
Themelohet “Forumi 26”,
shkrimtarët shqiptarë drejt një tregu të përbashkët të librit
Autorë shqiptarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Diaspora kanë themeluar “Forumin 26”, një shoqatë që synon bashkimin e letërsisë shqipe në një hapësirë të përbashkët kulturore dhe krijimin e një tregu të përbashkët të librit shqip.
Organizimi i ri, i quajtur Forumi i Shkrimtarëve Shqiptarë “Forumi 26”, synon të luajë një rol aktiv në jetën kulturore, të ndikojë në hartimin e politikave gjithëpërfshirëse kulturore dhe të rrisë promovimin e autorëve shqiptarë në të gjitha trevat ku flitet dhe krijohet në gjuhën shqipe.
President i Forumit është zgjedhur shkrimtari Stefan Çapaliku, zëvendëspresident Ag Apolloni nga Kosova, ndërsa Granit Zela mban detyrën e koordinatorit.
“Ne e konsiderojmë gjuhën shqipe si atdheun tonë të përbashkët kulturor. Përmes këtij forumi synojmë që letërsia shqipe të trajtohet si një e tërë e pandashme”, u shpreh Stefan Çapaliku për Report TV.
Sipas drejtuesve, një nga prioritetet kryesore të Forumit 26 është krijimi i një tregu të përbashkët të librit shqip, duke lehtësuar qarkullimin, botimin dhe shpërndarjen e veprave letrare në gjithë hapësirën shqiptare.

“Ne duam që fjala e shkrimtarit të mos mbetet një zë i vetmuar, por të jetë pjesë e debatit publik dhe një këshillë e vlefshme në zhvillimet kulturore dhe shoqërore”, vijon Çapaliku.
Forumi synon gjithashtu të forcojë bashkëpunimin mes shkrimtarëve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe mërgata shqiptare, duke ndërtuar ura reale komunikimi në fushën e letërsisë, kritikës letrare dhe botimit.
“Letërsia nuk është vetëm krijimtari individuale, por edhe përgjegjësi kulturore. Bashkimi është mënyra jonë për t’i dhënë zë kësaj përgjegjësie”, thekson Çapaliku.
Grupi themelues i Forumit 26 përbëhet nga 18 shkrimtarë: Andreas Dushi, Adil Olluri, Ag Apolloni, Donika Dabishevci, Durim Taçi, Entela Tabaku, Ervin Nezha, Gazmend Krasniqi, Granit Zela, Ledia Dushi, Lulëzim Haziri, Mark Pashku, Marsela Neni, Ndue Ukaj, Vlora Konushevci, Primo Shllaku dhe Stefan Çapaliku. President Nderi i Forumit është zgjedhur shkrimtari dhe poeti Visar Zhiti.
Forumi 26 mbetet i hapur për anëtarë të rinj dhe pritet të prezantohet zyrtarisht edhe në Prishtinë në ditët në vijim.
Marrë nga Shqiptarja.com – Shqiptarja.com – Media më e besueshme
6 Shkurt 2026