back to top
10.5 C
Tirana
E diel, 8 Dhjetor, 2024

Jo vetëm “Hymni i Flamurit” – Paolo Muner

Gazeta

Paolo Muner
Paolo Muner

Jo vetëm “Hymni i Flamurit” – Paolo Muner

Disa kuriozitete mbi “himnet e tjera kombëtare” shqiptare,

në ag’ të Pavarësisë

Në shtypin shqiptar të disa muajve më parë, nisur nga disa karakteristika të këngës që do të përfaqësonte Shqipërinë në Festivalin Evropian të Këngës, u fol për ndonjë problem të vockël të mundshëm ndërkombëtar. Dihet që në realitet shpesh bëhet fjalë për montazhe gazetareske të ngjizura ndoshta për favorizim/dëmtimin e interesave të mëdha në fjalë, si ato diskografike, televizive dhe – pse jo? – politike, por, sidoqoftë, ne s’mund ta injorojmë asesi që kënga është një prej mjeteve propagandistike të simboleve të shtetit, e nëse sot diskutohet për këngë “pop” me sfond kombëtar, dikur në modë ishin këngët patriotike, me vlerën më të madhe mes së cilave himnet kombëtare.

Hymni 1
Hymni 1

1)Hymni i Flamurit
Siç e dimë, viti që sapo lamë pas pati një rëndësi të madhe për Shqipërinë dhe shqiptarët, për të gjithë shqiptarët: u celebrua njëqind vjetori i parë i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Në këtë kontekst, mbi gjithë simbolet e tjera mbizotëruan  dy elementët kryesorë kombëtarë, simbole të mirëfillta: Flamuri dhe Himni, dy elemente me një vlerë absolute kryesore për çdo komb, por në rastin e shqiptarëve edhe më shumë; nuk është aspak rastësi që 28 nëntori, festa e tyre kombëtare, dita e shpalljes së pavarësisë, quhet edhe Dita e Flamurit, dhe Himni Kombëtar është luajtur për të parën herë, si i tillë siç thuhet, pikërisht në këtë ditë, më 1912-n.
Edhe pse s’më takon, përsa do rrëfej edhe më poshtë, dy rreshta për himnin aktual duhet t’i them, qoftë edhe për lexuesit “e huaj” të mundshëm.
Muzikën e tij e ka kompozuar rumuni Ciprian Porumbescu[1] për himnin “Pe-al nostru steag e scris Unire” (Mbi flamurin tonë është shkruar Bashkim), dhe në shqip u këndua për herë të parë prej korit të kolonisë shqiptare të Bukureshtit[2], me tekstin e patriotit shqiptar Asdreni[3]. Titulli i tij zyrtar, siç njihet edhe prej Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, neni 14, pika 4, është “Rreth Flamurit të Përbashkuar”, që është edhe vargu i parë i tekstit. Po të shohim nëpër kombet e tjera, gjejmë edhe emërtime ndoshta më të pasura me fantazi, hera-herës origjinale apo eksentrike, që kanë nevojë për më shumë se një shpjegim, por për shqiptarët përkufizimi dhe koncepti janë mëse të qarta, thuajse një, dhe mund të jemi mëse të sigurt që kjo s’ka ndodhur aspak për mungesë fantazie, e cila sigurisht s’u mungon shqiptarëve. Në esenë e tij të fundit, “Mosmarrëveshja. Mbi raportet e Shqipërisë me vetveten”[4], Ismail Kadare, shkrimtari më i madh shqiptar dhe një nga më të mëdhenjtë e botës, ndalet gjatë mbi peripecitë e himnit aktual qysh në krye të herës: “Shqipëria, – shkruan ai, – është i vetmi shtet në Europë që “Himnin” e vet, atë që quhet zakonisht mbretëror, kombëtar apo shtetëror, e ka emërtuar fillimisht si “himni i flamurit”. Edhe pse muzika vazhdon të jetë e njëjta, teksti i tij ka ndryshuar shpesh, në sintoni me ndryshimet institucionale e konstitucionale dhe gjatë fazës më të spikatur të “ateizmit të shtetit” iu hoqën edhe krejt referimet tek Zoti, të ashtuquajturit Zot. Por një gjë e tillë ka ndodhur edhe në anë të tjera të botës.
Më shumë s’mund të them: do të tingëllonte mësymëse ose të paktën mendjemadhësi që unë, si i huaj (për ta thënë siç është, si italian që në Shqipëri s’ndihet aspak i huaj), të merrja guximin e t’u rrëfeja shqiptarëve historinë dhe ngjarjet e himnit të tyre kombëtar. Do shtoja vetëm që s’duhet habitur që muzika është shkruar jashtë: kjo ka ndodhur edhe herë të tjera e në të tjera vende: në rastin e Shqipërisë mjafton të kujtojmë se sa dhe ç’rëndësi pati gjatë Rilindjes aktiviteti i rumunëve dhe i shqiptarëve emigrantë në Rumani.
Por, vetëm pas atij të italo-shqiptarëve, pra arbëreshëve të Italisë.
Ja pse po përpiqem t’u rrëfej atë që kam gjetur gjatë kërkimeve të mia modeste mbi historinë shqiptare për disa “himne kombëtare” të tjera, të cilësuara pak a shumë të tilla, që e patën origjinën e tyre në Itali apo në hapësirat kulturore italiane/italianofone. Gjithësesi, ky mbetet një kërkim (si dhe gjithë të tjerët), që sa më thellë t’i shkohet, aq më tepër zgjerohet, ndaj, për shkak se s’mund ta pohoj shterimin e tij me kaq, mendoj t’i jap dinjitetin e një libri, të cilin do ta publikoj sa më parë të jetë e mundur.

