back to top
31.5 C
Tirana
E shtunë, 20 Korrik, 2024

Ivo Andriç – Projekti i panjohur për shfarosjen e shqiptarëve nga Alket Aliu

Gazeta

Alket Aliu
Alket Aliu 

Ivo Andriç –

Projekti i panjohur për shfarosjen e shqiptarëve

nga Alket Aliu

Politika antishqiptare e serbëve është elaboruar prej vitesh, me synim zbrazjen e tokave nga popullsia shqiptare dhe serbizimi i tyre në mënyrë sistematike. Në funksion të kësaj politike antishqiptare janë angazhuar akademikë serbë, politikanë, statistë, shkrimtarë, nobelistë, historianë, ushtarakë madhorë, mësues, pedagogë, diplomatë të karrierës, të cilët, në bazë të udhëzimeve të “kupolës së piramidës” shtetërore serbe të mbështetur edhe nga Rusia, hartuan projekte-naçertanjie, platforma, memorandume, programe, mbajtën tubime të fshehta e të hapura, në konferenca e simpoziume “shkencore”, organizuan “tryeza të rrumbullakta” në emër të “Stara Serbias”, çuan mesha drejt qiellit, shenjtëruan ose mallkuan luftëtarët serbë e shqiptarë, shkruan libra e monografi plot mllefe, shpërndanë fletushka me subjekte të trilluara dhe me ngjarje të stisura, me heronj të paqenë, me teza demagogjike, që profanonin popullin shqiptar dhe kulturën e tij, moralin dhe traditat e tij shekullore.
Sipas studiuesit, dr. Shefik Osmani, ata u mbështetën në moton e formuluar nga frymëzimi i nacionalizmit ekstrem serb dhe shkrimtari Vuk Karaxhiç (1787-1864). Në fund të shekullit të kaluar, ky shkrimtar e filolog serb shkruante: “Kudo ku gjendet edhe një serb i vetëm, aty duhet të zejë vend edhe shteti serb”. Pas Karaxhiçit, një sërë emrash të tjerë të shquar u rreshtuan në “librin e zi”, si hartues të politikave antishqiptare. Vlladan Gjorgjeviçi, ish-kryeministër i Serbisë dhe autor i librit “Shqipëria dhe Fuqitë e Mëdha” (1913), teza kryesore e të cilit qarkullon edhe sot në sferat shqiptarofobe se “Shqiptarët nuk janë të aftë për shtetformim”. Ilia Garashanini është autori i platformës së politikës serbe. Nikolla Pashiç, Kryeministër serb, i përmbahej motos: “Jemi për një Shqipëri të pavarur, por të dobët dhe me grindje të përhershme brendapërbrenda”. Dr. Vasa Cubrilloviçit, ish-ministër i Brendshëm në kohën e Krajlit dhe i Bujqësisë në kohën e Titos, ai projektoi shpërnguljen e shqiptarëve dhe kolonizimin e tokave të tyre me serbë e malazezë.
Ivan Vukotiç formuloi synimet për të përfshirë brenda kufijve jugosllavë Shqipërinë Veriore dhe atë të Mesme. Stefan Moleviç është autor i idesë së homogjenitetit serb në dëm të shqiptarëve. Krahas tyre, u rreshtuan edhe Drazha Mihajlloviç, Lubomir Tadiç, Dragasha Vasiç e Dobrica Qosiç.

Në këtë aradhë intelektualësh të shquar dhe antishqiptarësh të mëdhenj, renditet edhe Ivo Andriç, nobelisti serb, përfaqësues i diplomacisë jugosllave pranë Vatikanit, emri i të cilit lidhet me projektin e tij për shfarosjen e shqiptarëve, të përpunuar në vitin 1939, kur Shqipëria ishte e pushtuar nga Italia fashiste. Ky projekt është botuar në Kosovë vetëm pak kohë më parë nga studiuesi Hivzi Islami, në librin e titulluar “Spastrimet etnike, politika gjenocidale serbe ndaj shqiptarëve”. Në këtë vepër bëhet një analizë e marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave të fillimshekullit të njëzetë, duke sjellë edhe një dëshmi të rëndësishme historike të shkruar në kampin kundërshtar.
Ndërkohë që propaganda serbe lançonte emrat e vet, edhe studiuesit shqiptarë kanë hyrë në polemika. I pari që reagoi ndaj tezave serbe ishte Frang Bardhi, në replikën e tij ndaj peshkopit sllav, Tomeus Margnaviçit, i cili pretendonte se Skënderbeu ishte me origjinë sllave. Më vonë, kundër tezave sllave botuan studimet e tyre Pashko Vasa, Gjergj Fishta, Kristo Dako, Mehdi Frasheri, Hamit Kokalari, V. Samim Visoka, Ali Hadri, Kristo Frasheri, Kristaq Prifti, Ismail Kadare, Rexhep Qosja, Zekiria Cama, Selami Pulaha, Muhamed Pirraku, Xhelal Gjeçovi, Shaban Braha, Marenglen Verli, Zamir Shtylla, etj. Por, fakt mbetet se shpeshherë tezat serbe arrijnë të përhapen më lehtësisht, për shkak të lidhjeve të konsoliduara me botën perëndimore, tirazheve të larta dhe shpenzimeve të shumta që shteti serb ka bërë për intelektualët që himnizonin pansllavizmin.

