Partia ime është populli im – Poezia e protestës së Zhaneta Ogranajt – nga Kolec Traboini

Gazeta

Poezi nga Zhaneta Ogranaja
Poezi nga Zhaneta Ogranaja
Partia ime është populli im – Poezia e protestës së Zhaneta Ogranajt-
nga Kolec Traboini

Poetja Zhaneta Ogranaja (1938-2013) që në rininë e saj ra në sy si një krijuese me talent e me të ardhme, me aq mundësi sa mund të kishte një krijues në diktaturë. Poezitë e saj ishin lirike dhe pëlqeheshin nga lexuesit, por dikujt i vriste sytë shkëlqimi i talentit të Zhanetës dhe e burgosën për shkak të shpirtit të saj të lirë.

Që në rininë e saj Zhaneta Ogranaja ra në sy si një poete me talent e me të ardhme, me aq mundësi të pakta sa mund të kishte një krijues në diktaturë. Poezitë e saj ishin lirike dhe pëlqeheshin nga lexuesit, por dikujt i vriste sytë shkëlqimi i talentit të Zhanetës dhe e burgosën për shkak të shpirtit të saj të lirë. Edhe në burg duke parë një realitet poshtërues ndaj të cilit kishte fare pak rezistencë, shkruante: “Medet – Asnjë, për shpërblimin e lirisë s’e ngre zënë/qoftë dhe kur uji u hyn në palcë në trupat lakuriq”.
Pas shumë viteve burg ajo e priti shembjen e diktaturës si një rilindje e vertetë fizike e shpirtërore, mirëpo shumë shpejt poetja e ndjeshme do të zhgënjehej. Shumë ëndërrime që t’i përndizte liria do t’i veniteshin. Horizontit të shoqërisë shqiptare do të shfaqej një tymnajë përngjashëm me atë që një poet si Ali Asllani do ta quante që herët në vitet ‘40 të shekullit të kaluar “Kohë e Maskarenjve”, ku: “të papunë i gjeti dreka, milionerë i gjeti darka”. Shkuar pas këtij rendi, disa servilë të politikes një b… për dy karrike, ia dolën të mbijetonin e të dilnin në elitën politiko-shoqërore të kohës si vaj mbi lakër, por edhe mjaft të përzgjedhur të real-soc-it, që ishin beniaminë të spërdredhur të regjimit shtypës, bënë goxha karrierë pas shembjes së diktaturës duke u shfaqur me një shkëlqim të rremë si politikanë, shtetarë e diplomatë, duke i harruar idealet e shkrimtarëve të vërtetë e duke vënë pasuri me të dyja duart.
Përkundër kësaj lukunie, një poete si Zhaneta Ogranaja u la në varfëri, u braktis, sepse ajo siç nuk e bëri rolin e servilit poetik në të djeshmen, s’mund ta bënte as në të sotmen për sundimtarët e rinj. Për këtë e dënuan, jo me burg natyrisht, por me braktisje e heshtje, pasi ata që mbajnë skeptrin në të gjitha hallkat e piramidës së shtetit dhe politikës nuk mund t’i përtypnin vargjet e saj: “Partia ime është populli i varfër i rënduar nga çmimet”/ Partia ime është populli im, i thjeshtë, i uritur….” apo më tej: “ Po iki prap’ me zhgënjimin për gjithçka/ nga politika, demokracia dhe miqtë/nga smirëzinjtë, që shtiren si shpëtimtarët e mi, ata/që me të keq ma kanë mua dhe Shqipërisë. (botuar në gazetën “Egnatia” Athinë 1994).
Në parathënien “Dy fjalë për veten” të librit të saj, poetja shkruan: “Karrierës sime letrare i kanë zënë çdo shteg, bile me pusi të shëmtuara dhe banale, misterioze, me akuza të verbra, duke më rrasur burgjeve, nga burg shtëpiak, burg social dhe doemos, burg shtetëror.”
