back to top
6.5 C
Tirana
E hënë, 9 Dhjetor, 2024

Në 16-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës – Marie Shllaku: “Gjaku im Kosovë t’u baftë dritë!” – nga Frank Shkreli

Gazeta

Marie Shllaku & Frank Shkreli
Marie Shllaku & Frank Shkreli
Në 16-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës
Marie Shllaku: “Gjaku im Kosovë t’u baftë dritë!”
nga Frank Shkreli

Në kujtim të Marie Shllakut
Shkodranja nga Malësia e Madhe
që dha jetën për lirinë e Kosovës –
“Kosovë, gjaku im t’u bëftë dritë!”

17 shkurt 2008 -17 shkurt 2024 - 16 vjet Kosova - Republikë
17 shkurt 2008 -17 shkurt 2024 – 16 vjet Kosova – Republikë

Me 17 Shkurt, 2024, Federata Pan-Shqiptare Vatra e Amerikës shënoi 16-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës duke organizuar një festë kushtuar kësaj ngjarjeje historike për mbarë Kombin shqiptar – shpalljen e Kosovës shtet të pavarur e sovran. Në këtë ditë historike përshëndeti edhe publicisti Frank Shkreli, ish-Drejtor i Zërit të Amerikës për Euroazinë dhe ish-Drejtor Ekzekutiv i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan. Përshëndetje të nderuar pjesëmarrës – Në shenjë falënderimi dhe mirënjohjeje për Vatrën – që organizon këtë tubim, në 16-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës – më lejoni t’u përshëndes prej së largu me disa fjalë në këtë përvjetor të shënuar: Një Ditë Bashkimi për të Gjithë Shqiptarët kudo që janë dhe pa dallim – në Ditën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës!
Shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, ishte kurorëzim i një rrugëtimi të gjatë e të vështirë prej më shumë se një shekulli për shqiptarët e Kosovës dhe për mbarë Kombin shqiptar. Si e tillë, kjo datë, në historinë e shqiptarëve, është një arritje kulmnore dhe një fitore e lavdishme për mbarë Kombin shqiptar.
Lufta për çlirimin e Kosovës e udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës u ndërmor në një kohë kur popullit shqiptar të Kosovës po i rrezikohej vetë identiteti dhe ekzistenca e tij në trojet e veta mijë-vjeçare. Lufta shekullore e shqiptarëve për ekzistencë dhe diplomacia në veprim për ndërkombëtarizimin e çeshtjes së Kosovës – e udhëhequr me aq sukses nga Presidenti i parë historik, Dr. Ibrahim Rugova, gjatë dekadave të fundit të shekullit të kaluar, bëri aq shumë miq ndërkombëtarë për çeshtjen e Kosovës dhe për shqiptarët në përgjithësi, sidomos këtu në Shtetet e Bashkuara. Diplomacia dhe lufta për çlirimin dhe për pavarësinë e Kosovës, lehtë mund të krahasohet me arritjet historike të Kombit shqiptar, siç është Kuvendi i krerëve të gjitha krahinave shqiptare nën udhëheqjen e Gjergj Kastriotit Skënderbe, në Lezhë, në vitin 1444 dhe me Lidhjen e Prizrenit më 1878, ku përfaqësues nga të gjitha trojet shqiptare, me në krye Abdyl Frashërin, u mblodhën aty në Prizren, në një çast historik për të shpëtuar tërësinë e tokave shqiptare.
E gjithë ajo veprimtari diplomatike dhe ushtarake si dhe lëvizjet mbarë kombëtare përfshi mobilizimin e paparë ndonjëherë më parë në histori të komunitetit Shqiptaro-Amerikan të dekadave të fundit të shekullit të kaluar që çuanë në festëns e madhe të Pavarësisës së Kosovës që shënohet sot – i treguan botës se shqiptarët vetëm donin të udhëhiqnin veten, në liri dhe të pavarur në trojet e veta stërgjyshore të bashkuar në një shtet të tyre. I treguan botës në mënyrën më dinjitoze se trojet shqiptare nuk ishin pa zot. Ishte një luftë dhe një qëndresë historike – e mbështetur ndërkombëtarisht nga miqët e njohur të shqiptarëve – në krye me Shtetet e Bashkuara, kundër pushtuesve sllavo-komunistë të trojeve shqiptare, duke shënuar kështu një kapitull të ri në historinë e Kombit Shqiptar – Pavarësinë e Republikës së Kosovës!
Mbi të gjitha Dita e Pavarësisë së Kosovës simbolizon bashkimin e shqiptarëve anë e mbanë trojeve shqiptare dhe përtej. Është një ditë, gjithashtu, që në zemrat tona frymëzon kujtimin e heronjve dhe heroinave shqiptare të shekullit të kaluar që dhanë jetën për idealet e larta – për bashkimin e shqiptarëve, me thirrje dhe me luftë e sakrifica duke flijuar edhe jetën e tyre për pavarësinë, lirinë dhe demokracinë e të gjithë shqiptarëve, anë e mbanë trojeve, dhe pa dallim. Liri! – ishte kryefjala e Shqiptarëve gjatë gjatë shekullit të kaluar:
“Give me liberty or give me death!” – (Më jep lirinë, ose më jep vdekjen!), ishte thirrja e politikanit dhe oratorit amerikan Patrick Henry në një fjalim, në Kuvendin e dytë të shtetit Virxhinia me 23 Mars, 1775 në Kishën e Shën Gjonit në Riçmond të Virxhinies.

