
Abdulla Rami – Në liceun francez të Korçës 1928
Kronologjia e jetës së Abdulla Rami
Abdulla Rami lindi më 20 maj 1908, në Tatzat të Delvinës në gjirin e një familje atdhedashëse shqiptare.
Në 1914, pas djegjes se fshatit te tij nga grekët largohet bashkë me familjen nga atdheu dhe jeton ne Egjipt.
Në fillim të viteve ’20, kthehet së bashku me nënën dhe vëllezërit e tij në Shqipëri, ku përfundon mësimet fillestare në Delvinë.
Në vitet 1927-1931, vazhdoi studimet në liceun francez të Korçës, ku mori njohuri në shkencat ekzakte e shoqërore dhe veçanërisht në filozofi.
Në vitin 1931, diplomohet në liceun e Korçës në degën e filozofisë. Diploma e tij e Bakaloreatit të Liceut të Korçës, regjistruar me numrin 81/166, dhe e firmosur nga Drejtori i Liceut të asaj kohe, Perret Léon, është akorduar në vitin 1931, dhe ruhet në arkivin Montpellier, në Francë. Bashkënxënës me diktatorin Hoxha në liceun Francez të Korçës, pikëpamjet e tyre politike të kundërta, xhelozia dhe inferioriteti kulturor i diktatorit, nuk kursyen vënien e tij në pranga, menjëherë pas vendosjes së pushtetit diktatorial në Shqipëri.
Në vitet 1931-1936, fillon aktivitetin e tij si misionar i dijes në Fier, Përmet dhe Delvinë. Në këto kohëra të trazuara, mësonjësi i ri, u bë përçues i vetëndërgjegjësimit, vëllazërimit dhe bashkimit kombëtar, si një platformë themelore që duhet të qëndronte mbi besimet dhe përkatësitë fetare.
Në 26 Korrik 1936, martohet me Gjyrxhi Pagrinë.
Në shtator të vitit 1936, niset për studime në Francë, Montpellier.
Në 17 maj 1937, i lind vajza e tij e parë Thëllënxa.
.

Studentë shqiptarë në Montpellier,
mes tyre Studenti Abdulla Ramì
.
Në vitin 1936 – 1940, vazhdon studimet në Universitetin Montpellier në Francë dhe laurohet në Drejtësi Internacionale, në Fakultetin e Drejtësisë të atij Universiteti. Dosja e tij universitare, gjendet në fondin e arkivit e Fakultetit të Drejtësisë, në arkivat Departamentale Herault të këtij qyteti dhe ruhet e plotë që prej vitit 1936, në regjistrin me numrin 8 ETP 60426. Në këtë dosje ndodhen dy diploma të laurimit të tij në jurisprudencë nga Universiteti Montpellier: Diploma e parë e akorduar në vitin 1939, nga Ministria e Arsimit të Francës dhe nënshkruar nga Rektori i Akademisë Montpellier, Jean Zay, ndërsa diploma e specializimit në Drejtësi Ndërkombëtare dhe Ekzekutive, është akorduar në vitin 1940 dhe nënshkruar nga Ministri i Arsimit të asaj kohe, Albert Sarraut.
Në 11 tetor 1940, i lindi vajza e dytë Rufia.
Më 1 Korrik 1940, emërohet gjykatës në Përmet
Më 9 Korrik 1941, emërohet gjykatës në Konispol.
Më 18 Prill të 1942, emërohet gjyqtar i klasit të parë në administratën juridike të Gjilanit, Kosovë. Admirues i traditës, zakoneve, dokeve dhe riteve kombëtare, adhurues i Rilindasve dhe Shqipërisë Etnike, ai mbron me përkushtim të drejtën legjitime të popullit shqiptar në Kosovë duke e konsideruar punën e tij si një prolog të aktit të madh të bashkimit kombëtar dhe përfundimtar të trojeve etnike shqiptare. Në pak kohë atje ai ia doli të shqiptarizonte plotësisht institucionin juridik të Gjilanit të dominuar plotësisht nga elementet serbe apo pro serbe. Aktiviteti i tij në Kosovë, u përfshi fuqishëm në sistemin juridik të kohës me synimin kryesor: shkëputjen e mendësisë orientale shqiptare dhe orientimin e saj në çdo pikëpamje drejt traditave demokratike perëndimore.
Në 12 gusht 1943, i lindi vajza e tretë Fatmira.
