back to top
4.5 C
Tirana
E shtunë, 7 Mars, 2026

Xhaferr Deva përballë Miladin Popoviçit – Refleksione nga Klodi Stralla

Gazeta

Xhafer Deva vs Miladin Popoviç
Xhafer Deva vs Miladin Popoviç
Xhaferr Deva përballë Miladin Popoviçit
Refleksione nga Klodi Stralla

E kam bërë zakon që herë mbas here të vendos përballë njëri-tjetrit dy personalitete historike të kohës, sepse besoj që ballafaqimet janë një metodë efikase për zbulimin e të vwrtetës në çdo fushë të dijes, pra edhe të të vërtetave historike.
Kur gueriljet komuniste “dekoronin” rrugëve të Atdheut njerëz të pafajshëm, duke i etiketuar ata “tradhëtarë”, ministri i brendëshem i kohës, shqiptari nga Kosova – Xhafer Deva, i sugjeroi anëtarit të Regjencës, Mehdi Frashërit, asgjësimin fizik të 200 terroristëve, për të vendosur rendin dhe qetësinë në vend, ky i fundit i thotë: – “Nuk do të pranoj të vishen në të zeza 200 nëna shqiptare!”.
Reagimi i Devës ishte epik: “Atëhere do të veshet në të zeza e gjithë Shqipëria!”
Koha i dha të drejtë, ndonse ai dhe ata që mendonin si ai, u vendosën “në anën e kundërt të Historisë”!
Por kush ishte Xhafer Deva, që përfaqësonte Qeverinë shqiptare të kohës (1943-1944), të ashtuquajturën “kuislinge” dhe kush ishte Miladin Popoviçi, ideatori dhe organizatori i P.K.SH (1941-1944), që frymëzonte dhe drejtonte si “eminencë gri” vwllavrasjen mes shqiptarëve?
-Të dy kishin ardhur nga Kosova e ish Jugosllavisë. I pari, Xhafer Deva, një shqiptar, pinjoll i një familje të madhe atdhetare nga Mitrovica, fill pas shpërbërjes të shtetit jugosllav (prill 1941), drejtonte krahun nacionalist në Mitrovicë, armik i betuar i pushtuesve serbë dhe bashkëpunëtor i afërt me gjermanët. I dyti, Miladin Popovici, një serb me banim në Kosovë, ku ishte drejtues i komunistëve për krahinën shqiptare të Kosmetit (Kosovë dhe Metohi), që gjendej në burgun e Rogozhinës.
-I pari është themeluesi dhe kryetari i parë i “Lidhjes të Dytë të Prizrenit” (1943), që aspironte bashkimin e Kosovës me shtetin amë, pas përfundimit të Luftës. I dyti, një komunist, nacionalist serb, besnik i Titos dhe misionar i çështjes serbë në Kosovë – bashkimin edhe të Shqipërisë me Jugosllavinë e pas Luftës.
-I pari erdhi në Tirane dhe mori përgjegjësinë e drejtimit të Ministrisë të Brendëshme në qeverinë e Rexhep Mitrovicë (edhe ai një tjetër shqiptar i Kosovës, firmëtar i Pavarësisë të 1912-ës) . I dyti u lirua me porosi prej komunistëve shqiptarë nga burgu i Rogozhinës dhe konsiderohet si themeluesi i vërtetë i Partisë Komuniste Shqiptare në 8 nëntor 1941 në Tiranë.
-I pari ishte një intelektual klasi, që kishte kryer studimet e mesme në “Robert Colege” të Stambollit (një shkollë amerikane me shumë emër), mandej kishte kryer studime të plota universitare në Austri (inxhineri elektrike). I dyti kishte vetëm “shkollën” e Kominternit, por kish aftësinë të përzgjidhte ata drejtues komunistë shqiptarë që do te ishin të bindur dhe servilë ndaj serbëve dhe Titos, jo vetëm gjatë Luftës por sidomos pas saj.
-Xhafer Deva bashkëpunoi me gjermanët sepse së pari, nga pikpamja formale, ata njohën Pavarësinë dhe neutralitetin e shtetit shqiptar në arenën ndërkombëtare (një veprim diplomatik i pa hasur me asnjë prej vendeve ku shkeli Wermahti për nevojat e luftës), dhe së dyti, midis gjermanëve dhe komunistëve shqiptarë që vepronin sipas direktivave të Titos, Xhafer Deva evidentoi gjermanët si “të keqen më të vogël”, duke qenë i vetëdijshëm për gjëmën që e priste Shqipërinë dhe Kosovën pas luftës, nëse ato do të binin nën sundimin e komunistëve. Për këtë koha i dha të drejtë.
-Miladin Popoviçi ishte “Kali i Trojës” në gjirin e shqiptarëve antifashistë dhe atdhetarë, por edhe i komunistëve idealistë, që ushqenin iluzionin se, pas luftës, do të lulzonte epoka e “bashkim-vllazërimit” mes popujve fqinj, ku do të zgjidhej edhe Çështja e Kosovës, sipas parimit të vetvendosjes (Konferenca e Bujanit).
Ai (Miladini) diti të përzgjedhë me mjeshtëri individë aventurierë dhe arrivistë, mediokër në dije, servile dhe perversë në karakter, karrieristë e ambiciozë për pushtet, që për interesa vetiake, jo vetëm shisnin interesat e Atdheut por edhe shoku-shokun (kujtoni luftën brenda llojit në P.K.SH për 50 vjet rradhazi!)
-I pari pas një emigracioni të gjatë, në Turqi, Siri, Egjipt, së fundi përfundoi në SHBA si pedagog në një prej universiteteve prestigjioze të saj dhe ndonse qeveria e Tiranës e kërkoi ta ekstradojë në Shqipëri si kriminel lufte, aleatët amerikanë nuk e lejuan një gjë të tillë.
I dyti (Miladini) u largua nga Shqipëria në prill 1944 dhe u vra në Prishtinë, në rrethana ende të pasqaruara mirë, në mars 1945. E sigurt është sipas po atyre metodave që u kishte mësuar komunistëve shqiptarë gjatë kohës të Luftës (kujtoni termin “dekorim” që përdorte Tarasi, kur urdhëronte vrasjet pas shpine të shokëve të vet).
I solla të dy këto figura simbol të kohës të Luftës, të parin që u përket “Të mundurve” dhe të dytin “Fitimtarëve”, për të dëshmuar se nga pikpamja e interesit kombëtar të shqiptarëve kush ishte në “anën e duhur të Historisë” dhe kush ishin tradhëtarët e saj.
Historia nuk duhet të flasë vetëm me një gjuhë!

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.