Marie Shllaku (1922-1946)
Marie Shllaku (1922-1946)

“Ma mirë dekë nën dhé m’u kja,
Se për t’gjallë me mbetë nën shkja”  –
At Gjergj Fishta


“Kam ardhë me vdekë me ju! – do t’u drejtohej Marie Shllaku komandantëve të çetave nacionaliste në Kosovë, siç pat deklaruar ajo në gjyqin kundër saj.

-“Kosovë, gjaku im t’u baftë dritë!” – Marie Shllaku në sallën e gjyqit në Prizren, Korrik, 1946.

Marie Shllaku, Shkodranja që luftoi dhe vdiq për lirinë e Kosovës:
-Megjithëse e haruar dhe e anashkaluar gjatë shekullit të kaluar komunist, por edhe sot – në luftë kundër ripushtimit serb të Kosovës, u shqua heroina Marie Shllaku, gjatë Luftës së II Botërore. Le të kujtojmë sot në këtë ditë të Pavarësisë, Marie Shllakun, heroinën e Kombit shqiptar, të cilën komunistët shqiptaro-sllavë e dënuan me vdekje-pushkatim, sepse donte Kosovën e lirë, dhe të gjithë shqiptarët të bashkuar në një Shqipëri etnike.
-Të Kujtojmë Marie Shllakun, e cila megjithëse në moshë të re, u njoh dhe mori mësime e këshilla nga më të mëdhejt e Kombit të asaj kohe, përfshi At Gjergj Fishtën, ndër të tjerë, për angazhimet e saja në mbështetje të objektivave për realizimin e idealit të lartë të bashkimit të trojeve shqiptare.
Të kujtojmë sot, Marie Shllakun, e cila nën mbikqyrjen e At Gjergj Fishtës kishte mësuar mirë historinë e Kombit Shqiptar, dhe fliste një dyzinë gjuhësh të huaja.
-Të kujtojmë Marie Shllakun, pjesëmarrësen në Kuvendin e Drenicës, ku mbajti fjalimin e saj të famshëm patriotik duke pajtuar, sipas të dhënave, dy udhëheqsit e Luftës së Drenicës, Shaban Polluzhën dhe Mehmet Gradicën. Kuvendi i Drenicës ishte thirrur me qëllimin përfundimtar për të shpëtuar Kosovën nga komunistët serbo-malazezë-shqiptarë!
-Të kujtojmë Marie Shllakun, njërën prej heroinave të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës sot, por edhe si shembull se si duhet të luftohet dhe të mbrohet liria, demokracia e pavarësia kombëtare, qoftë edhe me flijimin e jetë për këto vlera të mëdha njerëzore e kombëtare.
-Të kujtojmë, anti-komunisten e flakët Marie Shllaku, që luftoi për bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare pa dallim – përfshi Kosovë e Çamëri – Shkodranen 24-vjeçare, Marie Shllakun që për këto veprimtari të saja dhe bashkpuntorëve të saj, u pushkatua nga komunistët shqiptaro-serbë – në Prizren në nëntor të vitit 1946 – Krimet e Komunizmit: Marie Shllaku, At Bernardin Llupi, Kolë Parubi, Gjergj Martini
