back to top
4.5 C
Tirana
E shtunë, 7 Dhjetor, 2024

Në kërkim të një shpjegimi racional! – nga Frank Shkreli – Disa mendime të hedhura mbi vizitën e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken në Tiranë

Gazeta

Frank Shkreli - Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë
Frank Shkreli – Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë
Në kërkim të një shpjegimi racional!
nga Frank Shkreli
Disa mendime të hedhura mbi vizitën
e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Anthony Blinken në Tiranë

Ishte viti 1975. President këtu në Amerikë ishte Gerald Ford, i cili si zëvendës president zuri vendin e ish presidentit Nixon që për arsye të skandalit Watergate është detyruar të jepte dorëheqjen.
Presidenti Ford ka mbajtur një fjalim atë vit me të cilin i ka mohuar qytetit të Nju Jorkut ndihmë financiare federale megjithë thirrjet për ndihmë për të mënjanuar falimentimin financiar, me të cilin përballej qyteti. Ditën e nesërme gazeta e Nju Jorkut Daily News në faqen e parë kishte botuar artikullin: “Ford To City: Drop Dead.” Ford i thotë qytetit: Shko, vdis!
Në të vërtetë, presidenti Ford nuk i kishte shqiptuar këto fjalë në fjalimin e tij, por ky ishte interpretimi i gazetës Daily News, i refuzimit të Fordit për ta ndihmuar Nju Jorkun, financiarisht.
Presidenti Ford pranoi më vonë se këto fjalë botuar në gazetën e përditshme të Nju Jorkut megjithëse nuk i kishte thënë, i kushtuan atij presidencën, ndërkohë që Xhimi Carter u zgjodh President.
Ky rast m’u kujtua ndërkohë që po ndiqja vizitën 8 orëshe të Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken në Tiranë.
Mbeta i zhgënjyer nga mungesa e takimeve të Z. Blinken me përfaqsues të asaj që ende quhet “opozitë” në Shqipëri – një subjekt në vetvete për gabimet e saja madhore – u mundova gjithashtu të gjej fjalën demokraci në fjalimet e Sekretarit të Shtetit, por nuk e gjeta askund.
Që Sekretari i Shtetit, i vendit më demokratik në botë – Amerikës tonë të dashur – ku gëzojmë liri e demokraci – të mos flasë për vlerat demokratike amerikane dhe universale në një vend si Shqipëria, është një sakrilegj. Sidomos gjatë një vizite miqësore në një Shqipëeri, që është kapluar nga një krizë grindjesh të brendshme politike dhe korrupcion në të gjitha nivelet, ndërkohë që vet Departamenti i Shtetit dhe Freedom House, ndër të tjera ente ndërkombëtare, në raportet vjetore të Drejtave të Njeriut, vit pas viti, e kanë cilësuar Shqipërinë, si një vend pjesërisht i lirë – madje 34 vite pas shembjes së Murit të Berlinit. Shumica e shqiptarëve e kanë të vështirë të kuptojnë se cili është realiteti i marrëdhënieve shqiptaro-amerikane: raportet vjetore mbi të drejtat e njeriut, apo “Të Deum” që përfaqsuesit perëndimore i akordojnë shpesh pushtetit aktual në Tiranë, ndërsa vendi zbrazet nga më të mirët dhe më të edukuarit e kombit.
M’u kujtua prap vizita e parë e një delegacioni amerikan në Tirane në mars/prill 1991. Delegacioni kishte vendosur të takohej me të gjithë perfaqësuesit e shtresave të shoqërisë shqiptare. Kishim ftuar edhe përfaqsuesit e tre feve të posa dalur nga burgjet komuniste, në pritjen e parë në 50 vjet në të ashtuquajturin,“Hotel” Dajti nga një delegacion amerikan në Shqipëri. Tre kleriket e shkretë ashtu të vuajtur nga burgu dhe me shëndet të dobët nuk i besonin vetes as rrethanat në të cilën gjendeshin atë natë: të ftuar në pritje nga delegacioni i parë amerikan në Shqipëri, ndërsa perfaqsuesit e regjimit të atëhershëm komunist, të cilët kundërshtuan që të ftoheshin klerikët dhe personalitete të tjerë, përveç autoriteteve komuniste, dukej se i thonin njëri-tjetrit, çka na gjeti me këta amerikanët?! Pse u ftuan këta?
