![Letër dashnie...](https://www.radiandradi.com/wp-content/uploads/2014/05/leter-dashnie.jpg)
Letër dashnie…
fragment nga romani i afërm i Gjergj Kolës
Sot kishte ardhë prep postë dhe letra e parë n’at grumbull zarfesh plot me ngjyra qi më ra n’sy asht ajo e shkrueme prej kaligrafisë së njoftun të duarve femnore:
“Ju keni ra në dashni? Keni ra njashtu si bjen shiu i pranverës mbi nji qytet të fjetun anash oxhakut, të mbuluem me tymin e netve e të spërkatun me shkëndijat e dobta sa nji fluturim instektesh?
Artikulli juej i fundit në gazetën Vjeneze i njeshun me pamjet e nji qytetit në midis dy kohnash asht i mbushun me kët shi të rrëmbyeshëm prendvere. Ma para ju s’keni pikturue kurrë njashtu, ngjyrat tueja s’kanë hi kurrë njaq thellë sa me t’marrë përdoret e me të futë n’at botën qi ju ofroni. Si duket dashnia jua paska dhanë njata krahë qi i keni kërkue gjithmonë, njato fletë prej dylli t’Ikariusit, për me msye diellin. Ngjyrat tueja janë si nji shi flakësh, nji stuhi yj’sh qi e sulmon botën, e qi kallzon asaj se stili i nji autori asht bash kjo stuhi diellore: i fuqishëm, i papërsritshëm, përvlues.
Unë gzohem kur shof se keni ndeshë në nji dashni qi ju ka dhanë forcën dhe magjinë me e kthye ndjenjën e saj në artin që ju keni kërkue gjithnji…
Ju dashuroni? Si asht ajo për nga forca e pasionit dhe freskia e zemrës? A ju merr netve përdoret dhe ju vraponi si të çmendun rrugve t’nji qytetit të fjetun tuj i kallzue atij se ju të dy jeni andrra e vetme qi e ban atë me buzqeshë edhe në gjumë?
Gratë, për natyrë janë telepatike, sepse ato kanë njat shqisë të veçantë qi e dallon anijen e pasionit posa shfaqet n’horizont dhe parashohin rrugën e saj… Mos më dënoni pra, me mungesën tuej… Unë kam me ju gjetë në ngjyrat e pikturës sa herë qi të kem mall ma të madh se dashnija jeme për ju!
Padyshim, s’mundem me kenë kurrë njaq egoiste, e sidomos tash, kur dashnia e re ju ka dhanë krahët për nji art t’ri, për nji ngjyrë të thellë marramendse, e ku unë ndihem e gzueme me ju… Shiu i prendveres edhe pse njatje larg në nji qytet të humbun të botës, i ka përshkue të tana dyert e botës tuj mbrritë deri këtu, në Vjenë, n’kryeqytetin e botës, sot në maj të vjetit 1914.”
Baronesha von Hietzing
![Baronesha Rothschild](https://www.radiandradi.com/wp-content/uploads/2014/05/Baronesha-Rothschild.jpg)
Unë po kërkoj gjithandej nëpër dhomë me gjetë qoftë edhe nji fjalë të vetme me ju përgjigj tanë ksaj letre të gjatë e të pafund qi shpërthen kurreshtjen e nji grues kur dashunon nji mashkull, qi tashma asht në krahët e nji tjetre:
“Unë dashunoj Marean dhe sikur t’vij edhe njiqind herë tjera në kët jetë, unë kurrë s’mundem me e mendue nji bote pa Marean!”
Aus dem Roman: In das Land der Skutarer!
gjk 2014