
Figura e Pashko Vasës (Wasa Pasha) në Perandorinë Osmane
Në një Letër të Xhemal Farkës për Lef Nosin
Një letër e Xhemal Farkës që mban datën 18 korrik 1939, dërguar nga Bejruti Lef Nosit në Elbasan, e informon se bashkë me Stilian Nosin kishin vajtur dy herë tek varri i Vaso Pashës dhe kishin bërë edhe foto.
Farka i shkruante se autori i historisë së Libanit, Ibrahim Asswad Bey, i kishte dërguar Lef Nosit si dhuratë katër vëllimet e Historisë së Libanit, shkruar prej tij.
Xhemal Farka e informonte se për Vaso Pashën kishte një artikull në enciklopedinë arabe dhe mjaft njoftime në gazetën Libani, por mjerisht, – theksonte ai, – unë nuk di arabisht dhe shokët arabë janë dembela, kështu që mbetet për më vonë.
Siç merret vesh edhe nga letra, Xhemal Farka kishte respekt edhe për Sotir Kolenë.
Bejrut Liban 18 korrik 1939.

Zotit Lef Nosi
Elbasan – Shqipni
I dashur Zoti Lef
Shpresoj të jeni mirë, bashkë me Zotin Kolea. Qyshkur erdha këtu në Bejrut u kujdesa bashkë me Nossin për me mësue ndonjë send nga jeta e Wassa Pashës. Vojtëm dy herë ke vorri i tij, mbi kodrën Harmie dhe muerrëm disa fytyra të cillat i ka Nossi. Mbasandaj me ndihmën e disa shokëvet arabë u – njofta me nji historian të shquem të këtij vendi, Zoti Ibrahim Asswad Bey.
Ky më priti shumë mirë dhe më dha disa njoftime nga jeta e Wassas. Asht shumë plak dhe lodhet shpejt, prandaj është pakëz si vështirë me u marrë vesht me’të. Megjithatë kam shpresë të mësoj dhe gjana të tjera mbi Wassan, meqë u bash mik me të dhe më ka thërrit për drekë. Në dy apo tre nga volumet e historisë së tij ka disa njoftime nga jeta e Wassa Pashës, prandaj mund t’i zgjidhni me anën e ndonjenit që din arabisht. Diftojsi i landës mbrapa libravet ka dishka të shënume. Të katër volumet e historis së Libanit jua dërgon dhuratë drejt-përsëdrejti zotnis s’uej autori.
Për Wassa Pashën ka një artikull në enciklopedinë arabe dhe mjaft njoftime në gazetën Libani, por për fat të keq unë nuk dijë arabisht edhe shokët arabë janë dembela, kështu që mbetet për ma vonë. Veç kësaj na kanë ra shumë halle mbi krye dhe si kam mendët të qetë.
Kam pasë me vete një autobiografi të Hafiz Ibrahim Dalliut. Nji herë ju pata ba havale Zotit Hafiz që të shkruante diçka nga jeta e tij. Megjithë përtacinë e tij, nuk ma prishi dhe shkruajti diçka. Besoj se dikur mund të ketë ndonjë vleftë në t’ardhmen. Vetë s’kam se ku ta ruaj prandaj ka kohë që vendosa të jua dërgoj zotnis s’uej. Ta mbani bashkë me gjana të tjera shumë të çmueshme që keni.
Nossi m’asht tregue shumë shok i vlefshëm. Ikja e tij do të më dëshproj mjaft, sepse i qajmë hallet bashkë. Ai ka me ju tregue mjaft nga jeta e jonë këtu.
M’iu falni me shëndet Zotit Kolea.
Mbetem me respekt, i juaji gjithmonë gati me ju shërbye
Xhemal Farka

Wassa Pasha Shkodrani
(Rrëfyer nga Zoti Ibrahim Asswad Bey, plak nanddhjetësh, ish funksionar i naltë në kohë të qeverimit të Wassa Pashës dhe më vonë, shkronjës I historisë Libanit e kursa veprave të tjera gazetar etj. – Intervistuar nga Xhemal Farka në vitin 1939)
Wassa Beu leu në Shkodër në vitin 1825. Përpara se të emrohesh prej sulltanit Guvernator i Libanit, ka qenë funksionar i naltë në Ministrinë e Jashtme në Stamboll dhe për disa kohë guvernator i Edirnes. Në të gjitha punët tregoi squetsi dhe zotësi të rrallë.
Në vjetin 1883, u emnue Guvernator i Libanit simbas ligjit për dhjetë vjet, por për fat të keq pas tetë vjet e gjysëm ndrroi jetë. Kur erdhi në Bejrut kishte për grua një greke të quajtur Katerinë me të cilën kishte një vajzë të rritun Rozë Kopelian, e martume me ermenin Kopelian. Dy vjet mbasi erdhi në Liban, i vdes e shoqja, dhe dy vjet mbas kësaj u martua prapë me frënge Msse Lauriche, të cilën e kishte pasë njoftë në Stamboll. Me Lauriche-n pati dy djem, Selimin dhe Leonin. Vdiq më 1892. Mbas vdekjes e shoqja dhe djemtë vajtën në Stamboll dhe kur mbas pesë vjetësh u kthyen me Selimin për me vizitue vorrin e Wassas. Qeveria bëri një ceremoni përkujtimore ku u mbajtën fjalë të rastit.
Wassa Pasha dhe Rustem Pasha kanë qenë Guvernatorët më të mirë e më të zotët që ka pas Libani. Wassa u bë shkak që të bëheshin shumë ndërtime dhe punë fetare. Qe ai që ndreqi sarajet e guvernës në Xhunieh, sarajet të Zalilës dhe ata Baabdas gjatë qeverimit të tij u ndreqën edhe rrugët Bejrut-Zakle dhe Bejrut-Broumana,në një kohë kur ishte punë e madhe të kishte të tilla rrugësh. Vetë Wassa inaguronte çdo ndërtim. Emni Wassas nuk do të harrohet në Liban, dhe i botimit të së parës gazetë. Wassa ngarkoi Ibrahim Bey Asswad për këtë qëllim. Kështu ndodhi që qysh prej asaj dite dhe sot, zotnia e tij asht pronar i gazetës “Libani”, e para gazetë e këtij vendi.
Wassa ishte shumë burrë i pashëm dhe i gjatë, gojëmbël me të gjithë. Zotëronte shtatë gjuhë të huaja. Ishte dhe poet. Vargëzonte shqip dhe italisht. Ka ba një gramatikë shqipe. Zoti Asswad nuk e ka pa gramatikën, porse Wassa vetë i paska pasë thanë. Të huejët lejshin kokën për Wassan. Kishte miqësi të madhe me konsujt të huej e sidomos me konsullin freng. Me këtë të fundit, sadoqë e kishte mik, u prish kur ky filloi me fut hundët në punët e brendshme të shtetit. Libani ka pasë n’at kohë një asamble kombëtare. Kur po bëheshin zgjedhjet, konsulli freng bashkë me patriarku Maronit (Iddibis) sajuen një mënyrë dhe zgjodhën një njeri të tyne, i cili do t’i mbante pajë Francës. Wassa me ta marrë vesht shkaktoi që ai njeri të hiqesh dhe në vend të tij të vihesh një tjetër, i cili do të shikonte të mirën e vendit. Konsulli freng u zemrue dhe iku nga Libani. Frengët qysh në kohë të Napoleonit III kanë saju ngatërresa në Liban me anën e Maronitëvet (të krishterë që njohin Papën). Por Wassa punonte me ndërgjegje dhe nuk duronte gjana të këtilla. Ai ishte ka sjellë shërbime të mëdha Qeverisë Ottomane.
Wassa ishte shumë mikpritës dhe Libanezët thojshin se Wassa është si Arabët e vjetër sepse Arabët të vjetër janë të famshëm për mikpritjen e tyne. Porta e Wassas ishte gjithmonë hapët. I madh e i vogël hanin tek ai. Shtëpia e tij ishte plot me mysafirë.
Ka edhe njerëz q’e shajnë Wassa Pashën. Thonë se Wassa e donte paren pa masë. Asht e vërtetë, por Wassa nuk ishte dorështrëngut. Përkundrazi ai ishte fort dorë-dhanë. Një poet popullor, i quajtur “Mallot ” i cili rron edhe sot e kishte inat Wassan dhe kur vdiq këtë vjershë arabisht.
Thonë se vdiq q’ai Wassa Pasha!/ Bani që mbi vorr të ti.
Të tringllojnë do pare t’trasha. / E tash ju ngjallet për bukuri!
Ibrahim Asswad Bey thotë se Mallot-i ishte hajdut. Kishte vjedh një regjistër në Qeveri dhe Wassa e kishte fut në burg. Prandaj për hakmarrje grinte kësoj dokrrash. Wassa ka punue për të mirë të Libanit. I deshi Libanasit dhe ata e kanë dasht me gjithë zemër. Ata që e shajnë janë njerëz të këqijë. Shkurt Wassa ka qenë njeri i madh.
Rroga e Wassas ka qenë dyqind (200) lira turku flori në muejtë.
Ndër dekorata të shumta që i zbukurojshin krahnorin ishin këto:
-Premier Mexhidie
-Premier Ottomane
-Liakat Dor
-Legion d’honeur e të tjera nga shtete të huej.
Në vorrim të Wassas mori pjesë I madh e i vogël sepse ishte i dashtun prej të gjithëve.