
Lux Secreta – poetja dhe përkthyesja shkodrane e viteve ‘30
nga Andreas Dushi
Për Lux Secreta ka pak te dhëna.
Për herë te parë, emrin e saj e lexova në një tekst shkollor, botuar nën kujdesin e Ernest Koliqit në kohën kur ky i fundit ishte ministër i arsimit në Shqipëri. Në treguesin e emrave në fund të librit, shkruhet:
Lux Secreta: “Asht pseudynimi i zonjushës Luçija Seregji nga Shkodra. Vjershat e veta i ka shkrue nëpër disa të përkohëshme.”
Deri atëherë, e kisha dëgjuar vetëm si ide ekzistencën e saj, veç nëpërmjet pseudonimit, por pa u përballur drejtpërdrejt me të. Prandaj, vendosa të kërkoja materiale që mbanin autorësinë e saj.
Në një shënim të Nasho Jorgaqit (2018), lexojmë “…Zërit poetik të vajzës gjirokastrite (bëhet fjalë për Selfixhe Ciun) do t’i bashkohej ndërkaq zëri i vajzës shkodrane Luçie Sereqi (1910-1993), që nënshkruan vjershat e saj me pseudonimin Lux Secreta…”
Sikurse lexohet, Koliqi shkruan Luçija Seregji, ndërsa Jorgaqi, Luçie Sereqi. E vërteta eshtë se kemi te bëjmë me të njejtin person – çka na e tregon edhe pseudonimi i përdorur prej saj – emri i të cilit nuk shkruhet saktë në asnjërin rast. Kjo del po të konsiderojmë një dëshmi tjetër, atë që ndoshta është me autentikja, shënimin e fotografisë së saj në Muzeun Kombëtar të Fotografisë Marubi. Në fotografinë e shkrepur nga Geg Marubi më 1940, emri i saj është shkruar Luçie Serreqi.
Gjatë komunizmit, emri i Serreqit nuk përmendet thuajse asnjëherë, ndërsa pas tij, mund të jetë përmendur shume rrallë, më tepër si ide-njohje me faktin se ajo ekziston – por jo konkretisht. Prandaj, kërkimi duhej orientuar para ardhjes së komunizmit, gjithnjë i bazuar në të dhënat e marra nga dy shënimet e sipërcituara.
Kështu, zbulova çka po paraqesim në vijim: Disa poezi të botuara në të përkohshmet “Illyria” dhe “Cirka” përgjat viteve 1935 – 1938. Sigurisht, kjo nuk përjashton mundësinë që krijimtaria e saj të ketë filluar më herët dhe/apo të ketë mbaruar më vonë, prandaj, ky shkrim shpresoj të shërbejë si nxitje për studiuesit, që ta konsiderojnë seriozisht edhe emrin e Serreqit.
Për karshi përkthimit që ajo i bën nga frëngjishtja poezisë “Nanës s’ëme” të Pashko Vasës (marrë nga vepra e panjohur e tij “Rose e spine”, botuar në vitin 1873, për të cilën do të mund të lexoni në javët e ardhshme), botuar në “Cirka”, 1938, nr. 43, 10 prill, f. 101, lexojmë: “…Mâ andej po botojmë poezínv e parë të librit “Rose e spine” në përkëthimin e bukur e besnik qi bâni për lexuesat e “Cirkës” stërmesa e Pashko Vasës, bashkëpuntorja e jonë Zonjushë Lux Secreta.
Pra, këtu marrim vesh edhe faktin se ajo ishte stërmbesë e poetit Pashko Vasa.
Në poezinë e saj, motivet janë ndër më të përhapurit ato vite: pastorale dhe kombëtare, trajtuar këndshëm në lirike.
*
Renditja e mëposhtme është kronologjike, duke filluar me krijimet autentike e më pas, përkthimet.
28 Gusht 2025

Katër poezi prej Luçija Serregjit, (1910-1993) e cila i ka botue ato në shtypin e vjetëve ’30-’40, si te Cirka, Illyria etj. nën pseudonimin Lux Secreta. Poezitë janë marrë prej gazetës ExLibris, sjellë prej Andreas Dushit.
Brí lisit të rrxuem – prej Luçie Serregji (Lux Secreta)
N’skâj të fushës n’blerim stolisë e në lule veshë,
Ku ajri i pastër përcjellë jone t’lehta
Te’ i lis i rrxuem shtegtari pá pritë ndeshë…
Âsht lisi qi mbí tokë për sá qindvjeta
Nuk ju përkul stuhís as rrfés kërcnuese,
Por tash mbí tokë i mbaroi ditt e veta.
Kje sá herë për shtegtarin lândë ngushlluese,
Sá herë nën hije t’tij mërzín largonte
Nën lvizje t’degve t’tija shungulluese.