Sipas të dhënave, ajo u pushkatua në Prizren pas gjyqit që iu bë asaj bashkë me 26 intelektualët e tjerë të angazhuar me të në veprimtaritë për bashkimin e trojeve shqiptare. Sigurimi i Shtetit shqiptar, në bashkëpunim me UDB-ën jugosllave vendosën në atë kohë pushkatimin për Marie Shllakun, 24 vjeç; At Bernard Llupin, 60 vjeç; Kolë Parubin 41 vjeç dhe Gjergj Martinin, 29 vjeç, ndërsa të tjerët u dënuan me burg. Këta të 4 ishin nga Shkodra të cilët u dënuan, përfundimisht, për veprimtarinë e tyre – martirë të demokracisë, për bindjet e tyre për bashkimin kombëtar – në ditën e zezë të 15 korrikut, 1946, pikërisht aty në Prizrenin e Lidhjes Kombëtare të Prizrenit të vitit 1878 – ndërsa pushkatimi u bë në Nëntor të po atij viti, sipas të dhënave arkivore. Ndërkohë, sllavo-komunistët ua kanë tretur varret që as sot nuk dihet se ku i kanë.
Në këtë ditë të pavarësisë së Republikës së Kosovës, Marie Shllaku – Shkodranja nga Malësia e Madhe – uron, ashtu si atëherë, para bishave të egra shqiptaro-sllavo-aziatike komuniste: “Kosovë, gjaku im t’u baftë dritë!”
I përjetëshëm qoftë kujtimi i heroinës shkodrane Marie Shllaku me bashkpuntorët e saj dhe i të gjithë atyre heronjve dhe heroinave nga të gjitha trojet shqiptare të gjitha kohërave, që kanë flijuar jetën për lirinë, të drejtat dhe pavarësinë që Kosova gëzon sot!
Gëzuar Pavarësia e Republikës së Kosovës!
U falënderoj për vëmendjen!
Frank Shkreli

Marie Shllaku - nga Tom Mrijaj
Marie Shllaku – nga Tom Mrijaj

Marie Shllaku, At Bernardin Llupi, Kolë Parubi e Gjergj Martini, të pushkatuar nga shqiptaro-serbët komunistë në Prizren, në vitin 1946 – martirë të demokracisë, për lirinë, pavarësinë dhe bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Dhanë jetën për dashurinë e tyre të pamposhtur për Atdheun në mbrojtje të identitetit kombëtar të shqiptarëve dhe të trojeve të tyre mija vjeçare!

“Unë Marie Shllaku e lindur me 22 tetor, 1922 në Shkodër. 24 vjeçe. Studente e filozofisë në Romë. Akuzohem se jam marrë me politikë. Kështu, ju po e queni dashurinë time për atdhe. Unë jam në burg se nuk pajtohem që Kosova të jetë nën Jugosllavi. Kosova asht pjesë e pandashme e Shqipënisë. Nuk më tremb dënimi me vdekje. Jam krenare që luftova për Ty Kosovë! Herët a vonë do të jeshë pjesë e Shqipnisë. Rrnoft Kosova! Rrnoftë Shqipnia Etnike…”

Një deklaratë që disa burime ia atribuojnë Marie Shllakut.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.