back to top
5.5 C
Tirana
E shtunë, 14 Mars, 2026

Nuk festonim ditëlindjet, por vajtonim ditëvdekjet! – ese nga Kim Mehmeti

Gazeta

Kim Mehmeti
Kim Mehmeti

Nuk festonim ditëlindjet, por vajtonim ditëvdekjet!
ese e shkurtër nga Kim Mehmeti

Jam i gjeneratës me imagjinatë të zhvilluar. U takoj atyre që qysh në fëmijëri u desh ta përvetësonin mjeshtërinë për ta zbukuruar përditshmërinë e zymtë me ëndrra dhe shpresa shumëngjyrëshe.
Vij nga vitet e pas Luftës së Dytë Botërore, kur lindnin shumë fëmijë, por pak prej tyre plakeshin, ngaqë ishin të vaksinuar vetëm me dashurinë e prindërve, të cilët kishin hallin nëse duhej ta braktisnin vendlindjen e të shtegëtonin në viset e panjohura të Anadollisë, apo të mbeteshin në ato hapësira ku adresë e kishe fenë dhe përkatësinë etnike.
Në ato hapësira ku asokohe disa të porsalindur i merrte fruthi, të tjerët kolla e keqe apo ngërçi i gjumit të parë; të mbeteshin në ato vise ku nuk festoheshin gjithaq ditëlindjet, por ku vajtoheshin ditëvdekjet e atyre që shkonin atje ku fëmijët nuk rriteshin, të rinjtë nuk plakeshin e pleqtë nuk sëmureshin.
Si i ardhur nga vitet e zhytura në baltën e paqartësive të pasluftës, nuk kishte si të mos e kuptoja se atij që pandalë i ringjallen vuajtjet e së shkuarëds, kurrë nuk do i takojë lavdia, por përgjegjësia.
Andaj, në vitet e mëvonshme, kur nisa të shkruaj për të tjerët që ta shpalosja vetveten, pra kur nëpër ekrane televizive rrëfeja për vetveten që t’i portretoja ata të cilëve u përkisja, bëja çmos që të mos harroja se me asgjë nuk isha më i rëndësishëm se ata që më lexonin dhe dëgjonin.
Ndërkohë kishte çaste kur, naivisht, besoja se kisha thënë apo shkruar gjëra pas të cilave duhej vënë pikë, e që shumë shpejt ta kuptoja se thëniet e mia nuk vlenin as sa një presje në mes të fjalisë.
Siç kishte ditë kur më bëhej se u pëlqeja të gjithëve, duke mos e ditur se kështu i largohesha vetvetes, se kisha nisur ta ndieja jetën si erën e shtëpisë sime në ndonjë hotel të largët.
Pastaj erdhi edhe libri im i parë, të cilit më shumë i besuan ata që e lexuan sesa unë që e shkrova, të cilin e lavdonin ata që dyshonin në mua, ata që besonin se isha një i gabuar që do kthehej nga kishte ardhur.
Sidoqoftë, vitet rridhnin pa pasur nevojë të merren me atë nëse kundërshtarë të vërtet i kisha ata që nuk e pëlqenin atë që shkruaja e thoja publikisht, apo ata që e pëlqejnë heshtjen time.
Dhe përderisa vitet vinin e shkonin, e librat shtoheshin, gjithnjë e më shumë ndihesha si i paardhur fare, si ai që veprat i japin pak famë, por duke i marrë copëza të vetvetes.
Ndërkohë, disa thoshin se e kisha dhënë provimin pranues për të qenë shkrimtar, e të tjerët sillnin dëshmi se isha i paditur, se kisha diplomuar udhëve të jetës e të botës, se mësimdhënës i kisha pasur lypsarët dhe fatkeqët e saj.
Pastaj nisën të më pakësohen miqtë e të më shtohen redaktorët, që më udhëzonin cilin tregim ta bëja roman e cilin roman tregim, që më këshillonin ta harroja vetveten e të bëhesha ai që nuk jam.