Abdurrahim Buza - Refugjatët
Abdurrahim Buza – Refugjatët

Gjenocidi i fundit
Sipas studiuesit Shaban Braha, gjatë viteve 1946-1999, u vunë në jetë një sërë masash, të cilat sollën implementimin e një politike jo thjesht denigruese e shtypëse ndaj shqiptarëve, por që kaloi në gjenocid të pastër.
Ja disa drejtime të gjenocidit serb në Kosovë gjatë kësaj periudhe:
-Gjenocid kulturor (mohoheshin simbolet dhe figurat kombëtare).
-Internime në kampet famëkeqe në thellësi të Jugosllavisë.
-Arrestime dhe torturat shtazarake nëpër hetuesi dhe burgje (Gjysmën e të burgosurve në Jugosllavi e përbenin shqiptarët).
-Nxitja e vëllavrasjes në mjediset shqiptare.
-Bastisje masive dhe të vazhdueshme.
-Masa drastike për çarmatosjen e shqiptarëve.
-Rekrutime dhe komprometime të dhunshme nga UDB-ja.
-Dhunë kundër gueriljeve.
-Brutalitet e dhunë kundër familjeve jatake të lëvizjes guerilje.
-Likuidime misterioze të elementeve patriotë.
-Tortura çnjerëzore në burgje e në hetuesi, në posta milicie e kudo, duke përhapur fenomenin e çmendurisë.
-Likuidime dhe vrasje të djemve të Kosovës në repartet ushtarake.
-Komprometime agjenturore dhe morale të femrës shqiptare.
-Dëbime masive nga puna.
-Monopolizimi i administratës në duart e serbëve.
-Dëbimi i dhunshëm i 380000 shqiptarëve për në Turqi.
-Shpronësime arbitrare ndaj shqiptarëve.
-Masakrimi i mbi 20000 shqiptarëve.
-Shpërnguljet e dhunshme të mbi 800000 shqiptarëve nga Kosova.
-Shndërrime të dhunshme kombëtare e fetare në përmasa të papara.
-Ekzekutime masive të grave, fëmijëve, pleqve, të sëmurëve.
-Shkaktimi i dhjetra varreve masive.
-Djegie masive shtëpish, pasurish, hambaresh dhe të gjitha prodhimeve bujqësore.
-Grabitje pasurish, të hollash, orendishë, stolish dhe të bagëtive.

Ivo Andric pikture nga SlavkoTusevljak - Projektuesi i Genocidit
Ivo Andric pikture nga SlavkoTusevljak – Projektuesi i Genocidit Antishqiptar

Projekti i zhdukjes së shqiptarëve u hartua më 1939,
nga shkrimtari nobelist serb, Ivo Andriç

I Lufta Ballkanike dhe Shqipëria

Dalja e ushtrisë serbe në Adriatik
Sipas pjesës së fshehtë suplementare të Traktatit të Aleancës midis Bullgarisë e Serbisë të 29 shkurtit të vitit 1912, Serbisë iu njoh e drejta e marrjes së territorit turk të deriatëhershëm në veri dhe në perëndim të Malit të Sharrit. Në lidhje me këtë dispozitë, e duke u përpjekur që shtetit të vet t’i siguronin daljen në det, trupat serbe, me 15 nëntor të vitit 1912, hynë në Lezhë dhe, shkallë-shkallë, e pushtuan tërë Shqipërinë e Veriut deri në Tiranë e Durrës.
Në “Tajmsin” e Londrës, me 25 nëntor, u botua Deklarata e Pashiq-it, se Serbia e kërkon Durrësin me hinterlandin më të madh.

Formimi i Shqipërisë autonome
Mirëpo, Konferenca e Ambasadorëve në Londër, me 20 dhjetor të vitit 1912, mori vendim për formimin e Shqipërisë autonome, duke i dhënë Serbisë vetëm të drejtën e daljes tregtare në detin Adriatik. Po kjo Konferencë, me 20 mars të vitit 1913, vendosi që Shkodra t’i jepet Shqipërisë. Mali i Zi nuk e pranoi vendimin e Fuqive të Mëdha: Serbia e përkrahu qëndrimin e Malit të Zi dhe i dërgoi trupat e veta për ta forcuar rrethimin e Shkodrës. Fuqitë e Më dha (me 21 mars) vendosën të bëjnë demonstrimin detar, nga i cili u rezervua vetëm Rusia. Kryqezorët austro-hungarezë, anglezë, francezë, gjermanë e italianë, të tubuar afër Barit, i detyruan trupat serbe të tërhiqen nga pozitat rreth Shkodrës.

Bllokada e bregdetit të Malit të Zi
Me 10 prill, Fuqitë e Mëdha shpallën bllokadën e bregdetit të Malit të Zi, por qeveria malazeze e vazhdoi Rrethimin e Shkodrës, e cila kapitulloi me 20 prill. Mbreti Nikolla, megjithatë, u detyrua të lëshoje pe dhe, me 4 maj, me një telegram që ia dërgoi sër Eduard Greit, fatin e Shkodrës e la në duart e Fuqive të Mëdha. Okupimi ndërkombëtar i Shkodrës zgjati prej 5 majit 1913 deri në fillim të Luftës Botërore.