Gjithçfarë shkruante dje e shkruan sot Zhaneta Ogranaja është vërtet drithëruese. Eshtë dhimbje, thirrmë proteste ndaj atyre që i rrëmbyen dikur lirinë, apo të tjerëve që lirinë e saj, fituar pas vite robërie e viktimizuan për hir të interesave të karrierës e pasurive personale. Eh, sa pak gjëra kanë ndryshuar në shoqërinë shqiptare që nga koha e Migjenit, më të madhit poet shqiptar, shkëlqimi i të cilit veç rritet duke zënë kryevendin e letërsisë shqipe, sepse arti i tij ishte e mbeti mishërim i idealeve njerëzore, art i protestës e jo i lajkave, art i revoltës për padrejtësitë, çfarë ata që shkruajnë sot dhe kërkojnë skeptrin as kanë guximin qytetar ta mendojnë e jo më ta trajtojnë.
Ata e kanë më të lehtë të kërkojnë thërrime të përgjakura tek sofra diktatorit ku kriminelët i hanë kokën njëri-tjetrit, se sa ta prekin kokrrën e misrit migjenian nga frika se i “shiton zana”.
Demagogjia krejt përngjashëm më të djeshmen nuk ka fund. Thonë se arti është i lirë, ndërkohë artistët e vërtetë i lënë të vdesin në varfëri, pa harruar që kur të ndërrojnë jetë t’i qajnë me lotë krokodili.
Në këtë sens, ndoshta Zhaneta është sot zëri më i guximshëm e më i veçantë i protestës kundër hipokrizisë bashkohëse, falsitetit e hipokrizisë që sundon në shoqërinë shqiptare. Por në të njëjtën kohë, zëri që nuk duan ta dëgjojnë e për më tepër, zëri që duan ta mbysin sepse e vërteta është si Dielli që, kur e sheh me sy, të verbon nëse je urith i vrimave të nëndheut.
Zhaneta Ogranaja është poetja që e anashkalojnë se u çjerr maskën shumëkujt në këtë shoqëri të pamëshirshme dhe aspak humane. Këtë poete e kanë halë në sy edhe ata që trumbetojnë vuajtjet e veta nën diktaturë duke u paraqitur si viktima të mëdha me të vetmin qëllim – përfitime materiale, duke qenë pikërisht ata që u bënë promotorë për t’u shkaktuar vuajtje të tjerëve. A e dini se kush i ka shkaktuar vuajtjen e re, plagë mbi plagë Zhaneta Ogranajt? Pikërisht ata që e monopolizuan vuajtjen e popullit nën diktaturë për t’u shfaqur si sundimtarë të rinj. Mjerisht ky lloj pisllëku i dy sistemeve ia ka arritur qëllimit. Mjafton të shohësh kush ka ardhur në krye të punëve në dy dekadat e fundit dhe çfarë meritash kanë që janë me të prapmen në majë të kolltukëve. Edhe në prerjen historike, paraardhësit e këtij lloj pisëllëku kanë bërë rolin e puthadorëve të tërë sistemeve, madje kanë qenë dylberë të devotshëm të pushtuesve. Harrojnë këta mjeranë që kanë pas shpatullave hiç-kurrë-mosgjënë, se janë kalimtarë dhe kur të kenë ikur, po ashtu hiç-kurrë-mosgjë prej tyre ka për të mbetur, ani pse sot fryhen në media si gjela deti në fund të dhjetorit…
Paçin fatin e tyre!
Fati i poetëve dihet dhe kurrnji prej atyre që vërtet janë poetë nuk do të kishin kurrfarë dëshire për të patur fat tjetër nga ai që kanë përshkuar, anipse plot vuajtje e tundime. Edhe Zhaneta po ashtu. Poezia e saj është dhimbja e popullit, atij që e quan partia ime, të cilit i dërgon vargjet e zemrës së saj, me zogjtë, me qiellin, me erën… gjithnjë e gjithnjë.

Zhaneta Ogranaja dhe Klara Kodra në mes Lazër Radi
Zhaneta Ogranaja dhe Klara Kodra në mes Lazër Radi

Zhaneta Ogranaja:
Rivaliteti i Bukurive – Cikël poetik –

Në facebook e pashë Azalenë, adoleshente e bukur
Por, më i bukur, babi i vet, më duket ai që mbi 50 vite i ka
Kjo, atë duhet ta bëjë më të lumtur
Dhe të lumtur të rrojnë tok, si bukuria ata

Shkëlqente ai si një djalë zemërartë, i ri
apo më duket kështu mua?!
Jooo, është tamam porsi zambak ai
Ndaj, ndonëse plakë, mund t’i them “Të dua!”

