back to top
23.5 C
Tirana
E enjte, 16 Maj, 2024

“Petro Vuçani, shkronjëtor e estetist i përkryer…” – nga Idriz Lamaj në 80-vjetorin e lindjes

Gazeta

Revista "Shejzat" e Koliqit
Revista “Shejzat” e Koliqit

“Petro Vuçani, shkronjëtor e estetist i përkryer…”*

nga Idriz Lamaj

Petro Vuçani në 80-vjetorin e lindjes

“Kjo është dhurata ma e çmueshme që kam patun…”
shkruar me dorë nga Petro Vuçani për Lazër Radin
.
Idriz Lamaj
Idriz Lamaj
Petro Vuçani lindi në Tiranë me 25 qershor 1921. Studimet fillestare dhe gjimnazin klasik i kreu në vendlindje, ku kishte arsimtarë personalitete të shquara të kulturës tonë kombëtare si Prof. Karl Gurakuqi, Kolë Kamsi, G. Meksi, M. Karajani etj. Më vonë, regjistrohet në mjekësi në Degën e Farmacisë, në vitin akademik 1942-1943. Nga shkaku i ngjarjeve të Luftës së Dytë Botërore u shtrëngua të ndërpresë studimet dhe të kthehet në atdhe. Nga fundi i vititi 1943, përsëri largohet nga Shqipëria për të mos u kthyer më deri më sot. Pas shumë vjetësh në mërgim, ndërmori përsëri studimet universitare për Farmaci në Universitetin e Palermos dhe, më në fund, mori doktoratën po në këtë degë të mjeksisë, më 16 nëntor 1954.
Jetesën e nxorri duke punuar për vite me radhë në një firmë farmaceutike në Romë së bashku me kolonel Lazër Bojaxhiun, vëllai i Nënës Tereza, dhe si gazetar i seksionit shqip të Radio Romës. Afër 50 vjet punoi pa pagesë si redaktor, analist politik, gazetar dhe përkthyes. Nga dora e tij u përgatitën për shtyp dhe dolën në qarkullim vepra autorësh të shquar të letërsisë shqipe dhe arbëreshe, gazeta “Le Albanie Libre” dhe revista e njohur “Shejzat”. Tani, si një ndër veteranët e fundit të luftës antikomuniste, i dërrmuar nga mërgimi i gjatë dhe puna për t’i shërbyer me nder e dinjitet kulturës kombëtare dhe vendilindjes Dr. Petro Vuçani, 80 vjeç, ende jeton në dhe të huaj si emigrant, me shpresë se një ditë do të kthehet në atdhe. Në redaksinë e “Shejzave” Emri i Petro Vuçanit bëhet i njohur në qarqet intelektuale, letrare e politike të mërgimit shqiptar qysh me fillimin e botimit yë gazetës “Le Albanie Libre”, organ i Bllokut Kombëtar Indipendent, e cila u botua në Romë mbi 20 vjet (1947-1968). Kujdesi i tij i jashtëzakonshëm në qortimin e gazetës, dalja e saj në rregull e pa gabime, bënë që ky jo vetëm të fitonte respekt brenda qarqeve politike të Bllokut, por edhe në qarqet e intelektualëve të mërgatës dhe të arbëreshëve të Italisë, sidomos të atyre që merreshin me botime në gjuhën shqip.