Idea ishte që përfaqsues të ndryshëm të shoqërisë shqiptare, jo vetëm autoritetet e larta, për herë të parë në 50 vjet, të takoheshin me njeri tjetrin në të njejtën sallë, të persekutuarit e komunizmit, disa tëe liruar vetëm disa ditë më parë, me disa prej persekutorve që mbanin në fuqi atë regjim komunist kriminal.
Vura re se kësaj herë, Z. Blinken nuk kishte gjetur 2 minuta kohë për t’u përshëndetur madje as me klerikët shqiptarë, të cilët regjimi shpesh i përdor si pasqyrim të bashkëjetesës fetare. Mos vallë ka pasë droje se klerikët mund t’i kishin shprehur Përfaqsuesit të lartë amerikan shqetësimet e tyre nëe lidhje me dukurite komuniste të kohëve të fundit nëe Shqipëri, për të cilat Kisha Katolike Shqiptare bëri njëe deklaratë publike kohët e fundit. Pajtimi kombetar midis shqiptarëve, Z. Blinken është aq i nevojshëm sot për shqiptarët, sa ç’ishte edhe me 1991. Vizita e Sekretarit të Shtetit Blinken në Tiranë kërkon një shpjegim racional, por unë nuk e gjej dot. Lëvdatat për një lider dhe një qeveri të tillë nga një kryediplomat amerikan, është vështire t’i gjesh në komunikimet diplomatike midis dy vendeve, sidomos përballë, zhvillimeve të fundit në washington të çeshtjes korruptive “Mcgonigal”.
Kjo mungesë, siç duket e qëllimshme, për të parë realitetin aktual politik shqiptar ashtu siç është, nuk i shërben marredhënieve të mira shqiptaro-amerikane as stabilitetit politik në Shqipëri, as paqes në rajon – e proceseve demokratike në Shqipëri, jo se jo. Ndonëse nuk e tha ashtu me fjalë në Tiranë, disa analistë e cilësuan këtë mungesë, sikur Sekretari i Shtetit Blinken i tha “lamtumirë” demokracise dhe opozitës shqiptare, në favor të monizmit, të një partie-shtet dhe të ashtuquajturës “stabilokraci”, ose në favor të ndonjë qëllimi tjetër të brendshëm ose të jashtëm. Krejt ndryshe nga të gjithë parardhësit e tij – demokratë e republikanë – që kanë vizituar Tiranën gjatë tre dekadave të fundit e të cilët nuk kanëe ngurruar aspak dhe asnjëherë të flasin në mbështetje të demokracisë, dhe të pajtimit e bashkëpunimit aq i nevojshëm për shqiptarët e vuajtur nga komunizmi. Për demokracinë si një sistem i preferuar qeverisjeje, kundër korrupsionit, në favor të lirise dhe barazisë dhe të drejtave të njeriut për të gjithë shqiptarët pa dallim. Sidomos në mbështetje të lirisë së fjalës dhe shtypit të lirë, si baza e të gjitha lirive dhe të drejtave të tjera.
Për 2-3 dekada të tranzicionit pseudo- komunist në Shqipëri, jam munduar – modestesisht – bazuar në përvojën time, të paralajmëroj shpeshherë se demokracia atje është në rrezik, se vlerat demokratike po shkeleshin haptas dhe qëllimisht nga klasa politike shqiptare, se grindjet politike po i shkaktonin vendit rreziqe të brendshme dhe të jashtme politike, qëllimi kryesor i të cilëve ishte dhe është ruajtja e pushtetit te tyre për më shumë se tre dekada tani. Se pa zgjedhje të lira dhe pa opozitë reale në Shqiperi nuk mund te kishte demokraci as liri, as stabilitet në vend as në rajon dhe as ndarje “vlerash të përbashkëta”, as marrëdhenie “krah për krah” me Shtetet e Bashkuara, siç dëgjojmë shpesh nga persona të caktuar, nga të dy palët, të cilët e quajnë të bardhën të zezë dhe të zezën të bardhë. Përfaqsuesit amerikane duhet që të mbrojnë, kudo në botë, vlerat dhe demokracinë amerikane, si garanci për zbatimin e të drejtave universale në shërbim të paqes dhe sigurisë në botë.