Hymni 2
Hymni 2

2)Borgo Erizzo – 1912
Borgo Erizzo është një vend në portat e Zarës, themeluar në mes të shekullit XVIII prej emigrantëve mbërritur prej Shkodrës dhe Tivarit[5], me iniciativën e Administratorit të Përgjithshëm të Dalmacisë dhe Shqipërisë[6], Nicolò Erizzo-s, prej të cilit vendi mori dhe emrin. Meshkujt e shqiptarëve të Borgo Erizzo-s[7] u punësuan në kasaperinë komunale të Zarës, kurse femrat iu përkushtuan – në ambientet shtëpiake – mbështjelljes së shisheve të maraskinos[8].
Në vitet ‘800-n këta emigrantë shqiptarë u gjendën të përfshirë në luftën kombëtare që kryhej në Dalmaci mes italianëve dhe kroatëve, por mund të thuhet që shumica u bënë italofonë dhe u italianizuan aq sa, edhe në Borgo Erizzo, ashtu si edhe në lokalitetet e tjera të Perandorisë Austriake të populluara prej italianëve, u krijua Shoqata e Qitësave[9]. Edhe pse zyrtarisht të tilla shoqata mbështesinin aktivitetin e gjuetisë, në të vërtetë ato ishin pretekst për të rindezur ndjenjat kombëtare italiane, aq sa shpesh mbanin një fanfarë (bandë muzikore) shumë të ngjashme me atë të Qitësave ushtarakë italianë, madje edhe uniformat i kishin thuajse njësoj. “Më 1912-n, shoqata pasurohet edhe me një kor drejtuar prej maestro Giuseppe Knering-ut, i njohur edhe si autori i një “himni shqiptar”, kompozuar në italisht me muzikën e maestros Paolo Riversa-s, të cilin borgerizanët donin t’ia dedikonin mëmëdheut për të celebruar mbërritjen e pavarësisë”[10]. Gjurmët e këtij himni për fat të keq kanë humbur, ashtu si edhe një pjesë e mirë e dëshmive të italianitetit[11] në Dalmaci.
Sot Borgo Erizzo në kroatisht quhet Arbanasi, një emër që gjithësesi kujton origjinën antike të atij fshati[12]. Sipas Robert Elsie[13]-s, aktualisht në Kroaci jetojnë rreth 4.000 Arbanas.

