back to top
12.5 C
Tirana
E hënë, 14 Tetor, 2024

Pse u injorua Dialekti i Elbasanit? nga Shefqet Deliallisi

Gazeta

Shefqet Deliallisi
Shefqet Deliallisi

Pse u injorua Dialekti i Elbasanit?

nga Shefqet Deliallisi

(Shkëlqimi dhe rënia e elbasanishtes…)

Ishte viti 1916.
Shqipëria ishte e pushtuar nga austriakët. Një grup personalitetesh dhe gjuhëtarësh mbarëshqiptarë dhe të huaj, organizuan në Shkodër, “Komisjen Letrare” për standartizimin e gjuhës shqipe. Ky komision bëri një punë të pastër shkencore. Mjafton të përmendet fakti se në te merrnin pjesë figura kombëtare me reputacion absolut si Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Ndre Mjeda, Mati Logoreci, nga veriu i Shqipërisë, dhe si gjuhë e përbashkët u përzgjodh elbasanishtja, kur antari i vetëm elbasanas i komisionit ishte Aleksandër Xhuvani, në atë kohë vetëm 36 vjeçar.
Të gjithë pranuan propozimin e Luigj Gurakuqit, që elbasanishtja të shërbente si një urë midis të dy dialekteve kryesore të shqipes, gegnishtes dhe toskërishtes, mbasi dhe kuptohej mirë dhe mund të përdorej me lehtë si prej toskërishtfolësve ashtu dhe gegnishtfolësve. 
Por le t’i kthehemi historisë: shkëlqimit dhe rënies së elbasanishtes…
Faik Konica, në shkrimin shkrimin e tij: “Të zgjedhim toskërishten apo gegnishten?” në Gazetën Albania, në vitin 1905, shkruan:
 “Është një gjë e thënë popullore në Shqipëri: turqisht’e Stambollit, greqisht’e Athinës, shqip’e Elbasanit…” Ndërsa, Luigj Gurakuqi në fjalën e hapjes së shkollës Normale në Elbasan ne vitin 1909 do të thonte: 
“Elbasani sikundër asht mezi i Shqypnies landore, asht dhe do të jetë edhe mezi i Shqypnies mendore: do të jetë truni, do të jetë zemra e të gjithë shqyptarvet… Këtu katundësi dhe qytetari do të bashkëjetojnë e do të bahen nji. Këtu Toska me Gegën do të derdhen, do të n’treten, do të përzihen bashkë, do të përnjëshmohen… këtu gjuha shqype tue u përkulun pas kësaj ligjërate t’ambël do të marrë një fytyrë të përbashkme…”
Aubery Herbert, parlamentari britanik, mik i madh i Shqipërisë, në ditarin e tij gjatë vizitës në Elbasan, në 13 shtator 1913, bën një krahasim interesant mes shqipes së folur në Elbasan, dhe gjermanishten së folur në Hanovër, që vlerësohej si gjermanishtja më e mirë: “Elbasani është një lloj Hanoveri në Shqipëri. Në këtë vend, ku puqen veriu dhe jugu flitet shqipja më e mirë!” 


Aleksander Xhuvani (1880-1961)
Aleksander Xhuvani (1880-1961)

