back to top
10.5 C
Tirana
E enjte, 25 Prill, 2024

Zoja që nuk din me harrue… cikël poetik nga Jola Zadrima

Gazeta

Jola Zadrima
Jola Zadrima

Për poezinë e Jolës…

nga Jozef Radi

Të shkruesh diçka për poezinë e Jolës, mbasi je thekë n’leximin e rileximin e këtij cikli prej ma shumë se dhjetë poezish, s’asht fort e lehtë… pse ke përballë ma së parit nji botë të panjoftun që shpalohet varg mbas vargu, poezi mbas poezie. Asht e vështirë pse duket sikur ajo e shkruen poezinë thjesht për vedi dhe pa pretendue asgja ma tepër se çka ajo shpreh, dhe pa ja dishrue mendimin askujt…
Mbas rileximesh ti ndjen se poezitë e saj janë nji album shpirtnor i nji cilsie të veçantë… janë sublimitet çastesh në dukje të zakonshme, e që ajo i thotë qetë dhe guximshëm, e s’i trembet  aspak vetvedit, siç ndodh zakonisht me gratë, po din me e shkrue aq bukur vetvedin, me e thanë me delikatesë gjithçka, aq sa ti ndalesh, e thue me vedi, po kjo i paska ba nji monument fjale vedit, sa vështirë mundet ndokush tjetër…
Poezia e Jolës ka nji qetësi të pazakontë… ka pak fjalë, shpesh fjalitë duken edhe të pakuptimta, ndjen në parabolat e saj si liturgjitë në nji meshë ku nuk asht askush veç nji shpirt hyjnor që rrëfen në insordinë diçka që ma shumë se kuptohet ndjehet, ma shumë se shifet përfytyrohet, ma shumë se ndigjohet të ngjitet për lëkurë…
E nëse ti e merr guximin me shkrue do rreshta për poezinë e Jolës, duhet të jeshë i kujdesshëm jo për çka duhet thanë, po për çka s’duhet thanë, pse s’të lejon as verbi as drithma e shpirtit të saj asgja tepër… pse vargjet e saj janë nji lloj endje e vështirë, diçka midis qendisjes dhe filigramës punue me shpirt ma së shumti n’terr të vetvetes, e ku përballë pasqyrës së shpirtit asht krejt bota delikate femnore që derdhet lirshëm pa kqyrë tabutë, njashtu si nën nji shi të ngroftë vere t’i mëson me vallzue zbathun në nji botë ku s’asht askush veç teje dhe dashnia për jetën… Prandej poezia e Jolës s’të lejon me e lëshue fjalën si kalë të hazdisun, pse asaj s’i nevojitet asgja e pameritueshme për vargjet e dhimbave të saj…
Mbetem i besimit se poezisë së Jolës i mjafton leximi. Cilido lexues i saj, ka me u ndje si i ndodhun në nji recital ku muzika e fjalës  dhe thellsia e ndjenjës jetojnë në nji harmoni të paqme dhe solemne, dhe atij si mbetet tjetër veç keqardhjes pse kjo magji ka mbarue me kaq.
Poezia e Jolës asht prej atyne dëshmive të pakta që: poezi s’do me thanë me bashkue në buqetë do vargje për nji ditë feste, po me hy e me dalë prej shpirtit njerzor, njashtu si hyn e del natyrshëm era malit dhe rrezja e diellit në pyllin e dendun të ndjenjave dhe trazimeve tona. Dhe mbasi ke ecë nëpër kët labirinth shpirtnor, e mbasi je kthye e rikthye disa herë… ndalesh dhe e pyet vedin: “Si asht e mundun që kjo poezi kaq e veçantë ende s’e ka nji libër të vetin!?
18 korrik 2014

Trishtim mbas gjethes...
Trishtim mbas gjethes…

Zoja që nuk din me harrue…

cikël poetik nga Jola Zadrima

***

Deshta me të thanë që jam këtu,
e palëvizshme,
deri në fundin e ditëve,
derisa stinët t’i kenë shky teshat e fjetuna,
ledh lëkurën, tkurr, rrudh
trupin,
e po du që të m’bien flokët,
heshtjet,
dhe grimcat e emocioneve…

Do të rri këtu, deri sa të shuhen predhat e çasteve,
e jeta të rrjedhi n’lumenj t’tjerë,
se du ta ndij diellin që më djeg,
gjethet kur bien,
dhe akullin ta pushtojë këtë gru,
me aromë ndjellëse…

Po, jam këtu
e ngujueme në shkambin e unit
deri në zbrazjen e stinëve,

deshta me t’thanë që jam nji shtëpi pa shpirt!

