Lezha Legjendare nderon Monsinjor Dr. Zef Oroshin – Kronikë nga Frank Shkreli

Dom Nikë Ukgjini duke mbajtur fjalën e rastit

Dom Nikë Ukgjini duke mbajtur fjalën e rastit

Lezha Legjendare nderon Monsinjor Dr. Zef Oroshin 

Kronikë nga Frank Shkreli 

Ditën e hënë, me 13 dhjetor, 2021, në Sheshin Gjon Pali II, Rruga Faik Konica, në Lezhën legjendare, është zbuluar busti i klerikut të njohur, atdhetarit dhe anti-komunistit të shquar të diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mons. Dr. Zef Oroshit. Sa simbolike hapësira e zgjedhur nga planifikuesit e këtij projekti, për të vendosur bustin e Mons. Zef Oroshit në atë vend të identifikuar me këta dy emra të mëdhej: njëri i Kishës Katolike Shqiptare dhe tjetri një prej personaliteteve më të njohura të historisë së Shqipërisë. Dom Zefi ishte adhurues i madh i Papa Gjon Palit II dhe kishte respekt edhe për Faik Konicën, gjithashtu, si një patriot e shkrimtar i pashoqtë.
Pasi unë kam shkruar në të kaluarën për vlerat fetare dhe kontributet kombëtare të Dom Zefit – të cilin e kam konsideruar këshilltar dhe besnik timin sa ishte gjallë – këtë kronikë sot po e përgatis bazuar në materialet që pati mirësinë të m’i dërgonte Dom Nikë Ukgjini, koordinatori dhe motorri, si të thuash, jo vetëm i këtij projekti të rëndësishëm dhe me vlerë, por edhe autor i shumë nismave dhe projekteve të tjera të karakterit kombëtar e fetar. Disa prej veprave që ekzistojnë sot, falë angazhimit personal të Dom Nikë Ukgjinit, përfshijnë Qendrën e Poetit Dom Ndre Mjeda në Kukël, të vitit 2014. Dom Nika është angazhuar gjithashtu edhe për restaurimin e dy kishave mesjetare të shek. XIII, me gjurmë të afreskeve të cilat gjendeshin në gjendje të mjerueshme. Pastaj, Kishën në Balldren të Lezhës, e ka përfunduar në vitin 2019 dhe atë të Pllanës në vitin 2020. Të gjitha këto dhe të tjera vepra, Dom Nika i ka realizuar pa asnjë ndihmë nga shteti shqiptar, por kuptohet janë mundësuar me ndihmën e donatorëve privatë, jashta dhe brenda vendit. Ndër planet e ardhëshme të Dom Nikës përfshihet një përkujtimore, që siç njofton ai, është në përfundim e sipër, kushtuar Gazullorëve gjatë shekujve, në Dajç të Zadrimës, duke filluar nga figurat e rëndësishme të periudhës së Gjergj Kastriotit, Gjon e Pal Gazulli, diplomatë të Skënderbeut, e deri të Gjon Gazulli i varur nga mbreti Zog në vitin 1927, e deri tek gjuhëtari Dom Nikollë Gazulli, i pushkatuar nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, në famullinë e Shkrelit, në vitin 1946. Ndër planet e ardhëshme të Dom Nikës dhe bashkpuntorëve të tij, përfshihet edhe restaurimi e rindërtimi i Kishës dhe i qelës së Kuvendit të Arbërit.

Dom Nikë Ukgjini me skulptorin Sadik Spahia, realizuesin e bustit të Mons. Dr. Zef Edhe revista Jeta Katolike  

Dom Nikë Ukgjini me skulptorin Sadik Spahia, realizuesin e bustit të Mons. Dr. Zef Edhe revista Jeta Katolike

Sa u përket nismave të Dom Nikës dhe mbështetësve të tij në fushën e rinovimeve të objekteve fetaro-kulturoro-kombëtare – të rëndësishme për fenë dhe për historinë e Kombit shqiptar – një prej këtyre, pa dyshim, duhet të jetë vepra më e fundit që ai koordinoi, i nxitur sipas tij, nga disa intelektualë të diasporës – e që është vendosja e bustit të Dom Zef Oroshit në Lezhën legjendare, të hënën që kaloi. Fatkeqësisht, qeveria dhe shteti shqiptar, këto tre dekada, jo vetëm që nuk ka ndihmuar, por në të kundërtën, ka penguar shpesh restaurimin ose rindërtimin e monumenteve të tilla. E, megjithë vështirsitë gjatë procesit të miratimit të vendosjes së bustit të Mons. Oroshit në Lezhë, më në fund, i dashuri dhe i respektuari i gjithë komunitetit shqiptaro-amerikan, Mons. Zef Oroshi, pas 69 viteve të arratisjes së tij nga Shqipëria, përjetësohet në atdheun e vetë që aq shumë e ka dashur.

12 Janar, 1974, Hoteli McAlpin, Manhattan Nju Jork –Lidhja Katolike Shqiptaro-Amerikane shtroi një darkë madhështore me rastin e inaugurimit zyrtar të Kishës së parë Katolike Shqiptare në Amerikë.