Dhe ndodhi më e bukura që mund t’i ndodhte një të ardhuri thuajse gabimisht në botën krijuese: disa libra të mi zunë vend në raftet e bibliotekave, me ç’rast ia dola të bëhesha pjesë e shtëpive të huaja.
Asokohe as që e dija se do të vinte dita kur, papritur, në mes të Prishtinës, zemra ime do të ndalej e do të ma kumtonte të vërtetën se ajo nuk është letër ku mund ta shkruash rrëfimin që do ta lexojnë të tjerët, por se është pronare e trupit.
Dhe era e dhomës së spitalit më ndihmoi ta kuptoja se nuk jam ai që shihesha, por ai brenda meje, se fatin jetësor nuk mund ta rregullosh si tavolinën e punës, as atë ta rirrëfesh si kapitullin e romanit që shkruan.
Fati të vjen herë si ngulfatje, herë si dyshim që të çon ta rrënosh atë që paraprakisht ke ndërtuar.
Pra, ai vjen herë si shoku yt i vetëm që të shoqëron në bregun e pikëllimit, herë si krimb i palodhshëm që e bren kufomën e vetëbesimit tënd.
Dhe fati jetësor nuk është asgjë tjetër përpos ta ëndërrosh jetën ashtu siç do të doje ta kishe, e ta jetosh me atë që ta sjell e nesërmja, me ato që të ndodhin e për të cilat nuk ka edhe një herë tjetër.
Fati është arnese me copëza të dhembjes së heshtur, ai është ngjizje nga bindja se mua nuk më takonte keqardhja e tjerëve as atëherë kur rrëzohesha, ngaqë me vetëdëshirë kisha zgjedhur të flas me gjuhën e atyre që ishin të dënuar të heshtnin.
E ata që heshtnin ngaqë nuk i pyeste askush për asgjë vazhdonin të pyesnin çka më mbante në këmbë, kush qëndronte pas meje, duke mos më besuar se isha vetëm ai që shihnin, se duke shkruar për të shkuarën dhe duke folur për të sotmen, doja ta blija të ardhmen e nipërve dhe fëmijëve të mi.
Po, pra, duke mos iu dorëzuar heshtjes, doja ta laja borxhin ndaj gjeneratës së lindur në vitet kur jetën e zbukuronim me atë që nuk na takonte: me të imagjinuarat.
Gjeneratë që qysh në fëmijëri e kishte kuptuar se jo kremtimet e ditëlindjeve, por vajtimet e ditëvdekjeve të mundësojnë ta kuptosh se e frikshme nuk është vdekja, por jeta, se vdekja ta merr të shkuarën që nuk e ke dhe të ardhmen që nuk të takon, e jeta mund të ta merr edhe fytyrën.
Isha, pra, një nga ata të lindur në shpatet e Malit të Krojeve, nga ana jugore e Shkupit, të ardhur në këtë botë në kohë kur historinë nuk e mësonim nga librat e historianëve, por nga dënesa e heshtur e nënave dhe nga lotët e gjysheve tona.
Dhe historia e mësuar nga dënesja e nënave dhe nga lotët e gjysheve ta kumtonte të vërtetën se fatin tënd nuk duhet lënë në duar të huaja, se edhe kur i shpëton zjarrit ku digjen të tjerët, me vete e merr erën e blozës dhe të tymit.
Ndërkaq do të gënjeja nëse nuk do të pranoja se shpeshherë e kisha pyetur vetveten se çka do të zgjidhja po të kthehesha sërish në vitet e fëmijërisë: fjalët publike që të sjellin vetëm shqetësim, apo heshtjen që të sjell përfitime të turpshme.
Përgjigjja më vinte përmes zërit të babait, që na thoshte se nuk të vlen gjë asnjë përfitim, nëse e ke vrarë njeriun në vete.
Marrë nga Muri i FBC Kim Mehmeti, 11 shkurt 2026

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.