Brî tij dikúr sá gjânat i ândrronte
Nën t’Shqypes çerdhe, qi n’kujdes ndërtuemun
E kish për zogjt e vet, ç’n’të kaluemet mote.
Ândrra e dikurshme tash kishte kaluemun
Bashkë me trup t’lisit qi nën kup’n e qiellit
Tash s’bâte hije t’xétit me i larguemun.
Me mâll kujton at kohë kur ndër dit prillit
Bariu me fýll i ndillte t’qeta udhtime,
N’sá grigj’t pushojshin larg rrezeve t’diellit.
Sá herë gjuetari ulë brî tij plot gzime,
Me shokun e vet besnik prej gjahut kthyemun,
Vrete sâ shpênd qi vrau, me shum mundime.
Por mbasi lisi detyrën e ká kryemun,
Mbî tokë pushon, tue dashtë ktê t’falnderojë,
Tue pritë dhe ato qi brî tij i janë shtŷemun.
Për me përshndetë, pse mâ s’mund t’i pranojë
Nën t’pastrën hije, ku pau e ndieu sá gjâna
Për të cilat mâ nuk flet, s’difton… s’ká gojë,
Mbasi u shuen për tê dhe dielli e hâna.

Flamurit
Kaluen, ndonse kadalë, vuejtje e mjerime
Qi qindra vjetsh Shqipnín patën ngujue,
E tash dhe Shqipja krahët i ká t’shtrime
Mbí pëlhurë n’t’kuq ngjyrtue.
S’u trêmbet mâ kërcnimeve qi motit,
Deshtën m’e bâ të pákénun mbi ket botë
Njat tokën e fatosit t’madh, Kastriotit,
Qi sod gzon liri t’plotë.
Tash qi Flamuri valvitet nën kupë t’qiellit,
Difton se i mbushën njizetetre vjet
Ç’se gzon përherë, nën rreze t’arta t’diellit
I lír n’tokën e vet.
Shtiellu n’ajrí, dija plakut bujár
Qi t’shkûndi për tokë pluhnin e robnís,
Qi t’naltoi n’Vlonë e t’bâni mâ krenár
Nëpër çdo kând t’Shqipnís.
Shtiellu n’ajrí e nën fletë t’shpêndit t’zí
Rueje kët tokë me gjak fatosash lámun,
T’cillt s’u kursyen e për me t’pá n’lirí
Dekën me ndér kan bâmun.
Rrnosh prá për jetë Flamur i ynë n’liri,
Rrnosh tue e gzue përherë kombin shqiptar
Qi jetë i uron sunduesit t’ksaj Mbretní
Mbretit t’vet Zogut i Parë.
Së ndîhet mâ fyelli
Lodhun delet prej diellit
Mrizojnë nën t’haptën hije
T’degve qi nën kupë t’qiellit
Lshon ahi, n’sá për brîje
Vû kryet përmbí tesha
Pushon dhe blegtoresha.
Dhe dy sýt t’kjarët si drita
Fillon m’ia rrêjtun gjumi,
Pse sá kish nisun dita,
Sá ishte freskue n’ujë lumi,
Tue pshtjellë kryet n’rubë me lara
Kish vûe berret përpara.
Hova hova e lét era
Lot me flokët e shprishun
Qi n’báll lshote përhera,
Dhe përmbî pêmë, si t’grishun,
Tubë zogjët ishin vêndue
Si t’dojshin me këndue.
S’ish ditë qi n’at kohë zhegu
Mos ta trazote fylli
Qi bite n’at anë bregu,
Dér n’kohë qi i mbramjes hylli
Niste atje nalt me ndritë
Si shêj se s’kish mâ ditë.
I gëjatë prá s’ish pushimi,
Pse, bash ndër jone t’para
E çote ambël tingllimi
Qi tue përshkue sá ara
I kthielltë nder veshë i vîte
Thue se krejt ngëjet sajë bite.
Por n’kët ditë për çudí
Kush-di çka do t’andrrote
Blegtoresha, e s’kish ndî
Fyellin qi prorë e gzote.
S’ndîhej gjâ n’at anë lumi…
S’kish çka me e çue prej gjumi.
Ç’prej asajë ditë përhera
Dote me dijtë, pse s’ndîhej,
Pse nuk ia bite era
T’fyellit jonet…? e mnîhej,
Pse s’e gzote n’kohë t’qetë
Veç kanga e zogjve e letë.
Kish muejtë dikúr t’hetote
Larg n’nji fushore t’blerë
Nji barí, qi pushote
Dhe aj, n’sá e kandshmja erë
Kangët ia trette pá dá,
Por tash, s’u shifte mâ.
Tue dalë me dele shifej
Nji plakë prej vjetësh përkulë,
Por fyelli mâ nuk ndîhej.