Ballkani sipas Endrrës së Necartanjes.
Ballkani sipas Endrrës së Necartanjes.

II. Ndarja e sferave të interesit në Shqipëri, midis Greqisë dhe Serbisë

Megjithëse nën presionin e fuqive të mëdha, në radhë të parë të Austrisë, u detyrua të tërhiqej nga Adriatiku dhe nga Shqipëria Veriore, Serbia nuk e humbte shpresën.
Në deklaratën që ishte shtojcë e fshehtë e Traktatit të Aleancës midis Greqisë dhe Serbisë, me 19 maj të vitit 1913, u ndanë sferat e interesit midis Greqisë e Serbisë në Shqipërinë autonome sapo të formuar. Territori që gjendet në veri të grykës së lumit Seman në det, pastaj buzë këtij lumi deri në grykën e Devollit, mandej buzë Devollit deri në Malin e Kamjes – hynte në sferën serbe të ndikimit. Pjesa jugore e Shqipërisë, prej kësaj vije, hynte në sferën greke të ndikimit. Në rast trazirash në Shqipëri, dy shtetet duhej të merreshin vesh për qëndrimin që do të merrnin.
Këto janë kërkesat maksimale që i kemi paraqitur në një dokument me shkrim ndaj Shqipërisë.

III. Pakti i Londrës dhe Shqipëria

Pakti i Londrës, lidhur me 16 prill të vitit 1915 midis Francës, Britanisë së Madhe, Rusisë dhe Italisë, kishte këto dispozita lidhur me Shqipërinë:
Në vërejtjen e nenit 5 thuhej: Katër fuqite aleate do t’u ndajnë tokat e Adriatikut të përmendura me poshtë Kroacisë, Serbisë e Malit të Zi(…). Në Adriatikun e poshtëm (në viset që e interesojnë Sërbinë e Malin e Zi) tërë bregdetin prej kepit të Plamkës deri në lumin Drin me portet e rëndësishme Splitin, Dubrovnikun, Kotorrin, Tivarin, Ulqinin e Shëngjinin… Porti i Durrësit do t’i dorëzohet shtetit të pavarur mysliman Shqipërisë.”

Në nenin 6 thuhej: “Italia do t’i marrë në pronësi të plotë Vlorën, ishullin Sazan dhe, përvec këtyre, një territor mjaft të gjerë për mbrojtjen e tyre, do të thotë pjesën midis lumit Vjosa në veri e në lindje dhe në jug deri në Himarë.”
Në nenin 7 thuhej: “Nëqoftëse formohet një shtet i vogël autonom dhe neutral i Shqipërisë, Italia nuk do ta kundërshtojë dëshirën e Francës, të Britanisë së Madhe e të Rusisë, që viset veriore dhe jugore të Shqipërisë të ndahen midis Malit të Zi, Serbisë dhe Greqisë.”
“Italia do ta fitojë të drejtën që t’i udhëheqë punët e jashtme të Shqipërisë.”
Që në vitin 1915, Fuqitë e Mëdha, pra, e pranuan Parimin e ndarjes së Shqipërisë dhe pranuan se në Shqipëri kanë interesat e veta Italia, Serbia dhe Greqia. Ndërsa dy shteteve ballkanike u jepej e drejta e korrigjimit të kufijve, Italisë i jepej Vlora dhe protektorati mbi Shqipërinë e cunguar.

Konferenca e Paqes - Paris 1919
Konferenca e Paqes – Paris 1919

IV. Shqipëria në Konferencën e Paqes

Pikëpamje e Fuqive të Mëdha
Në Konferencën e Paqes, fuqitë aleate (Franca, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës), për Shqipërinë propozuan më parë, në veri dhe në lindje, ata kufij që i kanë caktuar në Konferencën e Londrës në vitin 1913; ia njohën Italisë sovranitetin e plotë mbi Vlorën dhe prapavijën e nevojshme dhe ia dhanë Italisë mandatin për administrimin e shtetit të lirë shqiptar nën kontrollin e Lidhjes së Kombeve. (Memorandumi i 9 dhjetorit te vitit 1919)