***

………………………………..
Mbi supet tuej të lagun
len gishtat nji natë si kjo,
tanë melankolia e qiellit derdhet
e ti prap në kambë,
i pathyem ndoshta?!

Jo, veç pse supet tueja mbajnë fort dashninë e dergjun,
dashninë e heshtun,
dashninë e mshehun,
janë supe dashnori të coptuem,
qi udhëton me nji gurë n’shpinë
e nuk bjen.

Se ti s’mundesh me ra
edhe me t’u thy tana gjymtyrët,
jo ti rrin ashtu pip n’kambë
e ban ajrin me lëvizë,
gjuhën me kërku frymën nëpër qiellz,
heshtje, ofshama t’përpin,
e papritë tanë ai qiell madhështor të vdes,
O Zot, të mbyt njajo lule që e plas diellin kur çel…

Më len,
më len pra të pushoj
mbi supe të përgjakuna!

Dritehije gruaje...
Dritehije gruaje…

***

Për disa orë zbardh
edhe kjo natë.
E ndjej në pulsin e dorës,
në akrepet që thyejnë heshtjen,
a n’nji frymarrje të avashtë…

Po rri me shpresën se nesër ka me lindë,
nji diell i madh,
i rrumbullakët,
topolak,

ditë moj e lume
që edhe pse fiket fryma, ke me zbardhë,
ke me veshë pemë e me qeshë rrugë,
ke me zgju lulet n’kopshtet e tanë botës,
e me i ndry k’to mendime t’vobekta,
që flenë n’gjoksin e kësaj grueje që jam..
asaj që ka me u zgju,
edhe asaj që ka me të veshë…

Kështu ndihem, nji ishull
që laget nga shiu i qytetit të vet,
kufizohet zemër n’zemër me mure t’përuluna,
e nuk ekziston ma në hartë.

Prandej përnjimend, si s’parit,
s’mesmit e s’fundit,
mos gjej njimijë gra të çmenduna në mu,
due veç me mbetë, ajo zoja e randë,
që s’din me harru…

Ora Kurrë

Asht fiks ora kurrë.
Edhe nji tingllimë e lavjerrsit bjen në trajtën e vuejtjes.
Kalendar pa ditë koha jeme,
pa muaj, pa vite, heshtje drite mes nesh,
asgja, nji asgja në gojën e çjerrun të stinëve pa ngjyrë,
sot mos ki frikë,
për mu filloi,
ora fiks,
fiks kurrë!

Ranë sytë, që ndiqshin rrugëtime t’pashpresa,
s’ka ma as gjurma hapash të humbun,
ti ke ikë,
ma fort se kurrë ke ikë,
pakthim,
pa jetë,
ka mundsi ta besoj se s’ke ekzistu ma parë.
Sot nuk jam unë që t’kam lanë,
asht ora që s’ka puls,
asht dita që rreh vetë në damarët e stinës,
asht kjo jetë,
që mbet fiks Kurrë!

E nesërmja vonon,
por ka me u shtri në grinë që kam mbjellë,
në heshtjen që t’kam falë,
me kupto, të vdekunat s’marrosen ma!

Grue

Vdes në magjinë e natës,
ku me dritëhije e kam mbulu tanë epshin memec.
Hesht, nji grahëm t’lehtë tue terrue çdo imagjinate,
thurun në rrjetën e merimangës.

Mandej lind dita, përmes flakëve që dogjën,
veç kala imagjinare,
e shkrumbuen andrra të shkyeme,
hije gastare që s’shfaqen kjartë…

Jam ajo grueja,
që të kam lindë prej mitrës fjalë,
çdo herë që m’je shue në shpirt.

Perflakje qiejsh dhe ujnash...
Perflakje qiejsh dhe ujnash…

Serenatë

Kjo grue e çmendun mban shtylla në kambë,
kjo grue e marrë, pa shtëpi me nji çati të thyeme
ndjell stuhi sa herë era fryn kundër…

Kjo grue që hesht njimijë yje njiherit,
I ngjet këmishës së trishtë n’nji natë të pikllueme,
kjo grue e hekurt,
e brishtë…
veshun me petka fantazmash,
si t’vejat në perëndim të diellit,
mbledh hinin e zjermit… shuem.
Kush dreqin asht kjo?