Revistën “Shejzat” e themeloi Ernest Koliqi me një grup miqsh, personalitete të njohura të penës. Numri i parë i revistës doli në qarkullim në gusht të vitit 1957, duke patur drejtor përgjegjës: Matilde Manicelli, Kryeredaktor Martin Camaj dhe pronar Ernest Koliqi. Kjo revistë që kishte “për qëllim të kryemit e nji detyre intelektuale kundrejt atdheut shi në një kohë kur në kuadrantin e historis grepat po shënojnë një ças rreziku jetëshues” (paragrafi i parë i artikullit redaksional, “Shejzat” vjeti 1, Nr.1, f.1), doli rregullisht deri me vdekjen e Prof. Koliqit (1975). Pas vdekjes së pronarit, numri i fundit përkujtimor i “Shejzave” (385 faqe), kushtuar prof. Koliqit, u botua nën kujdesin e prof. Peter Bartl, prof. Martin Camaj. Prof. Zef Nekaj, dr. Hamdi Oruçi, prof. Gjon Sinishta dhe dr. Petro Vuçanit. Edhe ky numër, si të tjerët, u përgatit nga Vuçani. Për punën e palodhur të Petros në redaksinë e “Shejzave”, në revistë nuk gjendet asnjë shënim. Duke qenë tepër modest, ai shpesh hoqi shkrime që bënin fjalë për të. Me rastin e 10 vjetorit të botimit të revistës, prof. Karl Gurakuqi përgatiti një vëllim në vete në fund të të cilit gjendet ky shënim: “Në radhën e bashkpuntorëve të Revistës lipset të vihet, pa tjetër, edhe dr. Petro Vuçani, i cili, me nji kujdes shembulluer e pa përtesë, i asht ba krah kunatit të vet, prof. Koliqit, me qortimin e shtypajvet, qi, sikurse e dijmë asht nji punë e mundimshme dhe e mërziçme. Meriton lavdime të posaçme nga ana e bashkpuntorvet, të cilët i kanë pa shkrimet e veta të shtypuna pa gabime shtypi, nga ana e lexuesvet, të cilët kanë mujtë me i lexue këto shkrime me andje pa pasë nevojë të përpiqen t’i bijnë në të ndonjij fjale apo ndonjij mendimi shtrembnue nga gabimet e shtypit. Na, Petro Vuçanin e kemi pasë nxanës dhe ia njofim përpikmëninë në detyrimet qi merr përsipër. Janë të rrallë ata të rij qi, përveç punës së përditshme për të nxjerrë jetesën, i bajnë fli edhe orët e natës për nji shërbim kombtar pa mtesa e kërkesa shpërblimesh…” (Karl Gurakuqi, “Nëpër Vullajet e Shejzave”, fq.112).
Shumicën e numrave të revistës i përgatitën prof. Koliqi dhe dr. Vuçani. Kur ata ishin vetëm, revista vihej shpejt në shtyp, sepse punonin në heshtje dhe rrallë e ngacmonin njëri-tjetrin me bejta shkodrane. Kur redaksisë i shtohej ndonjë vullnetar tjetër, si Nos Qirjaku, atëherë ndryshonte puna, fillonte humori e ngacmimi. Të gjitha këto i fillonte prof. Koliqi. Sa fillonte korrigjimi, prof. Koliqi thente dokrra dhe thurte bejta për të ngacmuar Petraqin (shokët dhe miqtë Petron gjithmonë e thirrën Petraq) dhe Nosin, ato i lidhte herë me njërin herë me tjetrin. Atij i pëlqente t’i ngacmonte në veçanti lidhur me mikun e tyre, prof. Camajn, i cili mbante titullin e kryeredaktorit dhe rrallë herë ndodhej në redaksi. Në një rast kur po korrigjonin një copë prozë të Martinit, Koliqi i thotë Petraqit dhe Nosit për t’i nxeh në muhabet: “E shifni si na pruni Zoti, ai kushdi se ku ban qef e na punojm si hamaj për t’ia zbardh ftyrën”. Mbas pak minutash, aty për aty, thuri këtë bejtë: Lum Martini pinjuell malit,/ qi ban n’Mynchen rehati,/ eja e shif djemt e idealit/ si punojn’për Shqiptari!// Ndry n’shtypshkronjë si Karagega/ Po e qortojn’ at prozën t’ande/ Msa ti vajzat faqe-shega/ Rrin tu’i ndjek’ për mirakande.//
