back to top
32.5 C
Tirana
E shtunë, 22 Qershor, 2024

Musine Kokalari (1917-1983) simbol i “Poezisë” dhe i “Bukurisë”… nga Gëzim Hajdari

Gazeta

Musine Kokalari para gjyqit...
Musine Kokalari (1917-1983) para gjyqit…

Musine Kokalari (1917-1983) simbol i Poezisë dhe Bukurisë

nga Gëzim Hajdari

pjesë e shkëputur nga “Gjëma” – Genocidi i Poezise Shqipe

Musine Kokalari (1917-1983) është simboli i “Poezisë”
dhe i “Bukurisë” në letërsinë femërore shqiptare.
Gruaja më e kulturuar e vendit vdiq në vetmi në një kamp interrnimi,
e sëmurë rëndë dhe e braktisur prej të gjithëve.
Nuk e lejuan të shtrohej në spital si “armike e popullit”!
Sipas ligjit, askush s’duhej t’i afrohej Musinesë.
Për dekada të tëra u detyrua të kryej punë krahu
e të banojë në një stallë të vjetër, të ftohtë e me lagështi.
.
Gezim-Hajdari - 2007
Gezim-Hajdari – 2007

Musineja u arrestua dhe u burgos sepse gjoja donte të rrëzonte pushtetin me dhunë. Veç kësaj, diktatori e akuzoi si “antikomuniste e antiparti“, vetëm pse Musineja kish kërkuar pluralizëm politik në Shqipëri. Por shkaku i vërtet i dënimit të saj ishte bërë një notë drejtuar aleatëve anglo-amerikanë në nëntor 1945. Ideatore e notës ishte ishte Musine, bashkë përfshihej edhe një koalicion demokratik (ku merrnin pjesë anëtarë të monarkistëve të rezistencës dhe të Social-Demokratëve), duke kërkuar që të shtyheshin zgjedhjet e janarit 1946, në mënyrë që të merrnin pjesë në zgjedhje edhe forcat e tyre politike. Për të aritur këtë gjë, ata kërkonin, përmes kësaj note, ndërhyrjen e aleatëve. Në shënimet e saj, Musine Kokalari shkruan: “Unë mora penën, përpilova notën. Atë e firmosën katër zogiste, katër të rezistencës, unë dhe Musa Dizdari, një shoku t’im në trurin social demokrates. (…) një kopje e shpuri Shaban Balla tek anglezët dhe një kopje tek amerikanët. Unë pata vetëm rastin të flitja me oficerin Palmer, që të përkrahnin këtë hap në qoftë se donin që zgjedhjet të ishin demokratike, siç pretendonin ata. Mirëpo aleatët nuk ndërhynë pranë Qeverisë. E lanë në heshtje. Dhe qe një rast që të faktonin se kishin forca në vend që të donin zgjedhje me shumë parti. Ata nuk e bënë! Përse vallë?(…) Po të kishin lojtur hapur, anglo-amerikanët e kishin të lehtë të thoshin se elementëve demokratë nuk u lejohet pjesëmarrja në zgjedhje, për të cilin kishin një dokument dhe zgjedhjet nuk ishin demokratike, pasi nuk muarën pjesë dhe parti të tjera. Argumentin e shëndoshë e humbën ata vetë dhe ne na rënduan akuzën, me heshtjen e tyre…”45

Për shkak të notës dërguar në vitin 1945 ambasadës amerikane dhe asaj britanike, u dënuan me burg 37 intelektualë të shquar. Është pikërisht ky “borxh” i vjetër që shpjegon sot, vizitën e paradokohshme të ambasadorit amerikan në Tiranë, John Withers, në shtëpinë e Musine Kokalarit, në Gjirokastër. Madje diplomati i Shtëpisë së Bardhë është shprehur që shtëpia ku lindi poetja, shkrimtarja dhe politikanja të kthehet në muze.46
.
Musine Kokalari (1917-1983)
Musine Kokalari (1917-1983)

Musine kaloi 35 vjet të jetës së saj nëpër burgje dhe kampe internimi.