Mbas mija netësh, kërkon nji të parë,
pa lule, pa zjarr,
Kërkon nji hije të vujtun,
të vërtetën e zbutun,
a jetë… aty ku s’ka,
aty ku zhgjandrra asht tha,
Kjo grue çmendunisht e gjallë,
Vallëzon nën muzikën e Schubert… serenatë!

Zemra jeme

Ai m’kujton se andrra nisi prej nesh,
orkestra e nji nate.
Udhëtimi jem në pejzat e shpirtit të tij…

edhe unë deshta me e kujtu,
e ndjej në gjuhë
kur ma mbyll gojën!

Zemra jeme!

Babës

Baba jem s’ka facebook,
baba jem ka vuejtje,
aq shumë sa sot kocat vrrasin dhimba,
e rrudhat i thonë moshë e tretë,
baba jem s’ka fjalë,
por ka krahë me të shtrëngu në gjoks,
e me të diftu sa rahat je njaty…
Baba jem ecë pak,
e lodhet fort,
merr frymë thellë e i merret fryma,
e prap s’harron me pëshpëritë në vesh,
zemra e babës…

Adamit

Mashkull i çmendun!
Zhuritës,
tronditës,
joshës,
depërtues deri n’skaje t’errta,
frymë,
zog me krahë jete,
i huej, oh sa i huej…
mashkull që t’ndez,
t’fik e t’verbon,
t’xhelozoj, vallëzoj me gjithë yjtë për inat,
mashkull i dëshirum,
i mbarë, i mbrapshtë,
që vdes kur e puthi n’qafë,
e të ngjitet n’buzë…
mashkull i amël,
që rrjedh ndër damarë… trathtar…
që t’baj me e pagu,
mashkull që t’kapërdij,
t’du,
që m’çmend,
që iku kur je thellë n’mu…
Mashkull që s’di me u ngi,
e t’vjen me e përpi,
mashkull, mashkull pra….
i vërtetë për dreq,
aq sa veç me nji prekje
më vdes!

Michelangelo... cappella sistina
Michelangelo… cappella sistina

Çast

Lumturinë ua kam lanë atyne që u rrin për shtat,
unë di me e mbajtë mend,
atë grimcë universi,
që shemb qenie t’tana njerezore,
në pikë të lotit…

Mendoj se m’ka kalu nën hundë sa e sa herë,
tuj më lanë nostalgji n’shpirt,
sot kam kujtime,
lot,
sot jam njeri!

Më thuej!

Më thuj si ulërihet,
pa i thy xhamat, pa i përkul vitet mbi lot,
ma thuj, po pres.
Du me e ditë si shkundet shpirti
pa ja shkëputë degët kësaj peme
me rranjë jashtë,
po thahet,
po fiket,
po vdes,
tash nuk bjen ma as shi,
as zjarr,
as hi,
askush…
Këndej s’ka ma hapa të randë me lanë gjurmë,
veç stinët kalojnë mbi shpinë,
çelin lule,
digjen male,
thahen liqene tana e mandej bien gjethet,
veç stinët prekin nudon e nji grueje,
që s’din me ulëritë!

***

M’vjen marre,
sa njiqind fish je n’mu,
sa e andshme, e kandshme kjo marri e këtij shekulli t’huej…
Thonë qi asht turp,
me i ndi tana qelizat tuj lindë e me psherëti,
me agun e hershëm, si joshje e perendisë,

Evë…

Por dita ecë nën tinguj të pashfrymë resh,
që bartin njimijë diej vezullues,
e ashkla t’nji dimni ikun nën stuhi andrrash
prush…
Asht zgju,
as unë, as ti, askush
veç dashnia!

Diku Kudo

Ruejnë nji heshtje antike
blijtë n’pjacë,
mbrenda meje janë rranjët e këtij
qyteti të përjetshëm,
që fle prej shekujsh në gjinjtë e nji grueje…
Edhe pema asht dashni,
prej atyne që ngulen deri n’zemër të tokës.

Anderr vetmitare
Anderr vetmitare

Atij

Asht një çast ku të urrej,
sepse unë kam të drejtë,
pse jam e zhdrejtë,
dhe ti egoist.
Por unë kam të drejtë,
edhe po nuk pata ma len mbarë,
ti, po ti,
ti që i din tana,
ti që i dyshon tana,
ti që ke lindë në 1800 me pikturat e Mone-së,
ti që më hapesh gjanë e gjatë
në zemër, s’e meriton,
ti që pushton kohën,
që çon pluhun,
thyen pemë, xhama, çan male,
e çirresh me mirësjellje
të marrtë dreqi,
se më çmende!