12 Janar, 1974, Hoteli McAlpin, Manhattan Nju Jork –Lidhja Katolike Shqiptaro-Amerikane shtroi një darkë madhështore me rastin e inaugurimit zyrtar të Kishës së parë Katolike Shqiptare në Amerikë.

Pa pasur mundësi që në një shkrim si ky të pasqyrohen të gjitha kumtesat që u mbajtën me këtë rast të inaugurimit të bustit të Mons. Dr. Zef Oroshit në Lezhë, po përmendi disa. Kryetari i Bashkisë Lezhë, z. Pjerin Ndreu, i cili përshëndeti përgjithësisht të pranishmit e shumtë. Fjalën kryesore e mbajti Dom Nikë Ukgjini, ndërsa folën gjithashtu edhe Vitor Gjikola dhe Leonora Laçi. Kishin dërguar letra urimi edhe përfaqsues të mërgatës, përfshir Z. Elmi Berisha, Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare Vatra në Nju Jork edhe urimin nga z. Ndue Oroshi, Kryetar i Shoqatës së Intelektualëve shqiptarë, “Trojet e Arbrit”, nga diaspora. Edhe përfaqsuesi diplomatik i Vatikanit në Shqipëri, i nderuari Luigi Bonazzi, nuk mungoi me urimet e tija me rastin e inugurimit të bustit të Mons. Dr. Zef Oroshit në Lezhë. 
Ndërkohë, Dom Nikë Ukgjini me rastin e zbulimit të bustit të Mons. Zef Oroshit në Lezhë me 13 dhjetor 2021, (që u mbulua nga media vendase dhe nga Zëri i Amerikës: Nderohet monsinjor Zef Oroshi, themeluesi i kishës “Zoja e Shkodrës” (zeriamerikes.com), ndër të tjera, tha se, sot në 109 vjetorin e lindjes, së Mons. Zef Oroshit, si do të ishte ndryshe, veçse një gëzim për të gjithë, kur pas 32 viteve të kalimit të tij në Amshim në qytetin e Neë Yorkut, nëpërmjet bustit në bronx, përjetësohet në atdheun e tij të dashur, pikërisht, në qytetin e Besëlidhjes në Lezhë, kleriku, intelektuali e atdhetari, Mons. Dr. Zef Oroshi.

(Autori), pjesëmarrës në protestën para OKB-së, 1973 me Monsinjor Dr. Zef Oroshin, organizuesin e protestës kundër vrasjes makabër të At Shtjefën Kurtit, nga regjimi komunist i Enver Hoxhës.

(Autori), pjesëmarrës në protestën para OKB-së, 1973 me Monsinjor Dr. Zef Oroshin, organizuesin e protestës kundër vrasjes makabër të At Shtjefën Kurtit, nga regjimi komunist i Enver Hoxhës.

