhe dokumentacioneve të ndryshme të Enver Hoxhës…”
 
Përsëri lind pyetja: Mos keni ngatërruar baba zoti Hoxha?! Mos ndoshta nuk jeni në dijeni se sikundër ju keni ndjeshmëri ndaj sendeve të babait tuaj, ka dhe shumë njerëz që kanë ndjeshmëri tejet të lartë për plagët që hap figura dhe përmendja e këtij të fundit?!
A e dini kush është babai juaj zoti Hoxha? A e dini se i biri i kujt jeni?
Në jetë nuk mund të zgjedhim vendin ku lindim dhe familjen që na rrit. Me pak fjalë, kombësia dhe prindët na janë paracaktuar qysh në lindje. Ajo çka kemi në dorë, është të mbajmë një qëndrim kundrejt vendit dhe familjes në një moshë madhore.
Unë nuk e di se çfarë do të thotë të jesh biri i një xhelati. Kam lexuar veçse një rrëfim në një roman nga Boulaem Sansal. Dyshoj që përkon me përjetimin apo me fatin tuaj, megjithatë në kontekstin e xhelatëve të historisë duhet sjellë në vëmendjen e lexuesit…
 
“Çfarë do të thotë të zbulosh papritur se je biri i një Xhelati?
Të jesh djalë i një xhelati është më keq se të kesh qenë vetë xhelat! Do të thotë që pasi të kesh rrëmuar në sëndukun e Xhelatit dhe të kesh numëruar viktimat e tij, në garazhin e vilës tënde pas shumë vitesh, të shkruash mbi faqen e ditarit tënd…
Im atë nuk ka vrarë një njeri, ka vrarë dy, pastaj njëqind, pastaj mijëra dhe dhjetra mijëra dhe mund të kishte vrarë miliona. Në orën e llogarisë, në orën e zgjimit zgjodhi t’u kthente shpinën viktimave dhe t’ia mbathte. Njëlloj sikur t’i vriste për herë të dytë. Kjo është e llahtarshme. Pastaj, me ndërgjegje, bëri gabimin e dytë që la trashigimtarë, duke e ditur se herët a vonë, e vërteta do të dilte në sipërfaqe dhe se fëmijët e tij do të hiqnin picirin…!”
Boualem Sansal
 
Zoti Hoxha para se të kërkonit publikisht të drejtën në këtë vend dhe të shprehnit keqardhjen për humbjen e relikeve, duhet të kërkonit ndjesë, për t’u distancuar nga xhelati i kombit që përkon me figurën e babait tuaj.
Në jetë të gjithë humbin diçka. Humbim kohë. Humbim njerëz. Humbim dashurinë.
Familjes Hoxha i ka humbur ndjesa, nëse e ka njohur ndonjëherë si institucion këtë të fundit.
Ju mund të kërkoni të drejtën e mohuar në këtë vend si individ. Në çastin që këtë të fundit e kërkoni si i biri i Enver Hoxhës, dhe e sillni edhe si element në kërkimin e së drejtës, atëherë duhet të kërkoni fillimisht ndjesë dhe pastaj të kërkoni të drejtën.
Situata që keni përjetuar ju zoti Hoxha, është e ngjashme me situatën që kanë përjetuar qindra familje gjatë një gjysmë shekulli. Them e ngjashme, sepse përjetimi juaj nuk ka asgjë të përbashkët me arrestimin, burgosjen, internimin dhe me jetët e përvëluara dhe të çuara dëm.
Ju po përballeni me autoritetin absolut të Kryeministrit Rama. Kanë shumë kohë shqiptarët, që përballen me këtë autoritet. Ndoshta ju e keni vënë re vetëm tani, mbasi mbërriti në shtëpinë tuaj.
Megjithatë, duhet të ndiheni të lumtur. Mund të kishte shkuar dhe më keq. Me pak fjalë, keni të drejtë kur në fund të letrës i shprehni mirënjohjen policisë së shtetit për sjelljen e mirë. Mund të ishit përzënë edhe me gaz që në të gdhirë nga banesa juaj. Policia është treguar krejt e sjellshme me ju.
Lidhur me të drejtën që kërkoni tek kryeministri i vendit, kam frikë se kërkesa juaj do të refuzohet. A e dini pse?
Epokat historike sa ç’janë të ndryshme janë edhe po aq të ngjashme. Kam përshtypjen se koha që po jetojmë është një deja vu e errësirës prej gjysmë shekulli që jetuam.
Kam frikë se do t’ju ndodhë sikundër i ndodhi asaj vajzës së vogël të Agron Tufës tek libri “Kur këndonin gjelat e tretë”.
-Më thanë tako sekretaren e Haxhiut, Nexhmie Hoxhën. Ah, më gënjeu fytyra saj e amël dhe vështrimi kureshtar prej qelqeve të syzave. U mbusha me shpresë. Në vend që të flisja, qaja. Iu luta që t’ia falnin jetën Axhës Dedë. “Nuk kam asnjë njeri tjetër në këtë botë” – i thashë.
-Pse t’ia falësh jetën atij? Ai është armik i popullit!
-Axha asht meshtar, – i thashë. Ai e ka zemrën plot dashuni për njerëzit.
-Hiq dorë, – më tha buzagaz ajo: – ti mund të bëhesh bijë e Partisë.
-Ma bani kët nder, zonjë: s’kam as babë, as nanë, veç kët axhë. S’do t’ua harroj nderën, sa të jem gjallë!
-Shkruaj një lutje këtu dhe do ta analizojmë, – tha ajo duke u ngritur ngutazi.
Më 9 Maj, dhe pse rrija tek porta e Kuvendit Popullor, përgjigja më erdhi në zarf. Me shkrim
“Lutja yte, refuzohet!”
.
Post Scriptum – 1944 – Shqipnia e terrorrizueme kishte ra në koma. Njerëzit e ditun nuk dijshin ma kurrgja dhe njerëzit e paditun kishin në dorë gjithçka. – At Zef Pllumi – “Rrno, vetëm për me tregue”
.
Marrë nga muri i Fb i Elona Caslli 29 qershor 2020


 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.