Wesley Clark & Frank Shkreli
Wesley Clark & Frank Shkreli

Anashkalimi i fjalës “demokraci” dhe “opozitë”, si dhe mos takimi me faktore të tjerë politikë të shoqërisë shqiptare nga z. Blinken gjatë vizitës në Tiranë nuk është një shenjë e mirë për zhvillimet demokratike në Shqipëri, as për marrëdhëniet midis dy vendeve. Me simbolikat gjatë vizitës në Tiranë, sikur i dërgoi, mesazhin “Lamtumirë demokraci” për afër 50 përqind të votuesve shqiptarë, të anashkaluar dhe të përjashtuar gjatë tre dekadave të kaluara: “Drop dead”, ne jemi më të interesuar në stabilitet se për vlerat demokratike, të drejtat dhe liritë tuaja.
Sa për dijeni tuajën z. Sekretar Shteti, pothuaj nuk ka familje shqiptare nga këta 50 përqind të shqiptarëve, që të mos ketë dikë në Shtetet e Bashkuara. Shumë prej tyre e kanë pësuar keq nga komunizmi veçse përmendnin emrin e Amerikës gjatë komunizmit. Ju me të drejtë përmendet “Zërin e Amerikës” si të vetmin kontakt me Shqipërinë dhe shqiptarët gjatë regjimit komunist. Shumë shqiptarë, të cilët gjithnjë shikoj e tek Amerika mbrojtjen e të drejtave të tyre demokratike, janë dënuar vetëm e vetëm pse dëgjonin “Zërin e Amerikës” gjatë dekadave të komunizmit diktatorial. Rrënjët e shpresës, besimit dhe dashurisë për Amerikën janë të thella tek shqiptarët pa dallim, z. Blinken. Mos t’i zhgënjejmë të shkretët më shume se tre dekada pas shembjes së Murit të Berlinit.
Tirana zyrtare, z. Blinken ende nuk ka dënuar krimet e komunizmit as nuk është distancuar nga regjimi barbar i Enver Hoxhës, siç kanë bërë shumica e vendeve ish-komuniste evropiane. Ne shqiptaro-amerikanëve, si shtetas të këtij vendi të bekuar – votues dhe taksapagues të Amerikës tonë të dashur, na intereson shumë fati i familjeve tona atje, sepse me ta kemi gjakun e përzier z. Blinken. Shumë prej tyre e kanë pësuar shumë keq nga komunizmi, vetëm e vetëm, se shumë prej nesh jetonim e vepronim në Amerikë. Për shumë shqiptarë, z. Blinken, një mur i vogël i Berlinit ende ekziston. Prandaj, për mua dhe për shumë miq e kolegë të mi ne Amerikë dhe në Shqipëri, vizita e juaj në Tiranë nevojitte një shpjegim racional, por është e vështirë të shpjegohen deklaratat ose heshtjen ndaj disa çeshtjeve të tjera me rëndësi për atë vend dhe për marrëdheniet shqiptaro-amerikane.
Megjithëkëtë, kam thënë shpesh se marrëdheniet amerikano-shqiptare ishin dhe duhet të mbeten popull me popull dhe jo të favorizojnë një person ose një parti politike. Keshtu i duan shqiptarët marrëdhëniet e veçanta me Shtetet e Bashkuara.
Për fat të keq, vizita e Sekretarit Blinken e Tiranë me la një shije të keqe se ndoshta ne fakt dhe në realitet në sytë e Washingtonit zyrtar aktual, një krah politik, pasardhësit e familjeve komuniste ne Shqipëri janë tëë preferuarit e politikës aktuale amerikane, disa të nënës e disa të njerkës.