Pikëpamja jonë – (Kundër mandatit të Italisë. Për Shqipërinë e lirë. Argumentet për korrigjimin e kufirit dhe për marrjen e Shkodrës dhe të Shqipërisë Veriore).
Për përgjigjen tonë të 8 janarit të vitit 1920, në e kundërshtuam propozimin që Italisë t’i jepej mandati mbi Shqipërinë, duke theksuar se kjo do të ishte përsëritje e rastit të Bosnjës e Hercegovinës. “Kjo zgjidhje, thuhej në përgjigjën tonë, do të krijonte në favor të Italisë kufirin ofensiv kundër shtetit tonë, i cili do të ishte i privuar nga mjetet për mbrojtje. Kjo do të ishte, njëfarë dore, përparësi ofensive, por edhe mbështetje tjetër e përsosur strategjike.
Ne kemi kërkuar, për shkaqe ekonomike dhe strategjike, që të bëhet korrigjimi i kufijve ndaj nesh (në rrjedhën e mesme të Drinit, në Bunë dhe në lidhje me fiset e Kelmendeve dhe të Kastratëve), që i ka caktuar Konferenca e Londrës e vitit 1913. Përpos këtij korreksioni, delegacioni ynë ka deklaruar se zgjidhja më e mirë është që Shqipëria të bëhet shtet i pavarur në kufijtë e vitit 1913 dhe me administratë autonome.
Në rast se nuk do të pranohej kjo zgjidhje, ose nëqoftese pjesa jugore e Shqipërisë do t’u takonte shteteve të tjera, Delegacioni ynë do të kërkojë për në pjesën veriore të Shqipërisë deri në Dri. “Shteti ynë ka të drejta të vjetra karshi këtyre viseve, thuhet në memorandumin tonë. Shkodra ka qenë kryeqyteti i mbretërve serbë. Populli ynë ka derdhur lumenj gjaku për Shkodrën, sidomos në luftën e vitit 1913, e cila i kushtoi Serbisë shumë mijëra ushtarë të saj e Malit të Zi një të tretën e ushtrisë së tij. Për t’i plotësuar dëshirat e Fuqive të Mëdha, trupat serbe e malazeze e zbrasën në vitin 1913 Shkodrën dhe Shqipërinë Veriore. Austria duke e mobilizuar ushtrinë, u kërcënua me luftë. Shkodra mund t’i takonte Malit të Zi, sikur të kishte pranuar që Llovqenin t’ia lëshonte Austrisë, ose që të neutralizohej. Por, Mali i Zi nuk pranoi t’ia lëshonte Austrisë këtë pozitë të rëndësishme strategjike.”
Lugina e Drinit dhe Shkodra përbëjnë një tërësi gjeografike dhe ekonomike me Malin e Zi dhe viset kufitare të Serbisë. Për Serbinë e Mesme dhe Malin e Zi, lugina e Drinit është e vetmja rrugë e drejtpërdrejtë dhe më e shkurtër për Adriatik. Hekurudha e rëndësishme Danub – Adriatik duhet të kalojë nëpër luginën e Drinit. Konferenca e Ambasadorëve e Londrës në vitin 1913, ia ka pranuar Serbisë të drejtën e daljes në detë.”
“Shkodra është në lidhje edhe me lumin Buna, e cila ia hap tregtisë malazeze rrugën e natyrshme për në det. Qysh me Traktatin e Berlinit, Mali i Zi e gëzon të drejtën e lundrimit të lirë në Bunë. Liqeni i Shkodrës, në pjesën më të madhe, i takon Malit të Zi. Për shkak të pakujdesisë turke, tokat më të mira malazeze ende janë të permbytura nga uji i liqenit të Shkodrës. Prandaj, shtetin tonë, në masën më të madhe, e intereson rregullimi i Bunës dhe i Drinit, jo vetëm për shkak të lundrimit nëpër Bunë, por edhe për arsye se në këtë mënyrë do të thaheshin 12 deri 20000 hektarë tokë shumë pjellore dhe po aq do të bonifikoheshin. Dy të tretat e kësaj toke i takojnë Malit te Zi.

Pikëpamja italiane. (Sipas memorandumit të 10 janarit të vitit 1920)
Italia kërkon nga Lidhja e Kombeve mandatin që ta administrojë shtetin e pavarur shqiptar.
Kufijtë shqiptarë në veri dhe në lindje do të jenë ata që kanë qenë caktuar në Konferencën e Londrës. Kufiri jugor do të jetë objekt shqyrtimi.
Qyteti i Vlorës do t’i jepet Italisë në sovranitet të plotë me prapavijën e nevojshme për mbrojtjen e saj dhe për zhvillimin ekonomik.
Aleatët pranojnë që Shkodra dhe Shqipëria Veriore t’i bashkohen Jugosllavisë.
Duke propozuar një zgjidhje të përgjithshme të çeshtjes së Adriatikut, e në lidhje me dorëzimin e Rijekës Italisë, Klemanso, në cilësine e kryetarit të Konferencës së Paqes, me 13 janar të vitit 1920, u tha Pashiqit e Trumbiçit: “Pra, Shteti i Serbëve, i Kroatëve dhe i Sllovenëve do të ngritet në kulmin e fuqisë së vet, ani edhe kur ta ketë Shkodrën, Drinin dhe Shëngjinin e Medovanit.”
Niti e pat pranuar këtë, me kusht që Italia ta mbante Vlorën dhe ta merrte mandatin mbi Shqipërinë.

Përgjigja jonë e fundit Konferencës së Paqes
Në përgjigjen tonë të fundit Konferencës së Paqes, me 14 janar të vitit 1920, ne kemi parashtruar përsëri qëndrimin se zgjidhja më e mirë do të ishte që administrata e Shqipërisë, në kufijtë e caktuar në vitin 1913, t’i besohet qeverisë lokale autonome, pa ingjerenca të asnjë fuqie të huaj. E nëqoftëse kjo zgjidhje nuk pranohet, por vendoset që pjesë të territorit shqiptar t’u jepen shteteve të tjera, Delegacini ynë do të kërkojë pjesën e Shqipërisë Veriore (duke paraqitur një hartë me kufirin e shënuar), për të cilën premtoi regjim autonom.