Me vargun e parë të strofës së dytë, “Ndry n’shtypshkronjë si Karagega”, i referohet Mahmud Pashë Bushatit, i njohur edhe si Karagega, i cili ndryhej në Kala të Shkodrës kur bënte plane lufte kundër turqve e malazezve. Në dy strofat që vijojnë më poshtë, Koliqi “e njofton Camajn me dy “poetë” të tjerë me Petraqin e Nosin, duke i vlerësuar kështu trillet e tyre poetike: Ndryshon krejt trilli i Petraqit/ vjershat ai tash i melmen/ me produkte të Baldaçit/: Fosglutaminë e Balpiren.// Baldaçi ishte forma farmaceutike për të cilën punonte Vuçani. Fosglutaminë e Balperin janë emrat e dy ilaçeve që prodhonte firma Baldaçi. Simbas Koliqit, ato kokrra kreje shërojnë flamën, prandaj Petraqi i melmen vjershat e tij me produkte të Baldaçit, kurse vjershat e Nosit çojnë në Parriz. Martinit i thonë me “bindje” të plotë: Vjershët s’ate hiqi vizë/ se ata t’dy ta muerën famën/: vjersha e Nosit çon n’parriz dhe e Petraqit shëron flamën. Kshtu Petraqi me Qirjakun: gjasat jan’, Martin qi shpejt/ do ta marrin ata hakun/ tue ta tretun namin krejt/ Vargu, “vjersha e Nosit çon n’parriz”, ka një nënkuptim në vete. Koliqi shpesh thente dokrra me Qirjakun mbi shkrimet e tij fetare. Atë e quante “teologun e revistës” për ta ngacmuar prof. Karl Gurakuqin, i cili shkrimet e kësaj fushe i merrte seriozisht vetëm po të shkruheshin nga studiuesit kompetentë të teologjisë. Për një shkrim të Nosit, “A ka nevojë për fe”, prof. Gurakuqi shkruan: “A asht e nevojshme feja? Kjo asht nji pyetje, s’cilës nuk mund t’i jepet përgjegje me tri faqe të Revistës. Kjo çashtje asht rrahë qysh se njeria merr mend e shqisë, prandaj nuk mund të zgjidhet ashtu në kambë e në dorë. Ua lamë këtë detyrë theologëvet”. (Nëpër Vullajet e Shejzave”, fq. 87). Kjo bejtë artistike 15 strofash, xhevahir i rrallë i ksaj gjinie poetike, thumbon edhe ata që nuk njohin mundimin e atyre që shkruajnë pastër dhe dlirtë: E ne askush s’na e çmon mundimin qi përpiqna me gjith shpirt për t’ia shtue Shejzave çmimin me nji shtyp t’pastër e t’dlirtë. Në fund të kësaj poezie gjendet ky shënim i redaksisë: “këto ‘vargje të lira’ të prof. Koliqit po i botojmë për me tregue e me vu në dukje harmoninë e vllaznimin që mbretnonte ndërmjet Atij dhe bashkpuntorvet. Ndodhte shpesh që Koliqi, dr. Nos Qirjako i paharrueshëm e i kunati, dr. PetroVuçani, të qëndrojshin gjith ditën në shtypshkronjë për të qortue shtypajt e në pritje që këta t’ishin gadi. Ai “trillonte” të tilla vargje e mbasi i lexojshin ia dërgojshin t’interesuemit, siç asht rasa e këtyne drejtue mikut e bashkëpuntorit, prof. Dr. Martin Camaj”. (“Shejzat”, numër përkujtimor kushtue prof. Koliqit, fq. 238). Traditën e bejteve shkodrane, si të gjitha traditat tjera shqiptare, prof. Koliqi i mori me vete në mërgim dhe në mënyrë të pashoqe i shprehi me shkrim. Sajimi aty për aty i bejteve ka qenë një dukuri e zakonshme në Shkodër, sidomos ndër gosta, dasma e raste të tilla, ku ftoheshin qëllimisht bejtexhinj për ta bërë atmosferën sa më të gëzueshme. Në periudhën e sundimit komunist, bejtexhinjtë shkodranë i vejshin bejteve ngjyra politike. Shpesh bejtet kishin vlera të larta artistike. Për t’u përmendur në këtë lëmë janë humoristët Pjetër Gjini, Ndoc Vasija, Gjosho Vasija. Poeti Pjetër Gjini qe burgosur për një periudhë të gjatë, sepse kishte botuar, para së ta merrnin pushtetit komunistët, një vëllim poetik, ku satirizoheshin Stalini dhe komunistët”.