Shtegu i kësaj dashurie nuk është jooo
Nuk është joo, bukuria fizike, por e shoh të sjellshëm e mendjelartë
Zemërmadh, zemërartë, ai bile i dashur edhe si artist, me këdo
Me atë buzëqeshje që ka prilli, ditë bën çdo natë

Në mes babit dhe vajzës së vet do ketë doemos
Gjithnjë do të ketë rivalitet bukurish, ta dish
Për këtë s’ka ankim në këtë garë-jetë, por sidomos
Për gjithkënd ka rëndësi të jetë zemërmadh
me autoritet, me fisnikëri përjetë…

Rrëfim për një fotografi

Unë, si bimë vetmitare në shkretëtirë
Kur jeta tani, për tmerr po më thahet
Pa asnjë gëzim e asnjë hov të dlirë
Më ikën koha si ujë përroi që s’di të ndalet

Në këtë botë të trishtuar pa lumturi
Në dhomën time vendosa një fotografi: Azalenë
Prania e qenies së saj t’më shërojë plagët që kam në gji
Që të bëj mbretërinë e dashurisë vetë mos e lëmë

Ajo, Azalea, si dielli rrezeartë ndrit nga fotografia nëpër dhomë
Dhe, bukuria në plotësi seç shfaqet tani
Më dhuron paqe, pothuajse përgjithmonë
Brengat m’i treti me atë rini, me atë bukuri

Shpëtova nga vetmia, ajo u bë fir
Ajo vashëzë sikur më hedh vështrime të dhimbsura
kur më bën shoqëri mua
Në këto hidhërime, ajo ashtu rinore,
siç është më kupton mua në këtë errësirë
Më shëron plagët kur më dhuron buzëqeshjet e saj,
ikur më thotë: Erdha se të dua

Azalea, si një pranëverë e lulëzuar, e blertë
Ka mbirë në dhomën time sot
Me ndjenjën që quhet jetë
Me ndjenjën që quhet dashur vlerë-plot

Këtë zjarr të dashurisë që më është shuar
Ja ku po ua them, e ndezi një fotografi
Prandaj nuk jam, siç isha, e trishtuar
Azale, në dhomën time të varfër, të thjeshtë,
në terr, një yll i hijshëm, i ndritshëm më je ti

Zhaneta Ogranaja  në një çast qetësie
Zhaneta Ogranaja në një çast qetësie

Elegji e përjetshme: dashuria

Një vaj i madh është dashuria. Një rënkim
Sepse, pranë fati, si rivalitet, hakmarrësin të afërm ta sjell
Për gjithë raport intime në botë unë kam ankim
Diçka tragjike, partneri rival, të ndjell

Partnerët sodit dhe flas me veten time
Ata që në emër të dashurisë na kanë shoqëruar
Ndërmend më sjellin trofetë e privilegje, gëzime
Ndërmend më sjellin, ndërkohë, edhe privimet,
edhe hajdutëritë për tjetrin në fatin e shuar

Të vë gisht mbi ndonjë, ndërsjelltas, jo nuk di
Pabesia, dashuria, nga godet veshin si elegjia
Sa gjatë e gjerë sundon në çdo magji e pusi
Brigjet e fatit sundon dashuria-padrejtësia

Fora tërë kundër shpirtit pafajësi
Dlirësi e virtyt, bukuri tok
Hidhen me dufin e zjarrtë pabesi-zili
Shtypësit, shfrytëzuesit, si flamur triumfi në botë
(Viktima, flamur kapitullimi kot)

Monolog Femeror

Unë, burrin tim, të lirë e le, ta dish
E bëj të lirë e i jap mundësi e shpresë të re
Kështu-ashtu pohoj lirinë përjetësisht
Veçse ai të më dojë mua më fort se çdo femër
e çdo mashkull tjetër nga ky dhè