Në vitin 1923, Kryeministri i Shqipërisë, autorizoi administratën shtetërore që për bazë të gjuhës zyrtare të kishte të folmen e Elbasanit. Këtë urdhëresë të qeverisë e komenton Aleksandër Xhuvani në shkrimin “Dhialekti i Elbasanit”, në Gazetën “Elbasani”: “Urdhënin e Kryeministris për t’u përdorun dhialekti i Elbasanit në shkresat zyrtare e gjejmë të drejtë e t’arsyeshëm. Ky vendim i Kryeministrisë nuk asht nji gja arbitrore e pavend, por nji punë qi vërteton edhe shtie në veprim shumë vendime të përparshme të marruna prej kongresesh të ndryshme qi janë mbledhun në kohë të Turqisë për të rregullue çashtje të gjuhës e t’arsimit t’onë. Kongresi i Manastirit i mbledhun më 1909, e i marrun prapë me çashtje arsimi e gjuhe, u poqën e u bashkuen në nji pikë për punë të gjuhës: në përdorimin e të folmes s’Elbasanit si gjuhë shkrimi e përbashkët. Ky vendim i këtyne dy Kongreseve u përteri e u vërtes edhe në kohë të pushtimit austriak, kur u themelue në Shkodër Komisija Letrare, për zhvillimin e përmirësimin e gjuhës e të letërsis s’onë. Edhe ajo Komisi pranoi atëherë si themel të nji gjuhe të përbashkët dhialektin e Elbasanit. Veç këtyneve, ma të shumtët e dijetarëvet e të albanologëvet janë prapë të këtij mendimi: qi dhialekti i Elbasanit të merret si bazë për nji gjuhë shkrimi, por natyrisht i përmirësuem e i qëruem. Në nji Promemoria qi bani në kohë t’Austrisë profesor Nachtigalli, i cili bashkë me doktor Pekmezin e me Andre Mjedën u dërgue atëhere prej kumadës ushtriake n’Elbasan për të studiue gjuhën, kët dhialekt porosiste e këshillonte për me u marrë si bazë e shkrimi të gjuhës. Arsyet qi përmendte profesor Nachtigali në Promemoria të tij për të pshtetun tezën e vet shkencore e glottologjike, ne po përmendim këtu nji të vetme qi dihet prej të gjitheve: qi dhialekti i Elbasanit asht i kuptueshëm prej të dy kryefisevet shqiptare, prej Toskëvet e prej Gegëvet. Këtë gja e kanë konstatue të gjithë ata qi kanë pasun kohën të qindrojnë pak kohë n’Elbasan e të ndëgjojnë të folmen e këtij qyteti. Si fonetikisht, ashtu edhe morfologjisht e syndaktisht ky dhialekt i përmbleth elemente prej të dy dhialektevet të tjerë, prej Gegënishtes së sipërme e prej Toskënishtes e asht si nji urë bashkimi në mes të këtyre dy dhialekteve.
Por sikurse ka ndodhun në gjuhët e tjera , kështu do të ngjajë edhe ky dhialekt, në të cilën do të kullojnë e në këtë do të treten gjithë të mirat e dhialektevet të tjerë, tue u njazue ashpërija e Veriut me butësinë e Jugut.
 Pra, vendimi i Kryeministrisë, si kunorëzim i vendimevet e i dëshiravet të përparshme, asht si thamë, i drejtë e i arsyeshëm…” 
Dialekti i Elbasanit konsiderohet përparësi e Elbasanit në momentin e caktimit të Kryeqytetit të Shqipërisë në vitin 1923. Në një editorial të gazetës Elbasani shkruhej:
 “Elbasani në pikpamje gjuhsore, asht i vetmi qytet, i cili sikundër e lidh politikisht Shqipnien e veriut me atë të Jugës, ashtu edhe me gjuhë lidhë këto dy pjesë, në këtë mënyrë dialekti i Elbasanit, asht “trait d’unioni” i dialekteve të Gegnies e të Toskënies. Për këtë arsye në kohën e Turqies më 1909, Kongresi Arsimuer u mblodhë n’Elbasan, dhe vendosi hapjen e Shkollës Normale t’atëhershme po këtu n’Elbasan, e cila prej asi kohe, ishte Instituti ma i naltë i Rilindjes Kombëtare. Gjithashtu po për këtë arsye, Komisioni Arsimuer në kohën e okupasionit Austriak, pat pranue dialektin e Elbasanit, si për gjuhë zyrtare të Shqipnies. Nashti së voni, edhe Ministrija e Arsimit që prej vitit 1920, po këtë dialekt ka pranue e përdorue gjer më sot, si për gjuhë zyrtare të Shtetit.”
Nuk kishte si të mos shprehej për këtë problem dhe “Babai i Tragjedisë Shqiptare” shkrimtari Et’hem Haxhiademi. Në nje intervistë me titull: Gjuha Letrare: të preferohet dialekti i Elbasanit”, në vitin 1940 në Gazetën Tomorri: “Dialekti i Elbasanit është bashkimi natyral i dy dialekteve të mëdhenj: toskërishtes dhe gegnishtes. Në pikpamje morfologjike dialekti i Elbasanit është toskërisht, dhe në pikëpamje fonetike është gegënisht.”