Shkrimtarët dhe poetët klasikë të shkollës shkodrane-kosovare, sidomos ata të klerit katolik, i kanë përdorë shumë bejtet kundër njëri-tjetrit. Midis tyre është dalluar Fishta. Në mërgim për bejte të tilla të nivelit artistik janë dalluar Ernest Koliqi dhe Zef Nekaj. Për bejtet shkodrane të frymës popullore ka qenë e njohur zonja Sadete Juka. Ato bejte mund të gjenden në korespondencën e tyre me miqtë dhe në kujtesë të personave me të cilët kishin miqësi. Revista “Shejzat” u botua me vështirësi të mëdha financiare. Ajo u mbajt në saje të shpenzimeve personale të pronarit, miqve të tij të ngushtë, një numri të kufizuar pajtimtarësh dhe ndihmës së Komitetit “Shqipëria e Lirë”, i cili dha 200 dollarë për çdo numër të revistës. Ndërkaq, zilia rreth daljes së “Shejzave” në mënyrë të përkryer, ku merita kryesore i përket Vuçanit, kujtohet nga shumë intelektualë të Kosovës. Megjithëse qarkullimi revistës ishte i ndaluar në Jugosllavi, “Shejzat” depërtonin në qarqet intelektuale, për arsye se aty trajtoheshin rregullisht problemet e Kosovës dhe zhvillimi i saj në fushën e arsimit dhe të kulturës. Një intelektual nga Luma (z. Sabri Domi), mik i prof. Tajar Hatipit – letrar i njohur dhe bashkëpuntor i revistës “Jeta e re” e Prishtinës, kujtonte këtë rast: “Një ditë Tajari hyri i zemruar në zyrë të redaksisë. Na tregoi një numër të “Shejzave” dhe e shfryni mllefin në këtë mënyrë: “Turp për ne, jemi nji shtab prej 50 vetash që punojmë për revistën “Jeta e re”; shteti na paguan rrogën dhe e financon botimin ndërsa revista del me gabime të pafalshme, e shihni këtë revistë, botohet nga një njeri, redaktohet nga një njeri dhe del pa asnjë gabim;” botohet me ndihma vullnetare dhe korrektohet pa asnjë pagesë, korrektor dhe stilist i pa shoq. Të korrigjosh, të qortosh shtypajë, duke ruajtur deri në paprekshmëri stilin e autorit, ta gdhëndësh atë me mjeshtri pa asnjë gabim gjuhësor, ortografik është një punë e rëndë dhe me përgjegjsi të lartë morale, të cilën mund ta bënte vetëm një njeri si Petro Vuçani. Ndryshe nga shumë redaktorë dhe korrektorë të sotëm, të cilët jo vetëm ndryshojnë surratin e shkrimit të cilin nuk e njef autori, por në shkrime të huaja futin edhe pikëpamjet e veta politike. Veprat më të rëndësishme letrare që dolën në mërgim janë korrektuar nga Petro Vuçani. Prof. Camaj, At Danjel Gjeçaj dhe Vuçani punuan gjashtë muaj për përgatitjen e “Lahutës së Malsis” të financuar nga Komiteti “Shqipëria e Lirë”. Kryevepra e Fishtës doli në qarkullim në vitin 1958, dhe cilësohet si botimi më i përsosur deri më sot, përfshirë edhe botimin kur ishte autori gjallë. Përveç veprave letrare të prof. Koliqit, Vuçani u mor me korrektimin e të gjitha veprave letrare të prof. Camajt dhe shumë vepra të tjera letrare e shkencore të autorëve shqiptarë dhe arbreshë. Lidhur me botimin e veprave të prof. Camajt, z. Kostantin Papaj shkruan ndër të tjera: “Seria e botimeve të veprave shumëvëllimshe të Martin Camajt është i vetmi shëmbëll i shkëlqyeshëm botimi mjeshtrie të përsosur. Nuk është parë asnjë libër shqip që të ketë një paraqitje kaq estetike të lartë dhe pa asnjë gabim shtypi nga çdo lloj pikëpamje. Një botim i tillë mund të krahasohet vetëm me botimet më të përsosura të letërsive të mëdha evropiane. Sigurisht, lavdi i parë në këtë mes është i Petro Vuçanit si shkronjëtor e si estetist i përkryer”. (Kostatin Papaj: “Petro Vuçani – Ose Drita e Syve të Shqipes”, Dielli, 16 janar 1983).