Ditën e varrimit Musinenë e çuan në varreza me “zis-in” e ngarkur me zhavorr. Në të dyja anët e rrugës ishin vendosur dy parrulla me gërma të mëdha: “Rroftë Partia dhe udhëheqësi ynë i lavdishëm Enver Hoxha!” sidhe “Rroftë Marksizëm- Leninizmi!” Kur familjarët e zhvarrosën eshtrat e saj, pas përmbysjes së diktaturës, i gjetën këmbë e duar lidhur me tela me gjëmba. Musine Kokalari nuk kishte bërë asnjë krim, veç dashurisë për artin, prosperitetin dhe vendin e saj, Shqipërinë. Kundër saj u hakmorr in persona vetë diktatori, Enver Hoxha, që ishte edhe kushëri jo fort i largët i saj.
Në librin e tij Vajza uragan,47 studiuesi Novrus Shehu, midis të tjerash, shkruan se diktatori Enver Hoxha ishte dashuruar pas Musinesë dhe ëndërronte ta kishte si bashkëshorte, dëshmon për këtë fakt një epistolar që ruhet në arkivin e shtetit. Ishin kushërinj të dytë. Musineja, kërkesën e Enver Hoxhës, e hodhi poshtë me neveri, si intelektuale dhe antikomuniste e vendosur. Këtë dashuri të mohuar, “kasapi i kuq” s’do t’ia falte kurrë kushërirës së tij të hijshme e të mençur. Pa refuzimit të Musinesë, në vjeshtë të vitit 1941, Enveri, i zemëruar, shkon tek vëllai i kushërirës, Mumtazi (noter në atë kohë në Tiranë), dhe i përsërit propozimin. Të njëjtën përgjigje negative i dha Enverit edhe Mumtazi. Takimi midis tyre qe tejet i ndezur, madje Enveri e shoqëroi bisedën e tij me fjalë kërcënuese. Ja se ç’shkruan Mumtaz Kokalari në letrën që i dërgon Makbule Xhomo Vrionit, gruas së Feim Leskovikut, me të cilën ka pasur miqësi familjare:
“Zonjë e nderuar Makbule.
Po përjetojmë ditë të vështira. Kam vendosur me brengë në zemër, të largohem nga Shqipëria ime e bukur, nga familja e dashur… këtë vendim e mora mbasi më njoftuan disa nga miqtë e mi të besuar, se jeta ime dhe e të afërmëve të mi është në rrezik nga bashtua (vagabondi M. K) Enver Hoxha. Ai ka urdhëruar djajtë e kuq kundër nesh. Kjo kuptohet: Thjesht për motive personale… Kjo është fatkeqësi e kombit tonë dhe e Shqipërisë së gjorë, që ka rënë në duart e një njeriu të përbindshëm, tinzar, hakmarrës, inatçi, dinak, megaloman, egoist që i do njerëzit nën vete, kumarxhi, gënjeshtar dhe kur qe jashtë për studime nuk dha asnjë provim, mbeti pas kazinove etj. fëlliqi botën me borxhe. Ne intelektualët gjirokastritë ja dimë të gjitha dhe sa i vlen lëkura prandaj kërkon të na asgjësoj…”48
.
Musine Kokalarit, foto e marre nga dosja e saj, ish fondi sekret i Sigurimit, pjese e fondit te Autoritetit per Informim mbi Dosjet e ish Sigurimit te Shtetit 1944-1991.
Musine Kokalarit, foto e marre nga dosja e saj,
ish fondi sekret i Sigurimit, pjese e fondit te Autoritetit
per Informim mbi Dosjet e ish Sigurimit te Shtetit 1944-1991.

