back to top
5.5 C
Tirana
E shtunë, 14 Mars, 2026

Kur atdheu bëhet mutdhé – nga Rezart Palluqi

Gazeta

Kapllan Resuli
Kapllan Resuli mbas burgut
Kur atdheu bëhet mut-dhé
nga Rezart Palluqi

Kapllan Resuli, sipas bindjes sime, mbetet shkrimtari më i persekutuar i hapësirës shqiptare në shekullin e fundit. Njëkohësisht, ai mbetet ndër shkrimtarët më thellësisht atdhedashës të gjashtëdhjetë viteve të fundit.
Njohim me mijra nëna që kanë sakrifikuar gjithçka për fëmijët e tyre. Kanë djegur rininë, shëndetin, jetën, që ata të rriteshin më të lumtur. Por dashuria e madhe e një nëne mund të shndërrohet në urrejtje po aq të madhe, kur fëmijët përdhosin me vetëdije e vazhdimisht sakrificat e saj. Sa e sa nëna u kanë bërë lanet bijve të tyre!
“Ti nuk je më fëmija im! Mos ta pafsha bojën!” – shpërthejnë ato, të mbushura me vrer.
Një nënë që ka njohur një rini të qetë e të lumtur, ndoshta fal. Një nënë e traumatizuar – rrallëherë. Njoh personalisht disa të tilla. Jam përpjekur t’i pajtoj me fëmijët e tyre, por plaga e thellë nuk mbyllet lehtë.
Marrëdhënia e intelektualit të vërtetë me atdheun i ngjan kësaj lidhjeje mes nënës dhe fëmijës. Kapllan Resuli ishte si një baba i plagosur rëndë nga vetë dheu i tij. Traumën ia krijoi diktatura enveriste dhe hija e saj pasuese. Pesëdhjetë e pesë vjet përndjekje dhe terror.
Në vitin 1959, u dënua me dy vjet burg në burgun famëkeq të Idrizovë për agjitacion politik. Pas lirimit u arratis në Shqipëri, ku shkroi romanin “Tradhtia”. Regjimi fillimisht ia botoi veprën, por të censuruar rëndë – rreth njëqind faqe të hequra. Kur romani ngjalli revoltë në Kosovë, ai u arrestua sërish, në vitin 1970.
Në gjyq deklaroi hapur: “Kosova duhet të bëhet Republikë dhe ne duhet të krijojmë një front për ta shpëtuar Kosovën”, si dhe: “Shqipëria nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë e interesuar për Kosovën.” Parashikim i hidhur, që koha e vërtetoi në mënyrë tronditëse.
Ai u dergj në burgjet enveriste deri më 1991. Ndërkohë, familja e tij u dhunua e u përndoq mizorisht prej sigurimit, ndërkohë qe ”familja e Trebeshinës nuk u prek aspak”. Edhe pas rënies së regjimit, përndjekja vazhdoi në forma të tjera: izolim, heshtje, margjinalizim. Në fund, falë ndihmës së vajzës së tij, u detyrua të emigronte në Turqi, ku vazhdoi betejën e tij intelektuale deri në frymën e fundit.
Qarqe të caktuara politike dhe letrare pasenveriste, në bashkërendim me interesat serbe të kohës së Slobodan Milosheviç dhe pasardhësve të tij, e luftuan Resulin me çdo mjet – përveç plumbit. Ai prishte narrativat e ngrira letrare, sfidonte historiografinë e falsifikuar zyrtare dhe demaskonte kompromiset e errëta politike. Zëri i tij ishte i pakontrollueshëm.
I mohuan tribunën publike. Intervistat ia shtrembëruan. Veprat u zhdukën nga arkiva biles edhe ato të Gjenevës. U zbatua ndaj tij politika e heshtjes dhe e tokës së djegur kulturore. Ndërkohë, figura të tjera si Kasëm Trebeshina, pavarësisht përndjekjeve, patën herë pas here ndonjë çarje në murin e izolimit. Resuli jo. Ai ulërinte – në letërsi dhe në jetë.
Durimi i një njeriu të plagosur ka kufi. Resuli e deshi Kosovën me pasion idealist. Ai nuk kërkoi pushtet, as karrierë. Kërkoi drejtësi historike dhe bashkim kombëtar. Një jetë të tërë priti një fjalë mirënjohjeje, një gjest nderimi, një përkëdhelje simbolike nga atdheu. Gjë që nuk e mori.
Siç ndodhi dikur me Gjergj Fishta, të cilit iu nxinë veprat për shkak të disa shpërthimeve të tij të drejta emocionale ndaj Shqipërisë, apo me Trebeshinën kur ish kryegjeli oborrtar letrar e akuzoi se ka vrarë dikë me pistoletë në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare, edhe Resuli u la në periferi, i përbuzur dhe i shtrembëruar publikisht.
A duhet të çuditemi, atëherë, kur një atdhedashës i braktisur lëshon britmë? Kur njeriu i përndjekur nga gjysmë shekulli kafshimesh helmuese mallkon dheun ku u lind?
Shembulli i Albin Kurti tregon se kur shoqëria mobilizohet, intelektuali mund të mbrohet dhe të ngrihet. Por Resuli nuk pati një përkrahje të tillë – as nga Shqipëria, as nga Kosova.
Ai vdiq i vetmuar. I hidhëruar. I tradhtuar nga institucionet që duhej ta mbronin. Jeta e tij u shndërrua në një monument dhimbjeje me një fjalë të gdhendur mbi çdo gur: “Tradhtia”.
Prandaj, para se dikush ta akuzojë Kapllan Resulin si armik të Shqipërisë, duhet të bëjë dy gjëra:
Së pari, të lexojë me vëmendje romanin “Tradhtia”, ku zbërthehet me forcë artistike drama e luftës civile dhe raporti tradhëtar i Tiranës zyrtare me Kosovën.
Së dyti, të kuptojë se ai u torturua për gjysëm shekulli, derisa vdiq, nga i njëjti atdhe që kishte idealizuar.
Kapllan Resuli ëndërroi një atdhe të bashkuar. Sakrifikoi pa masë. Por sa qe gjallë, u ndesh me mure heshtjeje. Për të, atdheu – në fund – u bë mut-dhé: jo toka e bekuar e idealeve, por balta e zhgënjimit.
U takon sot katedrave letrare shqiptare, sidomos atyre të Kosovës, ta rilexojnë me seriozitet romanin “Tradhtia” dhe ta vendosin në peshoren e historisë dhe të artit. Sepse letërsia e madhe nuk është komode. Ajo trazon, përplas, zgjon.
Dhe ndoshta, pikërisht aty ku dhëmb më shumë, fillon shërimi.
Rezart Palluqi, Shkurt 2026

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.