back to top
13.5 C
Tirana
E martë, 23 Prill, 2024

Bora e Venës së Bardhë etyd nga Jozef Radi

Gazeta

Jozef Radi 2001
Jozef Radi 2001

Bora e Venës së Bardhë

etyd nga Jozef Radi

Sapo kisha drekue dhe me gotën e venës n’dorë, iu ktheva dritares s’madhe që shtrihej në krejt faqatën e murit prej drrase,  nga shfaqej solemnisht pamja e nji liqeni të vogël e idilik, krejt i ngrimë, njatje n’teposhtë rrethue pishash. Frynte nji erë e ftoftë, e klithët, e thikët… nji erë që ndër pemtë e blerta të pishave dhe lisat krejt të xhveshun ndjehej hera herë si ulërimë kojotash… Prej njatij të ftofti që po vinte hovshëm, pritova me ba banjë e njashtu i mbështetun për karrige me buzët që ia puthisja hera-herë gotës me venë të bardhë, përhumbesha pa u ndje n’ato botë të largta e krejt të panjoftuna… Gota e venës s’bardhë, përballë njasaj shfaqje kurrë t’pame, po ma përndriste njat mbasdite nandori me nji botë ku njeriu edhe n’se s’gjen ndonji gjà t’madhe, vetmi reflektive gjen me shumicë. I lshova dyja kambtë mbi parvaz të dritares, dorën e majtë e lshova mbas kreje me ia dhanë të plotë knaqsinë sodisë dhe paqen përhumbjes n’at mbasdreke dimni ndër humbtinat amerikane…
E njashtu kadalë e pa u ndje, krejt qielli erdh tue u zatetë, e dikur u ba gri i errtë dhe veç kur t’ja nisi nji borë e dendun tue u shpupurisë hovshëm me shkulme, me do flokë gjithnji e ma të mdhej e ma të dendun tue dredhë ndër vorbulla ere gjithkah, e thue se bota tash ishte veç njajo çmendinë bore. Mbi sipërfaqen e ngrime të liqenit të vogël, sa nji sy bizonti nisi m’u krijue nji lojë mahnitse shtjellash bore… e sa ma shumë i ngulja sytë n’at lojë natyre, aq ma të denduna baheshin shkulmat e borës, aq ma të forta vorbullat e erës mbi syprinën e akullt të liqenit, e aq ma e tkurrun tejpamja e njasaj shfaqje. Tashma liqeni i vogël i ngjante ma shumë nji pistë vallzimi, ku borë e erë t’përqafuna me njena-tjetrën vërtiteshin n’nji tango plot figura e ndër sy m’shndërrohej në marramendje dehse. Edhe njajo gotë vene e bardhë po m’bahej yshtëse e njasaj magjie…
Prej dritares së gjanë hapekrahë, sa faqja e murit, prej njatij pozicioni dominues e solemn, ndjehesha si n’nji llozhë të privilegjueme teatri…
Ishte e para herë e nji spektakël të tillë, ku vetë natyra shfaqesh para meje si nji aktore e pabesueshme, e ndjehesha i grabitun emocionesh, jo veç n’at paqen e bardhë t’njasaj mbasditeje, po në krejt shqisat e mprehuna të vëmendjes sime… e ndoshta edhe ma shumë. Ajo gotë e rruzullt vene n’dorë, m’i dhurote njasaj shfaqje të çmendun solemnitet magjik e dalldi andrruese… ku bora, mbasi dredhesh e spërdredhesh n’syprinën e akullueme t’liqenit, çast mbas çasti ishte tue krijue nji shtresë, fillimisht të mjaftueshme, mandej gjithnji e ma të plotë, aq sa mos me iu bindë vorbullave t’erës. Tash s’i kish mbetë tjetër, veçse me e sorollatë e me e hallakatë njat denduni flokëzash t’argjanta n’ajrì, tue i dhanë gjithçka rrokte syni i verbuem bardhësie, nji bukuri të frikshme, që për fat soditej nga mbrendë, e të përcillej n’nji drithërimë edhe veç me e mendue për nji çast vedin jashtë, e pjesë të saj.

Wellsville, 2014
Wellsville, 2014

M’u bà sikur ajo magji në t’hyme të dimnit, po shfaqej veç me e mbështjellë me gëzof të bardhë të stinës në derë, gjithçka t’atij vendi që ishte tashma i mësuem me të…
E ndërsa gota shterrej ambëlsisht n’sodì, po aq ambëlsisht edhe bota po fundosej n’at mjegull fluturash të bardha, që tash e kishin tjetërsue edhe pamjen e pishave të nalta, duke i shfaqë ato si statuja të argjandta paksa të tulatuna, e të nguluna me forcë në sfond, e kërkush s’guxonte me ua prekë konturet e reja, veç ndoj syni marroq.
M’u duk sikur po m’lirohej truni prej çdo mendimi të trishtë. Po ndihesha i grimcuem n’at grì të muzgut, që tashma po shndërrohej n’nji pëlhurë gjithnji e ma t’plotpushtetshme e sunduese…
Si n’përhumbje pashë se gota m’kishte zbritë në nivelin e trishtë të zbrazjes. Si duket n’at bashkshoqni të njeriut me natyrën e pijen ishte krye i plotë misioni i saj… Padashtas, ajo gotë e plotë vene m’kishte ftue, m’kishte përcjellë e m’kishte zhytë m’u ndje pjesë n’at spektakël të tjetërsimit të botës, tue i dhurue nji mbasditeje t’randomtë jetenj at përhumbjen e beftë të dehjes me natyrë të egër e dimna kurrë t’jetuem ma parë… Diçka kurrë e ndodhun e kurrë e shijueme.
I mbylla sytë për nji kohë t’pacaktueme. Ndoshta ishte nji çast, ndoshta kohë e nji përhumbjeje letargjike o ndoshta krejt nji jetë. E njashtu si ndodh ndër andrra, ku njeriu kërkon me ia zgjatë jetën nji magjie, befas qe kthye n’lamtumirën e pakthim të dehjes me botë të largëta e vende të panjoftuna…
N’at përhumbje, m’u ba sikur dikush m’thirri: “A mos don me ta mbushë apet gotën e venës?”
Mandej ra nji heshtje e plotë, e thellë, e bardhë, lëbyrse…
S’i gjeta asnji kuptim me i hapë sytë njasaj thirrje… mendova se ishte ajo Bora e pakufi e Venës së Bardhë, që e kishte nënshtrue botën mbarë, e kishte vendosë nji shtroje që kishte me mbetë për muej e muej me rradhë, njaty nën kambtë e mia t’mbështetë n’parvaz t’asaj dritareje t’madhe ku natyra luente dramat e s’përditshmes së saj…
Wellsville, 28 nantor 2014

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.