Ideologët e Serbisë së Madhe Trumbiç Pasiç Vesniç e Zolger
Ideologët e Serbisë së Madhe Trumbiç Pasiç Vesniç e Zolger

Pikëpamja e të ndjerit Pashiq
Kur dukej si e sigurt se aleatët do ta lejonin Italinë që të përforcohej në Shqipërinë e Mesme, kryetari i Delegacionit tonë, Pashiq, në mbarim të vitit 1919, e informoi qeverinë në Beograd se kishte ardhur çasti që, të shtrënguar nga rrethanat, ta ndryshonin politikën tonë ndaj Shqipërisë. Në atë letër thuhej: “Pasi, për shkak të depërtimit të Italisë dhe të përkrahjes së saj nga ana e Fuqive të Mëdha, nuk mund ta kthejmë në Shqipëri gjendjen që ishte para evakuimit të ushtrisë sonë dhe në kohën e pushtetit të Esad Pashës; pasi Fuqitë e Mëdha po duan ta zbatojnë Marrëveshjen e Londrës dhe Shqipëria nuk do të jetë ajo që ne e kemi kërkuar dhe aleatët do t’ia japin Italisë Vlorën me interland dhe protektoratin mbi një pjesë të Shqipërisë, në këto rrethana, duhet të kërkojmë kufij të tjerë më të mirë me territoret shqiptare që do të jenë nën protektoratin e Italisë.”
“Minimumi që do të pranojmë nga aleatët është ky: kufiri buzë Drinit të Zi deri te bashkimi me Drinin e Bardhë e prej aty buzë Drinit deri në det.”
“Ne duhet të kërkojmë maksimumin, në mënyrë që Italia të marrë sa më pak. Ky maksimum i pretendimeve tona do të ishte: lumi i Matit deri në burimin e tij e prej andej drejt nga lindja deri te Drini i Zi. Pra, Mati dhe Drini do të ishin kufijtë tanë me protektoratin italian.”

V. Pushtimi italian i Shqipërisë pas luftës dhe tërheqja defnitive pas mossuksesit në Vlorë

Pas mbarimit të luftës, në bazë të një vendimi ushtarak të aleatëve, trupat italiane e pushtuan tërë territorin e Shqipërisë, madje edhe atë pjesën veriore, e cila na ishte dhënë me Paktin e Londrës. Vetëm Shkodra kishte mbetur nën pushtetin e përbashkët të trupave franceze dhe italiane.
Për shkak të qëndrimit armiqesor që kishte atëhere Italia ndaj shtetit të Serbëve, të Kroatëve e të Sllovenëve, ne e konsideronim këtë pushtim ushtarak italian të Shqipërisë rrezik më të madh për ekzistencën tonë. Ne tokën shqiptare u zhvillua një luftë e rreptë midis nesh dhe Italisë. Italianët atëhere e iniciuan çeshtjen malazeze dhe atë maqedonase, si dhe idenë e Shqipërisë së Madhe deri në Kaçanik. Ne zhvilluam kundër tyre aksione herë të fshehta, herë të hapëta, duke blerë me para parinë shqiptare dhe duke proklamuar idenë e “Shqipërisë së pavarur” dhe “Ballkani – popujve ballkanikë”.
Pakënaqësia e popullsisë shqiptare, për të cilën e kemi përkrahjen edhe ne, i detyroi italianët që, në fillim të vitit 1920, t’i tërhiqnin trupat e tyre nga viset e brendshme të Shqipërisë dhe të ndaleshin vetëm rreth Vlorës, prej nga, në qershor të po atij viti, u detyruan të tërhiqen dhe të lidhin me qeverinë e Tiranës një marrëveshje për evakuimin e tyre nga tërë territori shqiptar, përveç ishullit të Sazanit.
Evakuimi nga Shqipëria u bë, pra, në sajë të rezistencës së organizuar të shqiptarëve, por nuk duhet harruar se Italia, në atë kohë ishte politikisht edhe ushtarakisht shumë e dobët. Edhe sot ka shqiptarë që mendojnë se kur të donin do të mund t’i dëbonin italianët nga Shqipëria.
Ky vetëbesim është fatal për ta, sepse nuk po e shohin se Italia fashiste e sotme nuk është ajo që ishte në vitin 1920 nën qeverinë parlamenare të Nitit, të Gjolitit dhe të Faktes.