Fatkeqësisht, në 12 shtator 1944, kjo letër ra në duart e Enver Hoxhës. Letra është botuar në gazetën Luftëtari i Lirisë, botim i Organizatës së Bashkuar të veteranëve, më 21 nëntor 1944, nr. 8.

Papritur diçka e tmerrshme do të trondisë familjen e saj: fill pas mbarimit të luftës komunistët vrasin gjyshin e Musinesë, ndërsa në 12 nëntor 44 dy vëllezërit e saj Mumtaz e Vesim Kokalari arrestohen natën nga partizanët e pushkatohen pa gjyq në bodrumet e hotelit “Bristol”. Mumtazi, themelues i shkollës shqipe “Kosova” në Ejup të Stambollit dhe demokrat i shquar në kryesinë e shoqërisë “Bashkimi”, në degën e Gjirokastrës; shkrimtar dhe përkthyes, profesor në qytetin e lindjes. Tok me të vëllain Vesimin, themeloi shtëpinë botuese “Mesagjeritë shqiptare”. Kishte studiuar në Turqi, njohës i arabishtes, anglishtes, gjermanishtes dhe italishtes. Mori pjesë në revolucionin e ’24 në mbështetje të Nolit. Me kthimin në fuqi të ish-kryeministrit Zogu, burgoset sëbashku me të vëllanë. Në Stamboll kishte studiuar edhe Vesimi, profesor në në liceun francez të Gjirokastrës sidhe përhapës i flaktë i librave patriotikë shqiptar. Si Mumtazi, edhe Vesimi kishte mbështetur presidencën e Nolit, duke kundërshtuar sistemin e feudalit të Matit. Gjatë natës se 12 nëntorit të vitit 1944, tok me vëllezërit Kokalari, u pushkatua edhe një kushëri i tyre, Syrja Kokalari. Ndërsa në vitet e mëvonshme do të shfaroseshin Salim Kokalari, Ivzi Kokalari, Isa Kokalari, Vera Kokalari, Emin Kokalari, etj. Ndërsa Munir Kokalarin horrat e Enver Hoxhës e detyruan të vrasë veten. Pa përmendur për të dënuarit e të pushkatuarit në Kokalarët e Durrësit, si pedagogun Salim Kokalari etje. Komunistët nuk ngopen me krimet kundër fisit Kokalari, por rrafshuan edhe varrezat tradicionale të këtij fisi të nderuar e fisnik me tradita të vyera kombëtare. Sot, mbi kockat martire të Kokalarëve, është ngritur vila e konsullit grek të Gjirokastrës.
.
Në anijen “Augustus” drejt Libisë Prill 1939 Musine Kokalari ne qender me Liber Lazer Radi anash me te bardha.
Në anijen “Augustus” drejt Libisë Prill 1939
Musine Kokalari ne qender me Liber Lazer Radi anash me te bardha.

Në ditarin Mbi jetën time në të cilën shkrimtarja tregon jetën e saj, shkruan: “Komunistët më kanë varrosur të gjallë, sepse nuk u kërkova atyre falje për aktivitetin tim, në gjyq. Përse duhej ta bëja?… Nuk jam fajtore…” Musineja në gjyq u mbrojt vetë. Gjykata e Enver Hoxhës u tregua e pamëshirshme, mbasi i kishte vrarë dy vëllezër, e dënoi me 30 vjet burg, ku veç të tjerash komunistët i konfiskuan të gjithë pasurinë. Masakruar nga vuajtjet dhe nga punët e rraskapitëse në burg sëmuret rëndë. “Ç’fat tragjik – vazhdon rrëfimin e saj tronditës Musineja – edhe sëmundja më është kthyer kundër. Të paktën të kisha patur pak paqe në këto vitet e fundit të jetës… Kam njohur kulturën demokratike, tragjedinë e ngjarjeve revolucionare. Kam njohur gjyqet speciale. Kam bërë 16 vjet burg dhe 22 vjet internim, veç peripecive të tjera të pafundme… Kam njohur vetminë, shoqëri të rastit në qeli, gjithë ky tërmet në jetën time nuk ka shërbyer veç për të konsoliduar diktaturën e proletariatit. Shpesh mendoj me vete: përse jam ende gjallë, ndërsa s’ka ndryshuar asgjë?!

Kam 38 vjet që nuk di se ç’është familja!”49
Musineja u lind më 10 shkurt të vitit 1917, në Adale të Turqisë, vajza e një avokati të njohur. Katër vjet më vonë familja e saj kthehet në Shqipëri: fillimisht stabilizohet në Gjirokastër, ku Musineja përfundon shkollën fillore, më pas le Gjirokastrën për Tiranën. Në ’37, kryen studimet e mesme në liceun “Nëna Mbretëreshë”. Është një vajzë e re, e hijshme, me interesa të shumta, lexon, studion, shkruan dhe flet disa gjuhë të huaja. Në vitet ’30, boton disa studime gjuhësore sidhe tregime në revistat e kohës. Boton me Pseudonimin “Muza”. në moshën 22 vjeçare boton librin e parë me titull “Siç me thot nënua plakë”. Niset për në Romë dhe studion për letërsi në La Sapienza, ku laurohet me rezultate të shkëlqyera në Letërsi në vitin 1941. Gjatë këtyre viteve boton librin Jeta ime universitare. Refuzon proprozimin e dekanit të universitetit roman për të punuar si pedagoge pranë fakultetit ku kishte studiuar, zgjodhi rrugën e kthimit në atdhe, për t’i shërbyer vendit të saj të shumëvuajtur.
Në Tiranë, Musineja fillon një aktivitet të dendur kulturor dhe politik.
Gjatë pushtimit italo-gjerman, së bashku me një grup miqsh, themelon Partinë Socialdemokratike Shqiptare, e cila ngjalli mërinë e e padronëve të lëvizjes vëllavrasëse Nacionalçlirimtare Miladin Popoviçit dhe Dushan Mugoshës. Pikërisht në këto kohëra të zymta, vëllai i Musinesë, Hamit Kokalari, botoi librin e tij voluminoz, shkencor, demografik, Kosova djepi i shqiptarizmit. Më 1942, falë kontributit të sajë, do të dalë numri i parë i gazetës Zëri i Lirisë. Kjo grua e palodhur: shkruan, boton dhe merr pjesë aktivisht në jetën politike.
Në ’44, del libri i saj i dytë Rreth vatrës.
Ndërsa me 16 nëntor, katër ditë më vonë nga pushkatimi i të vëllezërve Mumtaz e Vesim, arrestojnë edhe shkrimtaren Musine Kokalari. Për 17 ditë rresht atë do ta mbajnë të mbyllur në qeli pa i shpjeguar asgjë. Në birucë keqtrajtohet dhe torturohet. Ndërkaq në ’45, del libri i saj i tretë. Ndërkohë merr pjesë në organizimin e demostratave antifashiste. Antikomunistja e bindur, Musine Kokalari, shihet si një kërcënim serioz për regjimin e zbritur nga mali. Për hijenat, ka ardhur çasti i volitshëm për t’u hakmarrë kundra saj. S’kalojnë shumë muaj, kur në 23 janar të ‘46, me urdhër të katilit Hoxha, arrestohet për të dytën herë. Kësaj rradhe dënimi është ekzemplar: 20 vjet burg të rëndë.
.
Musineja dhe i vëllai saj në Romë - 1940
Musineja dhe i vëllai saj në Romë – 1940

