
Dy vizatime për një Portret*
nga Mimoza Ahmeti
Ideja se me mbarimin e diktimit socialist hierarkia e shkrimtarëve do të konfrontohej me lirimin e disidencës nga burgjet, u modelua në mënyra të ndryshme në hapesirat mendore të artit.
Kishte nga ata shkrimtarë qe e dinin mirë që mund të paguanin kusure të vjetra për hir të ballafaqimeve të reja; të tjerë që mund të brengoseshin për spostim në hierarki; disa që mund t’i luteshin dherit të hapej nga çfarë lexonin në shtypin e ditës për veten e tyre.
Një freski pusi vinte nga gryka e porsahapur e disidencës mbi fytyrën e tharë të artit. Por kjo është pamje e përgjithshme.
Në veçanti, për mua posaçërisht, prania e një tjetër shtresë artistësh që teptiste nga burgjet, me dha idenë e një ringjalljeje, pothuajse përrallore, dhe po aq me dha ofshamën e një mallkimi vdekjeprurës, ashtu si të gjithëve, sepse kishim mundur të jetonim e të bënim art kur të dashurit tanë të pafaj me kokat mbushur me vargje e ritme vuanin atje brenda!
Ndoshta shpirtërat tanë do të ngroheshin nga vështrimet e tyre mallëngjyese, sepse, me sa kuptohej, edhe atyre u vinte keq për ne, sepse diç të paplotë kishim bërë, të papërgjigje, diçka që atyre u dukej përciptësi, por kjo vetëm sa na bashkonte të dy palëve me fatin, megjithëse dukej sikur aty që e gara.
* * *
Kam qënë pothuajse në ditët e rinisë sime apo të suksesit tim (është e njëjta gjë) kur u njoha me Kasëm Trebeshinën. Kishte një fytyrë me tipare dhe linja të reduktuara në mënyrë të stilizuar, me një vështrim çuditërisht të një mallëngjimi të paarritshëm, ku drita kumbonte në mënyrë të njëtrajtshme, pa zhurma. E folura e tij e shtruar kishte një intimitet induktiv me pamjet e një paradoksi që shpërfaqte gjatë rrëfimit. Një kryeneçësi lirike.
Sigurisht që desha t’i hyj në zemër. Ai ishte Ati i Disidencës, pse jo dhe i shprehjes reale si art. Veprat e tij do të më zbulonin limfën e një kombi që e privuan nga gjallërimi jetësor, që e mbaruan vuajtjesh me anën e një posedimi nga më të varfërit që njeh historia njerëzore – të diktaturës në emër të një socializmi virtuoz.
Ngandonjëherë do të mundohesha ta bind Kasëmin se ai nuk kishte armiq, se nuk e pengonin dhe se në përgjithesi jeta ishte ndërtuar me një vështirësi të tillë komunikimi, sidomos për shqiptarët. Doja ta bindja për dashamirësinë time dhe të të gjithëve, doja që ai të kuptonte se ndjenjat e mia për të ishin shprehje e një dashurie tërësore, e pavarur meje, shprehje e vetë asaj që ishte vlera e tij, madje unë do të shkoja kaq larg me marrëzinë time vetëbesuese sa që t’i thoja Kasëm Trebeshinës se Ismail Kadareja e donte, sepse nuk kishte si të mos e donte…
Ai vetëm buzëqeshte, tundte kokën, buzëqeshte dhe mua më dukej se mallëngjimi i tij merrte fluturim.
*Është shkruar enkas për përmbledhjen “Trebeshiniada”dhe botohet për herë të parë

Për autoren Mimoza Ahmeti (1963)
Kreu studimet në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, dega gjuhë-letërsi, si dhe nje specializim pasuniversitar për skript-kinematografi.
Drejton botimet e një shtëpie botuese private në Tiranë. Ka botuar vëllimet me poezi: “Bëhu i bukur” 1986, “Sidomos nesër” 1988, “Il mio grido” 1993, “Delirium” 1994, si dhe librat me proza “Arkitrau” 1993, “Absurdi koordinativ” 1996.