VI. Shqipëria para Konferencës së Ambasadorëve

Meqënëse me evakuimin e trupave italiane nga Shqipëria situata në terren ishte spastruar, Konferenca e Ambasadorvve, nv nëntor të vitit 1921, mund të merrte vendim për njohjen e Shqipërisë si shtet i pavarur dhe sovran. Në vend të premtimeve të mëparshme lidhur me Vlorën dhe mandatin mbi Shqipërinë, Fuqitë e Mëdha ia njohën Italisë vetëm interesin e saj special për ruajtjen e pavarësisë shqiptare. Shqipëria u pranua edhe në Lidhjen e Kombeve, me shpresë se kjo do ta siguronte edhe me tepër pavarësinë e saj.
Para Konferencës së Ambasadorëve provuam kot edhe një herë që ta fitonim të drejtën e korrigjimit të kufirit në drejtim të Shkodrës dhe në drejtim të Drinit, duke theksuar për Shkodrën shkaqet historike e për Drinin shkaqet ekonomike dhe ato të komunikacionit. Eksperti francez në Konferencë, Larosh, na ngushëlloi kështu: “Qeveria mbretërore ka gabuar që, në kohën e vet, nuk e ka pranuar propozimin për ndarjen e Shqipërisë. Pashiqi qe pajtuar me këtë, por qeveria e Beogradit pat refuzuar”. Që të mos i lejonim italianët në Vlorë, ne u detyruam të heqim dorë nga Shkodra dhe nga kufijtë deri në Dri.
Meqënëse ne e përkrahnim gjithnjë idenë për mosndarjen e territorit shqiptar, që ishte caktuar në vitin 1913, si dhe pavarësinë e Shqipërisë, do të mund të supozohej se kjo zgjidhje e Konferencës së Ambasadorëve ishte e kënaqëshme për ne. Ndërkaq, kjo nuk është kështu. Vështirësitë në marrëdhëniet tona me Shqipërinë, si dhe në marrëdheniet tona me Italinë për shkak të Shqipërisë po rëndohen me tutje edhe pas shpalljes se Shqipërisë shtet i pavarur dhe anëtarë e Lidhjes së Kombeve.

Republika e Mirditës
Ndërsa Konferenca e Ambasadorëve po vendoste për kufijtë e Shqipërisë dhe për organizimin e pavarësisë së saj, nga gjysma e vitit 1921, ne nënshkruam me Parinë e Mirditës marrëveshjen për bashkëpunim. Ishte paraparë formimi i shtetit të lirë të Mirditës, të cilin do ta mbronin forcat ushtarake të SKS-së dhe interesat e së cilës në botën e jashtme do t’i përfaqësonte qeveria e Beogradit. Qeveria e Tiranës e shtypi këtë lëvizje e ne u akuzuam dhe u dënuam para Lidhjes së Kombeve.

VII. Pakti i Romës, Pashiqi, Musolini dhe Shqpëria

Pakti i Romës, i janarit të vitit 1924, për nga fryma e vet, ua imponoi Romës e Beogradit respektimin e pavarësisë dhe parimin e mospërzierjes në punët e brendshme të Shqipërisë, si dhe informimin e ndërsjellë mbi ngjarjet në Shqipëri.
Ndërkaq, kjo nuk qe pengesë që Qeveria italiane, në qershor të vitit 1924, ta ndihmonte kryengritjen e Fan Nolit kundër Ahmet Zogut e as qeveria jonë, në dhjetor po të atij viti, t’ia bënte të mundshme Ahmet Zogut, që, nga territori ynë, të futet në Shqipëri për ta marrë pushtetin. As Roma, as Beogradi, nuk munden t’u bënin ballë intrigave dhe kërkesave të “miqve” të vet shqiptare, që kërkonin ndihmë për ta mbajtur pushtetin ose për të ardhur në pushtet dhe që premtonin besnikëri e bashkëpunim, kurse në rastin e parë e ndërronin orientimin.

Genocidi kundra  Shqiptareve mars 1912
Genocidi kundra Shqiptareve mars 1912

VIII. Pakti i Tiranës dhe gjendja që ai krijoi…

I ndjeri Pashiq, duke u dhënë udhëzime përfaqesuesve tanë për punë në Shqipëri, u thoshte: “…ne duam që Shqipëria të jetë e pavarur, por e dobët dhe e parregulluar…” Koha ka treguar se kjo ishte e pamundshme te qëndronte. Shqipëria e dobët dhe e parregulluar patjetër do të kërkonte ndihmë e mbrojtje atje ku mund t’i gjente këto. Regjimi i rrezikuar nga Italia, na drejtohej neve, e regjimin të cilin donim ta përmbysnim ne, kërkonte mbrojtje nga Italia.
Shqiperia e dobët dhe e parregulluar, në vitin 1926, kërkoi mbrojtje e ndihmë nga Italia. Ahmet Zogu se pari mori garanci për regjimin e vet, e pastaj, në vitin 1927, pranoi të lidhë Aleancën ushtarake për 20 vjet, mori me qindra e qindra miliona lireta për punë botore, ia nënshtroi plotësisht Shqipërinë Italisë në pikëpamje ekonomike e financiare, pranoi shumë instruktorë italianë. U krijua, pra, një raport që i ngjante shumë atij protektorati, kundër të cilit ne luftonim në Konferencën e Paqes.
Rreziku meë i madh që viteve të fundit na vinte nga Shqipëria ishin organizimi ushtarak, fortifikimet ushtarake dhe aksioni irredentist. Gjithkund e shihnim rrezikun nga aksioni italian dhe atë “kufirin ofensiv” kundër të cilit kishim luftuar para aleateve ne Paris, kur ata propozonin që Italisë t’i jepej mandati në Shqipëri.
Eshtë me interes të përmendim në këtë vend se vetëm ne kemi protestuar dhe kemi luftuar kundër ndërhyrjes së Italisë në Shqipëri dhe në Ballkan. Asnjë shtet tjetër ballkanik nuk na përkrahu në këtë pikëpamje. Dy fuqitë detare mesdhetare, Franca dhe Anglia, nuk kundërshtuan mbylljen e detit Adriatik. Per më tepër, Osten Cemberlen, në takimin me Musolinin në Livorno, në vitin 1926, e dha pëlqimin për Paktin e Tiranës. E të gjithë përfaqësuesit francezë në Tiranë gjithnjë e këshillonin mbretin Zog që të mos hynte në konflikt me italianët.