Musineja kaloi vitet e mbetura të jetës së saj nga njeri burg në tjetrin. Kalvari vazhdoi edhe pas daljes nga qelia me 1961: ku poetja e prozës shqipe internohet në Rrëshen, ku punoi në ndërtim dhe komunale derisa do t’i shfaqej sëmundja e kancerit që do t’ia bënte të skëterrshëm fatin e saj. Nëna e saj Hanushja, e mplakur dhe e sëmurë, për t’i ardhur në ndihmë vajzës saj, vendos ta lërë Tiranën e të shkojë për të jetuar tok me Musinenë, në internim. Kalojnë dy vjet dhe nëna e Musinesë sëmurët, ndaj detyrohet të kthehet në shtëpi ku vdes. Gjatë varrimit, të afërmëve të saj iu ndalua të flisnin midis tyre, sepse e ndjera ishte nëna e dy bijve të puashkatuar nga partia sidhe nëna e Musinesë, dënuar dhe internuar. Në Rrëshen, Musine spiunohej natë dhe ditë. Në arkivat e policisë sekrete janë depozituar emrat dhe nofkat e tyre: “Besniku”, “Piktori”, “Munella”, “Besa”, “Aparati”, “Pëllumbi”, “Shkëndija”, “Referati”, “Kalaja”, “Çajupi”, ”Bamja e pjekur”. Arkitekti i dosjes së Musinesë është Dhimitër Petro. Edhe ndërhyrja e një shoqate norvegjeze të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, pranë ambasadorit francez në Tiranë, për lirimin e Musine Kokalarit, nuk dha asnjë rezultat. Para se të vdiste zonjusha Kokalari iu lut nipit të vet që gjithë dorëshkrimet e saj t’i dorëzoheshin arkivit të shtetit. Veç dorëshkrimeve, Musine, mundi të shpëtoje edhe vëllimin poetik Kolla e vdekjes dhe esenë Si lindi Partia Socialdemokratike Shqiptare, të dy veprat janë shkruar në internim. Ndërsa më pas thirri mbesën dhe i kërkoi t’i blinte një basmë nga më të lirat për të bërë një fustan vdekjeje. Me një vizore mati gjatësinë, belin, supet e qafën. Po me duart e saja preu fustanin që do t’ia vishnin pas vdekjes.

Citoj disa vargje të Musinesë: “Në harresë/ sjell ndërmend kohën e fëminisë./ Kur e vogël rendja pas fluturave/…/premtimet fluturuan,/ ëndrrat u zhduknë/ dhe kështjellat e ndërtuara n’ajër/ u ç’katërruan prej themelit”.50 Dhe akoma: “Një ditë do të shtypesha prej një këmbe njeriu/ burrë ose grua… e di, por s’ka gjë,/ një lule isha dhe jo njeri”.51
.
Musine Kokalari me veshje popullore
Musine Kokalari me veshje popullore
45.(802). Admirina Peçi: Gazeta Shqiptare, 5.10. 2009
46.(803). Propozimi i Withersit për Musine Kokalari. Shqip 12.10. 2009
47.Novrus Shehu: Vajza uragan, Standard, Tiranë, 23..2008
48.(804). Mexhit Kokalari: Historia tronditëse e social-demokrates që refuzoi “dashurinë” e Enverit.
49.Novrus Shehu: Vajza uragan, Standard, Tiranë, 23.2008
50.Novruz Xh. Shehu: Musine Kokalari, vepra vëllimi I, Gee, Tirane 200 f. 79
51.Novruz Xh. Shehu: Musine Kokalari, vepra vëllimi I, Gee, Tiranë 200. f. 96
.

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Me rastin e 100 vjetorit të lindjes së shkrimtares së parë shqiptare, Musine Kokalarit, Instituti Albanologjik i Prishtinës organizon Tryezën shkencore “Musine Kokalari – në 100 vjetorin e lindjes”.
    Për jetën dhe veprës e saj letrare – artistike do të flasin studiues të veprës së saj nga Tirana, Prishtina e Tetova.
    Tryeza mbahet nesër, më 24 shkurt 2017, në orën 10:00 në ambientet e Institutit Albanologjik të Prishtinës.
    Pjesëmarrja juaj na nderon
    (nga muri i fb. i Adil Ollurit, 23 shkurt 2017)

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.