Më puthesh!

M’puthesh,
krejt në amë të lules,
n’dihatje petalesh,
andrra polenesh
a ta zgjojmë ditën ndër buzë?
Oh sa e bukur asht nadja
kur ti çile n’mu,
i dashtun…

Ana

Me kalimin e viteve, bien edhe debulesat,
kërrusë kujtimet diku n’nji xhep,
e mëson me ecë anash trotuareve..
hedh hapa të vegjël,
se kam frikë me ecë rrugës,
më shtyp vedi,
më zmadhohet aorta aq sa m’duket sikur m’del zemra vendit…
Po nuk ikë zemra, jo,
mëson me rrahë ma lehtë,
ma fort, krejt lehtë,
e prapë fort,
me ritmin e nji melodie njerzore,
të kësaj çmendje hyjnore që ecë bashkë me mu,
ah, po me ne… Ne?
Kam thanë gjithmonë, ne,
edhe kur m’shtypën trenat e pa’ardhun,
edhe kur me zgjuen trokitjet e nji kohe tjetër,
edhe kur ndjeva zanin e asaj,
edhe kur zhgrehi nervat n’vajë,
pse je edhe ti, n’monologun tem të përditshëm,
diku n’djegien e nji qyteti,
prap prej fillimit,
e sa herë në fund, në turrën e mendimeve,
në fundin e nji dite a n’fillimin e nji tjetre,
je ti!
Me kalimin e viteve, mësova me vrapu,
e me folë me vedi!

Perëndim mbi detë
Perëndim mbi detë

***

Preferoj me të harru,
edhe kur kërkoj mes gjoksit nji dhimbë pa krahë,
që struket ditëve me diell,
e shiut të furishëm…
Se ti s’je engjëll, e as djall,
thjesht je njaty,
je njashtu,
e unë preferoj me t’harru,
merrem me punët e tanë jetës
veç mos me e shkapetë për ty kët lot të nxehtë
anës dritës së vyshkun.
Preferoj me ikë,
me vrapin e stinës pa emën
me ikë sa ma larg aty ku stuhitë
çajnë zemrën e qiellit si degat e pemve,
aty ku rrahin dallgët e harlisuna t’nji deti tekanjoz,
po, preferoj me t’harru,
e të lutem, në emën të ditës s’gjanë,
të shpisë ku nuk jetojmë,
ma lejo!

***

Mendoj se të du,
them mendoj se nuk e di si asht taman dashnia,
por kur hasi n’sytë e tu të qeshun
ngufet gjoksi,
e humoj thellë në karrigen ku rri.
Me djegin faqet, më përvlojnë buzët,
menjiherë mendoj se kam ethe.
Fluturoj, s’jam e lehtë fort pra,
por e di që e preki qiellin
me majë frymet,
e n’bisht t’synit të kundroj,
çdo të fundmen herë që të kam ngjitë…

Të nesërmen,
ju marr erë pemëve që u kalove pranë,
dehin blijtë…
Mendoj se të du,
në tana kohët e t’folunit,
ndoshta si at reliken e rrallë, që m’ka falë em atë,
pse e di që jam qesharake, por çdo të nesërme,
kam mall…
E n’kjoftë kështu dashnia,
atëherë po, po të du!

Kaleidoskop...
Kaleidoskop…

Arjola Zadrima, ka lindë në qytetin e Shkodrës në 27 Mars të 1979
Ka mbarue Fakultetin e Shkencave Shoqnore për Gjuhë-Letërsi në vitin 2000, në Universitetin “Luigj Gurakuqi” – Shkodër. Pasioni ma i madh i saj asht libri, e në veçanti siç e dëshmoi edhe ma sipër… poezia!

Related Images:

More articles

2 KOMENTET

  1. I lexova me shumë vemendje poezitë, dhe u mundova edhe t’i interpretoj, pasi dialekti për mua është i vështirë… Një shpirt gruaje që flet, që klith, që vuan dhe dashuron…
    Një poete që të mban lidhur në vargjet e saj, të mban lidhur në zinxhirë dhe duket sikur nuk ke dëshirë të çlirohesh, por të rrish aty… skllav i vargjeve.

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.