Hymni 3
Hymni 3

3)Kongresi i Shqiptarëve në Trieste – 1913
Siç edhe dihet, në Trieste, më 4 mars 1913 u mbajt Kongresi i Shqiptarëve, ardhur nga e gjithë bota, që u udhëhoq prej Faik bej Konicës, ku morën pjesë një sërë figurash të njohura të Rilindjes (si Fan Noli, Dervish Hima, Fazil Pashë Toptani, Pandeli Evangjeli, Nikola Ivanaj, Princi Alberto Gjika, Sotir Kolea, Stefan Kaçulini, disa nga më të njohurit), por edhe përfaqësues nga më në zë të kolonisë arbëreshe të Italisë (si Xhuzepe Skiro, Anselmo Lorekio, Terenc Toçi, Gjergj Kastriot – Skënderbeu, markezi i Auletës), ku u diskutua mbi të ardhmen e Shqipërisë, pavarësisa e së cilës qe shpallur, formalisht veçse, disa muaj më parë.
Gjatë katër ditëve të punimeve u përdorën gjerësisht simbolet kombëtare, u shfaqën flamuj, u thirr urimi “Rroftë Shqipëria”, e madje e u luajt edhe një himn shqiptar. Në fakt tek “L’osservatore Triestino” i 6 marsit lexojmë: “…pasi një fotograf kreu në sallë, nën dritën e magnezit, një fotografi të kongresistëve, u këndua himni shqiptar”. Cili himn? S’na bëhet e ditur, por mund të guxojmë të pandehim: mes delegatëve gjendeshin edhe përfaqësuesit e kolonisë shqiptare të Bukureshtit ku, siç rrëfyem edhe më sipër, lindi Hymni vërtet i Flamurit, por edhe ata të Borgo Erizzo-s, të cilët, edhe pse modest në numër, kishin gjithashtu një himn, pavarësisht se në italisht. Cili prej të dyve të jetë luajtur? Gjasat janë që një gjë e tillë të mbetet e paqartë.

Hymni 4
Hymni 4

4)Në Shkodër në regjim ndërkombëtar – 1913
Prej kujtimeve të Carlo Galli-t, Konsullit Mbretëror të Italisë në Shkodër[14] e më pas edhe anëtar – e po ashtu edhe President – i Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, – veç rrëfimeve të qarta mbi politikën ndërkombëtare – përftojmë edhe një përshkrim të jetës shoqërore shkodrane, e cila shfaqet tejmase e pasur jo vetëm për shkak të anëtarëve të Komisionit që ndodheshin aty, që shpeshherë shoqëroheshin edhe prej familjeve përkatëse, por edhe prej detashmenteve të ndryshme ushtarake, mijëra njerëzshe: “30 gusht 1913…. zbavitjes artistike të detashmenteve të ndryshme (300 burrave anglezë, Austria dhe Italia një batalion, nja njëqind gjermanë, 200 francezë) i shtohen edhe tri banda. Shkodranët s’kanë dëgjuar kurrë kaq shumë muzikë. Tashmë kanë dhe himnin e tyre, shkruar prej Maestros sonë.”[15] Edhe në këtë rast s’na bëhet e ditur asgjë më shumë mbi himnin, as emri i autorit dhe as nëse Konsulli Galli nënkuptonte me “prej Maestros sonë” drejtorin e fanfarës italiane të Regjimentit 42° të Fanterisë, i cili një vit më vonë[16] citohet si Maestro Misasi[17], për të cilin s’mund të thuhet me siguri se ka qenë i njëjti.

