
Një shkrim për Ilir Bulkën
nga Dashnor Kokonozi – 2023
Dy Ilirët nga të cilët njëri është heroi im!
Nuk është se me Ilir Bulkën dhe Ilir Gurakuqin kemi ndenjur shumë bashkë. Tre minuta gjithsej. Miku im ishte Ilir Gurakuqi, Bulkën e njihja pothuaj që nga fëmijëria, por nuk ishim shumë të afërt. Përshëndeteshim dhe aq.
Me sa di, ai pak fare miqësi kishte edhe me Gurakuqin. Por ndodhi që një ditë, kur Gurakuqi kishte mbaruar punën e tij dhe erdhi të më thërriste mua te RTSH-ja, pashë se poshtë te shkallët kishte takuar Ilir Bulkën, që ishte ndodhur rastësisht aty.
Ishte çasti i vetëm kur për herë të parë e të fundit ndenjëm bashkë. Tre minuta më pas, mora Gurakuqin dhe dolëm në bulevard. Bulkën e lamë aty. Kokëulur, i rrethuar nga një ndjenjë vetmie dhe duke thithur thellë një cigare.
Një javë më pas, Ilir Bulka braktisi grupin e sportistëve që shoqëronte, diku në aeroportin Athinës dhe kërkoi azil politik.
Menjëherë filloi edhe një veprimtari të jashtëzakonshme kundër regjimit.
Që nga ai çast e për muaj e vite të tëra ai do të mbetej në qendër të bisedave e komenteve tona. Gjithçka e ndiqnim dita më ditë nëpërmjet intervistave që Bulka i jepte fillimisht shtypit grek e që pastaj merreshin e riprodhoheshin në shumë vende perëndimore.
Një pjesë të gazetave ku ato shfaqeshin i gjeja unë, një pjesë Ilir Gurakuqi. Takoheshim dhe i komentonim gjatë.
Në fillimet e veta Bulka u përqendrua te figura e E. Hoxhës, por më tej nuk mungonin analizat për natyrën e ashpër të diktaturës shqiptare, për të drejtat e njeriut, internimet, burgosjet, ekonominë e urisë, censurën etj.
Ishim me të vërtetë admirativë për guximin e tij.
Mbi të gjithë për faktin se, ndryshe nga shumë të tjerë që nuk shpreheshin me qëllim që të mbronin familjen në Shqipëri, Ilir Bulka ishte i ndërgjegjshëm për rrezikun që i kanosej asaj, siç dilte në një intervistë.
Në sytë e mi ai vërtet po merrte përmasat e një njeriu të jashtëzakonshëm dhe më vinte keq që nuk kisha bërë përpjekje për ta njohur më nga afër. Mbase ngaqë atë ndjesinë e vetmisë ai ta jepte edhe po të ishte i rrethuar nga njëmijë vetë. Ishte dikush që bluante me vete pareshtur.
Më vonë kur shkoi në Amerikë dhe u afrua me VOA kam përshtypjen se ai nuk u kuptua mirë nga ata që e rrethonin, duke krijuar opinione të pasakta për të.
Një ditë Gurakuqi më mori në telefon dhe më kërkoi të takoheshim sa më shpejt. Sapo kishte dalë nga një mbledhje e rëndësishme me drejtorin e tij, Sofokli Lazrin, një ndihmës i afërt, mbase më i afërti i Ramiz Alisë për problemet e jashtme. Takimi i ishte kushtuar Ilir Bulkës. Intervistat e analizat e tij dukej se kishin krijuar një shqetësim të jashtëzakonshëm te kupola e diktaturës, sa në një çast Lazri kishte thënë: ky njeri e ka dëmtuar imazhin e Shqipërisë socialiste më shumë se sa i gjithë emigracioni politik këta 45 vjet!
Tamam kështu!
Mbeta fare pa gojë! Më së fundi kisha mundur të kuptoj diçka nga natyra e tij e mbyllur, nga ajo bluarja në heshtje dhe vështrimi i përhumbur sa herë që thithte thellë cigaren.
Jemi mësuar të na i tregojnë të tjerët me gisht heronjtë, – i thashë Gurakuqit – dhe nuk jemi në gjendje t’i njohim kur i kemi përpara!
E di, e ndjej se fjalën “hero” nuk e kapërdijnë të gjithë. Një palë do të thonë se hero ishte Qemal Stafa, të tjerët do të thonë se hero ishte Skënderbeu. Edhe mund të jetë kështu, por askush nuk ka përmendur se qe shumë më e lehtë të ishe Qemal se sa Ilir.
Për të parin do të thonë se bërtiste në mes të gjyqit që ishte komunist dhe i tillë do të vdiste, por nuk përmendin se çfarëdo që të bënte ai, ligjet e monarkisë nuk lejonin që të prekej familja e tjetërkujt, veç fajtorit.
Për Skënderbeun pastaj puna ishte edhe më e thjeshtë. Shumë dokumente saktësojnë se sa herë që afroheshin ushtritë turke ai e dërgonte familjen e tij në Napoli apo Venedik! (Ndjesë nëse kam prekur njeri)
Kërkush nuk vepronte duke e lënë familjen e tij në dhëmbët e hienave.
Prova është se Ilir Bulka tha më shumë të vërteta për diktaturën komuniste se i gjithë emigracioni politik i 45 vjetëve pikërisht për këtë arsye.
Jam i sigurt se po të mos ishte rregulli e ndëshkimit të familjeve të kundërshtarëve, regjimi komunist do ta kishte patur jetën të paktën 20 vjet më të shkurtër.
I vetmi që u ngrit mbi këtë dhimbje të tmerrshme ishte Ilir Bulka!
Gazmend Nushi
Në emigracion kanë qenë shumica fake të arratisur që sigurimi shtetit i kishte hedhur, që të kishte në kontroll dhe diasporën, më së miri kët e tregon fakti që shumica e grupëve diversantëve kapeshin sa arrinin në kufi, pra për këtë i ndihmonte vetë Amerika. Enverin e Ramizin i la vetë Usa dhe Perëndimi askush nga perëndimi nuk ka bërë një tentativë të vetme ta përmbyste atë regjim e ta shpëtonte atë popull, i vetmi që u mundua ta bëjë këtë ka qenë Nikita Hurshov që i kërkoi dorëheqjen Enverit e katërshes së byrosë: Shehu, Balluku, Koleka dhe ata nuk e bënë dhe kjo është arsyeja e prishjes me Bashkimin Sovjetik dhe daljen nga Pakti Varshavës, të tjerat për prishjen janë pallavra që i ka sajuar vetë Enver Hoxha, që e izoloi më pas komplet Shqipërinë, mbi 100 mijë të rinj Amerikanë u vranë në Vietnam, për të rrëzuar gjoja komunizmin dhe vetë Amerika ia dorzoi edhe Vetnamin e jugut komunistëve, nga dy Vietname u la një Vietnam komplet komunist. Amerika dinte çdo gjë dhe tani pas ‘90 më mirë se kushdo në emigracion janë sistemur shumica e pasardhësve të kriminelëve dhe klyshtë e komunistëve. Po kjo Amerikë i ka mbyllë sytë dhe pas ‘90 ka mbajtë në pushtet vetëm ish komunistët dhe ka konsoliduar përfundimisht pushtetin e komunistëve.
Marrë nga muri i fb Avni Delvina, 31 gusht 2025