Ne vitet 1943-1944, aderon në rradhët e Organizatës “Balli Kombëtar”, si shpjegues i qartë e bindës i vlerave të nacionalizmit, për idealin e një Shqipërie të lirë e Etnike. Ai është në këtë kohë sekretar i kësaj organizate dhe një nga personalitetet më me influencë në qarkun e Gjirokastrës, një nga figurat më të shquara, mendjet më të ndritura, shpirtrat më fisnikë, vullnetet më të hekurta, që përjetëson e përfaqëson vlerat e larta të nacionalizmit kombëtar për një Shqipëri Etnike; arsye për të cilat “dënohet me vdekje” prej qarkorit komunist.
Gjatë vitit 1943, kundër tij kryhen dy atentate, por për fat ai vetëm plagoset.
Më 16 Dhjetor 1944, arrestohet nga komunistët dhe vihet në pranga si kundërshtar i regjimit komunist të sapo ardhur në fuqi, i privohet liria dhe e drejta e ushtrimit të profesionit.
Më 6 gusht 1945, vihet përpara trupit gjykues komunist. Prokurori në pretencën e tij kërkon dënimin e tij me vdekje. Vendimi i gjyqit e dënon fillimisht me burgim të përjetshëm pastaj me 30 vjet burg, nga të cilat vuan 18 vjet në birucat e Burrelit, në një nga burgjet më famëkeqe në Shqipëri, në muret e të cilit ishte shkruar me gërma të mëdha: “Burgu i Burreli – Kampi i çfarosjes së armiqve të popullit”.
.

Pak kohe para arrestimit Nga e majta në të djathtë :
Hamit Rami, Abdulla Rami, Fejzo Hoxha, Hasan Rami – Tiranë 1943
Më 8 Maj 1962, lirohet nga burgu. Në vitin 1965, dëbohet familjarisht në Gosë të Kavajës dhe bën punë krahu të detyruar. I mohohet e drejta e ushtrimit të profesionit si jurist dhe detyrohet të punojë si hekurkthyes, pastaj në ndërtim e së fundi punëtor krahu në bujqësi, ku punon deri në fund të jetës së tij.
Sfidant e stoik ndaj sëmundjes së shpifur nga vuajtjet e burgut ai ngrihet edhe mbi vështirësitë ekonomike me optimizmin e madh në të ardhmen dhe për fundin e shpejtë e të turpshëm të regjimit totalitar në Shqipëri, nuk pranon asnjë lloj konformizmi me komunistët.
Intelektuali i formuar në Liceun francez të Korçës dhe juristi i diplomuar në Jurisprudencë në Montpellier, qëndrestari i papërkulur në bindjet e tij: Vazhdon të shkruaj e të përkthejë pamfletet historike të autorëve francezë dhe anglezë si: Viktor Hygo, Clarence Dey, Henry Van Dyke, William Ernest Henley, Lord Byron, James Montgomery, Walter Skott, Emily Jane Brontë, William Johnson Cory, Andre Chénier; studioi dhe analizoi vepra të ndryshme si “Drejtësia e Paqes”, “E ardhmja e qytetërimit” apo “Atala René” të Chateaubriand, “Njeriu komunist” të Aragonit e të tjerë, duke përcjellë në mënyrë të qartë shpresën, optimizmin dhe thirrjen për domosdoshmërinë e një lëvizje popullore anti-komuniste. Nga përkthimet e tij kanë shpëtuar dy vepra të plota “William Shakespeare”, shkruar nga Victor Hugo dhe “Arti në pikëpamje sociologjike”, një analizë filozofike e Jean-Marie Guyau; vepra të cilat së shpejti do të gjejnë dritën e botimit.
I mbylli sytë më 29 janar të vitit 1973.
Më 19 shkurt 1996, Republika e Shqipërisë dhe Presidenti i saj e dekorojnë me titullin: “Martir i Demokracisë” me motivacionin “Luftëtar i vendosur kundër komunizmit për një Shqipëri Demokratike, i masakruar mizorisht nga regjimi komunist.”
Marrë nga libri që del së shpejti i Ermira Xhomaqit – Përtej harrimit – Nga auditoret franceze në humnerën e diktaturës.
Abdulla Rami (1908-1973),
një figurë për të cilën do të flitet gjithnji e më tepër.
Përmasat e tij të vërteta, shpejt do të paraqiten
përmes nji libri, punuar me shumë dashuri nga një mbesë e tij.
Radiandradi.com, deri në promovim të kësaj vepre
do të sjellë gjurme të kësaj figure plot dritë,
dhe grimca nga jeta dhe vepra e këtij njeriu
që dashurinë për vendin e tij,
e përcoi përmes sakrificave pafund…