IX. Pakti Italo-Jugosllav i Miqësisë i 25 Marsit 1937

Italia e Jugosllavia, duke ndjekur politikë miqësore njera me tjetrën, mund të merren vesh në lidhje me Shqipërinë, në këtë bazë: Italia ka interesin e vet jetësor në Vlorë; kjo pjesë e bregdetit shqiptar nuk bën të rrezikohet nga ne; ne duhet ta kuptojmë këtë interes dhe ta respektojmë. Interesi jetësor i Jugosllavisë është që të mos jetë e rrezikuar në kufirin e Shqipërisë me Serbinë Jugore as me Kosovën (e banuar me shqiptarë) e as me Shkodrën dhe Malin e Zi. Pa dyshim se kjo është marrë parasysh në protokollin e fshehtë të Paktit të Miqësisë kur është paraparë se do të ndalet fortifikimi i metëjshem në zonat e Librazhdit e të Milotit. Sa i përket aksionit ekonomiko-financiar në Shqipëri, ne nuk kemi as nuk dëshirojmë të investojmë fare mjetesh të posaçme. Italianët, pra, mbetën pa konkurrencë dhe pa vërejtje nga ana jonë, kuptohet me kusht që të mbeten në kufijtë e obligimit tjetër të fshehtë, që e kanë marrë ndaj nesh para dy vjetëve se në pikëpamje politike, ekonomike ose financiare nuk do të kërkojnë kurrfarë dobishë speciale që do ta komprometonin në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthtortë pavaresinë e shtetit shqiptar.
Në këtë mënyrë, Pakti i Miqësisë, i 25 marsit 1937, krijoi një “modus vivendi” të durueshëm midis nesh dhe Italisë në terrenin shqiptar, ku, viteve të mëparshme, kishim aq shumë konflikte dhe mosmarrëveshje.
Eshtë çeshtje tjetër se sa në Shqipëri do të mund t’u bënte ballë ky qetësim sprovave të ndonjë situate më të rëndë e më të ndërlikuar në detin Mesdhe ose në Ballkan.

Bajram Curri mes luftetareve 1912
Bajram Curri mes luftetareve 1912

X. Ruajtja ose ndryshimi i status quo-së

Pavarësia e Shqipërisë është zvogëluar, por nuk është shuar
Pavarësia e një shteti ndaj botës së jashtme gjithmonë është nocion relativ. Duke marrë parasysh edhe rrethanat, kjo pavarësi është më e plotë ose është e zvogëluar. Për Shqipërinë sot nuk mund të thuhet se politika e saj e brendshme dhe e jashtme është e pavarur nga Italia. E megjithatë, në bashkësinë ndërkombëtare, Shqipëria konsiderohet shtet i pavarur.
Nga aspekti juridik ndërkombetar, bregdeti shqiptar nuk është italian, por është nën sovranitetin e një shteti ballkanik. Italia ende nuk ka shkelur në Ballkan. Ajo ka sovranitetin e vet në një pjesë të territorit të Zarës, por kjo më nuk i jep mundësi për zhvillim të mëtejshëm. Italia ushtron ndikimin e vet në Shqipëri, por nuk ka liri aksioni si në territorin e vet. Shqiptarët, megjithatë, e kundërshtojnë ndërhyrjen e saj, i shkaktojnë vështirësi, e ngadalësojnë.

“Ballkani popujve ballkanikë”
Politika tradicionale e Serbisë është “Ballkani popujve ballkanikë”. Ky parim, në kohën e vet, është përdorur në luftë kundër Perandorisë Otomane dhe Monarkisë Austro-Hungareze. Jugosllavia e përdori me sukses këtë kundër dispozitave të Paktit të Londrës, i cili fuste Italinë në Dalmaci dhe në Shqipëri.
Në aplikimin e këtij parimi, ne kemi parë gjithmonë garancinë më të mirë për paqe në Ballkan, për bashkëpunim midis popujve ballkanikë, për zhvillimin normal të popujve ballkanikë. Prania e një fuqie të madhe në Ballkan është derë e hapur për intriga e pushtime.

Ekspansioni i Italisë
A është e mundur që Italia, duke u berë zotëruese sovrane e Shqipërisë së Mesme dhe Jugore, të mbetet vetëm në atë brez të ngushtë bregdetar? Ne nuk kemi besuar para 20 vjetëve, kur Fuqitë e mëdha ia dhuruan Italisë Vlorën me hinterlandin. Aq më pak mund të besojmë sot, kur Italia po tregon aq dinamizëm dhe guxim në politikën e vet të jashtme.