Blegtoresha, tu u ulë
Bregut, shpesh desh me pvetë
Çka fyellin e kish gjetë…
Çerdhja e prishun
Q’kahmot nën strehë nii çerdhe,
Me shum kujdes ndërtue
Pritte nji, “mirë se erdhe”
Dallndyshës me ia drejtue,
Porsá t’kthehet prêndvera
Përmbî fushat e blera.
Sá t’kthiellë ruejti kujtimin
E ditve qi kaluene
Kúr t’vogjlit zogj gëzimin
Mrênda sajë e provuene,
N’sá nana fluturim
I siellte pak ushqim.
Atje prej vêndesh t’xéta
Dallnysha shpesh ândrrote,
N’sá i shkûndte t’létat fleta
Ndoshta dhe u përmallote,
Dishrote qi përhera
T’rrite mbi tokë prêndvera.
S’kish gzim ndër vênde tjera
Veç t’ftoftit e ngushtote
M’e lânë, sá t’hikte vera,
Çerdhen qi fort e dote,
Kohë t’gjata me kalue
N’vênde qi s’kish dishrue.
Po pse, dallnyshë e ngrata!
Pse s’gzon ndër vênde tjera?
Dhe atje me krânde t’thata,
Si i gjete ktû përhera,
Çerdhen do t’késh ndërtue.
Çka prá atje t’bân me psue?
Dishron vendin e dashtun,
T’pëlqen veç çerdhja e vjetër,
Rreth s’cillës, tue mos drashtun,
U knaqshe, s’dojshe tjetër
Banim mâ t’mirë e t’qetë
Se atê qi e lae të shkretë.
Shpejt prá se erdh prêndvera,
Gatou për fluturim;
Hidhu kah t’shtŷeje éra,
Largoje ç’do mjerim;
Përshndeti vêndet tjera
E kthe ndër fusha t’blera.
Sâ ké me u gzue kúr, s’largu,
Çerdhen ké me hetue,
Me u shkputun ké prej vargu,
Shoqet ké me i kalue;
Porsé çka pate ândrrue
Sot shum ká me t’trishtue.
Ké me kërkue, por kot,
Nuk ké me gjetun mâ
Çka pate ndreqë kahmot;
Si ké tash me ia bâ?
Kush ta rrënoi banimin,
Kush po ta sjell mjerimin?
T’u kput pra shpresa e jote,
Tash sjellu rreth plot vajë,
Dikuer zêmra t’u gzote,
Por tash s’ké mâ uzdajë.
Nuk kan me t’pá mâ fmija
Qi tash janë mshehë ndër shpija.
Ndoshta tash janë pêndue
Pse kot ta prishen çerdhen.
Shoqet qi ké kalue
Qe, shpejt mbas tejet, erdhën,
Gjeten t’vetat banime,
Veç ti… provon idhnime…
Klaudia Gargjola Shllaku
Kam ndejtë sa herë me znj. Luçije Serreqi, që jetonte në krye të rrugicës së dajës tem. Ishte shume e kandshme me bisedue me të, nji zoje shkodrane e vërtetë, me nji kulturë të rrallë, dhe poezija për të ishte vazhdë e kulturës familjare e jo diçka e kopjueme e falco, siç shkrujnë tesh, që vjedhin fjalë të bukra nga të tjerët dhe i rreshtojnë ndër libra pa asnji ide preçise e pa asnji kuptim… shumica!!!
Aty te dera e gjejshe shpesh herë, edhe me shumë intelektualë të tjerë që ndrrojshin ndonji bisedë me shumë rezerva nga persekutimet që ju banë e që i ruheshin edhe hijes së vet…!! Kjo ishte Luçija edhe Shkodra e kulturës që kishte frigë me folë, e jo si disa lagje te liqeni, që nuk dijshin ku i binte me shpì leximi e poezia, se për kulturë as që bahej fjalë!!! Pa pasë traditë kulturet në familje nuk bahesh shkrimtare, veç me shkollën e partisë… Edhe vetë Koliqi ishte qytetar i familjes me traditë që dijti me zgjedhë intelektualë të aftë per botimet e tija e për vlerësimet që bante. Sot poezi shkrun e boton gjithkush, por sa pak a shumë vlerë kanë, pak vetë e dinë, sepse nuk ka as kompetentë për të vlersue poezinë, e kjo e shkretë poezi ka metë në pikë të hallit, pse përdoret veç për “lavdi” t’atyne që nuk dinë as me shkrue e as me lexue!!!! U zgjata pak si tepër, e nuk ja vlen fort… por ka shkrimtarë edhe disidentë si Frederik Reshpja që asht me u vu në ballë të poezisë… por nuk e shoh askund, arsyeja se duhet kuptue poezia, jo vetëm duhet shkrue për lavdi, se nuk të çon askund e nuk ndihmon artin e të shkruemit, veç e deformon konceptin e të kenunit poet!! Bravo Andrea, që asht kujtue për ktë figurë të lanun në heshtje e sa e sa të tjerë që shkrune poezi të mirfillta e të kandshme me u lexue!