back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 26 Prill, 2024

Pranvera dhe Dashnia… tregim nga Jozef Radi

Gazeta

Dashuria e Erosit me Psychen
Dashnia e Erosit me Psychen

Pranvera dhe Dashnia…

tregim nga Jozef Radi

Nji ditë marsi, ndërsa dielli donte me dalë prej drojes e m’u futë ndër dejtë e pemëve, syve t’mi prej s’largu u trokiti nji krijesë, që me guxim të pamenduem përmes fjalësh që s’i besoja se ekzistonin m’tha:
Jam e dashurueme me ty…!
Un buzqesha. Ajo guxoi me e përsritë ma fort e ma bukur njat çka e tha ma s’pari. Un qesha me t’madhe e jehona e saj, u fut nëpër langun e pemve e nisi me ju dhanë frymë sytheve e luleve…
Pranvera desh mem dëshmue krejt dritën e nji dielli të mbrendshëm që shkonte tue u rritë sa guxoi e m’tha:
Mos qesh me dashninë teme, pse s’ke me guxue me dashtë kend tjetër, n’se guxon me m’dashtë mue!
Un qesha sërish, e mos me e landue i thashë:
Un jam i dashuruem me Dashninë, Pranverë…
Ajo guxoi m’u gjegjë e tha:
At’herë, un jam Dashnia!
E un apet iu gjegja ballas:
Mos ma thuej kët, se n’lojë të Dashnisë s’mundet kërkush me i mshehë drit’hijet e veta…
Pranvera e lshoi nji curril loti për çka s’i besova e i shndriti nji buzqeshje e lehtë për çka u trishtova për lott t’saj.
Ndërsa ditët e Dashnisë morën n’teposhtën e ortekut, fjalët Pranverës përditë e ma fort morën përpjetë.
Njeriu nis mos i besue vedit, kur fjalët duken se hikin loje e bahen ndjesi gjithnji e ma të trazueme, e imazhi i nji grueje rrokullimë ma e fuqishme se drita që dhuron stina e përtrive.
N’heshtje pranova me ia dashtë Pranverës njata dy sy ma t’errtë se nata e njat ftyrë ma t’bardhë se drita.
Vazhdova me e dashtë si ajsberg, po asnjiherë s’hoqa dorë prej Dashnisë,
Ajo më mbante lidhë me gjithçka t’bukur të kësaj bote…

Fatos Bylykbashi - portret
Fatos Bylykbashi – portret*

Dashnia s’asht ajo çka i dhurohet nji grueje, as ajo çka mundet me t’dhurue nji grue, Dashnia asht gjithçka mbrenda nesh… e kudo ajo derdhet lshon lule e gjeth, pa pvetë për stinët…

Ah, imzot, ju s’më trazuet kurrë, po m’lejoni me ju thanë se due veç t’ju ndigjoj.
Tingulli i zanit tuej m’godet drejt e n’timpan të zemrës e jo t’veshit, edhe asht muzika ma e ambël për nji zonjë të dashurueme.
Un ju adhuroj… e ju jetoj përtej adhurimit, imzot!
E s’keni si me e kuptue, si zemrës teme ju i dhuruet flatra e sado plagtë janë të njoma e dhembin, ajo ka fillue me jetue si at’herë, kur ishte andërr, e langzonte pikla mjalti n’hojet e dashnisë hupë n’ajrì…

S’di sa kohë kaluen dita tue i vjedhë natës kohë flatra e nata që i bahesh zemërgjanë ditës n’pakufi.
S’di çka mundem me thanë për at pafundësi çastesh e muejsh ku njeriu bahet krijesë eterike tue u futë n’nji tjetër, e tjetri që del prej vedit e jeton n’ty… me frymë orteku, hov ere e violinë flladi…
Nji mbramje vjeshte, njashtu e çmendun e fatkeqe, midis nji shiu t’butë spërkatë me gjethe t’vocrra akaciesh, Pranvera shkoi me dhurue Trupin e dashnisë së vet, e jo Dashninë e frymës së saj, përbirue prej heshtave të Zotit…
Ja kam puthë plagët ma shumë se buzët, ja kam kqyr sytë ma shumë se sythat!
Erdh, veç me mbjellë dhimbat e kurrlexueme të saj, pse e vërteta i kish dekë kahera, ndaj rropatej me e shitë çka kurrë s’e kish pasë!
Vërtet, ka stinë të rrejshme, po s’ka Dashni të rrejshme!
Pranvera u përplit me tan trajtat teatrale t’saj me e braktisë vetvedin, po s’mujt kurrqysh…
Ditët e netët ma t’bukura, çdonjeni prej nesh i palos e i ndryn ndër sirtarë kujtimesh… e veç kur Dashnia bahet mungesë, kthejmë aty m’i shfletue fjalët e thana n’frymën e thame…
Kishte kalue nji v-jetë, e Pranvera s’po kish ma fjalë dashnie.
Prej ditve ma t’bukra, e gjeje tue kputë, pa i thanë kujt do dega e lule t’thame, e pa i shpjegue as vedit se çka i kish ndodhë, kqyrte ndër sirtarët e kujtimeve…
Gjanat magjike t’jetës që s’lajmojnë kur vijnë, as duhet të trishtojnë kur shkojnë… por kjo s’ndodh e gjithnji e gjithkujt.
Pse ndodh që ato thjesht dhurojnë do flluska t’shndritshme (ai ato t’sapunit) veç me tërhjekë vemendje për kotsinë e tyne të flashkët…
Dashnia e Njeriut të dashuruem, jeton edhe n’mungesë të fjalëve, edhe n’mungesë t’asaj bote që dikur voziste mbrenda tij.
Dashnia s’e vuen si zhgënjim hikjen e nji Pranvere.

Fatos Bylykbashi - Portret
Fatos Bylykbashi – Portret*

Mbrenda saj ka jetue gjithherë diçka ma e madhe se nji emën, ma e plotë se nji stinë e ma e shndritshme se nji v-jetë.
Shumçka futen n’jetën tonë veç me na provue der ku e deri kur mund t’mbrrijë e pambrritshmja.
Ajo na e ve n’lëvizje shpirtin me gjenerue dritë e lejon me iu grabitë njaq sa i mjafton dikujt me ngrofë akujt dhe çlodhë verbsinë.
Mandej shkon, shkon me fjetë njatje ku ishte, pa mujtë m’e lexue si duhet njat zbraztinë e madhe triumfuese, si keqardhje për njato petka të xhveshuna t’nji shëmtie lakuriqe që shetitë gjithkah tue lypë sy t’verbuem…

Nji ditë marsi, dielli i dalë prej drojes u fut ndër dejtë e pemëve, e syve t’mi prej s’largu iu fanit Pranvera, e me frigë të mirmendueme ecte kryeultë midis heshtjes s’nji pylli mbushe me pemë Dashnie…
9 mars 2022

*PS. Portretet janë marrë nga faqja e FB e Fatos Bylykbashit, arti i të cilit, (simbas meje), asht i lidhun pazgjithmësisht me botën femnore… j.r.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.