Prof. Camaj, ndryshe nga shumë shkrimtarë dhe studiues të tjerë, kur fillonte ndonjë vepër letrare apo studim shkencor ai vazhdimisht u shkruante miqve dhe i njoftonte për veprën që kishte në dorë. Shumë herë u dërgonte atyre edhe kapituj të përfunduar që t’i lexonin para se të vihej në shtyp libri. Gjatë shkrimit të romanit “Rrathët”, vepër letrare që besoj se dikur do të shikohet si kryevepra e tij, Camaj më ka dërguar dy-tri letra. Në përgjigje të një letre ai shkruan: “pyetjes rreth romanit “Rrathët” po i përgjigjem shkurt. Unë e kam mbarue punën time, ja kam dërgue Petraqit për zbardhje. Së shpejti, mbrenda dy-tri javësh, do të vëhet në shtyp”. Edhe veprat E tjera, si romanet “Karpa”, “Shkundullima” dhe përmbledhjet poetike, “Madrigale” e “Poezi 1953-1967” janë korrigjuar nga Petro Vuçani. Prof. Camaj i botoi veprat e veta në Romë për dy arsye: shtypi ishte më me leverdi dhe pranë shtypshkronjës ishte Petraqi. Në një letër ai shkruan se “pa Petraqin shkrimet e mija mbeten si peshku pa ujë”. Petro nuk ishte vetëm korrektor i njohur, por edhe një prej mjeshtërve më të mëdhenj të estetikës në kohën e tij. Çdo punim që preku me dorë shkëlqen nga ana e estetikës. Ai ishte redaktor i pashoq në kujdesjen e ruajtjes të stilit të shkrimit. Për nga shpejtësia e korrektimit Petros nuk i afrohej kush. Kujtoj këtë rast. Në shtator të vitit 1980, z. Krasniqi dhe unë kishim përgatitë numrin e gazetës “Shqiptari i Lirë”. Po dilja nga zyra për të vajtur në shtypshkronjë kur papritmas erdhi Petraqi. Gjatë bisedës, z. Krasniqi e njoftoi se gazeta ishte gati për shtyp dhe i kërkoi t’i hidhte një sy kryeartikullit. Brenda një ore ai i shikoi afër 60 faqe makine dhe të gjitha bocet i bëri të kuqe më një stilolaps që i dhashë. Së bashku e daktilografuam përsëri tërë lëndën. Po të krahasohet ky numër i gazetës me numrat tjerë, shihet se është korrektuar nga dora e mjeshtrit.
.
Dielli – January-September 2001 faqe19/ Dielli
.
Lazër Radi dhe Petro Vuçani (kunati i Koliqit) - Romë qershor 1991
Lazër Radi dhe Petro Vuçani (kunati i Koliqit) – Romë qershor 1991
***
Pas vdekjes së prof. Koliqit dhe mbylljes së “Shejzave”, emri i Petro Vuçanit duket vazhdimisht në faqet e gazetave dhe revistave të mërgatës shqiptare dhe atyre arbëreshe të Italisë. Vite me radhë bashkëpunoi me gazetën “Dielli”, kur drejtohej nga Xhevat Kallajxhiu. Ai shkroi rregullisht për gazetën “Shqiptari i Lirë”, organ i Komitetit “Shqipëria e Lirë”. Me pseudonimin Pjetër Pal Vani dhe me emrin e vet bashkëpunoi me revistën “Koha e Jonë”, organ i Bashkimit Demokratik Shqiptar, që drejtohej nga Lec Shllaku. Petraqi ishte pjesëtar i redaksisë në “Buletinin Katolik Shqiptar”, i drejtuar nga Gjon Sinishta, një prej revistave më serioze që është botuar në Shtetet e Bashkuara, kryesisht në gjuhën anglishte. Ai bashkëpunoi edhe me buletinin e Bllokut Kombëtar Indipendent “Lajmëtari i të Mërguemit”, me të përkohshmet “Katundi Ynë”, revistë kulturore, e drejtuar nga Demetrio Emanuele, revistë kulturore arbëreshe e drejtuar nga Demetrio Emanuele, “Dëshira”, revistë letrare që botohej nga Klubi Letrar “Jusuf Gërvalla”, “Qëndresa” revistë që drejtohej nga shkrimtari dhe poeti Kosovë Rexh Bala dhe me “Arbëria”, revistë e shkrimtarit arbëresh Vinçenc Golleti Bafa.
Në këto botime janë qindra artikuj, analiza poetike, recensione veprash të ndryshme politike dhe letrare të shkruara nga Petro Vuçani.
Në vitet 1985-1994, Vuçani punoi si gazetar, përkthyes, folës, analist i lajmeve në emisionin e gjuhës shqipe të Radio Romës.
Këtu duhet përmendur fakti se Petro Vuçani përktheu nga shqipja në italisht dhe anasjelltas shumë studime që lidhen me fusha të ndryshme, sidomos me letërsi, të cilat u botuan në revistën “Shejzat”. Në këto përkthime nuk figuron emri i tij, por bashkëpuntorët e revistës e pohonin këtë. Ai së bashku me prof. Zef Nekajn përktheu librin e jezuitit Giacomo Gardini: “Dieci anni di prigioni in Albania” (“Dhjetë vjet burg në Shqipëri” 1944-1955). Përktheu, gjithashtu, dy vepra të shkrimtarit arbëresh Cosmo Lauddone: “La Genesi”, (Gjeneza) dhe “La tragedia dei Pettinari”, (Tragjedia e krehërpunonjësve). Petraqi shkroi shumë punime në gjuhën italiane për revista të ndryshme arbëreshe. Studiues të njohur e çmojnë lart përkthimin dhe e vënë atë në një radhë me krijimin e veprave origjinale. Vështirësitë e një përkthimi të mirë janë të mëdha. Vuçani, duke pasur njohuri të thella në të dy gjuhët, shkëlqen si përkthyes.
Në fushën e gazetarisë, megjithëse hyri vonë, është shumë prodhues.
.
Vepra te Martin Camajt
Vepra te Martin Camajt (shpesh e redaktuar nga Vuçani)

“Fletë lajmesh të ndryshme”

Petraqi e nisi karierën e tij të vrullshme në gazetari pas vdekjes së prof. Koliqit dhe mbylljes së revistës “Shejzat”. Nga modestia e tij karakteristike, rrallë përdor emrin në shkrimet e veta gazetareske; ato i nënshkruan me gërmat: P. V. dhe pseudonimin Pjetër Pal Vani.
Për vite me rradhë, dr. Vuçani botoi një buletin lajmesh me titull: “Fletë lajmesh të ndryshme”. Çdo buletin përmban 12 deri në 25 faqe të daktilografuara në makinë dhe të shumëzuara. Numri i kopjeve ishte i kufizuar, zakonisht ai e bënte këtë për të mbajtur miqtë dhe qarqet e interesuaranë dijeni me zhvillimet politike, ekonomike, shoqërore dhe kulturore në Shqipëri, në Kosovë dhe në mërgim. Në një letër përcjellëse, bashkë me buletinin e lajmeve (24 gusht 1982), Petraqi shkruan:
“Tash mund të besohet se Enver Hoxha është në gjendje të rëndë shëndetësore dhe në breg të varrit. Unë nuk besoj se vdekja e tij mund të sjellë ndonjë të mirë ose ndryshim, pasi pasardhësi i tij do të mbetet sigurisht Ramiz Alia. Edhe po të mbetet tjetër, nuk do të jetë më i mirë se ky. Këta janë ndrye në lëkurën e tyre për dekada me radhë dhe të gjithë janë përgjegjës, për të mos thënë, i kanë duart e lyera me gjak. Asnjë e mirë nuk mund të pritet nga asnjëri prej tyre. Shqipëria është shkatërruar plotësisht dhe shpesh kemi pasur iluzione gjoja për një farë përparimi të vendit. Përparimi sipas burimeve të ndryshme është nën zero. Mjerë vendi ynë se në ç’gjendje ka ra! Ndoshta do të duhen dekada të tëra mundi dhe sakrificash për ta nxjerrë Shqipërinë nga fundi i ferrit. Nesër, po ra komunizmi, do të ballafaqohemi si komb dhe shtet me të papritura, me anarki, me korrupcion, vëllavrasje e pasiguri dhe me të gjitha të këqijat që mund të mendohen dhe të mosmendohen…”.