Hymni 5
Hymni 5

5)Mbretëria e Princit Wied – 1914
Në Kongresin e Triestes, teksa diskutohej mbi të ardhmen e Shqipërisë, u vendos që çështja e princit që do të qeveriste vendin, siç kishin vendosur Fuqitë e Mëdha, të mos vihej në rendin e ditës; gjithësesi, dikush tentoi ta prekte argumentin në fjalë, kjo edhe për faktin se në Kongres ndodheshin disa prej “pretendentëve” të “fronit të ri”, por, hiq ndonjë shenjë incidenti, argumenti u la mënjanë, siç ishte edhe parashikuar.
Zgjedhja u bë disa muaj më pas, dhe lapsi ra siç e dimë mbi emrin e princit gjerman Wilhelm von Wied. “Aventura e tij shqiptare”, muzikalisht po themi, s’nisi rastësisht më 5 mars të 1914-s pikërisht në Trieste, nga ku ai hipi në i.r anijen a.u “Taurus” që do ta çonte në Durrës.
Gjithmonë prej kronikave kuptojmë[18] që “pak çaste pas mbërritjes së trenit mbretëror në stacionin e Triestes, Madhëria e tij Princi Wied zbriti prej vagonit-sallon pasuar prej bashkëshortes, princeshës Sofia, dhe dy damave të saj të nderit. Muzika[19] përcolli himnin shqiptar”.
S’e ç’himn ishte, s’e dimë, dhe tani për tani ndalemi këtu…
Dy ditë më pas kur mbërriti në Durrës, më 7 mars, princi u prit prej autoriteteve, “teksa banda luante himnin kombëtar kompozuar prej maestros italian Nardella-s”[20],[21],[22]. Banda që kishte ardhur nga Bari drejtohej prej maestro Enrico Annoscia-s[23].
Për këtë himn dimë diçka më shumë: fjalët e tij janë shkruar prej Lonith Logory-së[24] dhe partitura origjinale u publikua nga “Capolongo-Feola” e Napolit, më 1913-n. Për të marrë vesh ca më shumë mbi të, kontaktuam shtëpinë botuese “Capolongo-Feola” të Napolit, gjë jo e lehtë kjo, sepse pikërisht në këto vite ajo kishte ndryshuar edhe emërtimin e saj në “La Canzonetta”, emërtim me të cilin vazhdon aktivitetin edhe sot. Për mundësinë e thellimit të mëtejshëm të kësaj historie, i detyrohem bujarisë së pronarit të saj, zotit Franco Fedele dhe bashkëpunëtorit të tij, zotit Antonio Sciotti-t.
Himni i ishte dhënë Maestro Nardella-ës prej një “Komiteti Shqiptar” jo fort të qartë, i cili me sa duket përpiqej ta priste sa më mirë të mundej princin e ri të Shqipërisë; të paktën kjo lexohet mbi kopertinën e dymujorëshes “La Canzonetta – Organo della Canzone Napoletana”, botuar po nga “Capolongo-Feola”, botim i 22 marsit 1914, vetëm disa ditë pas mbërritjes së Princit të Shqipërisë, e cila në terma shumë elitarë, por tipikë të epokës e madje – nëse do të duam – edhe të botës së këngëve, titullohet: “Kënga që triumfon – Himni Kombëtar Shqiptar, i Mastro Nardelës”, ku mes të tjerave lexohet: “Kënga që triumfon? Po, ende dhe përgjithmonë! Sepse një popull sypatrembur e të fortësh, në agun e ndërtimit të pavarësisë së vet do t’i këndojë lavdisë, rreziqeve dhe fateve të reja kundër të cilave shkon; ky popull, që është i huaj, jo raca jonë, por që ndjen nevojën e pamposhtur për t’i kënduar lirisë dhe dashurisë me fanfarat dhe fytet e veta ende instinktive, i drejtohet për ndihmë pikërisht kompozitorit tonë, një kompozitori prej Napolit, të cilit i kërkon këngën e tij të paqes[25], himnin kombëtar. Kështu, Komiteti Shqiptar iu drejtua Nardella-s sonë, që ai t’u vishte me harmoni luftarake poezinë e një poeti të Mbretërisë së re.”
Më tutje informohemi se: “Mbreti i ri u prit menjëherë; e gjithë turma e popullit delirant e këndoi himnin me një emocion frenetik edhe për faktin se ai e kishte bërë s’ishte thjesht italian, por edhe një napoletan”.
Në fund, nuk mungon saktësimi që: “Botimi i këtij Himni u kurua prej shtëpisë sonë botuese dhe qysh prej kësaj jave gjendet në shitje në të gjithë botën.”
Këto fjalët e fundit, “në të gjithë botën”, s’duhet t’ju nxisin buzëqeshjen, sepse nëpër katalogët e Victor-it, një prej shtëpive më të mëdha diskografike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rezulton që më 28 mars 1918, (kur princi Wied kishte katër vjet që ishte larguar prej Shqipërisë), në New York mbi diskun 10″ n. 72187 publikohet ”Hymni mbretnor”, interpretuar prej tenorit Giuseppe Mauro (me origjinë arbëreshë), luajtur prej orkestrës së drejtuar nga Nathaniel Shilkret-i[26]. Për fat të keq, si autor tregohet vetëm Loni Logori.
Gjithmonë prej revistës “La Canzonetta” kuptojmë që për përkthimin më të mirë të himnit në ritmikën italiane, ishte shpallur edhe një konkurs me një çmim prej 10 lirash; se e kujt ishte kjo iniciativë, s’bëhet e ditur…
Nisur nga fotografia e Princit mbi kopertinën e “partiturës”, duket pak e besueshme që ky himn të jetë shkruajtur kastile ose të paktën duke pasur ndërmend Princin, kjo për shkak edhe të datës që i vihet – gjithmonë mbi kopertinë – këtij kompozimi (1913).
Është e vërtetë që principata e Shqipërisë iu propozua Princ Wied-it në fund të 1913-s, por ai gatishmërinë e vet për këtë post e komunikoi vetëm më 6 shkurt të 1914-s, dhe vetëm më 21 shkurt, gjatë takimit me përfaqësinë shqiptare që kishte shkuar në Neuwied për t’ia ofruar, pranoi formalisht fronin.
Për ata që e dinin “ç’pruri me vete” von Wied-i kur mbërriti në Durrës, i cili kishte gjithçka veç parave dhe ushtarëve (medalje, uniforma, mobilje, aksesorë, enë kuzhine, qen gjuetie, etj.), s’mbetej gjë tjetër veç prezantimit të tij edhe me një himn të bukur të stilit teutonik. Por është mëse e pamundur që ai të ketë menduar për një të tillë – qysh prej paralajmërimeve të para – e sidomos t’ia besonte kompozimin e tij një muzikanti italian, një napoletani. Dikush, padyshim, do t’i kish thënë që ky himn ekzistonte mirë e bukur, komisionuar prej “Komitetit Shqiptar”.
Në një prej librave të tij të çmuar[27], Artan Lame publikon partiturën e një “Himni Mbretnor” me shumë vargje, shoqëruar prej një didaskalie të ngucët: “Teksti dhe muzika e Himnit Mbretëror, krijuar për Principatën e Shqipërisë” (AQSH)”, ku nuk thuhet asgjë mbi autorët e muzikës dhe tekstit. Duke njohur rigorozitetin kërkimor që shquan Artan Lamen, më duhet të besoj që të dhënat nuk kanë qenë, pa ai nuk i ka vënë.
Në të vërtetë, partitura zyrtare botuar në Napoli, që ndryshon si nga grafika ashtu edhe nga shumë veçori të tjera prej asaj që sillet në librin e sipërcituar, mban titullin dygjuhësh: “Hymne M. Ti Mbretit Shqiperisë – Inno nazionale albanese”.
Gjithmonë prej Artan Lames[28], kuptojmë që “Më 1921[29], Princi dekoroi me Medaljen Zyrtare të Urdhërit të Shqiponjave të Zeza autorin (shqiptar) të Himnit Kombëtar të 1914-s”, por sërish nuk thuhet se kush ishte autori që ishte dekoruar.