“Nuk është lehtë sot të flitet para kësaj përkujtimoreje, kur kemi parasysh jetën dhe veprën e tij që e kaloi përplot trazira shpirtërore e fizike! – u shpreh Dom Ukgjini dhe shtoi – Jeta e mundimshme e tij si dhe shumë klerikëve katolikë, kishte filluar që nga koha e kthimit të tij si meshtar i ri nga Roma, në vitin 1940, në Shqipëri, me pas, arratisja e detyrueshme në vitin 1952, për në Jugosllavi, për shkak se mortja e zezë e kishte kapluar gjithë Shqipërinë e në veçanti me persekutimet e klerit katolik në mënyrë të pa mëshirëshme. Gjatë qëndrimit në mes refugjatëve në Itali, nga viti 1954-1960, edhe pse tani e kishte lirinë fizike, brengosjen e mbante në zemër për Shqipërinë e robëruar nga bolshevizmi komunist. Po kështu shqetësimet dhe dhimbja shpirtërore e përcollën jetën e tij edhe gjatë veprimtarisë në mes emigrantëve shqiptare në Amerikë. Gjatë gjithë kësaj periudhe kohore, për t’i mbajtur shqiptarët të bashkuar dhe të mbrojtur nga asimilimi, Oroshi, do të zhvillonte aktivitete të shumta fetare, kulturore e atdhetare, në Kishë dhe në tribuna të ndryshme, kudo që shqiptarët bashkoheshin. Edhe pse qe i vëzhguar nga Sigurimi i shtetit ateist shqiptar, ai kundër sistemit komunist fliste shpesh me mikun e tij Fan Nolin dhe shkruante kudo në shtypin e diasporës shqiptare në SHBA dhe Europë. Forca, madhështia dhe serioziteti i fjalës së tij, dituria e gjerë dhe e thellë, bënte që ai të gëzonte gjithnjë respektin dhe admirimin e thellë nga të gjithë shqiptarët, pa dallim besimi e ndarje politike”, ka thënë Dom Nikë Ukgjini.
“Ngritja e këtij busti”, u tha të pranishëmve, intelektuali i Lezhës, Vitor Gjikola, “është vlerësim dhe homazh për klerikët e familjet e tyre, që përjetuan kalvarin dramatik të burgimeve, internimeve e persekutimeve, pa fund. Nderim për jetë veprës së Monsinjor Zef Oroshit, klerikut, atdhetarit e dijetarit të shquar! Zoti e bekoftë veprën e tij! Respekt e mirënjohje për familjarët e tij, për qëndresën e tyre heroike ndaj dhunës e persekucionit të diktaturës komuniste”, u shpreh Viktor Gjikola, duke falënderuar Bashkinë e Lezhës dhe biznesmenin Martin Lleshi, që bënë të mundur ngritjen e bustit.
Dom Nika falënderoi me këtë rast të gjithë ata që bënë të mundur realizimin e këtij projekti, përfshi “Kryetarin Bashkisë së Lezhës, një dashamirësi i thekshëm i kulturës, z. Pjerin Ndreu”, siç tha ai, “për dhënien e lejës së ndërtimit; prefektin fjalëmirë, Gjokë Jaku; pronarin e Restorantit Milenium, vullnetmirin, Martin Lleshi; biografin e Oroshit, atdhetarin, Tomë Mrijaj nga Nju Jorku; skulptorin e bustit Sadik Spahia, dhe ata që e mundësuan gjithë këtë vepër, shtoi Ukgjini. Dy djemtë e vëllezërve të Mons. Oroshit: Gjon e Nikollë Prendi me djemtë e nipat e tyre. Ta gëzojmë këtë vepër më vlera kombëtare, përfundoi përshëndetjen e rastit, Ukgjini në zbulimin e bustit të Dom Zef Oroshit në Lezhë, të hënën që kaloi.
Një falënderim i veçantë për këtë vepër të shklqyeshme prej të gjithë neve – brenda dhe jashtë Shqipërisë – që e kemi njohur dhe bashkëpunuar për vite me Mons. Zef Oroshin – i shkon, sidomos, Dom Nikë Ukgjinit të palodhshëm, siç u shpreh edhe intelektuali z. Gjikola, “për përkushtimin e lartë të tij, si për çdo punë që ai merr për sipër dhe i shkëlqen!”
Ad multos Annos, Dom Nikë Ukgjini. Zoti të faltë jetë e shëndet!
Frank Shkreli

Frank Shkreli

Frank Shkreli

Urim dhe përshëndetje me rastin e vendosjes së bustit 

të Monsinjor Dr. Zef Oroshit  në Lezhën e Gjergj Kastriotit 

nga Frank Shkreli

I dashur Dom Nikë Ukgjini 
dhe pjesëmarrës të respektuar në këtë ngjarje historike për të nderuar Mons. Dr Zef Oroshin i shpallur si, “I denjë për t’u përmendur për punë të mira…”, nga Papa Pali VI – 24 Janar, 1974. 
Në pa mundësi t’i përgjigjem pozitivisht ftesës së Dom Nikës, ju dërgoj të gjithë ju urimet dhe përshëndetjet e mia më të përzemërta për këtë akt fetar dhe kombëtar – për nderimin që po i bëni dhe për respektin që po tregoni ndaj një të madhi të diasporës shqiptare dhe kombit shqiptar – Mons. Dr Zef Oroshit. Me vendosjen e bustit të tij në Lezhën e besës së Kastriotit, ju po nderoni një shqiptar dhe klerik të madh, por po nderoni edhe veten. U lumtë për realizimin e kësaj vepre fetaro-kombëtare.

Dom Zef Oroshi - Jeta Katolike

Dom Zef Oroshi – Jeta Katolike

Mons. Dr Zef Oroshi, gjatë gjithë jetës së tij në mërgim por edhe në Atdhe – prej ku u detyrua të arratisej nga murtaja komuniste që e ndiqte hap pas hapi për ta kapur të gjallë ose të vdekur. Megjithëkëte, ai i qëndroi besnik të Madhit Zot, Kishës Katolike Shqiptare, Atdheut tonë të dashur Shqipërisë, si dhe idealeve dhe parimeve të shënjta të lirisë dhe demokracisë. 
Lajmi për Vendosjen e bustit të Monsinjor Dr. Zef Oroshit në Lezhë sjellë kënaqësi të madhe – jo vetëm për Famullinë Zoja e Këshillit të Mirë që ai ka themeluar në Nju Jork, (sot Kisha Zoja e Shkodrës) – por edhe për mbarë komunitetin shqiptaro-amerikan, pa dallim feje a krahine. 
Me respekt dhe admirim për të gjithë ju, po dërgoj urimet dhe përshëndetjet e mia më të përzemërta, si një ish-bashkëpuntor i ngushtë i të dashurit tonë të përbashkët, Mons. Dr. Zef Oroshit, këshilltar dhe besnik i imi ndër vite. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij në Atdhe, të cilin e donte aq shumë por dhe këtu në mërgim – në Amerikën tonë të dashur – ku Dom Zefi kaloi një pjesë të madhe të jetës së tij. 
Ju lumtë dhe Zoti u bekoftë të gjithëve!
Përzemërsisht,
Frank Shkreli

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook