
Dekanit të Shqiptarismit të kulluar: Pashko Vasë Shkodranit
Kujtim, me rastin e 25 vjetorit te vdekjes
“Kur ka pasë lidhë besë burri i Shqypnisë,
i ka pas shti dridhmën gjithë Rumelisë…”
Pashko Vasa, “Mjalt’e Mbletës” faqe 66
A do të lindin shumë zemra të dhempshura, t’u vijë keq e t’e ndjejnë atë dhembje të cilën e pat ndjerë i rralli shpirti yt, o ti burrë Shqiptar, që të prehen të paçmuarat eshtra lark asaj Shqipënie, të cilën e paske pasë vajtue ma mirë se një foshnje shpirt-ëngjëll që vajton nanën e vet?
Sot vendin e atyne burrave q’i epnin dridhmën gjithë Rumelisë, q’e rrethojnë më të gjithë anët e janë gati tue e coptue atë të pashoqe Shqipni, q’e cila ka qenë Nëna e trimërisë!
Fqinjët më të gjith’ anët i mprehin thonjt’e djalltë, duke u bërë gati t’e çqyejnë atë Nënë, për të cilën e dhempshura zemra jote pat pasë qa me aqe lot të hidhuna! Shqipëria jote sot, heq e këputet, nga më e pështira robëri e së padijes, psherëtin, rënkon, qan, vajton, ulërin e gulçon, në mes të më t’errëtës errësirë, u prish, u tret, u mbyt po humbet përditë vendi i atyre trimavet q’i shtin dridhjen gjithë Rumelisë! Aty sa edhe malet, pyjet, fushat, brigjet, çukat, kodrat, lumenjt e përrenjtë, humpnë ngjyrat e hijen që kishin pasur njëherë motit!
Prifti, hoxha, kisha, xhamia, kultet na kanë hutuar neve shqipëtarëve, prandaj tretet, robtohet e prishet Shqipnia! Fjalët e tua, kudo që janë punuar me atë ngjyrë të zezë mbi kartën e bardhë, çkëlqejnë së hedhuri dritë më të shumtë se dielli, o i bekuar burrë. Po ku munt t’i shohëm e t’u kupëtojmë ne të ngratët? Ne nukë jemi vetëm të humbur, po para së gjithash na kanë verbuar e hutuar.

Nukë janë vetëm priftërit, hoxhët, kishat e xhamitë që na kanë hutuar po edhe bejlerët, pashallarët, arhondët e gjithë parësia, na kanë robëruar, na kanë shkretuar e varfëruar e as fare nukë na kujtojne se ne jemi vëllezërit e tyre, e t’u vijë keq në të hequrat e në të vuarat tona. Bëjnë sikur s’kupëtojnë e si kur s’i qas as ndonjë farë afërimi me neve! Me gjithë këto, i ngrati Popull, përgjërohet për parësinë, vritet, pritet, vdes e grihet për parësinë! Ngado që t’i heqë e kudo që të dojë t’i shpjerë parësia, s’thonë kurrë: Jo! Ç’t’u thotë i mjeri njeri edhe këtyre truçkulurve parësi?! Këta janë njerës të pa hesap, se sikur të kishin pak mend si kur kanë ergjënt, do t’e kupëtonin gabimin’e tyre, që pa Popullin e mësuar e të zgjuar, s’bëhet gjë…
Nga gjithë rreziket që rrethojnë sot Shqipërinë, vetëm në një gjë shohëm shpëtimin e saj: në shkrim e në këndim të gjuhës, se Populli kur të mësojnë të shkruajn’e të këndojnë gjuhën e tyre të rinjt’e djemuria, atëhere mundim të themi me plot gojën se: me të vërtetë shpëtoj Shqipëria.
“Çoniu Shqyptar, prej gjumit çoniu,
Të gjithë si vllazën me nji besë shtrëngouni.
Edhe mos shikoni kisha e xhamia,
Feja e Shqyptarit asht Shqyptaria…”
(**) P. Vasa, “Mjalt’e Mbletës” fq, 57
Tubhar (Egjyptë) Jenar 1910
Jani P. Vruho (Nga: Liri e Shqipërisë, Nr. 3, Sofie 1911)