At Gjergj Fishta (1871-1940)
At Gjergj Fishta (1871-1940)

6)Lec Kurti – Gjergj Fishta
Gjithmonë më 1913-n (por me një pikëpyetje të fortë) shfaqet një tjetër himn flamuri, me muzikë të Lec Kurtit [30] dhe tekst të Gjergj Fishtës.
Këtë e mësojmë prej “Musica Albanica – Studime dhe Dokumenta – III”[31], ku në një renditje të plotë të kompozimeve të Lec Kurtit, lexojmë: Muzike korale – Flamuri, Hymni i Flamurit, Teksti Gj. Fishta (1913(?).
Nëpër disa regjistrime të së njëjtës kohë, ai tregohet edhe me titullin “Porsi fleta e ejllit t’Zotit”, i cili, veç të tjerave, është edhe vargu i parë i tekstit. Më 1913-n, Lec Kurti ndodhej në Venecia, ku frekuentonte Konservatorin. Edhe pse këtu ai kompozoi thuajse gjithë veprat e tij, data 1913, në këtë rast duket pak e besueshme.
I njëjti burim na informon edhe që Kurti ka kompozuar edhe Marshi i Mbretit Wied (1913(?)).
Nëse Lec Kurti ka kompozuar një “marsh” për Princ Wied-in, probemin e datimit mënjanë, edhe himni i kompozuar prej tij (në të njëjtin vit) duhej t’i referohej të njëjtit princ, por ne pamë që Princi e kishte një të tillë, dy madje, gjithmonë nëse s’është fjala për atë që u luajt në stacionin hekurudhor të Triestes.
Një hipotezë e tillë lidhet më shumë me “fantazinë”, ndaj ka të ngjarë që të bëhet fjalë për një “himn të tretë”, ç’ka do t’i jepte Princ Vidit një tjetër rekord, veç atij të mbretërimit më jetëshkurtër: ai i të pasurit tri himne, pra mesatarisht një për çdo dy muaj mbretërimi.

7)Periudha e Zogut.
Gjatë periudhës së Zogut rezulton të jetë përshtatur një tjetër “himn kombëtar”. Një gjë të tillë mund ta pandehim edhe ngase Asdreni që kishte shkruar vargjet e të parit “Hymni i Flamurit”, ishte një prej kundërshtarëve më të njohur të monarkisë së Zogut. Por kjo është sërish “hipotezë fantazie”, sepse një gjë e tillë ka ndodhur para se Ahmet Zogolli të vetshpallej Mbret.
Nga kujtimet e Jakomonit[32], atëherë titullar i Legatës së Italisë, rezulton që gjatë ceremonisë martesore të Mbretit Zog me konteshën Geraldina Apponyi, kur mbërriti çifti, “fanfara e rojeve luajti himnin mbretëror shqiptar dhe atë hungarez”, kurse “kur mbërritën motrat e mbretit” u dëgjua:“vetëm himni shqiptar”, çka të shtyn të mendosh se kanë ekzistuar dy himne të veçanta, ai “mbretërori”[33] dhe ai – me ç’duket – “kombëtari”.
Por siç edhe thashë në fillim, kjo s’ishte një tjetër veçse parashtrimi i një historie shumë më të gjatë që do të thellohet më tej; tekstet dhe muzikat e të gjitha himneve që përmenda, duhen kërkuar dhe rezultati i duhet dorëzuar kombit shqiptar.
Gjithësesi, unë shpresoj që të kem shtënë edhe kësaj radhe një “gur të vogël në pellg”.
_______________________________
-Përktheu nga italishtja: Albana Nexhipi

 – Fotot prej: Albana Nexhipi, “Himni mbretëror i panjohur i princ Vidit”; Gazeta “Shqip”, dt. 24.01.2014.

 – Ky shkrim u publikue ma parë në “Hylli i Dritës”, numër jubilar me rastin e 100 vjetorit të themelimit; Shkodër, 2013.

________________________________
Summary
This paper is about some Albanian “national anthems” I have found in addition to the official one “Hymni i Flamurit”. Some have been written and composed either in Italy, in italophone areas or by Italians and have been performed in the early years of Albanian independence both in official and unofficial circumstances. This information, probably quite unknown in Albania,  could also be a demonstration of how troubled such period was and of the fact the Albanian patriot movement was fragmented and uncoordinated.
Bibliografia
Musica Albanica, – Studime dhe dokumente, III, Lec Kurti, Vepra te zgjedhura, ASMUS, Tirana 2008.
Çurkoviq Mijo, – Historia e Arbneshëve të Zarës, Hylli i Dritës, Shkodër, 2007, n. 1 e n. 2, (traduzione in albanese di Arben Marku); dall’originale in lingua croata Povijest Arbanasa koz Zadra, Šibenik, 1922.
Elsie Robert, – Historical dictionary of Albania. Scarecrow Press. 2004.
Erber Tullio, – La colonia albanese di Borgo Erizzo presso Zara, cenni storici. G. Flori, Pistoia 1883.
Galli Carlo, – Diarii e lettere, Casa Editrice G. Sansoni, Firenze, 1951.
Kadare I., – Mosmarrëveshja mbi raportet e Shqipërisë me vetveten, Onufri, Tirana, 2010
Jacomoni Di San Savino F., – La politica dell’Italia in Albania, Cappelli, Rocca San Casciano, 1965.
Lame A., – Princi i Shqiptarëve – Prince of Albanians – Wilhelm von Wied”, Botime Toena, Tirana, 2011.
Lame A., – Medaljet Shqiptare, Vol. I°, 1914-1944, Toena, Tirana, 2010.
Maserati E., – Momenti della questione adriatica (1896-1914). Albania e Montenegro tra Austria ed Italia, Del Bianco, Udine, 1981.
Morpurgo L., – in “In Albania, note di viaggio”, su “LE VIE D’ITALIA”, Rivista Mensile del Touring Club Italiano, Milano, Aprile 1931.
Poradeci L., – Himni kombëtar “Flamurit pranë të bashkuar dhe gjeneza e tij”, Vepra” 2, “Onufri”, Tirana. 1999.
Ratti F.V., – L’Adriatico degli Altri (L’Albania nell’ora presente), Libreria Internazionale A. Beltrami, Firenze, 1914.
Salleo F., – Albania: un regno per sei mesi, Sellerio, Palermo, 2000.
Tagliavini C., – L’Albanese di Dalmazia, contributi alla conoscenza del dialetto ghego di Borgo Erizzo, presso Zara, Olschki, Firenze, 1937.
Tagliavini C., – Penetrazione e adattamento delle voci italiane e croate nel dialetto albanese di Borgo Erizzo (Zara), Istituto per l’Europa orientale, Roma, 1934.
_____________________________
[1]Ciprian Porumbescu, emri i lindjes Cyprian Gołęmbiowski (Şipotele Sucevei, 14 tetori  – Stupca, 6 korrik 1883), kompozitor rumun.
[2]Lasgush Poradeci, “Himni kombëtar: Flamurit pranë të bashkuar dhe gjeneza e tij”, tek Vepra” 2, “Onufri”, Tirana 1999.
[3]Pseudonimi i patriotit dhe poetit Aleksandër Stavre Drenova (Drenova, 11 prill – Drenova, 1947).
[4]Onufri, Tirana, 2010, fq. 15.
[5]Prej Briskos dhe Sestanit. Lokalitete të tilla janë identifikuar me vendet e Shestanit, Briskut, Ljares dhe Arbneshve, të gjithë të vendosur në hapësirën mes Tivarit dhe Ulqinit (pra në Mal të Zi, po në zona të banuara prej shqiptarëve).
[6]Detyrë që, në Republikën e Venecias, shquante guvernatorin e krejt territoreve të bregut lindor të Adriatikut (dhe Jonit).
[7]Erber, Tullio, “La colonia albanese di Borgo Erizzo presso Zara, cenni storici”. G. Flori, 1883.
Tagliavini, Carlo. “L’Albanese di Dalmazia, contributi alla conoscenza del dialetto ghego di Borgo Erizzo, presso Zara”. Firenze: Olschki, 1937. Tagliavini Carlo, “Penetrazione e adattamento delle voci italiane e croate nel dialetto albanese di Borgo Erizzo (Zara)”, Roma, 1934.
[8]Liker tipik i Dalmacisë, i prodhuar nëpër distileritë e shumta të Zarës që nxiret prej “maraskës”, (qershisë dalmate), shumë e përdorur sot nëpër ëmbëlsira, veçanërisht për “t’i dhënë shije” ananasit.
[9]Ushtarë italianë të fanerisë së lehtë, që shquheshin për kapelen me pendë dhe “parakalimin” gjithmonë me hap të shpejtë.
[10]Ennio Maserati, “Momenti della questione Adriatica” (1896-1914). “Albania e Montenegro tra Austria ed Italia”, Udine, Del Bianco, 1981, pag. 123.
[11]Përgjatë Luftës së Dytë Botërore, me eksodin e italianëve prej Dalmacisë dhe Istries për shkak të metodave të egra të “pastrimit të parë etnik” jugosllav, edhe borgerizanët në pjesën më të madhe të tyre emigruan në Itali. Pak prej tyre mbetën, por patën vështirësi në ruajtjen e “italianizmës” që zotëronin e, ca më keq akoma, “shqiptarinë” që e kishin edhe më të lashtë, pra u asimiluan dhe u “kroatizuan”. Pavarësisht kësaj, është fakt që komuniteti aktual italian i Zarës përbëhet në një pjesë të mirë të vetën pikërisht prej banorëve të Borgo Erizzo-s.
[12]Çurkoviq Mijo, “Historia e Arbneshëve të Zarës”, Hylli i Dritës, Shkodër, 2007, n. 1, fq. 128, e n. 2, fq. 165 (përkthimi në shqip nga Arben Marku); nga origjinali në gjuhën kroate, Povijest Arbanasa koz Zadra, Šibenik, 1922.
[13]Elsie, Robert (2004). “Historical dictionary of Albania”. Scarecrow Press. p. 147. ISBN. Retrieved 27 December 2010.
[14]Diari e lettere, Casa Editrice G. Sansoni, Firenze, 1951, pag. 177.
[15]Galli Carlo, vepër e cit, fq.209.
[16]Nën datën e 13 prillit 1914.
[17]Lindur në Katanxaro më 3 tetor 1879, studioi violinë e kompozicion në Napoli. Ishte drejtor i Bandës së Savonës dhe më 1915 kishte detyrën e Inspektorit Mbretëror për reformën e bandave ushtarake të qeverisë turke, me seli në Bagdat, ngarkuar prej ministrisë së luftës. Ka shkruar një sërë marshesh të gëzueshme, funebre, dy sonata për violinë, prianofortë, kore, quartete për harqe.
[18]“Osservatore Triestino”, 5 mars 1914.
[19]Fanfara ushtarake.
[20]Evemero Nardella (Foxha, 25 shtator 1878 – Napoli, 23 prill 1950) ka qenë kompozitor dhe këngëtar italian, autor i muzikave napolitane mbi tekstet e disa prej poetëve më të famshëm napolitanë, mes së cilëve mund të përmendim Libero Bovio-n dhe Ernest Murolo-n; kënga e tij më e famshme, “Chiove”.
[21]Salleo Ferdinando, “Albania: un regno per sei mesi”, Sellerio, Palermo, 2000, pag. 62.
[22]Paksa më ndryshe është versioni që gjejmë tek “L’Adriatico degli Altri (L’Albania nell’ora presente), të F.V. RATTI, Libreria Internazionale A. Beltrami, Firenze, 1914, fq. 102, sipas së cilës: “Esati e shoqëronte mbretërisht, tingullin e himnit shqiptar, kompozuar dhe luajtur prej bandës bashkiake e Barit…”.
[23]Ishte edhe Drejtori i bandën Bashkiake të Barit; e thërrisnin edhe “Pupo di Zucchero” (Kukull Sheqeri) për shkak të sjelljes së tij veçanërisht të egër e të ashpër.
[24]Lonith (në disa burime: Loni) ka qenë kompozitor shqiptar i këngëve të ndryshme, shumë aktiv në vitet ‘20 dhe ‘30.
[25]Artikullshkruesi, duke na marrë doën, flet njëkohësisht për “këngë paqee” dhe “harmoni luftarake”, por ia mirëkuptojmë dozën poetike…
[26]Nathaniel Shilkret (New York, 25 dhjetor 1889 – 18 shkurt 1982) ka qenë një fëmijë tejet i veçantë, klarinetist, kompozitor e drejtor i orkestrës amerikane. Më pas, ishte edhe drejtues i Victor Talking Machine Company (më pas: RCA Victor). Është vlerësuar për mbërritjen e një rekordi shitjesh prej 50 milionë kopje disqesh, shifër astronomike kjo për dhjetëvjecarët paralufte. Burimi: Wikipedia.
[27]“Princi i Shqiptarëve – Prince of Albanians – Wilhelm von Wied”, Botime Toena, Tirana, 2011, fq. 105.
[28]Artan Lame, Medaljet Shqiptare, Vol. I°, 1914-1944, Toena, Tirana, 2010, fq. 44/45.
[29]Princi Wied s’hoqi dorë kurrë formalisht dhe më 1921-n vazhdonte të jepte dekorata; pa llogaritur që Shqipëria vazhdonte të ishte ende “principatë”.
[30]Lec Kurti (Shkodër 1884 – Romë 1948) ishte kompozitor e më pas diplomat; për shkak se kishte aderuar në Ballin Kombëtar, emigroi në Itali ku jetoi edhe vitet e fundit të jetës. Figura e tij muzikore u rizbulua vetëm disa vite më parë.
[31]Prej “Lec Kurti, Vepra te zgjedhura”, ASMUS, Tirana 2008, parathënie Sokol Shupo, fq. vi.
[32]Luogotenenti i Përgjithshëm i Mbretit të Shqipërisë Viktor Emanueli III°; “La politica dell’Italia in Albania”, di Francesco Jacomoni di San Savino, ed. Cappelli, 1965, pag.79/80.
[33]Luciano Morpurgo, tek “In Albania, note di viaggio”, në “Le Vie d’Italia”, Rivista Mensile del Touring Club Italiano, Aprile 1931: “All’udire al Parco, nell’ora del tramonto, la musica suonare l’Inno reale d’Albania, tutti gli Albanesi si irrigidiscono rispettosamente e, portando la mano destra al cuore, rendono onore alla Patria e al Re”.



Paolo Muner
Paolo Muner

Skeda Paolo MUNER

nga Trieste, 69 vjeç, Oficer i Forcave Detare Italiane (Trupi i Kapitanerisë së Portit – Roje Bregdetare), ka kaluar periudha të gjata në Shqipëri: në 1992 ka qenë Komandant në 2^ të Grupit të 22° Detar; Komandant i Skuadrës së parë të Rojeve bregdetare (Durrës/ Vlorë) dhe Komandant i Repartit të Marinës në Durrës, dhe në vitet 2001/2003, ka qenë shef seksioni i Forcave Detare dhe Shef i projektit për Rojet Bregdetare Shqiptare, pranë delegacionit të ekspertëve italianë (Tirana). Diplomuar në Shkenca Politike (drejtim ndërkombëtar), gazetar publicist, dhe ndërmjet të tjerësh bën edhe kërkime historike për Shqipërinë.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.