Një precedent i rrezikshëm
Marrja e një pjesë të territorit ballkanik nga ana e një fuqië të madhe jashtëballkanike, pa kurrfarë baze etnike, për të gjithë popujt ballkanikë, pra, edhe për në, është një precedent i rrezikshëm. Fuqitë e tjera të Medha, nga drejtimet e tjera, mund të paraqiten me pretendime të ngjashme. Rasti i Italisë në Shqipëri është posaçërisht i rrezikshëm për ne, sepse me Paktin e Londrës, me të cilin Italisë iu njoh për herë të parë Shqipëria jugore, iu njoh edhe Dalmacia veriore. Precedenti për ngjalljen e dispozitave të Paktit të Londrës në një sektor te Ballkanit e hap derën edhe për ngjalljen e dispozitave të tjera.

Qendresa Shqiptare dhe Pavarsia
Qendresa Shqiptare dhe Pavarsia

Ndarja e Shqipërisë
Me rastin e vlerësimit të tërë kësaj cështjeje, duhet të kemi parasysh se në çdo mënyrë duhet të shikojmë që t’i shmangemi çdo konflikti qoftë të fshehtë qoftë të hapët me Italinë. Gjithashtu duhet ta evitojmë pushtimin e tërë Shqipërisë nga ana e Italisë se në këtë mënyrë do të na rrezikonte në vendet më të ndjeshme – në Bokë të Kotorrit dhe në Kosovë.
Duke marrë parasysh të gjitha këto që thamë më sipër, ndarja e Shqipërisë do të mund të vinte në konsiderim për ne vetëm si një e keqe e domosdoshme dhe e paevitueshme, të cilës nuk do të mund t’i bënim ballë, dhe si një dëm i madh, nga i cili duhet të nxjerrim aq dobi sa është e mundshme, do të thotë nga dy të këqija duhet ta zgjedhim atë që është më e vogël.

Kompensimet tona
Këto kompensime gjenden në materialin e përpunuar para 20 vjetësh, kur shtrohej çeshtja e ndarjes së Shqipërisë.
Maksimumi që kemi kërkuar në atë kohë ishte kufiri që do të shtrihej buzë Matit e Drinit të Zi dhe që do të na jepte sigurinë strategjike të Malit të Zi dhe të Kosovës. Gjithashtu duhet t’i sigurojë luginat e liqenet e Ohrit dhe të Prespës, duke përfshirë Pogradecin dhe fshatrat sllave të Malit të Thatë, si dhe ato midis Prespës e Korçës.
Marrja e Shkodrës, në këtë rast, do të kishte rëndësi të madhe morale dhe ekonomike.
Kjo do të na mundësonte zhvillimin e punimeve të mëdha hidroteknike dhe përfitimin e tokës pjellore për ushqimin e Malit të Zi. Shqipëria Veriore, në kuadrin e Jugosllavisë, do të mundësonte krijimin e lidhjeve të reja të komunikacionit të Serbisë Veriore e Jugore me Adriatikun.
Me ndarjen e Shqipërisë do të zhdukej qendra tërheqëse për minoritetin shqiptar në Kosovë, i cili, në një situatë të re, do të asimilohej më lehtë. Ne, eventualisht, do të kishim edhe 200.000 deri 300.000 shqiptarë më tepër, por këta janë, të shumtën, katolikv, marrëdhëniet e të cilëve me shqiptarët myslimanë nuk kanv qenë kurrë të mira.
Shpërngulja e shqiptarëve në Turqi gjithashtu do të bëhej në rrethana të reja, sepse nuk do tv ekzistonte kurrfarë aksioni më i fortë për pengimin e saj.
Beograd, me 30 janar 1939

Shifrat: Gjenocidi serb në Kosovë
Sipas të dhënave dokumentare, në vitet 1876-1900 janë përzënë nga trojet e tyre të Prokuples, Vranjes, Leskocit dhe Nishit jo me pak se 200 mijë shqiptarë. Gjatë Luftës Ballkanike janë shpërngulur nga Kosova me dhunë 120 mijë shqiptare, ndërsa në periudhën mes dy luftrave botërore u shpërngulën për në Turqi 300 mijë shqiptarë dhe për në Shqipëri 50 mijë të tjerë. Ndërkaq, ata shpronësoheshin nga tokat, shtëpitë, mjetet e punës, etj., të cilat u jepeshin kolonëve serbë e malazezë që vendoseshin aty.
Marrëveshja e 11 korrikut 1938, e lidhur mes Jugosllavisë e Turqisë, parashikonte që brenda 8 vjetëve të ardhshëm të shpërnguleshin për në Turqi 40 mijë familje shqiptare.
Pas Luftës së Dytë Botërore, afër 500 mijë shqiptarë u vendosen në Turqi, ndërsa gjatë viteve 1974-1999, mbi 300 mijë shqiptarë janë larguar nga Kosova në vende të ndryshme si refugjatë ekonomikë, të detyruar nga kushtet e rënda ekonomike dhe dhuna serbe.

Shifra të bëra publike gjatë punimeve të seminarit “Gjenocidi serb në Kosovë”, Tiranë, qershor 1999

Publikuar në Koha Jonë. – Nr. 33, 5 shkurt, 2008, f. 18 – 19, 21.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.