Buletini i lajmeve, i përgatitur nga Petraqi, merret me të gjitha fushat e zhvillimeve në Shqipëri, qofshin politike, ekonomike, shoqërore dhe të arsimit. Ato nuk janë thjesht lajme të rastit, por janë analiza të thella të mbështetura në burime të ndryshme, sidomos në shtypin e njohur evropian.
Në këtë buletin lajmesh, Petroja i dha rëndësi të veçantë Kosovës, sidomos gjatë viteve 1980, 1981, 1982. Lajmet i përcjell me hollësi, sa lexuesi mund të çuditet se me çfarë përpikmërie i ka ndjekur problemet. Në buletinin e tij, jo vetëm që shkruhet rreth demonstratave të vitit 1981, por të gjitha ngjarjet analizohen thellë dhe jepen të dhëna të hollësishme rreth të gjitha persekutimeve serbe në Kosovë. Në një buletin (tetor 1981), Petraqi shkruan: “Serbët thonë se këta “kundërrevolucionarët” duan të bashkohen me Enver Hoxhën: gënjeshtër e mashtrim i poshtër; Kosovarët sot përpiqen për të fituar “barazinë” me të tjerët dhe nuk janë as komunista, as marksista-leninista e as enverista: kanë qenë e janë shqiptarë, e të tillë dëshirojnë të mbesin. Parrullat e ndryshme shpifëse jugosllave kundër rinisë dhe inteligjencës shkollore shqiptare të Kosovës kanë qenë dhe mbeten demagogji e paskrupullt për të realizuar ëndrrat e vjetra të serbëve – zhdukjen e shqiptarëve të Kosovës nga trojet e veta.
Rinia heroike kosovare po vazhdon luftën me çdo mjet. Bota perëndimore duhet të ketë parasysh sakrificat e flijimet e panumërta të këtyre heronjve të Kosovës Kreshnike. Kam frikë se në një ditë jo të largët, serbët e egër dhe arrogantë të njohur gjatë gjithë historisë së tyre, do ta lajnë Kosovën tonë në gjak. Kam frikë se askush nuk do t’i dalë në mbrojtje Kosovës sonë. Ajo Zotin pastë në ndihmë se sa për ne mund të çfaroset nga serbët”.
Në numrin e fundit të gazetës “Shqiptari i Lirë”, Rexhep Krasniqi shkruan për këtë buletin lajmesh: “Tash sa vjet botohet një Buletin me lajme, komente dhe shpjegime sqaruese të natyrës politike, ideologjike, ekonomike, fetare e shoqërore. Në tërësinë e tyre, lajmet kanë të bëjnë me çështje të kombësisë shqiptare në botë. Në mungesë të një shtypi të rregullt shqip, “Fleta e lajmeve”, që përpunohet, redaktohet dhe botohet personalisht nga pena e shkathët e dr. Petro Vuçanit, është bërë burim me rëndësi informative për shqiptarë dhe të huaj në perëndim. Fleta ose lajmet e saj janë ribotuar në shtypin e mërgimit dhe në broshura të posaçme. Autori me modestinë e vet karakteristike ka qëndruar përherë në prapaskenë, megjithëse ai ka ndihmuar si korrektor i përpiktë në shumë vepra e botime letrare shqipe në perëndim. Vendi i daljes: Romë, Itali, shkrimet janë të daktilografuara dhe të shumëzuara. Deri në fund të vitit 1982, janë botuar 33 numra shumëfaqesh”. (“Shqiptari i Lirë”, nëntor 1982).
.
Prof. Koliqi midis Znj. Matilda Mancinelli Dreshtoresh e "Shejzave"dhe se shoqes Vangjelija Vuçani
Prof. Koliqi midis Znj. Matilda Mancinelli Dreshtoresh e “Shejzave”dhe se shoqes Vangjelija Vuçani (motras e Petros)

“Drita e syve të shqipes” edhe sot tretet në mërgim

20 vjet më parë, Kostandin Papaj shkroi artikullin me titull: “Petro Vuçani – ose Drita e Syve të Shqipes”. Në artikull bëhet fjalë për mundin e vlerën e panjohur të “shkronjëtarëve” në përgjithësi dhe të Petro Vuçanit në veçanti. Z. Papaj thotë se “në historinë e një letërsie është gjë e rëndomtë kur përmenden vjershëtarët, shkrimtarët apo tregimtarët e hulumtuesit e gjithmbarshëm, duke përfshirë edhe përkthyesit artistikë. Nuk di të jetë përmendë ndonjiherë radhitësi i shkronjave apo gërmave, apo qortuesi e ndreqësi i gërmave të shtypit”. Ai bën dallim midis letërsive të mëdha botërore dhe atyre të vogla, duke theksuar se një letërsi e madhe botërore është aq e ngjeshur në vetvete sa nuk ka vend për të përfshirë të gjitha të mirat mbrenda, kurse letërsitë e vogla, si është ajo e shqipes, dallohen nga kjo pikëpamje.