Et'hem Haxhiademi (1930)
Et’hem Haxhiademi (1930)

Në prill të vitit 1940, në Kuvendin e Parë Albanologjik të Institutit të Studimeve në Tiranë, Mustafa Kruja një nga gjuhëtarët më të shquar, vazhdoi të mbështesë të folmen e Elbasanit si bazë për gjuhën standarte shqipe. 
Dhe më pas, erdhi përmbysja e madhe, që filloi në vitin 1946. 
Arbitrarisht Ministria e Informacionit dhe Propagandës, drejtuar nga Sejfulla Malëshova urdhëroi mosrespektimin e gjuhës zyrtare. Gjithiçka duhej të shkruhej toskërisht. Ministria e Arsimit pasoi me urdhërin që edhe abetarja të shkruhej toskërisht. Ky veprim u kundërshtua fort nga prof. Aleksandër Xhuvani, i cili nuk e pranoi heqjen e elbasanishtes. Me të u bashkua dhe prof. Eqerem Çabej e të tjerë. Duket autoriteti shkencor i padiskutueshem, pse jo dhe ai politik i Aleksandër Xhuvanit, bëri që ligjërimi përfundimtar i rënies së elbasanishtes, dhe imponimi me dhunë i toskërishtes që kish filluar që në vitin 1946, të bëhej në vitin 1972, në Kongresin e Drejtshkrimit, pas vdekjes së Xhuvanit..
. Ajo që të habit në gjithë këtë histori është fakti se në Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972, elbasanishtja, si një dialekt kompromisi mes toskërishtes dhe gegnishtes, u injorua plotësisht. U injoruan dhe konsideratat në vite të gjithë personaliteteve të shquara të gjuhësisë e më gjerë?!! U injorua fakti që gjuha standarde, me bazë elbasanishten ishte zbatuar tashmë për 30 vjet në Shqipëri (nga 1916 deri me vitin 1946), dhe 50 vjet në Kosovë dhe në trojet e tjera jashtë Shqipërisë…
 Veç shkakut ideologjik dhe politik asnjë tjetër s’mund të jetë bindës…
 Një pyetje natyrshëm lind: a ështe më e mundur të kthehemi pas te elbasanishtja apo ajo tashmë i takon vetëm historisë?! 
Po e mbyll shkrimin me vjershën “Dialekti Elbasanas” të shkrimtarit dhe publicistit të shquar elbasanas Filip Papajani:

“Gjuh’e pastër’ e Elbasanit;/ Thjesht shqiptare.
N’tingëllim t’ambël t’zanit,/ Asht letrare!
Ambëlson t’egrën Gegnishte,/ Fort shijon t’thatën Toskënishte…

(Marrë nga muri i Neritan Kolgjinit)

Related Images:

More articles

3 KOMENTET

  1. Unë nuk kam mbaruar për letërsi që të komentoj kët shkrim, por kam mbaruar shkollën e mesme. Në konvikt ishim nxënës nga e gjithë Shqipëria, por kryesisht nga Veriu: Kukës, Tropojë, Burrel, Lezhë, Librazhd, Elbasan, Lushnje, Himarë, Durrës, Skrapar, Ersekë, të cilët pjesa më e madhe ishin nga fshati po dhe nga qyteti… pra kam pasë fatin të dëgjoj shumë dialekte… por mbi të gjitha të folmen e dialektit elbansanas qytetar nuk e kam dëgjuar askund aq të ëmbël…
    Këtë dialekt të ëmbël e kam shijuar, sepse kisha në klasë 20 nxënës nga Elbasani ku 15 prej tyre ishin nga qyteti i Elbasanit…

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.