Vizita juaj z. Blinken vetëm e përforcoi këtë ndjenjë reale në rradhët e shqiptarëve, në Shqipëri por edhe në rradhët e komunitetit shqiptaro-amerikan. Kjo është e dëmshme për marrëdheniet mes dy kombeve tona.
Nuk është sekret se në Shqipëri flitet për të “favorizuarit” e Washingtonit. Nuk do të kishte gjë më të rrezikshme për marrëdhëniet e mira dypalëshe midis Washingtonit dhe Tiranës se mbështetja e njerës ose tjetrës palë politike shqiptare nga diplomacia amerikane. Shqiptarët kanë nevojë për pajtim dhe jo për nxitje të përçarjeve, si rezultat i animeve politike në favor të pushtetit në fuqi, ose personave të caktuar, nga diplomacitë perëndimore, sidomos nga Washingtoni zyrtar. Një gabim shumë i rëndë që ështëe përsëritur dhe siç duket vazhdon të zbatohet nga miqtë e shqiptarëve perëndimore, duke sjellë në atë vend rreziqe të brendshme të paparashikueshme për stabilitetin e një jete politike normale në Shqipëri.
Deri më sot kam paralajmëruar se në Shqipëri “Demokracia nuk pret”. Duke parë zhvillimet e fundit politike në atë vend, përfshi zhvillimet nëe parlament, me duket sikur ka skaduar eksperimenti me demokracinë në Shqipëri. Kam droje se Demokracia e vërtetë në Shqipëri ka pësuar një goditje të rëndë vitet e fundit, me pasoja të paparashikueshme për paqen dhe stabilitetin në atë vend dhe në rajon! Vendi është në prag të një monizmi autokrat – që i ngjan një vendi të botës së tretë në zhvillim se sa një vendi anëtar të NATO-s.
Uroj që të mos kemi arritur në një gjendje që në vend që të festonim marrëdhëniet e mira shqiptaro-amerikane me rastin e vizitës së Sekretarit të Shtetit, Blinken – të ngushëllojmë njeri-tjetrin për vdekjen e demokracisë shqiptare, si përfundim i mos përkrahjes së vendeve perëndimore të proceseve demokratike në Shqipëri dhe si rrjedhim i ndërhyrjeve të tyre të pakëshillueshme në zhvillimet e brendshme politike të marrëdhënieve midis dhe brenda partive shqiptare. Shqipëria ka nevojë për pozitë dhe opozitë!
Megjithë shqetësimet serioze të mia dhe të tjerëve, unë vazhdoj të besoj se nuk ka asnjë parti as ndonjë individ sado i plotfuqishëm të jetë, që mund të largojë o të distancojë shqiptarët e të gjitha rrymave politike nga dashuria për Ameriken dhe amerikanët. Këtë s’mund e bëri as Enver Hoxha me gjithë propagandën e tij anti-amerikane prej gjysëm shekulli. Miqësia 100 vjeçare shqiptaro-amerikane – popull me popull – do jetojë ndër shekuj! Politikanët dhe diplomatët aktualë, nga të dy palët, janë të përkohshëm ndërsa dy popujt tanë dhe marrëdhëniet midis tyre janë të përhershme.
I Madhi Zot e bekoftë Amerikën tonë tëe dashur dhe Kombin shqiptar të vuajtur – në ditë të mira dhe të vështira!
Frank Shkreli

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.