“Në historinë e letërsisë shqipe, – thotë ai – përmenden me të drejtë ata zelltarë që në hejbet e karavanxhive sillnin shkronjat shqipe mes rreziqeve të sundimit turk që i kishte bërë benë shkronjës shqipe”. Simbas tij “Petro Vuçani zgjodhi punën më fatbardhë që kishte në shpirt: qortimin e drejtë të shkrimit”.
Pas vlerësimit të punës së Vuçanit si korrektor i gjuhës shqipe, z. Papaj e mbyll shkrimin e tij me këtë paragraf: “Do të vijë një ditë, kur Gjergj Fishta, Jeronim de Rada, Naim Frashëri, Fan Noli dhe kapedani i dy dialekteve shqipe, Kostandin Kristoforidhi e të tjerë ustallarë të shqipes do të shkundin pluhurin e varrit e me shkop në dorë do t’i bien kryq e tërthor vatrës shqiptare për t’u thënë nipave e stërnipave një fjalë të mirë shqip e shqiptarçe; dhe këtë do ta bëjnë kur të kenë përshëndetur së pari vatrën me kongjijtë e ndezur të shtëpisë së Petro Vuçanit. Dhe ky, me ata sytë e thellë si thellësia e shpirtit të lashtë arbëror do të mbetet pa një fjalë në gojë, sepse fjalët e tij, së bashku me shkronjat shqipe, janë nisur me atë meteorin e përflaktë në brezninë e ardhëshme”.
Petro Vuçani, dikur punëtor i palodhur, njeri i humorit dhe i seriozitetit, gjithmonë bujar, korrekt dhe i dashur me shokët, sot në moshë të thyer, pa dritën e plotë të syve, banon në një studio modeste afër Abacisë së famëshme të Grottaferratas, në periferi të Romës. Megjithëse vuan nga sytë dhe ecën me vështirësi, deri para pak muajsh shkonte përditë në bibliotekën e njohur të Abacisë. Mblidhte libra të ndryshëm shqip, të rinj e të vjetër, dhe përpiqej të pasuronte sa më tepër këtë bibliotekë, e cila është një ndër bibliotekat më të pasura të botës për studime shqiptare.
Pas rënies së komunizmit, në periudhën e pushtetit demokratik të presidentit Berisha, Petroja u përpoq disa herë të kthehej në vendlindjen e tij të dashur, por nuk ia arriti qëllimit. Ai nuk ka shtetësi italiane, ende mban dokumentat e refugjatit politik shqiptar, megjithëse po bën në atë vend 60 vjet. Simbas ligjeve italiane, personat me dokumenta të tillë nuk mund të udhëtojnë lehtë jashtë vendit, sidomos në Shqipëri. Tani ai nuk është më në gjendje fizike të bredhë zyrave të ndryshme dhe të interesohet për rregullimin e dokumentave të udhëtimit. Megjithkëtë, ende është optimist se një ditë do të kthehet në atdhe.
Nëse arrin të kthehet në Tiranën e tij, aty ku lindi dhe u brymos me virtytet më tipike të shqiptarit, do të jetë mërgimtari i fundit që kthehet kryelartë në vendlindje për shërbim që i bëri kulturës kombëtare dhe atdheut. Nëse nuk arrin të kthehet i gjallë, kutura jonë kombëtare, për të cilën punoi një jetë të tërë, dhe atdheu, Vuçanit i mbetet borxh, të paktën për ta kujtuar me mirënjohje të thellë për shërbimet që i bëri.
.
Dielli – October-December 2001 page 16/ Dielli
.
Titulli Redaksional nga radiandradi.com
.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.