Atë ta duan bota e tërë, sa gjatë e gjerë
Sepse kështu njeriu shkëlqen-shkëlqen
Kur mbi të sytë i mbajnë të tërë
Por s’dua kurrësesi atë që, përjetësisht, ma rrëmben

Sa mua edhe si mua, të dojë ndonjë tjetër, s’dua
Ai, veç përmbi mua të ketë çdo vështrim
Të më ketë zonjë e shoqe me shpirt veç mua
Sepse nuk dua të takoj nëpër rivalitet asnjë trishtim

Në botën përreth, përpara meje vetëm
Të gjunjëzohet burri im, ai
Lule të më sjellë tërë jetën
Tërë jetën, unë e tija, ai imi, tok, një në përjetësi

Nuk dua të më bëj zemërgrisur
Nuk dua të më rrahë fati shkretë
Pas dashurisë, s’dua të shkoj ai si i arratisur, si i krisur
Secili nga ne, dashurinë ta ketë për vetëvete, shëndet

Në botën përreth, sa gjatë e gjerë, ta duan tërë atë
Sa mua edhe si mua, ai të dojë tjetërkënd, kurrë nuk dua
Dihet, ndryshe dashuria bëhet fir, s’të do më
Kështu, vërtetohet, vetëkuptohet
që dritë e nder të më ketë vetëm mua
(Vetëkuptohet, tek të tjerët të punojë
për mua, për vetvete, për ne?!)

Serenate-pleqerie
(Orë nate nga jeta e një femre plakë-këngëtarit A. G.)

Ta dëshiroj – Agim Gashi, mua më tha
Ta dëshiroj një natë të këndshme sot, ty
Kjo, në vend të fjalës “natën e mirë” pra
Ta dish, ky mendjeartë prej Gjermani,
sikur më dha lëng jetësor në trup, në krahë, në duar e sy

Ta dëshiroj një natë të këndshme, të mirë
Kaq butësi, kaq dashamirësi, asnjë s’ka treguar me mua
Megjithëse midis nesh ka diversitet, largësi e hapësirë
Ky togfjalësh sikur do të thotë “me gjithë shpirt, njeri, të dua”

Sidoqë ka vite, vite ka, për asnjë e për asgjë s’e vras mendjen më
Zemrën porsi brumë sonte ma gatoi këngëtari Agim Gashi, ai
Kështu-ashtu, dashurinë dua në vend ta rivë
Sepse në zemrën time ai vjen jo si njeri, po si Perëndi, si dashuri

Tërë natën, sonte, sy nuk i mbylla dot
Sytë, si luledielli që kthehet nga dielli
i ktheva drejt tek kosovari në Gjermani
Sepse përshëndetja e tij më dha ngrohtësi plot sot
Ndaj, për atë shtat burrëror, që s’e kam parë kurrë,
po ngre këngë dashurie me vargjet e mi

Sido që s’kam moshë, jam në pleqëri
Lotët lumë, përse, për ç’shkak më rrjedhin sonte nëpër faqe
Mbase nga vonesa e dashurisë, sonte vetveten
e ndjeva rini-rini-rini në shpirt, por pa fuqi
Dashuria s’paska moshë, ju thonë dlirë këta vargje

Kur qeshë në shtrat, një sozi burri pashë që fluturim
Sikur më mbërthyen ca buzë të nxehta, krahë e duar
Plot harmoni qiellore më dha
ky mendjelartë e mendjemadh me përgjërim
Oh, për mua, sonte si në përrallë kjo natë kaq e mrekulluar

O njeri i panjohur vërtet,
Vërtet të jesh ti sozi Perëndie, kaq i bukur
Ti si një Agim, plot me dritë, plot jetë
Të ndrin ata sy e gëzon, çuditërisht, kur më sheh të lumtur

Këto orë nate sonte më dhanë
Më dhanë krejt gjithçka që njerëzit e ligj,
primitivët, ma kanë privuar
Nuk jam vetëm jo, më, por me Agimin,
mikun më të ri, si në agimin e të ardhmes pranë
Ndaj, si zog, zërin e ngre në këtë serenatë pleqërie,
për atë urim të mrekulluar.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit